Gjykata Kushtetuese/Ringritja e vështirë!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Procesi i vetingut në drejtësi rrëzoi si gurët e një loje shahu 8 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2015, duke e nxjerrë jashtë funksionit gjykatën më të rëndësishme në vend. Ringritja e saj po bëhet më e vështirë sesa dukej dhe ka futur në një përplasje institucionet përgjegjëse.

Aktualisht, me vetëm 4 anëtarë, ajo vijon ta ketë të pamundur të marrë vendime dhe të lërë pa përgjigje shumë nga ligjet apo çështjet që kanë shkaktuar konflikt vitet e fundit, si zgjedhjet lokale të 2019-s, shembja e Teatrit Kombëtar etj.

Çfarë po ndodh me procesin e emërimeve, kush është fajtori për bllokimin e saj dhe kur mund të jetë funksionale? Në një analizë të zgjeruar juridike për gazetën “Fjala”, flasin juristët Gentian Trenova, Ledio Braho dhe Kujtim Cakrani.

 Nga Elvis Myrta

Shqipëria mund të jetë i vetmi vend demokratik në botë që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. E konceptuar si gjykata më e rëndësishme në një vend, pasi vlerëson kushtetutshmërinë e ligjeve apo dekreteve, funksionimi i saj është një gur themeli për funksionimin e demokracisë.

Por që prej vitit 2015 Gjykata Kushtetuese në vendin tonë nuk ka mundësi të marrë vendime, pasi nuk janë plotësuar vendet e anëtarëve të saj. Problemi u shfaq me fillimin e Reformës në Drejtësi, pasi disa gjyqtarë të saj dhanë dorëheqjen, për shkak të vetingut ose u mbaroi mandati dhe nuk u zëvendësuan. Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati.

Në prill të vitit 2016, gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati dhe ai u tërhoq, edhe pse mund të qëndronte deri në zëvendësimin e tij. Tërheqja e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut. Po ashtu, anëtari tjetër, Sokol Berberi, vendosi të tërhiqej nga pozicioni, pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Të njëjtën rrugë zgjodhi dhe Besnik Imeraj, në vitin 2018, duke u dorëhequr “për arsye personale dhe shëndetësore”. Imeraj tentoi t’i shpëtonte procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori. Kur kishin mbetur vetëm 6 anëtarë, anëtari Fatos Lulo, iu nënshtrua procesit të vetingut. Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara.

Vetingu më pas rrëzoi Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën dhe Gani Dizdarin. Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, u konfirmua në hallkën e parë të vetingut, por u shkarkua më vonë për mospërputhje të pasurisë. Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u konfirmua nga vetingu dhe vijon detyrën, edhe pse i ka mbaruar mandati.

Vështirësitë për ringritjen

Sipas gjasave, vendi do të mbetet edhe për një kohë të gjatë pa gjykatën më të rëndësishme. Ringritja e Gjykatës Kushtetuese do ta fuste presidentin dhe qeverinë në një “luftë të ftohtë” procedurale. Plotësimi i saj me 9 anëtarë duket se do të marrë ende edhe shumë kohë. Mbledhja e javës së kaluar e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për vlerësimin e kandidatëve për plotësimin e tri vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, mund të quhet me plot gojën një dështim.

Në mbledhjen e 17 korrikut, KED-ja nuk arriti të kualifikojë asnjë nga kandidatët. Tre kandidatë, mes tyre Klodian Rado, Prel Martini dhe Envi Hicka, u tërhoqën nga gara, e cila kishte nisur që prej muajit shtator të vitit të kaluar. Pas filtrimit të emrave që garonin për të plotësuar vakancat, KED-ja skualifikoi 6 nga kandidatët, pasi nuk i përmbushnin kushtet ligjore, çka e bllokon pa afat nisjen e funksionimit të gjykatës kryesore në vend. Ndër të ndaluarit ishte edhe Besnik Muçi, i cili ishte i zgjedhuri i parë i presidentit të Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por që u shkarkua nga vetting-u.

