Prej disa ditësh QSUT-ja është kthyer në një vatër infeksioni, ku numri i personelit mjekësor të prekur me COVID-19 vijon të rritet. Deri më tani rezultojnë një numër prej 150 staf mjekësor të infektuar me koronavirus.
Gazeta “Fjala” mëson se nga 26 maji dhe deri më tani vetëm brenda ambienteve të QSUT-së janë 64 persona të prekur. Katër arsyet e përhapjes së virusit në qendrën spitalore
Nga Ina Allkanjari
QSUT-ja është kthyer në një nga vatrat më të mëdha për infektimin nga COVID-19 në vend, nga ku mësohet se prej pacientëve të ndryshëm është përhapur virusi në shumë qytete të tjera. Prej muajit mars, ku u shënua i infektuari i parë me koronavirus në Shqipëri deri më sot, mësohet se janë konfirmuar 150 persona nga personeli shëndetësor të prekur me COVID-19.
Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve njëherësh zv.ministre e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila shprehet se ekziston një infeksion në QSUT, por, sipas saj, nuk është një vatër e madhe. Sipas Rakacollit, shfaqja e infeksionit në spital është e pashmangshme, duke e konsideruar një fenomen mbarëkombëtar. “Që kemi një infeksion në QSUT e kemi, por jo vatër të madhe.
QSUT ka 57 shërbime, ku ofrohet kujdesi për pacientët. Ky infeksion ka qenë problem në mjekësinë interne dhe në hematologji… Janë rreth 150 veta të prekur. Nuk kemi pasur asnjë humbje jete në stafin mjekësor. Mjekët shpenzojnë kohë në një ambient virusal dhe kjo është arsyeja pse preken”, tha ajo.
Gazeta “Fjala” mëson se për periudhën nga 25 maji deri në 12 qershor kanë rezultuar rreth 64 raste të reja personel mjekësor me COVID-19, ku rreth 50 prej tyre janë staf i QSUT-së. Sipas të dhënave, numri i të prekurve me koronavirus i personelit mjekësor ka pësuar rritje gjatë periudhës së hapjes totale.
COVID-19 në QSUT, arsyet
Arsyet e rritjes së stafit të infektuar mendohet të jenë të ndryshme, por ndër më kryesoret renditet moszbatimi i protokollit. Kjo duke nisur nga përdorimi i maskave, të cilat janë të detyrueshme për t’u përdorur në ambientet e mbyllura.
Kjo pasi një person i infektuar mund të jetë bartës i virusit para fillimit të simptomave të sëmundjes, ose të jetë asimptomatik, pra praktikisht të gjithë konsiderohen përhapës të mundshëm të virusit.
Logjika e detyrimit për të mbajtur maskë është që nëse të gjithë i përmbahen atij, ulet rreziku i përgjithshëm i infeksionit në shoqëri. Por, nga ana tjetër, mjekë të ndryshëm në mbarë botën janë treguar skeptikë në lidhje me efektivitetin e maskës kirurgjikale në viruset që vijnë nga ajri.
Disa prej tyre janë shprehur se maskat kirurgjikale që të të mbrojnë prej virusit duhet të përdoren dy njëkohësisht, për shkak se nuk sigurojnë ndalimin e përhapjes së virusit. “Mbajtja e maskës kirurgjikale në publik nuk është një mënyrë efektive për t’u mbrojtur kundër viruseve dhe baktereve të ajrit”, tha David Carrington nga Universiteti St. George, për BBC-në, duke shtuar se këto maska mund të zvogëlojnë rrezikun e kontaktimit të virusit përmes teshtitjes dhe kollitjes dhe mbi duar, ose duke prekur gojën me duar.
Por, sipas burimeve të gazetës “Fjala” mësohet se personeli mjekësor në Shqipëri, pavarësisht prej furnizimeve të vazhdueshme me maska kirurgjikale, sërish e ka vuajtur mungesën e tyre, ngaqë numri nuk ka qenë i mjaftueshëm.
