Presidenti Ilir Meta ka shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të Atletikës, Vildan Tufit.
“Humbje shumë e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen e Tij dhe thellësisht pikëlluese për mbarë komunitetin e atletëve shqiptarë, që ndahen sot nga ky kolos i sportit shqiptar që la gjurmë të mëdha, si atlet rekordmen dhe trajner i kampionëve të mëdhenj, veçanërisht në garat e kërcimit së gjati, trehapësh, garat e shpejtësisë dhe 10-garësh”, ka shkruar Meta në afcebook.
Kreu i shtetit më tej është shprehur se pasioni dhe profesionalizmi i Tufit do të mbeten një shembull i çmuar dhe frymëzues në përgatitjen dinjitoze të atletëve elitarë dhe kampionëve të ardhshëm të atletikës.
“Me mirënjohje e respekt do ta kujtojmë Profesor Tufin për punën e palodhur në edukimin e brezit të ri, me dashurinë për sportin, larg rreziqeve sociale dhe veseve.
Familjes Tufi, atletëve, bashkëpunëtorëve, miqve dhe mbarë komunitetit të dashur të Shkodrës ju shpreh ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje që na tronditi sot të gjithëve!”, ka shkruar më tej presidenti Meta.
Tufi u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Ai ishte një nga emblemat e atletikës shqiptare me ekipin e Vllaznisë./Jo.Be/Fjala.al