Muçi kishte aplikuar asokohe njëkohësisht në të gjitha vendet vakante për gjykatën më të rëndësishme të vendit, si ato që plotësohen nga Kuvendi, edhe ato të presidentit. Po kështu kishin aplikuar edhe kandidatët e tjerë: Shaqir Hasanaj, Vjosa Bodo dhe Dedë Kasneci, që nëse nuk do të ndaloheshin nga KED-ja, të vazhdonin garën, do të ishin njëkohësisht në listat që do t’i shkonin Presidencës dhe Kuvendit.

Një fenomen që shkaktoi dhe përplasjen e fortë mes dy institucioneve vitin e kaluar. Pas këtij bllokimi të radhës të procesit të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit vijon të mbetet me 4 anëtarë dhe jofunksionale për të marrë vendime. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë, nga 9 që duhet të ketë në kushte normale. Kjo do të thotë se gjykata më e rëndësishme në vend ajo Kushtetuese, nuk është ende funksionale. Për kohën se kur do të ngrihet dhe cilat janë arsyet që kanë penguar ngritjen e saj, gazeta “Fjala” ka intervistuar juristët Gentian Trenova, Ledio Braho dhe Kujtim Cakrani.

 

Intervista

Gentian Trenova: Vetingu bllokoi ngritjen e Kushtetueses

-Me zhvillimet e fundit, në mbledhjen e KED-së, ku 3 gjyqtarë kandidatë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhanë dorëheqjen, ndërsa 6 të tjerë u skulalifikuan, pasi nuk plotësonin kriteret, a do mundet KED-ja e 2020-s, ta ngrejë Gjykatën Kushtetuese?

Është e vështirë të parashikosh se kur mund të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Po të kujtojmë verën e vitit të kaluar, u premtua nga ana e vetë Palmer-it se Gjykata Kushtetuese do të formohej në korrik, me një numër të mjaftueshëm gjyqtarësh, për të vendosur për çështje të caktuara, madje edhe për çështjen e zgjedhjeve lokale. Plotësimi me të paktën gjashtë anëtarë të kësaj gjykate, nuk u arrit as në verën e këtij viti. Shkaku kryesor për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese është mungesa e kandidaturave të mjaftueshme që plotësojnë kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë institucion.

-Në këndvështrimin tuaj, kjo situatë ka ardhur si pasojë e konflikteve politike, apo paqartësive juridike?

Arsye mund të përmendim disa. Së pari, është procesi i vetingut. Asnjë profesionist nuk ndihet i sigurt në këtë proces. Standardet e paqarta dhe subjektive të organeve të vetingut, vendosin në pasiguri çdo person në lidhje me pasurinë. Për shkak të informalitetit që ka pasur në vend për një kohë shumë të gjatë, si dhe për shkak të interpretimeve të pastandardizuara që kanë bërë organet e vetingut, njerëzit e kualifikuar janë frenuar për të konkurruar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo ka çuar në një situatë ku ka pak kandidatë, dhe ata që kandidojnë nuk i plotësojnë kriteret ligjore. Madje, në mënyrë qesharake shohim një listë emrash që kandidojnë në çdo vend ku krijohet vakancë, edhe pse ata janë skualifikuar disa herë. Së dyti, është edhe ndërhyrja e politikës për të çuar në Gjykatën Kushtetuese njerëzit e bindur që duhet të japin garanci për vendimet e mëvonshme.

Kjo që them nuk është vetëm një mendim apo opinion, por edhe e vërtetuar me mesazhet që u bënë publike nga presidenti i Republikës në muajin maj të këtij viti. Dolën qartë se si ambasadorët këtu ndërmjetësonin me kryeministrin dhe presidentin se kush do të zgjidhej me emër konkret anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që gara për atë vend nuk kishte filluar ende. Përmbajtja e këtyre mesazheve tregon qartë se personat që kandidojnë duhet të marrin bekimin e kryeministrit apo presidentit, si dhe të ndërmjetësohen me ambasadorët.

Praktikisht nuk kemi garë, por një proces të stisur për të mbuluar me formalitet një vendimmarrje të paravendosur. Kjo situatë dekurajon çdo person me integritet professional, i cili nuk pranon të bëhet vegël qorre e interesave të momentit të politikës. Madje, edhe ndonjë individ, i cili ka një naivitet mbi procesin e reformës në drejtësi ka arritur të kuptojë, se futja në këtë proces mund të ketë pasoja mbi të.

