test

Skandal tek Ekonomiku, 315 studentë të masterit pa diploma

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mosmarrëveshjet mes rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, dhe dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, u “faturohen” studentëve. Zëvendësdekani Alban Korbi: Diplomat ndodhen në Rektorat dhe ende nuk janë firmosur nga rektori. Rektorati: Problemi është te regjistrimi i studentëve. I prekur nga ky skandal është i gjithë kursi i masterit 2017-2019. Studentët: Po penalizohemi padrejtësisht nga Rektorati

Nga Ina Allkanjari

315 studentë të Fakultetit Ekonomik të UT-së, të cilët i kanë përfunduar studimet master në vitin 2019, ende nuk e kanë marrë kartonin e diplomës. ‘Lufta’ mes dekanit të Fakultetit të Ekonomikut, Dhori Kule, dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, që zgjat prej vitesh, duket se kësaj here po penalizon studentët. Të paqartë se pse procesi i tërheqjes së diplomave ka mbetur në mes, studentë të Ekonomikut i kanë dërguar kërkesa zyrtare Fakultetit Ekonomik, Rektoratit të UT-së dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, Alban Korbi, zv.dekan i Fakultetit Ekonomik, tregon se diplomat ndodhen në Rektorat dhe ende nuk janë firmosur nga rektori, për t’ua shpërndarë studentëve, ndonëse kanë firmën e dekanit dhe numrin e matrikullimit nga QSHA-ja. Korbi thekson se mbetet e pakuptueshme arsyeja se pse 19 diploma nga ky kontingjent janë firmosur nga rektori, ndërsa pjesa tjetër jo. Sipas Korbit, Fakulteti Ekonomik i ka dërguar shkresë zyrtare Rektoratit për të mësuar arsyen se pse këto diploma nuk po firmosen, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “E vetmja përgjigje që marrim është se nuk i firmos rektori, meqë nuk janë përcjellë listat e studentëve në 2017-n”, tha zv.dekani i Fakultetit Ekonomik. Kjo konsiston në faktin që Fakulteti Ekonomik listat e studentëve të regjistruar në 2017-n ia dërgoi direkt QSHA-së, duke i pajisur studentët me numër matrikullimi. Por Rektorati kërkon që kalimi në QSHA të bëhet prej tyre, ndaj dhe sjell problemin e firmosjes së diplomës sot nga rektori i UT-së. “Pas matrikullimit të këtyre studentëve që atë vit, QSHA-ja ia përcolli edhe Rektoratit me shkresë, duke theksuar që këto janë listat e Ekonomikut. Ndërkohë Rektorati nuk na i përcillte, pasi kërkonte që ne t’ia kishim dërguar që në tetor të 2017-s. E para, nuk është detyrim, pasi me ligjin e ri nuk e bën më miratimin e studentëve Rektorati, plus kjo fazë kaloi dhe numri i matrikullimit për këta studentë u vendos”, shprehet Korbi. Sipas tij, me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi më 6 tetor të 2015,  studentët fitues zgjidhen nga departamenti dhe miratohen nga dekani. Por, përpos kësaj, Korbi thekson se në shkurt të këtij viti Fakulteti ia ka dërguar sërish me shkresë zyrtare Rektoratit listën e studentëve, por ende diplomat e këtyre studentëve nuk janë firmosur.

Studentë të Fakultetit Ekonomik, të cilët i kanë përfunduar studimet master në vitin 2019 ende nuk janë pajisur me diploma.Për sa studentë bëhet fjalë, dhe cila është aryesja që ende nuk kanë mundur ta marrin kartonin, ndonëse i kanë përfunduar studimet?

Aktualisht, kartonat e diplomave janë firmosur nga dekani i Fakultetit Ekonomik, si dhe  janë pajisur me numër matrikullimi në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Pra, nga Ministria njihen që janë në rregull. Flasim për studentët e Masterit të Ekonomikut, që kanë ndjekur studimet në vitin 2017-2019. Aktualisht janë 315 studentë që janë në pritje për të marrë diplomën, ndërkohë kjo diplomë ndodhet në Rektorat. Firmoset si fillim nga dekani, më pas nga rektori. Ndërkohë nga dekani këto diploma janë firmosur. Nga ky brez 19 diploma janë firmosur nga Rektorati.