Nga ana tjetër, siç u theksua më sipër, moszbatimi i protokollit, deri në neglizhencën e personelit mjekësor, rezulton të jetë një arsye që e shndërroi QSUT-në në vatër infeksioni. Pak ditë më parë, në një intrvistë për gazetën “Fjala”, këtë fakt e konfirmoi edhe mjeku epidemiolog, Dritan Ulqinaku, i cili theksoi se QSUT-ja është kthyer në vatër të virusit COVID-19, si pasojë e mosrespektimit të protokolleve, duke filluar nga mjekët, infermierët dhe pacientët.
Sipas Ulqinakut, personeli mjekësor janë vija e parë dhe e kanë për detyrë të kujdesen për të sëmurët me COVID, por duhet të mbrojnë shumë veten. Ndaj, sipas mjekut, kjo ka ardhur si pasojë e rënies së vigjilencës. Për këtë arsye mendohet se hapja e madhe ka sjellë dyndje të pacientëve dhe familjarëve të tyre në ambientet e spitaleve.
Duke qenë se heqja e masave shtrënguese, u shoqërua dhe me rënien e ndjeshme të intensitetit të kontrolleve, për zbatimin e rregullave të higjienës dhe protokolleve të përcaktuara nga autoritetet, në pjesën më të madhe të rasteve shumë familjarë mësohet se futeshin në ambientet spitalore pa maska, çka solli dhe rritjen e të infektuarve dhe qarkullimin e infeksionit në QSUT.
Ndërkohë një pjesë e të infektuarve mësohet të jenë asimptomatikë, ndaj kjo ka bërë që personat e prekur, staf mjekësor, kanë vazhduar punë pa e ditur që mund të ishin pozitivë. Kjo vërtetohet nga analizat e serologjisë, ku 6 raste të personelit mjekësor dolën pozitive dhe pse nuk kishin simptoma.
Sipas zv.ministres së Shëndetësisë, deri më tani janë bërë rreth 5000 teste serologjike, ku stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka rezultuar me pozitivitet 7%, ndërsa aktualisht ky proces po shtrihet te punonjësit e shërbimit.
“Testet serologjike janë teste që po bëhen. Vlera e tyre është mjaft e debatueshme, që nga lloji i testit dhe koha që merret. Është një eksperiencë që po provohet. Janë bërë rreth 5000 teste, ka mbaruar stafi i QSUT-së me pozitivitet 7% dhe po shtrihet në punonjësit e shërbimit.
Me thënë të drejtën, me ato që vëmë re në jetën e përditshme, duke parë këtë lloj qasjeje të njerëzve që kujtojnë se virusi nuk është dhe nuk i përdorin mjetet që përdorën në fillim, mund të ketë shtim numrash, por nuk e besoj që të shkojë përtej numrave të parashikuar”, tha Rakacolli.
Nga ana tjetër, Rakacolli tha se shifrat e fundit të të prekurve me koronavirus nuk rrezikojnë kolapsin e sistemit shëndetësor, megjithatë ajo apeloi për respektimin e masave dhe protokollit të sigurisë nga qytetarët dhe bizneset.
Mjeku shqiptar në Itali
Mjeku Albert Troci, kirurg në spitalin “Luigi Saço”, në Milano, shprehet se shifrat aktuale të të prekurve me COVID-19 në Shqipëri janë mjaft shqetësuese. Mjeku deklaroi për Euronews Albania se akoma më shqetësues është fakti që spitali është bërë vatër infeksioni e virusit.
Teksa solli shembullin e spitalit ku punon në Itali, z. Troci tha se masat që merren atje për t’u mbrojtur nga futja e virusit janë shumë të rrepta, që nga personeli deri te pacientët, të cilët, siç theksoi, instruktohen që nga momenti i hyrjes e deri në dalje.
“Pritej një rritje e rasteve, por një rritje brenda spitalit, kjo nuk duhet të ndodhte. Kjo është përgjegjësi e strukturës spitalore dhe e vetë pacientit. Në Itali ndiqesh penalisht, nëse me vetëdije del dhe takon të afërmit, kur e di se je bartës i COVID-19”, tha mjeku.
Sipas tij, qytetarët duhet të kthehen te kujdesi, kur ishte frika e madhe e virusit, sidomos në spitale, ku çdo punonjës duhet të mbrohet, ndërsa thekson se spitali duhet të jetë jashtë kësaj lufte.
