Dom Giovanni Fiocci, prifti italian që e ktheu kishën në një punishte punësimi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Historia e një parajse të vogël me tulipanë në oborrin e një kishe në një fshat malor shqiptar. Përmes zërit të administratorit të qendrës katolike të Kçirës, Dodë Marinaj, njihemi me punën admiruese të priftit italian dhe shembullit të dhënë banorëve, se natyra mund të të ofrojë shumëçka, nëse i përkushtohesh me dinjitet dhe dashuri.

Nga Alessia Selimi

Mendimi se parajsa gëzon dimension përtej kufijve tokësorë, rrokulliset në hyrje të famullisë së Kçirës. Në këtë fshat të largët në veri të Shqipërisë, 8 km para qytetit të Pukës, terrenthyer dhe dimërashpër, ku varfëria mbizotëron pothuajse në çdo shtëpi, kjo e fundit zbutet, kapërdihet, thuajse harrohet në kopshtin magjik të qendrës katolike, të themeluar nga dom Giovanni Fiocci. Ishte viti 1999 kur ky prift italian katolik, lindur pranë Milanos, shkeli në Kçirë. Prej asaj kohe, shumëçka ka ndryshuar. Me një shqipe perfekte dhe përshtatje befasuese ndaj mentalitetit, dom Giovanni ka bërë një punë admiruese në përçimin e fjalës së perëndisë, dhe mbetet shembull për banorët, se si duhet punuar dhe shfrytëzuar natyra dhe të mirat e saj. Sepse, me gjithë pasuritë e shumta natyrore të kësaj zone malore, varfëria hasej në nivel tepër të lartë.

Ai ka ngritur qendrën “Atë Mëhill Troshani”, një shoqatë jofitimprurëse, vendosur rrëzë një kodrine. Filozofia e tij për të ndihmuar njerëzit nuk është falja e thasëve me miell apo e ndihmave të tjera, që kisha ua jep me bujari besimtarëve. Megjithatë, dom Giovanni nuk përjashton njerëzit e pamundur, të sëmurët dhe pleqtë. Administratori i famullisë, Dodë Marinaj, tregon për gazetën “Fjala” se çfarë fshihet pas petaleve dhe buzëve të lëmuara të tulipanëve. “Mbjellja e kësaj luleje që gëzon varietete të shumta, ka ardhur si pjesë e një projekti spontan, me dëshirën për të zbutur varfërinë nëpërmjet punës, dhe me moton se nuk ndihmon askënd nëse fal një peshk, por kur i mëson peshkimin”, thotë Marinaj, duke shtuar se në vorbullën e këtij projekti nisi grumbullimi dhe përpunimi i frutave të pyllit në Bjeshkët e Pukës. Në vitin 1916, fshati kishte në total 3 kisha, 105 shtëpi e 800 banorë. Çuditërisht 800 banorë ka edhe sot.

Një pjesë e mirë e tyre jeton duke punuar për punishten pranë kishës së Shën Nikollës, ku prodhohet reçel, mjaltë, raki manaferre, qershie, molle, mani etj. Shqipëria përbëhet nga jo pak fshatra të mbushura me fruta pylli e bimë mjekësore. Megjithatë, Kçira është e rrallë në llojin e saj. “Kemi sjellë modelin që ky vend mund të bëhet, por vetëm me punë dhe angazhim”, thotë Marinaj. Kjo iniciativë është aprovuar prej disa vitesh tashmë nga papa Françesku e Vatikani. “Jemi shumë të kënaqur që kemi marrë pëlqimin e papës. Çdo gjë është bio dhe me vlera të mëdha ushqimore.”

Tulipanët që lindën në kohë epidemie

Kur i gjithë vendi u izolua nga pandemia globale COVID-19, njerëzit vullnetmirë të fshatit Kçirë po shijonin mundin e punës së tyre, lulëzimin e sythave delikatë të tulipanëve që, pashmangshmërisht, të zhvendosin në një prej tablove më shumëngjyrëshe në botë: Holandë.“Një mik i dom Giovanni-t na dhuroi gjatë një udhëtimi disaditor në Itali disa zhardhokë tulipanësh, që nuk ngurruam t’i kultivonim. Kur konstatuam bukurinë që i dhanë terrenit, vendosëm t’u qëndronim besnikë”, thotë Marinaj. Është mbjellë po ashtu edhe lis amerikan. “Veçoria e tij është se kompanitë më të mëdha në botë për prodhimin e whiskey-t, përdorin pikërisht këtë lloj druri për të bërë fuçitë. Ne e kemi sjellë nga oborri i dom Giovanni-t dhe kemi pasur rezultate shumë pozitive, kemi mbjellë mijëra fidanë”, vijon Marinaj.