Si është e mundur që 19 diploma janë firmosur dhe tërhequr nga studentët, ndërkohë pjesa tjetër jo?

Fakulteti i është drejtuar me shkresë zyrtare rektorit që cilat janë arsyet pse 19 diploma janë firmosur, kurse të tjerat nuk firmosen dhe nuk është kthyer përgjigje. Ne vijojmë të pyesim zyrtarisht rektorin se pse nuk po firmosen diplomat nga ana e tij, cila është arsyeja, a ka pasaktësi kartoni, a e ka numrin gabim, ka probleme firma e dekanit, cila është aryseja që nuk i firmos?!  Por s’kemi marrë një përgjigje. E vetmja përgjigje që marrim është se nuk i firmos, meqë nuk janë përcjellë listat e studentëve në 2017.

Sipas Rektoratit, dekani nuk i ka dwrguar të dhënat, listat për këta studentë. Si qëndron e vërteta?

Rektorati shprehet që lista fituese nuk i është përcjellë për ta dërguar në QSHA për matrikullim. Këtë brez iu dërgua lista e nxënësve direkt QSHA-së dhe u pranua, këto studentë u pajisën me numër matrikullimi. Rektorati kërkon që kalimi në QSHA të bëhej prej tyre, por kjo fazë u kalua dhe studentët u pajisën me numra matrikullimi. Pas matrikullimit të këtyre studentëve që atë vit, QSHA-ja ia përcolli edhe Rektoratit me shkresë, duke theksuar që këto janë listat e Ekonomikut. Ndërkohë Rektorati nuk na i përcillte pasi kërkonte që ne t’ia kishim dërguar që në tetor të 2017-s. E para, nuk është detyrim, pasi me ligjin e ri nuk e bën më miratimin e studentëve Rektorati,  plus kjo fazë kaloi dhe numri i matrikullimit për këta studentw u vendos.

Studentë që janë paraqitur së fundmi në Rektorat janë shprehur se rektori u ka kërkuar që listat të përcillen formalisht që të pajisen me numër matrikullimi, ndërkohë që numri ekziston. Gjithsesi, më 25 shkurt ne ia dërguam listat Rektoratit formalisht dhe prapë diplomat nuk u firmosën. “Në shkresën nr. 242/2 prot. datë 25.02.2020 janë përcjellë në Rektoratin e UT-së listat e studentëve të regjistruar në vitin akademik 2017-2018 mbi bazën e së cilës QSHA-ja ka gjeneruar numrat e matrikullimit për këta studentë. Ju informojmë gjithashtu se nga Fakluteti i Ekonomisë vazhdon t’i kërkohet rektorit zyrtarisht me shkresa të ndryshme që t’i firmosë sa më parë diplomat e ciklit të dytë dhe të mos vazhdojë të cënojë të drejtën tuaj të ligjshme për të tërhequr diplomat”, thuhet në përgjigjen që u kemi kthyer studentëve, duke konfirmuar që vijojmë t’i kërkojnë rektorit firmosjen e diplomave.

Ku konsiston ligji për miratimin e studentëve fitues?

Me ligjin e vjetër deri në 2015-n, studentët fitues zgjidheshin nga Fakulteti, por miratoheshin nga rektori. Pra, nëse rektori nuk kishte bërë miratim, mund të mos e firmoste kartonin, teorikisht, pasi praktikisht nuk ka ndodhur ndonjëherë. Me ligjin e ri, studentët fitues zgjidhen nga departamenti dhe miratohen nga dekani. Ky ligj ka hyrë në fuqi më 6 tetor 2015. Konkretisht në ligj specifikohet:

Përcaktime nga ligji nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën Shqipërisë” (hyrë në fuqi më datë 06.10.2015). Në nenin 23, pika 4 përcakton se “Fakulteti miraton kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, bazuar në propozimet e njësive bazë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore.”

Neni 14, pika d e dh përcakton se: “Departamenti çdo vit akademik, propozon numrin e studentëve për çdo program studimi në përputhje me kapacitetet akademike dhe infrastrukturore të tij, sipas standardeve shtetërore të cilësisë. Përzgjedh studentët fitues, për programet e studimit që ofron, të cilët miratohen nga dekani, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e programit të studimit përkatës, pjesë përbërëse e së cilës ai është.” Neni 34, pika dh përcakton se: “Rektori nënshkruan diplomat për të gjitha ciklet e studimeve që afron Universiteti i Tiranës, pa të drejtë delegimi.”