Mjeku i infektuar me koronavirus
Ndërkohë që ekspertët bëjnë apel për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në qytetin e Krujës ka ndodhur një rast i paprecedentë.
Mësohet se një mjek dhe bashkëshortja e tij të infektuar me COVID-19, edhe pse ishin në dijeni të infektimit, kanë vijuar jetën normalisht.
Bëhet me dije se mjeku, që është imazherist dhe bashkëshortja e tij laborante, kanë refuzur karantinimin, ndonëse kjo e fundit ka rezultuar pozitive me COVID-19. Mësohet se drejtuesit e spitalit i kanë bërë një shkresë komisariatit të qytetit që të bëjë karantinimin e detyrueshëm të çiftit të mjekëve.
Katër arsyet e përhapjes së COVID-19 brenda ambienteve spitalore
1-Mospërdorimi i maskave (Furnizimi jo i plotë i personelit me maska kirurgjikale)
2- Neglizhenca e vetë stafit mjekësor (Moszbatimi i protokolleve të përcaktuara)
3- Hapja e madhe pas datës 1 qershor dhe ulja e vigjilencës nga qytetarët
4-Të infektuarit asimptomatikë dhe vijimi i punës pa e ditur se janë pozitivë
Policia: Kemi listat e përditësuara me emrat e të infektuarve, ndëshkim kush shkel karantinën
Teksa shifrat e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri vijojnë të rriten me intensitet të lartë, policia e shtetit njofton se ka intensifikuar masat, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se u është dhënë porosi të gjitha shërbimeve policore në të gjithë vendin që të intensifikojnë masat për distancimin social, përdorimin e masave mbrojtëse dhe vetëkarantinimin e të infektuarve.
Policia e Shtetit thekson se disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e të infektuarve me COVID-19, të cilat iu vihen në dispozicion të gjitha drejtorive vendore të policisë. Policia ka paralajmëruar sanksione ligjore në drejtim të personave që shkelin karantinën e detyrueshme.
“Shërbimet e policisë, në bazë të listave përkatëse, kanë telefonuar dhe kanë kontaktuar me secilin prej këtyre personave dhe u kanë kërkuar në mënyrë të prerë të mos dalin nga banesa, duke iu bërë me dije sanksionet ligjore të parashikuara në Aktin Normativ, në rast të shkeljes së vetëkarantinimit të detyrueshëm”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, krahas kontrollit të pandërprerë të personave të vetëkarantinuar, strukturat e policisë bëjnë me dije se po vijojnë punën në terren, në bashkëpunim me Task Forcën, për monitorimin dhe kontrollin e çdo subjekti, institucioni apo njësie tregtare, për zbatimin e protokolleve të sigurisë, të miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Njëkohësisht, policia sqaron se ka vijuar kontrolli i pandërprerë për ndalimin e tentativave për transport publik, në shkelje të Aktit Normativ. Në mbyllje të njoftimit Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar me rigorozitet vetëkarantinimin, distancimin social, përdorimin e maskave dhe dorezave në ambiente publike apo njësi tregtare, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.
69 raste të reja me COVID-19, MSH: Bizneset të zbatojnë protokollet
Prej pothuajse një jave shifrat e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri figurojnë në nivele të larta. Ditën e djeshme është arritur një tjetër rekord të infektuarish, me 69 raste të reja. Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, teksa u kërkon bizneseve të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë
Rastet e reja me COVID-19 shënuan ditën e djeshme një numër rekord të personave të infektuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 319 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste positive, kryesisht në ndërmarrje dhe aktivitete biznesi, kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive, të identifikuara nga gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik, si dhe raste te reja.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: Tirana 28 të prekur, 16 në Shkodër, 8 raste pozitive në Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Durrës, 2 në Elbasan, dhe nga 1 rast në Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnjë.
Ndërkohë që janë nën hetim disa raste të reja në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kamëz dhe Durrës. Prej pothuajse një jave, shifrat e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri figurojnë në nivele të larta, shifra ditore të cilat nuk janë arritur as në periudhën kur epidemia konsiderohej në kulmin e saj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë kësaj periudhe njëjavore ka rezultuar rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, gjithashtu ka një rritje të të shtruarve në spital, por qëndrueshmëri për sa u takon fataliteteve.
