Presidenti Ilir Meta shton tonet ndaj qeverisë dhe Ramës, duke kërcënuar që nëse nuk zbatohet marrëveshja politike “pozitë-opozitë” e 5 qershorit atëherë do të reagojë me çdo çmim… Përse po shtohet protagonizmi i dyshes Meta – Rama dhe a po anashkalohet qëllimisht PD-ja dhe lideri i saj? Në një analizë të zgjeruar për gazetën “Fjala” flasin analistët: Plator Nesturi, Lorenc Vangjeli, Frrok Çupi dhe Leonard Karaj.
Nga Sebi Alla
Në buzët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dje ngjante se kishte dy botë; njëra që numëronte arritjet e vendit dhe thurte plane deri për “heqje kufijsh” mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tjetra që vendoste “kufirin” e qartë që ishte marrëveshja e 5 qershorit mes palëve politike në Shqipëri.
Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama ishin secili në agjendat e tyre politike, por akuzat mes të dyve nuk i ndan as bulevardi, e aq më pak kangjellat dhe grilat veneciane në institucionet që drejtojnë. Kreu i shtetit Meta i bëri thirrje edhe një herë qeverisë që të mos shkelte marrëveshjen e 5 qershorit për Kodin Zgjedhor, pasi në rast të kundërt, sipas tij, ky do ishte “grusht shteti” dhe nëse do të ndoshte, atëherë presidenti gati sa nuk u betua me “dorë në Kushtetutë” se nuk do ta lejojë me çdo lloj çmimi. Përplasja nuk duket më aq bri më bri mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare, por mes Ramës dhe Metës.
Presidenti po merr rol protagonisti politik dhe “drejtues fushate”, ndonëse statura e kreut të shtetit, edhe si protokoll nuk ia lejon. Për të paepurit për mbajtje pushteti, apo për ardhje në pushtet, numërimi ka nisur së prapthi, duke pasur si synim vetëm një datë: 25 prill 2021, gjithçka që ndodh jashtë saj, për ta janë aksesorë dhe vogëlsira. Beteja nuk i përngjan një rutine politike, por një “lufte” që sa më shumë afron data e zgjedhjeve, aq më tepër mund të ndizet.
Opozita vijon ende të artikulohet butë, duke shpresuar se në Kodin Zgjedhor nuk do të hiqet e drejta e koalicioneve parazgjedhore, ndërsa mazhoranca pikërisht vetëm këtë pikë kërkon më së shumti të zhbëjë. Skenarët janë të gjithë në lojë, por duket edhe për pak ditë, pasi Kodi Zgjedhor nuk mund të mbahet peng pa fund dhe secila palë tërheq nga vetja për të shpikur çdo formulë që të maksimalizojë votat. Deri më tani arbitri ndërkombëtar (kryesisht ambasadorët e huaj në vendin tonë), ende nuk kanë reaguar fuqishëm, por janë mjaftuar vetëm me disa sugjerime, duke kërkuar mirëkuptim dhe gjithëpërfshirje në çdo nismë ligjore dhe kushtetuese, e cila prek Kodin Zgjedhor dhe çështjet elektorale në tërësi. Pikërisht pasiguria te secila palë, ku nuk ndihet as fitorja dhe as humbja, i ka shtuar dilemat dhe fakti që mund të ndahet pushteti nga një grusht votash, sot më shumë po shohim jo vetëm gishta drejtuar kundërshtarit, por grushte të mbledhura dhe kërcëllima.
Raporti Rama-Meta tashmë nuk është personal, as institucional, por edhe më shumë se kaq, pasi që të dy duket se e dinë se 25 prilli nuk është ajo datë që mund t’i bashkojë, duke harruar “miq-armiqtë” e përhershëm në këto 22 vitet e fundit.
Plator Nesturi: “Meraku i Metës është vetëm për koalicionet”
Mes kreut te shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama thuajse çdo ditë ka përplasje verbale në distancë, por shtimi i akuzave të ndersjellta deri në kërcënime lidhet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që si pikë kyçe ka heqjen e koalicioneve. Meta theksoi se në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, atëherë do ishte njëlloj si një tentativë për grusht shteti, duke “premtuar” se presidenti këtë tentativë nuk do ta pranojë me çdo lloj çmimi. Përse ky agresivitet?