Neni 47, pika dh e e përcakton se: “Dekani miraton kriteret e pranimit të studentëve, sipas propozimeve të departamenteve për të gjitha programet e studimit dhe miraton studentët fitues të përzgjedhur nga njësitë bazë dhe i publikon ato.”

A mund të penalizohen këta studentë që i kanë mbyllur studimet për ciklin master në Fakultetin Ekonomik, ndërkohë që nuk u mundësohet marrja e kartonit të diplomës?

Normalisht një pjesë e madhe kanë filluar edhe punë në administratë, pasi marrin vërtetim dhe listë notash nga Fakulteti. Vërtetimin studenti e merr me numër matrikullimi me të gjitha të dhënat e sakta. Edhe nëse dëshirojnë të punojnë në kompani ndërkombëtare jashtë kufijve, unë njoh raste nga ky brez që aktualisht kanë filluar punë, duke paraqitur vërtetimin dhe listën e notave. Por çështja është që u duhet kartoni i diplomës. Shqetësimi më i madh ishte që një pjesë, duke parë këtë përgjigje në Rektorat, ishin trembur janë apo nuk janë studentë. Edhe unë në takimet që kam realizuar me këta studentë i kam thënë që kjo gjë vërtetohet, pasi mund të marrin vërtetim dhe listë notash nga Fakulteti, gjithashtu është përgjigjja nga Ministria që e kanë të saktë numrin e matrikullimit, dhe kartoni që ndodhet në Rektorat është i firmosur nga dekani, nuk është një letër e bardhë e paflefshme, Fakulteti e ka njohur zyrtarisht. Plus Rektorati i ka dërguar shpesh jashtë shtetit, p.sh. me Erasmus, pra i ka njohur si studentë, gjithashtu ua ka mbledhur tarifat e studimit. Nga kjo anë ekzistojnë shumë argumente që këta studentë njihen nga edhe nga Rektorati.

Lexo edhe :  Pronari i restorantit në Dortmund: Shqiptarët kanë pirë shumë birra, humba bastin

A ka pasur ankesa nga këta studentë që ende nuk janë pajisur me diploma?

Normalisht deri në muajin dhjetor mendohej si një vonesë e zakonshme. Në fund të muajit shkurt erdhi një studente të cilës rektori i kishte komunikuar që nuk i është nisur lista me të dhënat në vitin 2017 për t’i përcjellë në QSHA, për t’i pajisur me numër matrikullimi. Ndërkohë kjo gjë është tejkaluar, studentët janë pajisur me numër matrikullimi, pasi numri i ka vajtur edhe rektoratit, siç na ka ardhur edhe ne. Tani mbetet vetëm firma e rektorit. Një prej studentëve i është drejtuar me kërkesë QSHA-së, për të ditur nëse ka numër matrikullimi  të saktë, dhe QSHA-ja i ka kthyer përgjigje e cila konfirmon se studentja në fjalë rezulton e regjistruar pranë Fakultetit Ekonomik, dhe në listën me emrat e studentëtve drejtuar në rektorat, figuron edhe numri i matrikullimit të studentes në fjalë, ndonëse ajo ende nuk ka mundur të tërheqë diplomën.

Ligji për miratimin e pranimit të studentëve në Universitet

Përcaktime nga ligji nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën Shqipërisë” (hyrë në fuqi më datë 06.10.2015). Në nenin 23, pika 4 përcakton se “Fakulteti miraton kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, bazuar në propozimet e njësive bazë, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore.”

-Neni 14, pika d e dh përcakton se: “Departamenti çdo vit akademik, propozon numrin e studentëve për çdo program studimi në përputhje me kapacitetet akademike dhe infrastrukturore të tij, sipas standardeve shtetërore të cilësisë. Përzgjedh studentët fitues, për programet e studimit që ofron, të cilët miratohen nga dekani, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e programit të studimit përkatës, pjesë përbërëse e së cilës ai është.”

-Neni 34, pika dh përcakton se: “Rektori nënshkruan diplomat për të gjitha ciklet e studimeve që afron Universiteti i Tiranës, pa të drejtë delegimi.”

-Neni 47, pika dh) e e) përcakton se: “Dekani miraton kriteret e pranimit të studentëve, sipas propozimeve të departamenteve për të gjitha programet e studimit dhe miraton studentët fitues të përzgjedhur nga njësitë bazë dhe i publikon ato.”

