Mjeku epidemiolog, Dritan Ulqinaku, në një intervistë për gazetën “Fjala” tregon arsyen e rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.
Sipas tij, rënia e vigjilencës nga qytetarët dhe mosrespektimi i masave reflektojnë shifrat me të cilat po përballemi. Gjithashtu, epidemiologu thekson se mendohet që virulenca e virusit ka rënë, por ende nuk ka studime të mirëfillta.
Nga Ina Allkanjari
Njerëzit e kanë harruar se çfarë do të thotë distancim fizik, moszbatimi i masave solli rritje të numrit të rasteve me koronavirus në vend. Kështu u shpreh për gazetën “Fjala” mjeku epidemiolog, Dritan Ulqinaku, në një kohë kur shifrat e të infektuarve me virus janë në rritje, duke shënuar ditën e djeshme 42 raste të reja me koronavirus.
Për sa i përket QSUT-së, e cila është kthyer në vatër të virusit COVID-19, ku figurojnë të infektuar edhe personel mjekësor, epidemiologu thekson se kjo vjen si pasojë e mosrespektimit të protokolleve, duke filluar nga mjekët, infermierët dhe pacientët.
Për sa i përket virulencës së koronavirusit, Ulqinaku shprehet se ka shenja që ka rënë, kjo duke u bazuar në format e sëmundjes dhe në të dhënat që vijnë nga profesorë të huaj, por, sipas tij, është shpejt për ta thënë me siguri absolute. Mjeku u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat, duke theksuar që është i rëndësishëm përdorimi i maskave në vendet e mbyllura.
Si e shpjegoni rritjen e numrit të personave të prekur me COVID-19 ditët e fundit?
Lehtësimi i masave u kuptua gabimisht edhe si lehtësim i distancimit fizik mes qytetarëve. Po të shohësh me vëmendje, njerëzit e kanë harruar se çfarë do të thotë distancim fizik. Nëse ne e respektojmë këtë masë, nuk ka asnjë shans që të rikthehen këto shifra. Njerëzit harruan dhe filluan të përqafohen, të dalin përkrah njëri-tjetrit, masat nuk janë zbatuar, prandaj dhe shifrat e reflektojnë këtë gjë. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër.
Vendi ynë është drejt hapjes së transportit publik, mendoni se do të thellohet akoma më shumë përhapja e virusit?
Nëse njerëzit respektojnë protokollet, që janë shumë të thjeshta dhe konsistojnë në mbajtjen e maskës në momentin që qarkullon me transport urban, nuk do të ndodhë asnjë përkeqësim. Ne e kemi në dorë vetë fatin tonë. Nëse respektojmë gjërat më të thjeshta, si larja e duarve, qëndrimi në distancë nga personat e tjerë, të paktën me 1 metër, dhe mbajtja e maskës në autobus, situata nuk do të përkeqësohet. Nëse nuk zbatohen këto masa, patjetër shifrat do të jenë në rritje.
Për sa i përket virulencës së COVID-19, mendoni se ka një rënie?
Disa profesorë shumë të nderuar të huaj janë shprehur se ka shenja që virulenca ka rënë. Por nuk ka studime të mirëfillta për këtë gjë. Ne u besojmë zërave të tillë dhe i marrim për të mirëqena, por është shpejt për ta thënë me siguri absolute.
QSUT, së fundmi, është kthyer në vatër për virusin COVID-19, pse kjo përhapje në ambientet e spitalit?
Vazhdoj të këmbëngul që kjo vjen për shkak të mosrespektimit të protokolleve, duke filluar që te mjekët, tek infermierët te pacientët, tek të gjithë. Keq më vjen, por, realisht, ata janë vija e parë dhe e kanë për detyrë të kujdesen për të sëmurët me COVID, por duhet të mbrojnë shumë edhe veten. Pra, mendoj se kjo përhapje ka ardhur si pasojë e rënies së vigjilencës.
Mendoni që nëse kurba e të infektuarve vijon të rritet, mund të rikthehemi tek izolimi?
Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një fatkeqësi. Nuk mendoj se do të ndodhë diçka e tillë.
Cili është apeli juaj për qytetarët?
