Katër stinët e kostos së qeverisë -Nga Eduart Gjokutaj

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

Ka dy rrugë për individët të grumbullojnë mirëqenie dhe pasuri: ose të prodhojnë, ose të grabitin. Qytetërimet më të zhvilluara kanë ecur përpara duke prodhuar apo kryer shërbime dhe i kanë shkëmbyer ato me të ardhura.

Kjo mënyrë e grumbullimit të të ardhurave ndihmon si partneritetin e sipërmarrjen, po ashtu dhe mirëqenien e shoqërisë. Por, ndonjëherë rregullat e ndonjë kohe i lejojnë njërëzit të ecin përpara duke grabitur çfarë kanë prodhuar të tjerët. Kjo mënyrë jo vetëm nuk gjeneron të ardhura shtesë, por konsumon burimet dhe, si rrjedhojë, ul mirëqenien e shoqërisë.

Në botën moderne ka ndodhur të përdoret vetë qeveria për grabitje nga individët që janë pjesë e saj. Sasia e burimeve që u jepen lobingjeve qeveritare, fushatave të zgjedhjeve dhe favore të formave të ndryshme që bëhen nga zyrtarët e qeverisë janë të lidhura direkt me lehtësimin që u bën qeverisja fitimeve personale (apo grupeve të interesit), duke rritur shpenzimet e grupeve të tjera.

E për më tepër, kur qeveria dështon në dhënien e projekteve publike, përfituesit të pare, pa shkelur rregullat e vendosura, njerëzit do të nxiten të harxhojnë më shumë kohë duke u përpjekur të organizohen dhe lobizohen, sesa të rritin prodhimin e të mirave materiale.

Qeverisja e mirë duket nëse është në funksion të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së individëve, kur ajo inkurajon prodhimin dhe shkurajon grabitjen. Akoma më e qartë kjo duket, kur ajo qëndron më shumë si forcë neutrale, duke mbrojtur të drejtat e pronësisë dhe zbatimin e kontratave ligjore.

Pranvera dhe burimet qeveritare

Kostoja e çdo produkti është ajo që duhet të jepet për t’u prodhuar. Qeveria nuk bën përjashtim nga kjo. Por, sektori privat ka humbje për sa u përket burimeve që janë të angazhuara me shërbimet dhe furnizimet e sektorit publik.

Burimet që shkojnë për ruajtje rendi, programe sociale, ushtri, shëndetësi, edukim ose ndonjë produkt tjetër qeveritar, në fakt kanë përdorues të grupeve shoqërore dhe sektorëve ekonomikë të ndryshëm.

Nëse këto burime nuk do të ishin të lidhura me produktet qeveritare, atëherë do të ishin të lira për sektorin privat. Kostoja e këtyre produkteve, pavarësisht nëse burimi i financimit të tyre vjen nga taksat e mbledhura të vitit sjell në vetvete rritje të borxhit apo hedhje të parasë së tepërt në qarkullim. Një shembull nga fusha fiskale.

Mbledhja e tatimeve, taksave dhe detyrimi i njerëzve për të zbatuar legjislacionin është një kosto burimesh njerëzore. Deklaratat tatimore duhen përgatitur dhe monitoruar; ndërkohë ligjet fiskale duhen zbatuar. Megjithatë, burimet e përdorura në këtë fushë nuk janë të majftueshme për asnjërin nga sektorët, si atë privat, por dhe atë publik.

Në SHBA, nga studimet e kryera vërehet se për përgatitjen dhe plotësimin e formularëve për tatimet e taksat, shoqërive dhe individëve u nevojiten për çdo vit fiskal rreth 5,5 miliardë orë pune ose sa 2,7 milionë punonjës me orar të plotë. Ndërkohë, po e njëjta kohë i duhet dhe administratës tatimore amerikane dhe, madje pak më tepër, për përpunim, selektim dhe më tej administrim të tyre.

Por, shumë mirë këtë punë tashmë kanë kohë që e bëjnë sistemet e integruara informatike. Kjo ka sjellë një shfrytëzim racional të kohës së punës, rritje të efektivitetit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe zgjerim të hapësirave kohore për studim të bazës së tatimpaguesve për një shpërndarje të ngarkesës fiskale sa më progresive në raport me të ardhurat e përfituara prej gjithsecilit shtetas.