Nëse një profesionist nuk do të pëlqehet nga politika, organet e vetigut do t’i vërsulen, do t’i nxjerrin kontrata apo veprime të mëparshme, mund t’ia keqinterpretojë dhe mund ta linçojnë në publik, në mënyrë të padrejtë. Sigurisht që këtë situatë nuk do ta dëshironte asnjë, pavarësisht thirrjeve që mund t’i bëhen, madje edhe ndonjë premtimi të fshehtë, se mund të kalojë me sukses procesin e kontrollit të pasurisë dhe figurës.

-Me numrin e gjyqtarëve që ka aktualisht Gjykata Kushtetuese, cilat janë çështjet që kjo gjykatë mund të gjykojë?

Me numrin aktual të gjyqtarëve kjo gjykatë nuk mund të gjykojë çështje të kushtetutshmërisë së një ligji, një akti normativ të qeverisë, apo të konfliktit të kompetencave midis institucioneve kushtetuese.

Gjithashtu, me numrin aktual Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjykojë as çështjen e teatrit, çështjen e zgjedhjeve lokale, dhe as ligjet e rëndësishme që kanë pasur shumë debat në publik. Që të marrë një vendim, duhet që në këtë gjykatë minimumi 5 anëtarë të saj të jenë dakord në mënyrë unanime. Në çdo rast numri 5 është i nevojshëm për të shfuqizuar një akt normativ apo një ligj, ndërkohë që kjo gjykatë ka gjithsej 9 anëtarë në përbërje. Aktualisht, janë 4 dhe njëri prej tyre, pra Vitore Tusha, është me mandat të përfunduar.

-Sipas jush, çfarë zgjidhjeje mund të ketë për numrin e madh të çështjeve të mbartura?

Zgjidhja e shpejtë e ngërçit të krijuar mund të bëhet vetëm me përmbysjen e reformës në drejtësi, dhe në veçanti të organeve të vetingut, si dhe ligjit të vetingut.

Duhet një ligj, që kontrollin ta bëjë gjykata dhe jo organe të tjera që nuk janë pjesë të sistemit gjyqësor. Në ligj duhet të parashikohen kritere të qarta të etikës, të pasurisë, të profesionalizimit, të integritetit, të eksperiencës dhe të konfliktit të interesit. Çdo individ që mendon të kandidojë, duhet ta kuptojë qartë nëse mund ta kalojë filtrin e kontrollit dhe nuk duhet të ketë pasiguri për subjektivizim, për proces selektiv, dhe në ndonjë rast edhe linçimin publik.

Këtë filtër, nuk mund ta bëjnë në asnjë mënyrë organet aktuale të vetingut, pasi këto organe nuk kanë pavarsinë e duhur, nuk respektojnë procedurën dhe parimet kushtetuese, dhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për një proces të rregullt. Këtë proces, mund dhe duhet ta bëjë vetëm një trupë e mirëfilltë gjyqësore, me gjyqtarë me eksperiencë të gjatë në punë, të cilët vijnë nga trupa gjyqësore, dhe jo të zgjedhur nga Parlamenti, por nga vetë sistemi gjyqësor.

Kur mendoni se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale?

Kjo çështje do të kërkojë kohën e vet dhe mund të zgjasë, tre nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Kjo kërkon që të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë, e cila duhet të ketë numrin e mjaftueshëm për të bërë zgjedhjen e tre anëtarëve. Edhe procedura e bërë deri tani për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është përsëri problematike. Tre gjyqtarë zgjidhen nga presidenti, tre nga Parlamenti dhe tre nga Gjykata e Lartë. Si rregull, duhet që vendet të plotësohen një e nga një dhe jo në mënyrë të menjëhershme. Vakanca e parë nga presidenti, vakanca e dytë nga Kuvendi, vakanca e tretë nga Gjykata e Lartë e kështu me radhë.

 

Somario

 Praktikisht nuk kemi garë, por një proces të stisur për të mbuluar me formalitet një vendimmarrje të paravendosur. Kjo situatë dekurajon çdo person me integritet profesional, i cili nuk pranon të bëhet vegël qorre e interesave të momentit të politikës. Madje, edhe ndonjë individ, i cili ka një naivitet mbi procesin e reformës në drejtësi, ka arritur të kuptojë se futja në këtë proces mund të ketë pasoja mbi të.