Tri janë gjërat kryesore që qytetarët duhet të respektojnë. Distancimi mes tyre prej të paktën 1,5 metër, mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura, duke filluar nga transporti publik, te supermarketet etj., si dhe higjienë personale sa më të lartë.
42 raste të reja me COVID-19, zgjerohet harta e zonave të infektuara në Shqipëri
Numri i rasteve të reja me koronavirus në vend ka shënuar ditën e djeshme nivelin më të lartë, me 42 të infektuar. Rastet e reja me COVID-19 figurojnë në zona të ndryshme të Shqipërisë, përkatësisht 21 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në Krujë, 2 në Lushnjë dhe nga 1 rast në Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore.
Vihet re se ka një rishfaqje të virusit në zona si Puka dhe Ura Vajgurove, ku nuk kishte më të infektuar. Epiqendra e COVID-19 vijon të jetë Tirana, ndërkohë Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik në një deklaratë për mediat u shpreh se rastet e konfirmuara gjatë 24 orëve të fundit janë kontakte të rasteve pozitive, por figurojnë edhe raste të reja, që janë në hetim në Durrës, Berat, Pukë, Shkodër.
“Në 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 pjesëtarë të personelit shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 prej tyre, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermierë”, tha Dervishi. Mësohet se vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar, të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana.
Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me COVID-19, gjithashtu është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, ndërsa njëri prej tyre në intubim. Ditën e djeshme një 81-vjeçare, e shtruar në spitalin infektiv ka ndërruar jetë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e moshuara ndërroi jetë për shkak të insuficiencës multiorganore, ndërsa ishte dhe me COVID asimptomatik. Në vendin tonë figurojnë 327 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër. Bëhet me dije se nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitive 1341 raste.
Nga ana tjetër, rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është brenda pritshmërive të autoriteteve. Por ministrja përsëriti thirrjet drejtuar qytetarëve që askush të mos i neglizhojë masat individuale të higjienës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve.
“Pas hapjes fillimisht graduale, dhe më pas tërësore dy javë më parë, Shqipëria ka ende transmetime komunitare të infeksionit në Tiranë, Shkodër dhe Durrës. Kemi të prekur dhe shtim të numrit të pacientëve në spitalin infektiv.
Që kur vendosëm për rihapjen, kemi ndarë me ju besimin se gjërat do të shkojnë mirë, vetëm nëse plotësohet një kusht themelor: bashkëpunimi i qytetarëve, u shpreh Manastirliu.
Më tej ministrja theksoi se sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë, dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit.
Rastet në rrethe
15 qytete në vend vijojnë të kenë raste aktive me COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar raste të reja në Shkodër, Durrës, Krujë, Lushnjë, Pukë, Berat dhe Ura Vajgurore.
Konkretisht, ditën e djeshme janë konfirmuar 9 raste pozitive në Shkodër. Mësohet se mes tyre një është personel mjekësor në Poliklinikën e Shkodrës dhe një punonjës në Sigurimet Shoqërore. Ndërkohë në Berat janë shënuar 2 raste pozitive me COVID-19, ku njëri dyshohet se është infektuar gjatë vizitës që ka kryer në Tiranë, në spital, ku ka gruan të shtuar. Ndërsa bëhet me dije se rastet e Krujës janë qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në një ceremoni mortore, ndaj ju bëjmë thirrje edhe një herë që t’i shmangni grumbullimet masive, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. 4 raste të reja janë konfirmuar ditën e djeshme në Durrës,
2 prej të cilëve në një familje në Ishëm. Dy ditë më parë në këtë familje rezultoi i prekur kryefamiljari, ndërsa sot të prekur rezultuan edhe 2 pjesëtarë të tjerë të familjes. Rasti tjetër është një i moshuar që kishte qenë në spital për vizitë. Nisur nga simptomat, dyshimet e mjekëve janë vërtetuar, pasi rezultoi pozitiv.
Tabelë
COVID-19 – Statistika
Testime totale 19271
Raste pozitive 1341
Raste të shëruara 980
Raste aktive 327
Humbje jete 34
l.m/Fjala.al