Dhe kjo u ideua po nga administrata publike, duke ndërtuar strategji kombëtare afatgjatë dhe për të gjitha segmentet administrative publike. Nisur nga politikat tatimore aktuale, te ne, nëse do të vazhdojmë të mbajmë një ngarkesë fiskale të pashpërndarë drejt në të gjitha grupet e shoqërisë shqiptare (pjesa e bujqësisë nuk jep asnjë kontribut për shërbimet publike që përfiton nga qeveria) dhe mangësi në shfrytëzimin efektiv të burimeve të administrates, do të rezultojë me vazhdimësinë e deformimit të çmimeve të tregut.

Si rrjedhojë, kjo situatë do t’i bënte të painteresuar njerëzit dhe bizneset të bëjnë më shumë shkëmbime nga frika se nuk do të kenë po të njëjtat përfitime, si kompensim. Aktiviteti i munguar nga ky fakt është një kosto për ekonominë në tërësi.

Nga ana tjetër, kjo do të sjellë dhe largimin e individëve nga jeta formale ekonomike, duke synuar ta derdhin mundin e tyre në aktivitete informale, që është një kosto apo peshë e shtuar për ekonominë dhe qeverinë. Ky është fakti pse kostot e blerjeve qeveritare peshojnë më shumë se fatura fiskale apo niveli i shpenzimeve. Çelësin e burimeve më të mëdha për një buxhet të vogël si ky i yni, e gjejmë te miradministrimi dhe mirorganizimi.

Vera, taksat dhe deficiti buxhetor

Kur shpenzimet qeveritare i kalojnë të ardhurat që mblidhen, rezulton deficiti buxhetor. Për vitin 2003 ai ishte sa 10% e PBB-së. Burimi i deficitit nuk është aq i kollajtë për t’u zbuluar. Kështu, parlamentarët pëlqejnë të shpenzojnë lekë për programe që kënaqin zgjedhësit e tyre. Nga ana tjetër, ata nuk parapëlqejnë t’i taksojnë ata. Kjo për ta do të thotë vendosje e një kostoje të dukshme mbi votuesit. Deficiti është një alternativë drejt tatimeve aktuale. Ai shtyn koston e dukshme të qeverisë në një të ardhme.

Por, çfarë efekti ka financimi i deficitit për ekonominë?

Argumentimet aktuale thonë se financimi i deficitit jep efektin e shtyrjes së tij për të ardhmen, duke mos rënduar kështu vetëm mbi qytetarët e sotëm, por dhe për qytetarët e ardhshëm. Megjithatë, duke vërejtur praktikën botërore për këtë fenomen mund të thuhet se zhvendosja e borxhit në të ardhmen është i kushtëzuar nga realitetet specifike.

Nëse brezi i sotëm arrin t’u lërë pasardhëseve të tij, apo fëmijëve të sotëm, shumë fabrika, makina, shtëpi, dije dhe shumë asete të tjera prodhuese, atëherë mund të themi se u kemi lënë brezave të ardhshëm një potencial prodhues që konsiderohet i lartë.

Nga ana tjetër, nëse do t’u lihen më pak nga këto asete dhe më shumë bono qeveritare, atëherë dhe potenciali prodhues do të zvogëlohet. Kështu, duke parë se si ndikon borxhi qeveritar te brezi i ardhshëm, në fakt arrijmë të njohim efektin e tij mbi kapitalin e krijuar në vend. Për vendin tonë ka shumë punë për t’u bërë në këtë pikë, pasi duhet ta nisim së pari me inventarizimin e gjithë kapitalit të mbetur nga e kaluara dhe atij të krijuar në këto vite demokraci tranzitore.

A do të mundte rritja e taksave ta ulte deficitin buxhetor? Apo thjesht do të mundte të rrinte në këto përqindje sa është pa u rritur miradministrimi?

Studime të kryera për këtë temë, nga fiskalistë në vende të tjera, prezantojnë se kjo gjë nuk do të ishte e mundshme. Arsyeja gjendet te realiteti. Rritja e taksave mund të krijojë të ardhura më të mëdha, por, nga ana tjetër, çon në rritjen e shpenzimeve.

Një studim i bërë disa vite më parë në SHBA, nga Kongresi, tregonte se për çdo USD shtesë nga rritja e të ardhurave tatimore, shpenzimet u rritën me 1,6 USD, pra 0,6 USD deficit. Regani e trajtoi problemin taksa-deficit në masë të gjerë në kohën kur ishte president i SHBA-së.