 

Intervista

 

Kujtim Cakrani: Shqipëria gjendet pa GJK vetëm për faj të politikës

 

 -Me zhvillimet e fundit, në mbledhjen e KED-së, ku 3 gjyqtarë kandidatë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhanë dorëheqjen, ndërsa 6 të tjerë u skulalifikuan, pasi nuk plotësonin kriteret, a do mundet që KED-ja e 2020-ës të ngrejë Gjykatën Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet kryesore të drejtësisë në një vend demokratik. Gjykata Kushtetuese ka si funksion primar parimin e sigurisë juridike, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, përputhshmërinë e ligjeve që miratohen nga Kuvendi; kontrollon edhe marrëveshjet e qeverisë, veprimtarinë e presidentit të Republikës, nëse veprimet dhe aktet e ndërmarra prej tyre janë apo jo në përputhje me Kushtetutën e Republikës, Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pra kjo gjykatë është garanti i zbatimit të ligjit, i lirive dhe të drejtave të njeriut.

Shqipëria ka plot 3 vjet pa Gjykatë Kushteuese, në fakt në një vend ku duhet të prevalojë shteti i së drejtës Gjykata Kushtetuese është një nga shtyllat kryesore për funksionimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Situata që po kalon Shqipëria është e paprecedentë. Eliminimi i Gjykatës Kushtetuese është i padëgjuar në analet e drejtësisë botërore, përfshirë edhe vendet diktororiale.

E ashtuquajtura reforma në drejtësi është kthyer në një makth për qytetarët shqiptarë, të cilët janë thellësisht të zhgënjyer. Pasi ka plot 3 tre vjet që ka nisur vetingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe në mënyrë të pakuptimtë vlerësimi apo vetingu filloi pikërisht nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, ku disa u skualifikuan dhe disa dhanë dorëheqjen, duke i lënë këto gjykata pa asnjë anëtar, dhe vendin pa gjykata supreme, duke u hequr në këtë mënyrë të drejtën qytetarëve, kurse institucioneve mundësinë e ankimit dhe gjetjen e drejtësisë.

Lexo edhe :  “Partizani” përkujton Panajot Panon: 15 vite pa legjendën e futbollit shqiptar

Ky veprim nuk ishte rastësi, por qe i mirëmenduar nga politika e ditës, për ta lënë vendin pa gjykatat supreme. Është në favorin e saj që vendi të jetë pa këto gjykata, pasi në këtë mënyrë politika i krijon vetes hapësira për abuzim me pushtetin, duke miratuar ligje në kundërshtim me grupet e interesit apo dhe në kundërshtim me parimet bazë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Dhe, në këtë mënyrë, mundësia për kundërshtim në Gjykatën Kushtetuese ishte zero.

Mbledhja e fundit e KED-së natyrshëm do të skualifikonte 6 pretendentë për këtë gjykatë, sepse për t’u zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese ligji ka përcaktuar disa kritere të cilat janë taksative ku kandidati duhet të: ketë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës; të ketë qenë nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.

Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj. Pra, kandidatët e skualifikuar nuk kanë plotësuar kriteret e mësipërme dhe, natyrshëm, janë skualifikuar nga KED-ja.

Për sa i përket tre kandidatëve që u tërhoqën nga kandidimi për Gjykatën Kushtetuese, kjo është një çështje që duhet parë edhe nga këndëvështrimi politik për faktin se politika ka treguar se kërkon të infiltrojë njerëzit e saj në drejtësi. Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Një nga format është edhe kandidimi si individ i pavarur, por që në fakt edhe “të pavarurit” bëjnë lojën e politikës dhe duke u tërhequr gjoja nga gara, nuk bëjnë gjë veçse zgjasin krizën për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, e thënë më drejtpërdrejt, politika vazhdon lojën e saj për mosndërtimin e Gjykatës Kushtetuese, për arsye të cilat i përmendëm më sipër…

-Në këndvështrimin tuaj, kjo situatë ka ardhur si pasojë e konflikteve politike, apo paqartësive juridike?

Me ndryshimet e fundit që iu bënë ligjit më të rëndësishëm, Kushtetutës, në vitin 2016, ku u votua reforma në drejtësi, e cila parashikon ndarjen përfundimtare të politikës nga kapja e drejtësisë, nga ku politika nuk mund ta marë më peng drejtësinë, duke emëruar aty njerëzit besnikë të saj, u krijua një farë konflikti ndërmjet mazhorancës, opozitës dhe presidentit të Republikës.