Lexo edhe :  Basha sulmon ashpër Metën: Je kartë e djegur, nuk harxhoj më kohë me ty

Ai nuk ngurron të ndajë një ditë revolte të dom Giovanni-t, që do të ishte edhe pikënisja e çdo gjëje. “Do t’ua mbledhim ne me trefishin e çmimit, më tha, kur mori vesh se si disa firma italiane ua kishin blerë kërpudhat njerëzve të zonës me një çmim qesharak. Fill më pas, ai nxiti fëmijët e zonës të mblidhnin fruta pylli, si luleshtrydhe, manaferra, boronica, trumza e plot bimë mjekësore, në këmbim të një çmimi të arsyeshëm”, tregon Marinaj. Kështu filloi kultivimi i tokës së kishës, me lloj-lloj pemësh dhe bimësh, duke punësuar katolikë e myslimanë bashkë, të cilët filluan të përftojnë me punën e tyre të ardhura të kënaqshme. Sikurse ndodh në një reaksion zinxhir, aktiviteti u zgjerua në përmasat e një sipërmarrjeje.

Jo më kot në ambientet e punishtes hasen makineri moderne të përpunimit të frutave të pyllit, një dhomë tharjeje e ambalazhimi, si dhe një qilar i errët ku rrinë varur nëpër çengelë mishra të stazhionuar. Gjithçka është e sistemuar me një rregull për t’u pasur zili. Marinaj nuk i kursen fjalët e mira për priftin italian. Për më tepër, vendos të ndajë me ne edhe gjeste të tijat humane, se si u paguan vazhdimisht faturën e dritave disa familjeve, dhe se si diku tjetër shlyen detyrimet e listave ushqimore. Por jo vetëm kaq! Sipas tij, dom Giovanni-n e gjen shpesh duke organizuar aktivitete edukuese dhe argëtuese për të rinjtë e zonës. Në meshën e së dielës, besimtarët e mbushin kishën plot. Dhe diçka e tillë është e përhershme. Ndoshta kjo është dëshmi, se ç’mendojnë ata për dom Giovanni-n, iniciativën dhe përkushtimin e tij, ndaj këtij fshati të vogël, thuajse të panjohur, edhe për vetë shqiptarët.

Somario

Në vitin 1916, fshati kishte në total 3 kisha, 105 shtëpi e 800 banorë. Çuditërisht 800 banorë ka edhe sot. Një pjesë e mirë e tyre jeton duke punuar për punishten pranë kishës së Shën Nikollës, ku prodhohet reçel, mjaltë, raki manaferre, qershie, molle, mani etj. Shqipëria përbëhet nga jo pak fshatra të mbushura me fruta pylli e bimë mjekësore. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Nato në alarm: Rusia po planifikon sulme të befasishme, ja shtetet më të rrezikuara

Evropa është në rrethin e kuq të Rusisë. Alarmi vjen nga agjencitë kryesore të inteligjencës të kontinentit, sipas të...

VIDEO/ Rama ndan pamjet: Lumi i Shalës, atraksioni turistik për të cilin flasin të gjithë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës i përshkruar nga shumë turistë të huaj si Tajlanda e Shqipërisë. “Pamje...

“Financial Times” skanon zgjedhjet e Vuçiç, pse presidenti serb po “luan me dy porta”

Dy persona që janë nën sanksionet e SHBA-së për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Rusinë, u zgjodhën këtë javë si anëtarë...

Eurodeputeti grek Kefalogiannis vizitë në Shqipëri, do takojë sot Fredi Belerin në qeli

Eurodeputeti grek Manolis Kefaloyannis ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Ditën e Pashkëve më 5 maj ndoqi meshën e shenjtë në Katedralen Orthodhokse të Ngjalljes...

Ndryshimet e reja/ Rama mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër në Kryesinë e Kuvendit grupin parlamentar të Partisë Socialiste, pjesë e së cilës do të jetë ai...

Lajme të tjera

Web TV