Albano Zhapaj: U kapërcye hierarkia, rektori duhet

të ketë dijeni për listën e studentëve

Studenti që të quhet student duhet të matrikullohet nëpërmjet Institucionit të Arsimit të Lartë. Dhe IAL të vetmin përfaqësues zyrtar për të dhënat akademike të studentëve dhe për gjërat protokollare që lidhen me studentët ka rektorin, jo dekanët. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, Albano Zhapaj, drejtori i Kurikulave pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Lidhur me shqetësimin që po ndjek 315 studentët të Fakultetit Ekonomik, të cilët kanë përfunduar studimet master në vitin 2019 dhe nuk e kanë marrë ende kartonin e diplomës, pasi rektori i UT-së, Mynyr Koni, ende nuk i ka firmosur, Zhapaj shprehet se rektori duhet të ketë dijeni për hyrjen e studentëve në momentin e regjistrimit për të ndjekur ciklin e dytë universitar, atë të masterit, gjithashtu në fund, kur diplomohet studenti, rektori duhet të ketë dijeni që është printuar diploma, pra kjo i jep të drejtë rektorit që të firmosë apo jo një diplomë dhe, sipas Zhapajt, nuk ka asnjë të dhënë të dërguar nga dekani për këtë gjë.

Jeni në dijeni që 315 studentët që kanë ndjekur studimet master për periudhën 2017-2019 pranë Fakultetit Ekonomik, nuk e kanë marrë ende diplomën?

Po, patjetër, që jam në dijeni, pasi studentët vijnë dhe thonë që nuk janë pajisur ende me diplomë. Ne mund të na kenë ardhur disa kërkesa nga studentët, dhe të paktën 50 prej tyre i kam kthyer unë përgjigje dhe u kemi thënë ku qëndron problemi. Që këta studentë nuk janë të matrikulluar nëpërmjet Universitetit të Tiranës.

Një prej studenteve të këtij fakulteti ka bërë kërkesë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe ka marrë përgjigje që ka numër matrikulimi dhe QSHA-ja konfirmon se studentja në fjalë rezulton e regjistruar pranë Fakultetit Ekonomik. Pse ende nuk është pajisur me diplomë?

Po, por duhet parë se si është futur për firmë ajo diplomë. Çdo student ka një dosje të vetën, ndaj duhet hapur dhe duhet parë për të verifikuar të gjitha të dhënat.

Procesi i marrjes së diplomave ka ngecur në Rektorat, pasi rektori nuk i ka firmosur. Cila është arsyeja?

Ligji i arsimit të lartë thotë që çdo vit akademik, pasi përfundojnë regjistrimet në universitet, të gjitha regjistrimet përfundimtare, të dhënat e studentëve që janë regjistruar në mënyrë përfundimtare, dërgohen në QSHA për matrikullim. Të gjitha universitetet i kanë dërguar të dhënat në QSHA për matrikullim, ndërkohë që ato të Fakultetit Ekonomik nuk kanë ardhur në Rektorat që të matrikullohen në QSHA. Pas rreth 2 vitesh Fakulteti ynë i merr dorazi matrikullimet nga QSHA-ja. Ne na erdhi informacioni dhe i kemi thënë QSHA-së, gjithashtu kemi dërguar kallëzim penal në prokurori, pasi është shkelur ligji. Sepse studenti që të quhet student duhet të matrikullohet nëpërmjet IAL-së (Institucionit të Arsimit të Lartë). Dhe IAL të vetmin përfaqësues zyrtar për të dhënat akademike të studentëve dhe për gjërat protokollare që lidhen me studentët, ka rektorin, jo dekanët.  Çfarë ka ndodhur tjetër, këta të Fakultetit Ekonomik i kanë printuar vetë diplomat e studentëve. Në të gjithë universitetet e Shqipërisë çdo student që diplomohet, të dhënat e tij që janë të dhëna akademike, i dërgon drejtuesi i njësisë qendrore, që është dekani, i dërgon te rektori. I dërgon dhe i thotë, këto janë studentët e diplomuar, dhe rektori urdhëron shtypshkrimin e diplomave, me shkresë zyrtare çdo gjë. Nga viti 1956 që është themeluar Universiteti i Tiranës çdo studenti të regjistruar dhe të diplomuar në UT, i është shtypshkruar diploma me urdhër rektori, pra dekanët nuk shtypshkruajnë diploma.