Tashmë ka filluar fushata elektorale dhe agresiviteti, duket se nga një pjesë e politikës, mund të jetë opsioni i vetëm. Realisht më duket shqetësuese, sepse ndryshe është beteja, konkurrenca dhe përballja në debat apo në elektorat, dhe tjetër gjë është agresiviteti, i cili mund të jetë shkas për tensionim të panevojshëm të situatës dhe proces zgjedhor më të rrëmujshëm. Në këtë aspekt duhet ndarë se kujt i intereson agresiviteti dhe përshkallëzimi. Siç po shihet, përplasja, protestat dhe gjithçka që ka shoqëruar skenën politike që nga koha e braktisjes së Parlamentit nga opozita, duket se do të influencojë dhe në fushatën zgjedhore. Duke u rikthyer te debati mbi çfarë po ndodh në Komisionin Politik dhe qëndrimet e palëve mbi Kodin Zgjedhor, më së shumti më duket se janë pozicionime në funksion të fushatës eletorale. Le të marrim marrëveshjen e 5 qershorit. Në thelb, megjithëse ajo është nënshkruar midis palëve, marrëveshja është ndryshuar në vijimësi të muajve. Për shembull, në marrëveshje ishte rënë dakord për lista të mbyllura, ndërkohë që tashmë të dyja palët janë angazhuar për hapjen e listave. Po kështu, debati se cili variant duhet të përdoret në fletën e votimit për listat e hapura, më duket vërtet i stisur. Duket sikur jemi në një situatë luksi e qetësie politike që kohën kryesore të debatit ta mbërthesh te mënyra se si do votohet me lista të hapura. Pak absurde kjo, kur duket se sa e ndezur është situata politike dhe kur bastet për zgjedhje janë të rënda. Në fund të fundit, asnjë nga partitë nuk kishte pasur më parë ndonjë angazhim për lista të hapura, por thjesht se do të mposhtë kundërshtarin. Gjithsesi, meraku kryesor i presidentit Meta ka të bëjë me çështjen e koalicioneve, që duket se është dhe shqetësimi kryesor i LSI-së dhe partive më të vogla në opozitën e bashkuar. Pasi nga ana e PD-së, me gjithë qëndrimin e përbashkët në Komisionin Politik, në realitet nuk ka një qëndrim të qartë e pa ekuivok, nëse është për koalicion parazgjedhor në ligjin që do të miratohet apo jo. Deri më tani qëndrimet e tyre kanë qenë ambigue dhe kanë lënë të kuptohet se do ta miratonin në heshtje një garë pa koalicion, e ku do të mund t’u shmangeshin angazhimeve parazgjedhore ndaj LSI-së dhe aleatëve më të vegjël.
Nga ana tjetër, opozita në bllok, (si subjekte politike të cilat janë drejtpërdrejt të intersuara) ende nuk ka shpërthyer në “ultimatum” dhe rolin e kundërshtarit të përflaktë ndaj mazhorancës e ka marrë Meta, kjo e dëmton apo e forcon opozitën, veçanërisht PD-në?
-Realisht ka një stepje të aleatëve më të vegjël për mënyrën se si do të votohet. Pra, nëse do të ketë koalicion parazgjedhor apo do të garohet vetëm. Në rastin e dytë, shumica e aleatëve, mundësinë e përfaqësimit me një vend në Parlament mund ta kenë vetëm nëse PD-ja u hap një vend në listat e saj për deputetë. Në këtë rast nuk mund të kenë as edhe një qëndrim paraprak të mëvetësishëm, por do të jenë të varuar kryekëput nga PD-ja dhe lëvizjet e gjithsecilit mund të jenë në koordinim të plotë me PD-në, por pa dalë nga vija. Ndërsa në rastin e LSI-së çështja është më e veçantë. Pesha që ka në elektorat e detyron të gjejë çdo lloj zgjidhjeje për ta ruajtur këtë peshë dhe për të mos u rrudhur. Ndaj dhe i intereson koalicioni ku dhe përkesat për përfaqësim bëhen mbi bazën e peshës aktuale. Por kjo s’do të thotë se interesat e LSI-së në përfaqësim të mos bien ndesh me ato të PD-së. Demoratët mund ta ndiejnë trysninë e, madje, të lodhen nga kërkesat e LSI-së për përfaqësim. Duke shtuar këtu që një pjesë e drejtuesve dhe të bazës nuk e dëshirojnë bashkëqeverisjen me LSI-në, Brenda në PD diskutohet nëse koalicioni parazgjedhor është vlerë e shtuar, apo barrë elektorale për PD-në, nga e cila do të përfitojnë LSI-ja dhe të vegjlit. Plus të mos harrojmë që në zgjedhjet e fundit elektorale, rritja e LSI-së ishte në kurriz të PD-së, pasi votat e shtuara ishin marrë nga e djathta.
