Enkelejd Lamaj: Shkrimtari, vështirësia që të përball çdo ditë të jetës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ne kemi plot shembuj të mirë të autorëve shqiptarë që janë vlerësuar në vende të ndryshme, një pjesë e mirë e të cilëve edhe jetojnë jashtë. Gjithsesi, mendoj se letërsia shqipe është duke u ngritur dalëngadalë në një stad apo nivel të ri, që fare mirë mund të konkurrojë me letërsinë botërore.

Nga Leonard Veizi

Letërsia e tij mund të ishte lëndë e parë për Hiçkokun. Por regjisori i famshëm britanik me origjinë polake, që ka mbetur në kujtesën e shumëkujt për filmat triller e horror, prej vitesh nuk jeton më. Ndërsa në Shqipëri, Akademia e Arteve apo Kinostudioja nuk projektonin dot regjisorë të të tjera dimensioneve, përveç atyre që u përmbaheshin shtyllave të realizmit socialist. Ndaj sot, letërsia shqiptare e horrorit është e destinuar të mbetet vetëm në etazherët e librarive, pa mundur të marrë dhe një formë tjetër lëvizjeje, atë që ia jep një film, qoftë dhe me metrazh të shkurtër.

Enkelejd Lamaj është ndër të paktët që lëvron letërsinë triller në Shqipëri, dhe si shkrimtar horrori, me gjasa, është i vetmi në këto treva. Lexon më së shumti Stephen King dhe jo vetëm, por, pa dyshim, letërsia e këtij shkrimtari të madh amerikan të trillerit ka hyrë në rezonancat e tij. Prej kohësh eksploron në një fushë të panjohur për letrat shqipe dhe veç hapësirës së madhe ku mund të gjejë mundësira të mëdha, ndeshet vazhdimisht dhe me një vijë risku, sepse jo gjithkush është i gatshëm që, pasi ka hapur faqen e parë të librit të tij, të shkojë deri tek e fundit. Megjithatë, ai shkruan, në ditët e zakonshme kur izolohet me dëshirë nga ambienti i jashtëm me bori makinash e muzikë klubesh nate, për t’u futur në botën e tij “të frikshme”, dhe në ditët e një karantine të detyruar, kur patrullat e policisë nuk të lejojnë të kapërcesh pragun e portës, sepse infektohesh nga të tjetër apo i infekton ata me një virus agresiv të koduar me një emër plot finesë si: “Sars Cov-2”. Dhe nga e gjithë kjo situatë terrori ai ka përfituar jo pak, ka mbyllur një roman dhe ka nisur një tjetër. Për më tej, Enkelejd Lamaj, gjatë një interviste për gazetën “Fjala”, thotë:

Ditët e karantinës, sa frymëzuese ka qenë për ju një situatë e tillë?

Të jem i sinqertë, nuk kam ndier ndonjë ndryshim thelbësor në procesin e krijimtarisë gjatë kësaj periudhe. Sigurisht, ishte (dhe deri diku vijon të jetë) një periudhë e çuditshme, aspak e zakonshme, e cila na ktheu përmbys pothuajse gjithë rutinën e përditshme dhe mbaj mend që ditët e para të mbylljes ishin deri diku të lodhshme, por, me përjashtim të ritmit të të shkruarit, që pësoi një ulje të lehtë, ato ditë të para, nuk pata ndonjë ndikim shumë të madh. Po ndoshta kur shkruan tërë kohës për thriller e horror e për situata të tilla që përfshijnë njerëz të zakonshëm në rrethana të jashtëzakonshme, dhe papritur gjendesh vetë brenda njërës prej tyre, nuk të bën dhe aq shumë përshtypje.

Në ditët e izolimit, cila ka qenë më produktive, krijimtaria apo të lexuarit?

Mund të them që kam lexuar më pak nga ç’lexoj zakonisht, por nuk kam shkruar më shumë nga sa shkruaj zakonisht. Personalisht kam vite që kam krijuar një rutinë të caktuar, për sa i përket krijimtarisë – unë shkruaj natën, kur të gjitha impenjimet e ditës janë strukur në cep të mendjes ose kanë rënë për të fjetur dhe, nisur nga kjo, karantina nuk më solli ndonjë ndryshim të rëndësishëm, përkundrazi. Ditët e para të saj më zunë duke përfunduar kapitujt e fundit të një romani, ndërkohë që në kokë kishin filluar të endeshin personazhet e reja të një historie (romani) tjetër – diçka që më ndodh rregullisht, kur jam duke përfunduar një roman. Dhe, si gjithmonë, kur nis një roman të ri, kam vijuar të shkruaj shumë, aq sa tani që flasim, jam në përfundim të draftit të parë.

Lexo edhe :  Një këngë e pa publikuar nga Tina Turner del në dritë pas 40 vitesh

I prirë nga letërsia thriller dhe horror, a keni konkurrencë ndër autorët shqiptarë?

Për thriller-in, e kam një konkurrent… Për horrorin…???  Përpos shakave, sinqerisht kjo është diçka që nuk e mendoj asnjëherë. Madje më shumë mendoj se i vetmi konkurrent që duhet të ketë një shkrimtar, është lexuesi. Po arrite t’ia kalosh atij, je në rregull.

Si e shihni letërsinë shqipe të viteve të fundit, kur ajo përballet në të njëjtin treg me letërsinë botërore?

Për fat të keq, e shoh pak në dizavantazh, por jo për shkak të cilësisë. Ne kemi plot shembuj të mirë të autorëve shqiptarë që janë vlerësuar në vende të ndryshme, një pjesë e mirë e të cilëve edhe jetojnë jashtë. Për të mos përmendur emra, ngaqë nuk i mbaj mend të gjithë e, për rrjedhojë, nuk dua të lë ndokënd jashtë listës, do të doja të vija theksin vetëm te fakti që, fatkeqësisht, atyre u kushtohet shumë pak hapësirë në media, qofshin këto online ose jo. Gjithsesi, mendoj se letërsia shqipe është duke u ngritur dalëngadalë në një stad apo nivel të ri, që fare mirë mund të konkurrojë me letërsinë botërore.

Tregu i librit shqip, me çfarë vështirësish përballet një autor shqiptar brenda tregut të gjuhës me të cilën ai shkruan?

Kjo është një temë për të cilën është folur, flitet dhe vazhdimisht do të flitet, pa ezauruar plotësisht të gjitha përgjigjet e mundshme. Mund të flasim pa fund për paragjykimin që i bëhet një libri shqip, për mungesën e vëmendjes apo të politikave mbështetëse të institucioneve, për çmimin absurd të librit në përgjithësi, për sjelljen e disa botuesve, që nuk shpërndajnë veprat, apo atë të disa librarëve, që nuk pranojnë të tërheqin letërsi shqipe në libraritë e tyre, por në fund, nuk do të kishim asgjë të re nga fronti. Personalisht, kam filluar të mendoj se vetëm të qenët një autor (shkrimtar) mjafton si një vështirësi me të cilën duhet të përballesh çdo ditë të jetës tënde, në radhë të parë për të qëndruar si i tillë. Gjithë vështirësitë e tjera janë pak a shumë të njëjta me ato të çdo njeriu tjetër që dëshiron ta jetojë jetën dhe jo thjesht të kalojë kohën e saj. Të shkruash do të thotë të kesh një detyrë shtëpie, e cila nuk përfundon kurrë së realizuari dhe kjo është vështirësia e vërtetë e një shkrimtari.Vendi në treg pastaj, vjen vetë, gradualisht.

Si e shihni rolin e rolin e kritikës, sa funksionon ky institucion?

Unë mendoj se kritika, si institucion, në vendin tonë, është pothuajse e papërfillshme. Më vjen keq kur e them këtë, sepse mendoj se kritika është një institucion i rëndësishëm që i duhet letërsisë së një vendi, duke shërbyer si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit, por kështu e mendoj. Pavarësisht përpjekjeve të disa zërave, vazhdoj ta shoh si një mungesë për letrat shqipe dhe jo vetëm si pikë reference për lexuesin, por edhe për shkrimtarët, madje edhe për vetë botuesit.

Botime nga Enkelejd Lamaj:

“Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë”, Shtëpia Botuese Dudaj, 2019

“Ajo e errëta”, Shtëpia Botuese Dudaj, 2018

“Vendi diku midis”, Shtëpia Botuese ADA, 2014

“Libri i bardhë”, Bota Shqiptare, 2011

“Fytyra tjetër e natës” Ombra GVG, 2003

Të fundit

Elon Musk dhe trashëgimia e manjatëve në politikën amerikane

Biznesi ka qenë i ndërthurur me politikën amerikane që para themelimit të vendit. Pavarësisht që drejtuesit e bizneseve luajnë...

‘Nuk duhej të ishin ndjekur penalisht’, Presidenti Trump fal 23 protestues kundër abortit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump nënshkroi faljen e 23 protestuesve kundër abortit të enjten, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Në mesin e të...

Një tjetër moderatore do bëhet pjesë e BBV4, ja për kë bëhet fjalë

Moderatorja Krisa Çaushi do të bëhet pjesë e edicionit të këtij viti të Big Brother VIP Albania. Lajmi është konfirmuar nga burime ekskluzive për...

SPAK i dha leje për të udhëtuar jashtë, Sali Berisha tregon arsyet e vizitës në Gjermani

Kreu i PD Sali Berisha, në një intervistë dhënë për gazetarin ,Osman Stafa ka dhënë më tepër detaje rreth vizitës së tij në Gjermani. Berisha...

Virozat prekin grupmoshat pediatrike, fluks vizitash mjekësore në Korçë

Në repartin e pediatrisë të spitalit të Korçës është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të vizitave, që arrijnë deri në 60 raste...

Lajme të tjera

Web TV