Ndërsa thekson se kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore. “Duhet theksuar se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se kemi kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97% e subjekteve janë në aktivitet.
Për këtë arsye, duhet kujdes i shtuar për zbatimin e rregullave”, deklaroi Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik. Më tej bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë, mes të cilëve 2 personel shëndetësor, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1055.
Thirrje për bizneset
Aktualisht në Spitalin Infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç, mbi 60% e tyre janë nga Tirana.
Në vendin tonë janë aktualisht 499 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Krujë. Duke qenë se rastet e reja po zbulohen në ndërmarrje, institucione publike e private, autoritetet iu rikthyen sot thirrjeve që të nxitin të punuarit nga shtëpia, aty ku është e mundur.
“Nisur nga fakti se ditët e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje edhe një herë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.
Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet, sipas ligjeve në fuqi”, theksoi zonja Tomini. Ndërsa heqja e masave shtrënguese, u shoqërua dhe me rënien e ndjeshme të intensitetit të kontrolleve, për zbatimin e rregullave të higjienës dhe protokolleve të përcaktuara nga autoritetet, prej dy ditësh ato janë përforcuar.
Tomini thekson se çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet, sipas ligjeve në fuqi. Ndërohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët, që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1,5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese kur nuk mund të ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosini ambientet ku qëndroni.
COVID-19 – Statistika
Testime totale 20813
Raste pozitive 1590
Raste të shëruara 1055
Raste aktive 499
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Tabele
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive:
Tiranë 249
Shkodër 68
Krujë 63
Kamëz 27
Durrës 25
Vlorë 21
Lushnjë 13
Pukë 11
Elbasan 6
Fier 4
Lezhë 3
Tropojë 2
Mallakastër 2
Korçë 1
Librazhd 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Gjirokastër 1
Box
Mbështetja nga BE-ja, Manastirliu: Nuk do
të ketë kthim pas, respektoni rregullat
BE-ja do të vijojë t’i qëndrojë në krah Shqipërisë, siç ka bërë që nga dita e parë e epidemisë. Kështu deklaroi ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve mjekësore të Bashkimit Evropian për përballimin e epidemisë në vend.
Soreca u shpreh se situata po monitorohet me shumë kujdes, edhe pse shifrat janë rritur këto ditë, Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar se nuk ka kthim mbrapa, por ka nevojë për një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për të respektuar rregullat, që të kufizojmë përhapjen e COVID-19, ndërsa sipas tij sistemi shëndetësor po përgatitet për forcimin e kapaciteteve. Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE-në, për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, kanë vizituar Spitalin Universitar të Traumës, ku ka mbërritur pjesa e dytë e pajisjeve, mbështetje për institucionet shëndetësore shqiptare, ndihmë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se do të vijojë forcimi i kapaciteteve të sistemit shëndetësor për përballimin e luftës kundër COVID-19. “Sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri. Ne jemi duke u përgatitur për forcimin e kapaciteteve. Siç bëmë me spitalin e ri karantinë, jemi duke përfunduar përshtatjen e një strukture tjetër brenda QSUT-së, po fuqizojmë kapacitetet për testimet, ndërsa po forcojmë kapacitetet me aparatura mjekësore për të përballuar situatën. Ndaj edhe këto 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e Urgjencës Kombëtare dhe 15 respiratorë transporti, e një seri aparaturash jetëshpëtuese do të rrisin kapacitetet e reanimacioneve në spitalet tona”,u shpreh Manastirliu. Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE-në për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, në vlerën 4 milionë eurove, kjo ishte mbështetja e dytë për institucionet shëndetësore shqiptare. Në këtë paketë me vlerë 650 mijë euro janë të përfshirë 5 autoambulanca të cilat do të shërbejnë për fuqizimin e urgjencës paramjekësore në territor, 15 respiratorë transporti, 20 oksigjeneratorë, 140 maska nazale, 140 maska fytyre, 750 sete intubimi, 55 laringoskopë dhe 57 pulse oksimetra, pajisje të cilat do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteve të shërbimeve të reanimacioneve në vend. Brenda pak ditëve pritet që të mbërrijë dhe mbështetja me 100 shtretër, me vlerë prej 126 mijë eurosh.
la.mi/Fjala.al