Çfarë ndodhi në Fakultetin Ekonomik me shtypshkrimin e diplomave?

Në Fakultetin Ekonomik i shtypshkruajnë diplomat sekretarët. Nëse diploma nuk është shtypshkruar me urdhër rektori dhe nëse studenti shkon jashtë shtetit, p.sh. në Amerikë, ambasada amerikane sjell kërkesën për të vërtetuar nëse është e vërtetë diploma apo jo. Kjo mund të ndodhë pas 5 vitesh apo 10 vitesh, ku rektorët dhe dekanët nuk do të jenë të njëjtët. Ndodh që rektori i kërkon databaze drejtorisë përkatëse dhe në databaze studenti nuk rezulton as hyrës dhe as dalës, pavarësisht se ka firma. Fakti që në një karton është firma e rektorit dhe e dekanit, nuk përbën sigurinë e diplomës. Sigurinë e përbën që të gjendet në regjistrat themeltarë dhe në databazet kryesorë. Kuvendi kur e ka miratuar ligjin dhe ka thënë që studenti të hyjë dhe të dalë nëpërmjet deklarimit të rektorit dhe dekanit, e ka bërë pikërisht për t’u mbyllur dyert abuzimeve.

Pra, sipas jush, problemi qëndron që në regjistrimin e këtyre studentëve në 2017?

Në 2017 që ka lindur problemi, sa kanë qenë kuotat e miratuara për Fakultetin Ekonomik, a janë regjistruar aq studentë sa kuotat e miratuara, apo mos kanë marrë numër matrikullimi më tepër sesa studentë. Në rast se rektori nuk ka dijeni në hyrje të studentit që do të thotë, këta studentë janë regjistruar dhe kanë marrë numër matrikullimi. Në fund, kur diplomohet studenti, rektori duhet të ketë dijeni që është printuar diploma, pra kjo i jep të drejtë rektorit që të firmosë apo jo një diplomë. Nuk ka asnjë të dhënë të dërguar nga dekani.

Si do të vijohet më tej, çfarë do të ndodhë me këta studentë që po penalizohen, ndonëse kanë përfunduar ciklin e studimeve master?

Studentët nuk penalizohen nga Rektorati, studentët penalizohen nga Fakulteti. Ne zgjidhjen ia kemi propozuar edhe ministres edhe kryeministrit, ia kemi dërguar me shkresë. Ne e kemi çuar çështjen deri në prokurori, sepse është shumë e rëndë të japësh një diplomë që nuk rezulton studenti i regjistruar. Çdo nr. që vjen, çdo praktikë studenti ne e filtrojmë, sepse nuk mund të mbyllim sytë dhe të dërgojmë kartonat. Është e vërtetë që rektori ka firmosur disa kartona, ne e kemi kallëzuar këtë gjë dhe po hetohet kush i ka futur ato diploma.  Pasi ata emra nuk rezultojnë të hyrë, dikush nga administrata i ka futur brenda dhe tani po i përdorin.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Shakira tregon vuajtjet pas ndarjes nga Piqué: Më dukej sikur kisha një vrimë në kraharor

Shakira është në epokën e saj të shërimit. Dy vjet pasi duroi një ndarje shumë të publikuar dhe me...

Zbuluan që do bëhen me vajzë, Sara Gjordeni: Kam dashur djalë gjithë jetën…

Ish-banorja e “Big Brother Vip Albania”, Sara Gjordeni ka treguar në “She’s on top” emocionet pasi zbuloi se do bëhej nënë e një vajze. Ajo...

BBC: Roja bregdetare greke ka hedhur emigrantë në det!

Sipas një investigimi të BBC, Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, sipas dëshmitarëve duke përfshirë...

Rritet përqindja e njerëzve që po u shmangen lajmeve

Secilën herë e më shumë, njerëzit po u shmangen lajmeve, duke i konsideruar depresive dhe të mërzitshme, ka bërë të ditur një hulumtim global,...

VIDEO/ Meloni kërcen vallen popullore italiane gjatë samitit të G7

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka mbyllur me një kërcim një prej ngjarjeve të shumta të lidhura me G7-ën. Në videon e postuar nga...

Lajme të tjera

Web TV