Edhe pse palët janë shumë larg marrëveshjes për sa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, faktori ndërkombëtar duket disi i tërhequr. A pritet një riaktivizim i tij për t’i detyruar palët të dakordësohen në momentet e fundit, apo u është lënë “dorë e lirë” që palët kundërshtare ta gjejnë vetë zgjidhjen?
Ndërkombëtarët janë të vëmendshëm, por besoj se nuk do të ndërhyjmë më në këtë proces. Është arritur një marrëveshje nëpërmjet ndërmjetësimit të tyre, dhe do të ishte paaftësi e klasës politike të mos merren vesh për detajet që kanë mbetur. Në fund të fundit, lidhur me ecurinë dhe përmbajtjen e procesit zgjedhor e të fushatës elektorale nuk do të vlerësohen ndërkombëtarët, por shteti dhe klasa politike, nëse kanë regres apo progres.
Përplasjet e ashpra politike, me akuza të ndërsjella, cinizëm apo ironi, të cilat sot duken hapur mes presidentit dhe kryeministrit, a i shmangin debatet e vërteta mbi programet, premtimet dhe llogaridhënien para qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të ardhshme?
Vërehet një amulli idesh, ndonëse fushata elektorale ka filluar. Fakti që PD-ja është e zënë me listat e kandidarëve, ka bërë që pjesëmarrja e tyre në dabate apo takime elektorale të jetë e papërfillshme. Në këtë mënyrë nuk shihet as ndonjë grup ekspertësh nga opozita të hartojë programet sipas fushave. Ndërsa PS-ja është në pushtet dhe e ka më të theshtjë hartimin e programit të saj. Çështja e opozitës mbetet e paqartë, për faktin se si do të hyhet në zgjedhje, në koalicion apo jo, edhe çështja e programit do të duhet të gjejë aprovim, nëse do të jetë program për gjithë opozitën apo do të jetë thjesht i PD-së. Gjithsesi, shoh që fushata më tepër sesa me programe do të mbërthehet nga debati politik ku nuk do të mungojnë as sulmet personale dhe as tensioni.
Frrok Çupi: Meta nuk ka funksion për korrigjim ligjesh, flet si ‘analist freelance’
Mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama thuajse çdo ditë ka përplasje verbale në distancë, por shtimi i akuzave të ndërsjella, deri në kërcënime, lidhet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që si pikë kyçe ka heqjen e koalicioneve. Meta theksoi se në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, atëherë do të ishte njëlloj si një tentativë për grusht shteti, duke “premtuar” se presidenti këtë tentativë nuk do ta pranojë me çdo lloj çmimi. Përse ky agresivitet?
Nëse përdorim fjalën ‘përplasje’, për të qenë e vërtetë, do të duhej që të dy palët në ‘përplasje’ të ishin në të njëjtën valë, ose e thënë më tokësore: në të njëjtën autostradë. Mirëpo kjo ‘përplasje’ nuk është në të njëjtën valë as autostradë. Meta, si president i Republikës, nuk e ka funksionin e korrigjimit të projektligjeve dhe as të ligjeve që formulon qeveria për në Parlament. Po, presidenti ka rol pas miratimit të ligjit në Parlament, e dekreton ose jo. Kaq ka. Por Ilir Meta më shumë flet si ‘analist freelance’, ose shpesh si OJF, ose më shpesh si militant në opozitë. Ndërsa kryeministri bën punën e qeverisjes. Pra, janë në kahje të ndryshme.