Ai pranoi të ulte taksat, nëse Kongresi do të ulte shpenzimet. Taksat u ulën, por shpenzimet dështuan me zbatimin në praktikë dhe nuk u ulën?! Në të njëjtin kurth ra dhe presidenti Bush (babai i presidentit Xhorxh Bush) në kohën kur ishte në krye të shtetit amerikan. Dhe realisht është e vështirë të ndodhë e kundërta. Ai që ka në dorë paratë, do t’i shpenzojë ato që i janë dhënë, madje në mos kërkoftë dhe të tjera.

Lexo edhe :  Shqipëria 2024 në vorbullën e ëndrrës skenike “nga fitorja në fitore”

Në vendin tone, nisur dhe nga të mësuarit nga gabimet e të tjerëve, por dhe nga këshillat e partnerëve ndërkombëtarë, është iniciuar nga qeveria politika e uljes së shpenzimeve pa rritur taksat. Madje, viti që vjen do të hyjë me ulje, si në asnjë vit më pare, me ulje të përqindjeve tatimore. Thjesht, detyra kryesore për dy agjencitë e të ardhurave në vend mbetet rritja e nivelit të kapaciteteve dhe burimeve të administrimit dhe rritja e shkallës së zbatimit të ligjeve dhe rregullave njësoj për të gjithë. Megjithatë, këto llogari merren në konsideratë kur bëhet analiza e meritave të programit qeveritar.

Vjeshta, varfëria dhe programet qeveritare për ta luftuar

Kur u deklarua lufta ndaj varfërisë në SHBA, në mesin e viteve ‘60 u përhap një mendim se varfëria mund të eliminohej, nëse qytetarët me më shumë të ardhura do të ishin të gatshëm të derdhnin vetëm pak nga kursimet e tyre në drejtim të pjesës së qytetarëve të pafat të shoqërisë.

Programe të hartuara mbi këtë mentalitet që u përhap, u zbatuan anembanë nëpërmjet transferimit të fondeve me projekte qeveritare subvencionimi e ndihmë për zhdukjen e varfërisë. Pas disa dekadash lufte ndaj varfërisë të qeverisë amerikane, por dhe të qeverive të vendeve më të industrializuara, deklarohet se varfëria nuk është zhdukur ende.

Analiza ekonomike të bëra nga studiuesit, theksojnë se është e vështirë të transferosh të ardhura nga një grup që i jep të ardhurat, te një grup tjetër, që i pret me etje këto të ardhura, ne mënyrë që të përmirësojë mirëqenien e vet në një perspektivë afatgjatë.

Të ardhurat nuk janë si një shi magjik që bie nga qielli dhe mund ta bëjnë të mrekullueshëm vendin ku bien. Gjithashtu, të ardhurat kombëtare nuk janë një tortë, të cilën qeveria mund ta presë në pjesë dhe t’ua servirë njerëzve anembanë. Përkundrazi, të ardhurat janë një gjë që njerëzit e prodhojnë dhe e fitojnë. Ajo fitohet nga individë që sigurojnë të mira materiale dhe shërbime për individë të tjerë që janë të gatshëm të paguajnë për to.

Për sa i përket shpërndarjes së të ardhurave, e rëndësishme për qeverinë është vendosja e kritereve në raport me aftësinë përthithëse optimale të grupit ku transferohen të ardhurat. Kjo shpërndarje të ardhurash duhet përcaktuar në raport me rentabilitetin e tyre, me kohën dhe me nevojat imediate dhe perspektive të rajonit ku qeveria transferon të ardhura. Një shembull për ta konkretizuar këtë mendim.

Supozojmë sikur qeveria vendos të japë një shumë të ardhurash prej 20 lekë çdo njeriu, që i duhet të rrijë në radhë në sportelet e bankës për të marrë secili pjesën e vet, prej orës 8 të mëngjesit deri ne orën 4 mbas dite. Radhë e gjatë do të krijohej sa hap e mbyll sytë, me të marrë vesh njoftimin. Por sa e gjatë do të ishte radha dhe sa të gatshëm do të jenë njerëzit të rrinë gjithë ditën në radhë, duke marrë nga koha e punës dhe aktivitetit të tyre? Një personi, të cilit një orë pune i kushton më pak se 2 lekë, ai e mendon se ia vlen të rrijë 10 orë në radhë për të fituar shumën prej 20 lekësh.

Të tjerë, të cilëve ora e punës u kushton më shumë se 2 lekë në orë mendojnë se si mund të bëjnë ndryshe, për ta rritur vlerën e tyre dhe të mos rrinë duke pritur. Nisur nga ky shembull, mund të themi se kur njerëzit duan të bëjnë diçka duke pritur për të plotësuar kriter pas kriteri për t’u kualifikuar, një pjesë e madhe e energjive dhe e potencialit të tyre humbet duke rendur pas plotësimit të kritereve.