Të gjithë jemi dëshmitarë të luftës së ashpër që nisi mazhoranca dhe presidenti, për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese që, në fakt, u shua pas ndërhyrjes së Komisionit të Venecies, ku me anë të një rezolute bëri që mazhoranca të tërhiqej nga veprimet e saj, sepse binin ndesh me parimet bazë të ligjit, pra Kushtetutës. Kushtetuta e Shqipërisë e ka qartësisht të parashikuar mënyrën dhe zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë: në përbërjen e saj Gjykata Kushtetuese ka 9 anëtarë, tre anëtarë emërohen nga presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Nëse sot Shqipëria gjendet pa Gjykatë Kushtetuese, faji është patjetër i politikës, jemi të gjithë dëshmitarë të konfliktit qeveri, Parlament, president për përzgjedhjen e gjyqtarëve të kësaj gjykate. Nëse ligji e ka qartësisht të përcaktuar mënyrën e caktimit të gjyqtarëve, atëherë përse të tria institucionet nuk i kanë dhënë emrat e tyre sipas radhës? Sepse të tria këto institucione duan të kapin diçka nga kjo gjykatë dhe po përdorin lloj-lloj makinacionesh ligjore për të vendosur aty sa më shumë njerëz të tyre, që nënkupton se duan të kenë kontrollin mbi këtë gjykatë. Nëse politika do të kishte vullnetin dhe s’do të kishte kurëfarë interesi për këtë gjykatë, atëherë të jeni të bindur që vendi nuk do të ishte sot pa Gjykatë Kushtetuese.

 -Me numrin e gjyqtarëve që ka aktualisht Gjykata Kushtetuese, cilat janë çështjet që kjo gjykatë mund të gjykojë?

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë dhe në këtë mënyrë e ka të pamundur që këta të mblidhen dhe të shqyrtojnë çështje, pasi ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar se: vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Seanca gjyqësore është e vlefshme kur marrin pjesë të paktën 6 anëtarë dhe vendimi është i vlefshëm kur për të votojnë “pro” 5 anëtarë.

Abstenimi nuk lejohet. Pesha e votës është e barabartë. Kryetari është në pozicionin primus inter pares (i parë mes të barabartëve). Vendimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë gjyqtarët e pranishëm në shqyrtimin e çështjes. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese arsyetohen me shkrim dhe hyjnë në fuqi ditën e botimit të tyre në Fletoren Zyrtare, përveç rasteve kur ajo vendos ndryshe.

-Sipas jush, çfarë zgjidhjeje mund të ketë për numrin e madh të çështjeve të mbartura?

Duke qenë se vendi ka plot 3 tre vjet pa Gjykatë Kushtetuese, si rrjedhojë pranë kësaj gjykate janë akumuluar shumë shumë dosje që nënkupton shumë ankesa, por më të bujshmet janë ato të paraqitura si nga presidenti Republikës, nga partitë e opozitës, të cilat i kanë kërkuar kësaj gjykate të shprehet për ligjshmërinë e votimeve të 30 qershorit. Natyrisht, pranë kësaj gjykate janë ankimuar nga grupimet e interesit edhe shumë ligje të miratuara nga Kuvendi Shqipërisë në këto tre vite, që natyrshëm duhet kalojnë filtrin e kësaj gjykate për përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën. Gjendja është shqetësuese jo vetëm për faktin që gjykata nuk ka nisur funksionimin, por ngaqë numri i çështjeve të akumuluara kërkon një kohë të caktuar për shqyrtim.

Kur mendoni se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale?

Siç kemi theksuar më sipër, Gjykata Kushtetuese ka në përbërjen e saj 9 anëtarë. Aktualisht, gjykata ka vetëm 4 anëtarë, për zgjedhjen e të cilëve publiku ka pritur plot 3 vjet, çka nënkupton se për të përfunduar përzgjedhjen e të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet patjetër të presim praverën e vitit 2021, gjithmonë nëse politika do të ketë vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin ndërmjet veti për t’i dhënë vendit Gjykatë Kushtetuese. Duke qenë se vitin e ardhshëm janë zgjedhjet parlamentare, dhe palët do të kenë kontestime të cilat duhet të gjejnë zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese, gjasat janë që deri nga vera e vitit 2021 të mos kemi Gjykatë Kushtetuese.

somario

 Nëse sot Shqipëria gjendet pa Gjykatë Kushtetuese, faji është patjetër i politikës. Jemi të gjithë dëshmitarë të konfliktit qeveri, Parlament president për përzgjedhjen e gjyqtarëve të kësaj gjykate. Nese ligji e ka qartësisht të përcaktuar mënyrën e caktimit të gjyqtarëve, atëherë përse të tria institucionet nuk i kanë dhënë emrat e tyre sipas radhës?

 

Ledio Braho: Një gjykatë e kapur politikisht, më e dëmshme se një inekzistente

 

-Me zhvillimet e fundit, në mbledhjen e KED-së, ku 3 gjyqtarë kandidatë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhanë dorëheqjen, ndërsa 6 të tjerë u skulalifikuan, pasi nuk plotësonin kriteret, a do të mundet që KED-ja e 2020-ës të ngrejë Gjykatën Kushtetuese?

Me shumë gjasë do të jetë e pamundur që KED-ja të plotësojë numrin prej gjashtë gjyqtarësh, që i duhet Gjykatës Kushtetuese për vendimmarrje në seancë plenare. Sot që flasim në KED është në procedurë vetëm një vakancë, e shpallur në fund të vitit 2019, nga presidenti i Republikës, pas shkarkimit nga organet e vetingut të gjyqtarit Besnik Muçi. Për këtë vakancë ka dhjetë kandidatë dhe, nëse pas procedurave të kualifikimit të KED-së, do të rezultojë një listë me tre kandidatë, atëherë presidenti ka të drejtën të zgjedhë një prej tyre për ta emëruar si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithsesi, edhe ky skenar optimist për këtë vakancë që është ende në proces, nuk e bën Gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse do të ketë vetëm pesë gjyqtarë. Ndërkohë për dy vakancat e tjera, të cilat do të duhet të rishpallen nga presidenti i Republikës dhe Kuvendi, do të duhet të kalojë kohë deri në momentin që ata të kualifikohen nga KED-ja, kohë që sipas praktikës së deritanishme ka marrë edhe mbi gjashtë muaj.

Në këndvështrimin tuaj, kjo situatë ka ardhur si pasojë e konflikteve politike, apo paqartësive juridike?

Në lidhje me situatën aktuale të kësaj gjykate, besoj se dy janë arsyet kryesore, e para ka të bëjë me faktin se procedura e kualifikimit përfshin një vlerësim të thelluar të pasurisë dhe figurës së kandidatëve, çka shpeshherë është e pamundur për t’u kaluar me sukses, edhe për shkak të faktit të informalitetit në ekonominë shqiptare të periudhës së tranzicionit, çka e bën pothuajse të pamundur për ta kaluar me sukses këtë procedurë, sidomos për ata kandidatë që vijnë nga sektori privat, por vendimtare mbetet situata politike në vend dhe mosmarrëveshjet që priten të gjykohen nga Gjykata Kushtetuese. Situata politike tepër e polarizuar, sistemi drejtësisë i kapur nga mazhoranca aktuale, dhe vetingu i tejzgjatur, e bëjnë joatraktive Gjykatën Kushtetuese për të gjithë ata kandidatë që nuk janë të kapur nga politika.

-Me numrin e gjyqtarëve që ka aktualisht Gjykata Kushtetuese, cilat janë çështjet që kjo gjykatë mund të gjykojë?

Gjykata Kushtetuese aktualisht mund të kryejë vetëm shqyrtimin paraprak të kërkesave që i drejtohen, shqyrtim ky që bëhet me tre gjyqtarë dhe vendos nëse çështja do të kalojë në seancë plenare apo jo.

Vendime të tilla janë vendimtare vetëm në rastin e moskalimit të çështjes për shqyrtim në seancë plenare, dhe merren në rast se: a) kërkimet e paraqitura në kërkesë nuk hyjnë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese; b) kërkesa nuk është paraqitur nga subjekti që legjitimohet; c) kërkesa është paraqitur nga një person i paautorizuar; ç) vërtetohet se kërkesa është paraqitur jashtë afatit ligjor; d) kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ose legjislacioni në fuqi parashikon mjete efektive në dispozicion; dh) kërkimet e paraqitura në kërkesë janë objekt i një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, ose rivendosja në vend e të drejtës së shkelur nuk është e mundur; apo e) kërkesa është haptazi e pabazuar.

-Sipas jush, çfarë zgjidhjeje mund të ketë për numrin e madh të çështjeve të mbartura?

Për sa u përket çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, nuk shoh si problem sasinë e çështjeve, sesa koherencën në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të cilat i drejtohen asaj gjykate, sidomos ato që i përkasin pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën, pajtueshmërisë së akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën, mosmarrëveshjet e kompetencës mes pushteteve apo dhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre.

Janë pikërisht këto çështje që presin për t’u gjykuar, të cilat përbëjnë dhe shkakun kryesor për pengimin e funksionimit të kësaj gjykate. Kur këto çështje nuk gjykohen në kohë, sjellin edhe destabilitet politik apo cenim të pavarësisë së pushteteve, parim themelor ky i sanksionuar në Kushtetutë. Nëse vendi do të kishte një Gjykatë Kushtetuese funksionale, situata politike në vend nuk do të ishte kaq e polarizuar dhe shumë mosmarrëveshjeve mes pushteteve do t’u ishte dhënë përgjigje me vendim të kësaj gjykate. Mjafton të krahasojmë situatat mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe arrijmë ta kuptojmë se si mund të zgjidhen një sërë mosmarrëveshjesh, vetëm nga Gjykata Kushtetuese, pa cenuar funksionimin e organeve dhe të demokracisë në vetvete.

Kur mendoni se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale?

Plotësimi i kuorumit të nevojshëm prej gjashtë gjyqtarësh, që kjo gjykatë të mblidhet në seancë plenare, nuk është më një çështje parashikimi ligjor, por më shumë është çështje vullneti politik për të mos u shndërruar në pengesë, me qëllim kapjen e saj. Për aq kohë sa (dis)balancat e pushteteve do të jenë krejtësisht të uzurpuara nga një forcë e vetme politike, siç është aktualisht, plotësimi i këtyre vakancave do të jetë një hap para dhe dy hapa pas. Nuk mund të jepet një afat në lidhje me plotësimin e vakancave, por, gjithsesi, unë mbetem i mendimit që një Gjykatë Kushtetuese e kapur politikisht është më e dëmshme se një Gjykatë Kushtetuese inekzistente.

 

Somario

Për aq kohë sa (dis)balancat e pushteteve do të jenë krejtësisht të uzurpuara nga një forcë e vetme politike, siç është aktualisht, plotësimi i këtyre vakancave do të jetë një hap para dhe dy hapa pas.   /Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

Trump, nuk amniston fajtorët

Nga ARTUR AJAZI Politikanët  shqiptarë të implikuar në shkelje dhe abuzime të rënda ligjore, po i gënjen mëndja se “Donald...

E ardhmja e platformës TikTok në SHBA në duart e Presidentit Donald Trump

Miliona përdorues të rrjetit TikTok në SHBA i kanë sytë nga Presidenti Donald Trump, i cili i ka dhënë një afat 75 ditor kompanisë...

“Jo anijeve ruse në port”/ Detaje nga marrëveshja 10-vjeçare e Ramës me Zelenskyn

Janë zbardhur detajet e marrëveshjes 10-vjeçare të arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Volodymyr Zelenzky në Davos të Zvicrës, aty ku dyshja mori...

Fati i kurdëve u përcaktua 100 vjet më parë, jo nga Erdogan

Kur Kemal Ataturku po krijonte Turqinë moderne 100 vjet më parë, ai deklaroi: "Sa i lumtur është ai që thotë: "Unë jam turk". Popujt kurdë, megjithatë,...

Trump ndalon udhëtimet e refugjatëve në SHBA, ja cila është kategoria që nuk preket

Departamenti i Shtetit ka anuluar të gjitha udhëtimet e refugjatëve drejt SHBA-së. Zyrtarët janë udhëzuar të ndalojnë procesin e referimit të refugjatëve jashtë vendit dhe...

Lajme të tjera

Web TV