Nga ana tjetër, opozita në bllok, (si subjekte politike të cilat janë drejtpërdrejt të intersuara) ende nuk ka shpërthyer në “ultimatum” dhe rolin e kundërshtarit të përflaktë ndaj mazhorancës e ka marrë Meta, kjo e dëmton apo e forcon opozitën, veçanërisht PD-në?
Besoj se brenda pyetjes suaj ndodhet edhe përgjigjja: Presidenti i Republikës ka braktisur postin e tij dhe është kthyer në ‘opozitë’. Ai vetë ka thënë para pak ditësh se ‘mbaj anën e PD dhe LSI’, që janë parti në opozitë. Akti i Presidentit është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve të 25 prillit me presidentin mangut. As opozita dhe as maxhoranca, dmth., asnjëra nga institucionet e shtetit demokratik nuk forcohen, si në rastin konkret, kur presidenti dezerton nga detyra, çfarëdo roli tjetër të paligjshëm të marrë.
Edhe pse palët janë shumë larg marrëveshjes për sa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, faktori ndërkombëtar duket disi i tërhequr. A pritet një riaktivizim i tij për t’i detyruar palët të dakordësohen në momentet e fundit, apo u është lënë “dorë e lirë” që palët kundërshtare ta gjejnë vetë zgjidhjen?
‘Faktor ndërkombëtar’ besoj se po thoni duke pasur parasysh kryesisht Uashingtonin dhe Brukselin. Të dy fuqitë e mëdha dhe aleatë të Shqipërisë, pikë së pari janë superfuqi të Demokracisë. Të dyja janë të ‘tërhequra’ dhe të qeta sa kohë që në altarin e Demokracisë, siç quhet Parlamenti i shtetit, bëhen ligje demokratike dhe mbahen balancat kushtetuese të vendit. Kjo po ndodh edhe me Kodin Zgjedhor. Çfarë bëhet ligj në Parlament nuk mund të ‘dakordësohet’ as kundërshtohet jashtë Parlamentit.
Përplasjet e ashpra politike, me akuza të ndërsjella, cinizëm apo ironi të cilat sot duken hapur mes presidentit dhe kryeministrit, a i shmangin debatet e verteta mbi programet, premtimet dhe llogaridhënien para qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të ardhshme?
Jo, këto nuk i dëmtojnë programet; programet o janë, o nuk janë. Sa për ngjyrimet gjuhësore në debate, kjo është çështje individuale; kuptohet se kundërshtarët i mërzit shumë pasuria gjuhësore e kryeministrit Rama. Unë për vete do të dëshiroja një gjuhë të butë e korrekte zyrtare. Por nuk ngre kandar e folura. Për gjithë zhvillimet politike të botës së përparuar, kryesor është rezultati. Kanë mbetur pas në kohë ideologjitë, formalizmat, demagogjitë…
Leonard Karaj: “Meta flet ende si kryetar i LSI-së, Rama po dhunon Kodin Zgjedhor”
Mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama thuajse çdo ditë ka përplasje verbale në distancë, por shtimi i akuzave të ndërsjella, deri në kërcënime, lidhet me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që si pikë kyçe ka heqjen e koalicioneve. Meta theksoi se në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, atëherë do të ishte njëlloj si një tentativë për grusht shteti, duke “premtuar” se presidenti këtë tentativë nuk do ta pranojë me çdo lloj çmimi. Përse ky agresivitet?