Në vendet që kanë aplikuar subvencione për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për të luftuar varfërinë e mjerimin, përveç ndonjë efekti të kufizuar pozitiv, efektet dytësore që rrjedhin nga ky fakt kanë rezultuar më shumë negative. Realitetet e këtyre vendeve kanë treguar se është shumë e vështirë të subvencionohen njerëzit në nevojë në periudha afatgjata.

Pasi njerëzit janë të prirur që aty ku ata mund të përfitojnë diçka për të cilën nuk lodhen për ta prodhuar direkt, por e marrin në formë subvencioni nëpërmjet programeve të ndihmës, ata qëndrojnë pasivë dhe nuk përpiqen për rritjen e të ardhurave personale dhe përsosjes së ambientit ku jetojnë. E pra, kjo nuk ka pse të stimulohet më tej atëherë. Subvencioni i projekteve të punës e zhvillimeve zonale do të ishte shiu magjik për banorët e zonave të varfra.

Dimri zbatimi i rregullave kushtetuese – çelësi drejt zhvillimit ekonomik

Është marrëzi intelektuale e kohës sonë këndvështrimi se zgjedhjet në vetvete do të krijojnë një ambient stimulues drejt progresit ekonomik. Si historia dhe teoria politike na tregojnë se ky këndvështrim është i rremë. Nëse qeverisja qëndron si një forcë pozitive në favor të zbatimit të rregullave kushtetuese, rregullat e lojës politike duhet të luhen të tilla, që të vetësjellin interesat e votuesve, politikanëve dhe zyrtarëve në harmoni me progresin ekonomik.

Nëse do të kishim shndërrimin dhe largimin prej këtij funksioni të saj, atëherë gjithçka do të ishte një proces se kush të rrëmbente më shumë për vete, duke krijuar dy lloj aktivitetesh kryesore: përçarjen dhe grabitjen. Individët do të fillonin të harxhonin më shumë kohë dhe energji për të marrë copat e tortës dhe më pak kohë për ta prodhuar tortën.

Si rrjedhojë, Produkti i Brendshëm Bruto do të bëhej realisht gjithnjë e më i ulët. Armiqësia, mungesa e besimit, madje dhe urrejtja do të fillonin të rriteshin, duke nisur periudha e një stanjacioni, apo ndryshe koha e parakrizës. Jeta në një ambient të tillë, të tejpolitizuar nuk është e kënaqshme për asnjë arsye, apo jo?!

Çfarë kushtesh duhet të ketë një program dhe një vend demokratik për të promovuar dhe zhvilluar progresin ekonomik dhe stabilitetin e vendit? Analistët e vendeve të zhvilluara industriale nuk kanë qenë të rezervuar të shprehen në këtë drejtim me propozime që ndihmojnë direkt këtë analizë dhe që janë përmendur më poshtë.

– Asnjë qeveri përgjithësisht nuk duhet të mbajë për shumë kohë pronësi private, si pjesërisht dhe tërësisht, me mendimin që ta përdorë për shërbime publike. Të paktën, kur është e detyruar të ecë në këtë rrugë, ajo duhet ta realizojë me çmimet e tregut dhe pa prekur asnjë të drejtë të shtetasve të vet që iu garantohen me kushtetutë. Veprime që nuk zbatohen në këtë mënyrë duke u justifikuar me pretekstin e interesit public, përbëjnë një derë të hapur për abuzime, që duhet mbyllur sa më shpejt.

– E drejta e njërëzve për të blerë dhe shitur legalisht mallra dhe shërbime nuk duhet kufizuar apo penguar nga qeverisja qendrore dhe lokale me pretekste të ligjit. Liria e shkëmbimit është guri i themelit të progresit ekonomik. Kontrollet e çmimit, kufizimet e licencimeve me motive profesionale dhe territorial, si dhe pengesa të ngjashme (nuk duhet keqkuptuar rasti i certifikimit të aktivitetit me kriteret e licencimit) janë pengesa në rrugën për zhvillimin ekonomik. Ndërkohë, vendosja e autokufizimeve brenda segmentit të kompetencave të çdo zyrtari, vetë qeverinë do ta lehtësonte nga kostot e tepërta dhe do ta ndihmonte në realizimin e targeteve për zhvillimin ekonomik dhe limitimin e përzierjes së politikanëve në afera të atilla, që janë për t’u shërbyer interesave të një grupi të caktuar shoqëror.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV