Që prej bombardimit të Serbisë nga aleatët perëndimorë për të çliruar popullsinë shqiptare të Kosovës, shteti më i ri evropian ndodhet për herë të dytë në udhëkryq. Këtë herë beteja për protagonizëm në fatin e Kosovës ka ndarë aleatët e saj të luftës, Amerikën dhe Evropën. Çfarë do të ndodhë me Kosovën pas ngritjes së akuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi? Si do të ndryshojë skena e politikës së brendshme dhe imazhi i Kosovës në arenën e jashtme?
Nga Blerina Gjoka
Ballkani vijon të prodhojë më shumë histori, se sa mund të konsumojë. Nëse do të perifrazonim 75 vite më pas thënien e famshme të Winston Churchill-it, Ballkani vijon të jetë në vëmendjen botërore dy dekada pas përfundimit të luftës në ish-Jugosllavi. Kosova mbetet vendi i fundit i ish-Federatës Jugosllave që vijon të mbahet peng nga Serbia me mosnjohje, edhe pse gëzon statusin e një shteti të pavarur, një status i fituar me forcën e bombave të NATO-s dhe të mbështetjes diplomatike nga aleatët perëndimorë. Për herë të parë, kur pritej një marrëveshje historike për ta mbyllur këtë kapitull mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, situata u kthye në pikën zero. Një aktakuzë për krime lufte e lëshuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i bllokoi këto bisedime. Thaçi, një udhëheqës i rëndësishëm i UÇK-së do të ulej në tryezën e dialogut me Aleksandër Vuçiçin, nga ana tjetër një ministër i Informacionit për Millosheviçin gjatë luftës, sot president i Serbisë. Aktakuza e paralajmëruar dhe e hartuar që në prill të këtij viti, u bë publike pikërisht 3 ditë para takimit historik të negociuar nga emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, duke e minuar një marrëveshje që pritej të firmosej në Shtëpinë e Bardhë. Por, për një marrëveshje të tillë është interesuar fort edhe faktori diplomatik në Bruksel, i cili po nxiton të rimarrë në dorë ndërmjetësimin e bisedimeve. Bisedime janë zhvilluar prej vitesh në Bruksel, por kanë dështuar të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, dhe presidenti serb, Vuçiç patën takime me krerë të BE-së dje në përpjekje për të gjetur rrugën për t’i ulur palët në tryezë në fillim të korrikut.
Beteja mes Brukselit dhe Uashingtonit për të marrë protagonzimin e këtyre bisedimeve u duk qartësisht dhe në deklaratat e një dite më parë, edhe pse nuk mund të thuhet me bindje se ishte kjo betejë që nxiti publikimin e akuzës në një moment të tillë. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës tha se fokusi i BE-së është për progres urgjent të dialogut dhe rifillimin e tij në korrik, në Bruksel. Por, as SHBA-ja nuk ka në plan të heqë dorë nga puna e bërë deri më tani, pasi Grenell u shpreh optimist se takimi i parashikuar për 27 qershor do të mbahet më vonë.
Akuza ndaj Thaçit nuk u komentua nga palët, por si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja shprehën mbështetje për punën e Prokurorisë Speciale, që varet direkt nga Gjykata e Hagës, e ngritur për zbardhjen e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Puna e kësaj gjykate ka hasur shumë kritika për mënyrën se si ka funksionuar me dënime të pamjaftueshme të krimeve serbe në Kosovë dhe për punën e bërë për zbardhjen e të gjitha krimeve dhe varreve masive me viktima shqiptare, civilë, gra, pleq e fëmijë. Nuk është hera e parë që liderë të Kosovës, që kanë udhëhequr luftën për liri përballen me akuza të tilla. Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë shkuar më parë në Hagë, për marrë pafajsinë. Por aktakuza ndaj Thaçit ka ngritur tashmë shumë pikëpyetje: Pse kjo akuzë u bë pikërisht tani, cili faktor ndërkombëtar është i interesuar për anulimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve, çfarë do të ndodhë në skenën politike të brendshme në Kosovë, a do ta japë dorëheqjen presidenti Thaçi dhe ndoshta pyetja më kryesore që ngrihet; a u bë Kosova viktimë e një “lufte” diplomatike mes aleatëve të saj më të fortë, Evropës dhe SHBA-së, apo e një lobimi të fortë nga Lindja, nga vende si Rusia e Kina, që njihen si aleate të Serbisë? Gazeta “Fjala” bisedoi me diplomatin Arben Çejku dhe gazetarin Asllan Bajrami për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.
Lexo edhe:
Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit/ Çejku: Gjykata vonoi dialogun, por nuk ndikoi te marrëveshja
Aktakuzat nga Gjykata Speciale/ Enver Robelli: Keni pasur kohë për ta shmangur këtë ditë
Akuzat ndaj Thaçit e Veselit/ Asllan Bajrami: E nxitur nga qarqe të caktuara në Perëndim dhe në Lindje
/En.Br./Fjala.al