Parimisht presidenti Meta ka të drejtë kur thotë që marrëveshja e 5 qershorit nuk mund dhe nuk duhet të preket. Politika është art i kompromiseve dhe marrëveshjeve, por duket se këta terma nuk i ka në fjalorin e vet Edi Rama. Ose i ka dhe i përdor vetëm kur i leverdis atij personalisht (as edhe për faktin se përfaqëson një forcë politike të madhe si PS-ja). Mënyra se si kryeministri ka ndryshuar qëndrim gjatë tre muajve të fundit (me lista të hapura, me lista gjysmë të hapura, me koalicione, por ashtu siç do ai, me prag apo pa të fare etj), është më e pakta tallje ose “përdhunim”, i Kodit Zgjedhor. E kam shumë të vështirë të kuptoj politikëbërjen e kryeministrit, i cili në këto momente është i gatshëm të shesë gjithçka, madje edhe partinë e vet (sepse Shqipërisë ia ka mbyllur dyert e Evropës me kohë), vetëm e vetëm që ai të jetë sërish kryeministër, ose më e pakta “the king maker” për postin e presidentit në 2022-shin. Dhe për të pasur këtë rezultat do të duhet që minimalisht të nxjerrë jashtë nga skena politike LSI-në e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Sado që Meta të thotë se ai nuk ka lidhje me këtë parti, të gjithë e dimë, se LSI-ja ekziston vetëm falë Ilir Metës. Dhe duke parë lëvizjet e Ramës, për eliminimin me çdo kusht të kuoalicioneve parazgjedhore, formulë kjo që dëmton rëndë partitë e vogla, atëherë afërmendsh që do të kishim një reagim të tillë të presidentit. Të kuptohemi qartë: një LSI e dobët më 25 prill 2021 është ogur i mirë për Ramën, kjo pasi votuesi i kësaj partie është kryesisht i majtë. Një LSI në kuotat e zgjedhjeve të 2009-s ose edhe më keq, nuk do të ishte “gjemb” në këmbë as për kryeministrin e ri dhe forminin e qeverisë vitin e ardhshëm dhe as për presidentin e ri në 2022. Këtë gjë e di fort mirë Rama, Basha, por më shumë se të gjithë, Meta.
Nga ana tjetër, opozita në bllok (si subjekte politike, të cilat janë drejtpërdrejt të intersuara), ende nuk ka shpërthyer në “ultimatum”, dhe rolin e kundërshtarit të përflaktë ndaj mazhorancës e ka marrë Meta, kjo e dëmton apo e forcon opozitën, veçanërisht PD-në?
Nuk mendoj se agresiviteti i Metës e dëmton opozitën aktuale. Duket sikur në një farë mënyre krijon një lloj dualiteti, por shihet qartë se lidershipi i PD-së, është munduar më së shumti të merret me problemet ekonomiko-sociale gjatë kësaj periudhe sesa me “ultimatume”, të cilat realisht kanë treguar gjatë këtyre viteve të fundit se me një politikan të tipit Rama, nuk pijnë ujë fare. Ndaj, fakti se PD-ja e ka kuptuar më së miri këtë gjë, është një karakteristikë, veti e veçantë që i sjell veçse dobi. Nga njëra anë bën opozitën e qeverisë, duke mbështetur qytatarin dhe, nga ana tjetër, përplasjet verbale që prodhojnë kosto te votuesi, ia ka lënë Metës. Në fund të kësaj historie te selia blu e dinë mirë se për të ardhur në pushtet duhet të fitojnë besimin e humbur te votuesi dhe të mundin Ramën. Pak rëndësi ka më pas nëse formon qeverinë e vetme apo edhe me koalicion paszgjedhor. Dihet se pas mjaltit (kupto pushtetin), kur vjen momenti, shkojnë edhe grerëzat dhe jo më bletët…
Edhe pse palët janë shumë larg marrëveshjes përsa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, faktori ndërkombëtar duket disi i tërhequr. A pritet një riaktivizim i tij për t’i detyruar palët të dakordësohen në momentet e fundit, apo u është lënë “dorë e lirë” që palët kundërshtare ta gjejnë vetë zgjidhjen?
Edi Rama sot është personi më i sulmuar politikisht, jo vetëm nga faktori i brendshëm, por edhe nga ndërkombëtarët dhe këtë damkë kryeministri ia ka vënë vetvehtes me vetëdije të plotë. Por unë nuk pres që ambasadorët të bëjnë ndonjë mrekulli. Duket qartë se kryeministrit në këto momente nuk i intereson fare se çfarë mendimi ka ambasadori i SHBA-së apo edhe ai i OSBE-së. E vetmja gjë që për të ka rëndësi është mënyra se si do t’i rregullojë aktet nënligjore për të shkuar në zgjedhje sa më i favorizuar. Dhe kur, Rama nuk mori parasysh mendimin e ndërkombëtarëve për ndryshimet e 31 korrikut, për të cilat këta të fundit ishin kategorikisht kundër, nuk e besoj se do të tkurret tanimë që ka bërë më shumë se ¾ e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor siç atij ai i shkojnë përshtat. Por përtej ndërkombëtarëve, ajo që bën më shumë çudi në këto momente është opozita parlamentare, e cila pasi “u përdhunua” nga Rama më 24 korrik, pranon sërish të gënjehet, duke besuar ende se kryeministri do të hapë realisht listat për deputet.
Përlasjet e ashpra politike, me akuza të ndërsjella, cinizëm apo ironi, të cilat sot duken hapur mes presidentit dhe kryeministrit, a i shmangin debatet e vërteta mbi programet, premtimet dhe llogaridhënien para qytetarëve, në prag të zgjedhjeve të ardhshme?
Kjo është mënyra më e mirë për politikanë të tipit Rama që të ardhen e afërt të tyre e lidhin me barsaleta të momentit. Mos harrojmë: PS-ja fitoi 74 mandate në 2017 me batuta dhe barsaleta që Edi Rama tregonte në mënyra të ndryshme, në qytete të ndryshme. Në këtë këndvështrim nuk duhet të presim dhe të habitemi se do të shikojmë ndonjë program konkret apo qasje reale ndaj problemeve të shqiptarëve. Aktualisht, vetëm PD-ja po mundohet që ta cekë votuesin duke shpalosur programin e vet, paçka se jemi ende muaj para zgjedhjeve. Kësisoj kakofonia e momentit është edhe si një lloj shpëtimi i kësaj mazhorance për t’u larguar nga llogaridhënia ndaj qytetarëve dhe bataku ekonomik ku e ka zhytur këtë vend, aktualisht ndër më të varfrit në Evropë (për të mos thënë më i varfri).
Lorenc Vangjeli: Të gjithë kundër Edi Ramës
Së fundmi, por jo të fundit janë futbollistët. Ata kanë hequr prej ditësh uniformat sportive dhe kanë veshur fanelën e protestuesit kundër Edi Ramës. Më tej janë mjekët që me të drejtën e Zotit dhe epërsinë e kastës së tyre, kërkojnë një fetë më të madhe nga torta e shpenzimeve publike. Të tjera kategori të shoqërisë dhe shtresa sociale, sa më shumë që do të afrojë dita e zgjedhjeve, aq më shumë do të shtojnë kërkesa, do të kenë pretendime, do të firmosin ultimatume dhe do të shpallin beteja të njëpasnjëshme për luftën finale kundër Ramës. Me idenë se nga rezultati i kësaj lufte, varet gjithë fati i Shqipërisë. Që ose nis e mbrothtësohet evropianisht nën shenjën e tyre, ose rrënohet përfundimisht nën Rilindjen tris të socialistëve. Lista e armiqve të Ramës është bërë një litar më i gjatë se zullumi i politikës së të gjitha ngjyrave. Ajo nis nga Presidenti i Republikës dhe mban portretin e ashpër të Ilir Metës. Vazhdon me të gjithë ish-presidentët, kryetarët të partive, deputetët e listës dhe ish-ët jashtë parlamentit. Basha, Kryemadhi, Duka, Ndoka, Shehi e Mediu janë të gjithë bashkë kundër tij. Vetë Rama ka mundur të bëjë bashkë kundër vetes edhe Idrizin e Dulen. Lista vazhdon me gjykatës e prokurorë të shkarkuar nga Vetting-u, të cilët te kryeministri shohin njeriun që u shkatërroi karrierën, stilin e jetesës dhe u dha rrokullisjen drejt një grope që nuk i shihet as ana dhe as fundi.
Shumica dërrmuese e gazetarëve janë gjithashtu kundër kryeministrit. Kur e presin në studio, në secilën prej tyre, të gjithë të ftuarit janë me gurë në xhepa për t’ia hedhur kokës Ramës. Vetë drejtuesit hedhin gurët më të rëndë ndaj tij. Duke i tundur gishtin me kërcënim, duke i kujtuar burgun si destinacion apo duke i treguar të mbathurat si provë. Madje, edhe tek ata që e mbështesin, vështirë se gjen ndonjë fjalë pro tij, por pothuaj të gjithë kanë ngulm e ngut që të distancohen nga njeriu që sillet me gazetarët si kryeredaktor nervoz i të gjithëve. Gishtin me akuzë e tundin edhe shumë nga ata që tërmeti ua konvertoi qerpiçin e shembur me shtëpi tullash. Edhe ata sapo kanë mundësi zgjedhin ta shajnë Ramën për arkitekturën e shtëpisë së re. Kush pret rotacionin politik në 25 prill, formalisht fërkon duart dhe mendon se ka vend bindja se pushtetit të Ramës mjafton t’i jepet dora e fundit e të shtyrës për të rënë përfundimisht. Por në këtë botë bërtet e dëgjohet vetëm pakënaqësia, pohimi dhe pëlqimi zakonisht janë të heshtur dhe nuk ndihen. Ky është kurthi drejt të cilit po shkojnë me një shpejtësi të habitshme të gjithë ata që duan të ndryshojë ngjyra, por jo zakoni, të ndryshojnë fytyrat në qeverisja, por jo veset e qeverisjes.
Në të gjithë këtë rrëmet pakënaqësie, pakkush nga kjo listë armiqsh e ka kuptuar Ramën dhe akoma më pak janë ata që kanë idenë se çfarë ka kuptuar vetë Rama. Në udhëtimin e tij politik, nga fillimet kur i dridhej shpirti edhe nga rreshtat kundër të një reporteri, te shpirti që nuk i gjen paqe nëse nuk shet me çmimin e një batute edhe mikun më të ngushtë dhe interesin më të thellë, Rama ka zbuluar një të vërtetë të thjeshtë: Në Shqipëri është më e lehtë të gjendet një hebre që ndërron fe’ sesa një shqiptar që mendon pozitivisht! “Një armik i mirë është më mirë se një mik i gabuar!”, thonë gjithë veprimet e vitit të fundit të Ramës.
Instinkti i tij prej ballkanasi të veshur evropianisht, i thotë se është më mirë të jetë i mallkuar nga votuesit se t’i lërë ata indiferentë ndaj vetes. Se është më mirë të jetë zgjedhje e vetme sesa të luftojë të jetë zgjidhja më e mirë. Se nëse nuk i mbyll dot gojët që flasin ligsht për të, është më mirë t’i shtojë ato në ekstrem. Se nëse dikush i del nga rreshti i armiqve, duhet të shtojë urgjent një armik të ri përballë. Kjo është diferenca e tij me Lulzim Bashën, që rend drejt formulës së Rama-Metës të përdorur në 2013: të gjithë bashkë kundër Saliut! Kjo është diferenca e të menduarit politik që nesër do të bëjë diferencën në zgjedhjen e shqiptarëve. Me vetëm shtatë muaj në kalendar, është më shumë fakt se perceptim ndjesia se Lulzim Basha e ka ende të vështirë të gjejë një grusht shqiptarësh që ditën e votimit do të zgjohen me të në mendje. Shqiptarët do të shkojnë sërish përpara kutisë për shkak të Edi Ramës.
Për hir të dashurisë apo për hir të urrejtjes ndaj tij, kjo nuk ka pikën e rëndësisë. Dikush duhet t’ua thotë armiqve të kryeministrit se shumë urrejtje dhe shumë mohim pa pohim, rrezikojnë të kthehen në të kundërtën e tyre. Alkimia e pabesueshme njerëzore i shndërron ato në aleatin më të mirë të Edi Ramës për t’i mundur përsëri. Për t’i mundur të gjithë dhe për të pohuar aksiomën e sapozbuluar në politikë: armiqtë që jetojnë vetëm nën shenjën e urrejtjes janë gjithmonë fatkeqë! Sepse humbasin gjithmonë. Edhe kur kundërshtari nuk meriton të fitojë!
La.Mi/Fjala.al