Ekipi i fushatës zgjedhore të Presidentit Donald Trump vazhdoi të paraqesë sfida ligjore ndaj numërimit të votave, megjithëse pësoi disa goditje në dy shtete të rëndësishme për të fituar zgjedhjet. Në Nevada, shtet me prirje demokrate ku ish-nënpresidenti Joe Biden ruan një diferencë të ngushtë ndaj Presidentit Trump me vazhdimin e numërimit të votave, kampi zgjedhor i presidentit dhe republikanët e këtij shteti njoftuan se po paraqesin padi me pretendimin se të paktën 10,000 vetë, që nuk kanë status rezidenti në atë shtet, kishin votuar në mënyrë të paligjshme dhe votat e tyre ishin pranuar për numërim.
“Në këtë vend është e papranueshme të numërohen votat e paligjshme. Kjo po ndodh në shtetin e Nevadës,” tha ish-shefi në detyrë i shërbimeve të zbulimit, Richard Grenell, në një konferencë për shtyp në Las Vegas.
Joe Gloria, zyrtari përgjegjës për regjistrin e votuesve në Komunën Klark në Nevada i hodhi poshtë këto pretendime. “Nuk jemi në dijeni të fletëvotimeve të parregullta që janë pranuar për numërim,” tha zoti Gloria në një konferencë për shtyp.
Punonjësit e ekipit zgjedhor të presidentit njoftuan të mërkurën se do të paraqesin padi për të ndalur përkohësisht numërimin e votave në Pensilvani – një shtet kritik për rizgjedhjen e presidentit – deri kur vëzhguesve t’u lejohet qasje më e mirë për të ndjekur procesin e numërimit të votave.
Padia në Nevada, sfida e katërt kryesore ligjore që nga e marta për zgjedhjet 2020, pason vendimet e gjykatave në Xhorxhia dhe Miçigan që nuk pranuan të shqyrtojnë sfidën ligjore të ekipit për rizgjedhjen e presidentit lidhur me trajtimin e fletëvotimeve në këto shtete. Në Xhorxhia, republikanët ngritën akuza se bordi lokal i zgjedhjeve po lejonte përfshirjen e fletëvotimeve të pavlefshme të dërguara me postë në procesin e numërimit. Por një gjykatës e hodhi poshtë padinë pasi një zyrtar lokal zgjedhor dëshmoi se fletëvotimet në fjalë “kishin arritur në kohë”.
Në Miçigan, një gjykatës lokal hodhi poshtë kërkesën e zyrtarëve të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump për të ndalur numërimin deri kur të vihej në zbatim një “qasje e pranueshme” në procesin e përpunimit të fletëvotimeve, si për shembull kamera për të xhiruar pamjet dhe aktivitetin me kutitë ku hidhen votat. Një ditë më parë vendimit të gjykatësit, zoti Biden ishte shpallur fitues në këtë shtet nga organizatat mediatike.
Megjithëse humbi dy sfida ligjore në Xhorxhia dhe Miçigan, presidenti arriti një fitore fillestare në Pensilvani, ku një gjykatës i apelit dha urdhër që vëzhguesit republikanë të lejoheshin për të ndjekur numërimin e votave në një sallë konferencash, nga një distancë prej 2 metrash nga personi që bën numërimin.
Këshilltarë të ekipit zgjedhor të Presidentit Trump e përshëndetën vendimin, duke u zotuar se do të vazhdonin betejën në Pensilvani dhe shtete të tjera që i nevojiten presidentit për fitore. “Do të vazhdojmë të luftojmë për këto zgjedhje sepse këtë dëshiron populli amerikan,” tha menaxheri i fushatës së zotit Trump për rizgjedhje, Bill Stepien gjatë një komunikimi me shtypin.
Kampi i zotit Biden i cilësoi paditë e rivalit si të pavlefshme. “Synojnë t’i japin kampit të zotit Trump mundësinë për të argumentuar se duhet të ndalet numërimi i votave. Por nuk do të ndalet,” tha këshilltari i fushatës zgjedhore të zotit Biden, Bob Bauer. Rezultatet e zgjedhjeve rrallë herë sfidohen.
Por ky ka qenë procesi më i sfiduar përmes sistemit gjyqësor dhe presidenti tha se “rreziku më i madh” për të është humbja në gjykatë. Duke mos përfillur thirrjet e zotit Trump për të ndalur numërimin e votave, zyrtarët e zgjedhjeve në gjashtë shtete ku rezultatet mbeten ende të pashpallura: Alaska, Arizona, Xhorxhia, Nevada, Karolina e Veriut dhe Pensilvani, vazhduan numërimin dhe ekspertët ligjorë thonë se nuk ka gjasa që gjykatat të ndalin numërimin.
“Nuk mendoj se ndonjë prej tyre (padive gjyqësore) do të ketë ndikim duke ndalur numërimin e votave në një mënyrë që ndikon tek zgjedhjet, në ditët e ardhshme,” tha Jordan Strauss, ish-prokuror federal dhe aktualisht drejtor menaxhues me firmën konsultuese, Kroll. “Ka plot zëra dhe aludime, por asnjë prej sekretarëve të shteteve në këto katër shtete nuk e ka certifikuar ende rezultatin”. Nga shtetet e padeklaruara, Pensilvania ka gjasa të tërheqë vëmendjen më të madhe në paditë gjyqësore pasi ka 20 vota elektorale, që e bën të domosdoshme për rizgjedhjen e presidentit.
Para ditës së zgjedhjeve, republikanët u përpoqën pa sukses përmes një padie që u paraqit para Gjykatës së Lartë, të pengonin planet e Pensilvanisë për të numëruar vota të dërguara me postë që arrinin deri në tri ditë pas ditës së zgjedhjeve.
Por disa nga anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë sinjalizuan se mund të jenë të hapur për ta marrë përsëri në shqyrtim këtë çështje. Duke pasur parasysh numrin relativisht të vogël të votave që kanë mbërritur që nga e marta në Pensilvani, kjo çështje mund të jetë e pavlefshme, thonë ekspertët.
“Numri i fletëvotimeve që do të marrin nuk ka gjasa të jetë aq i madh sa të ndryshojë rezultatin në numërim, edhe nëse i përjashtojnë nga totali këto fletëvotime,” tha Sylvia Albert, drejtore për votimin dhe zgjedhjet pranë grupit “Common Cause”, një nismë qytetare.
Ish-prokurori federal Strauss pohon se mund të mos ketë vota të mjaftueshme që mbërrijnë me vonesë për të përmbysur rezultatin pro ose kundër njërës palë. “Duhet të shohësh një rezultat, një mundësi për sukses që e bën sfidën të vlefshme jo vetëm nga ana ligjore, por edhe praktike,” tha zoti Strauss. Aktivistë për të drejtën e votës, të cilët ndoqën votimet të marrtën dhe po ndjekin procesin e numërimit të votave thonë se nuk kanë marrë raportime për probleme sistematike në këtë proces.
Megjithë sfidat dhe akuzat e kampit zgjedhor të Presidentit Trump se vëzhguesit nuk janë lejuar të ndjekin numërimin e votave, individë të emëruar nga të dy palët rivale në zgjedhje vazhdojnë të ndjekin procesin e numërimit, thonë ata. “Nga raportimet që kam marrë dhe pamjet e xhiruara nga procesi, numërimi po vazhdon brenda parametrave të caktuara në ligj,” thotë zonja Albert.
Në disa zona numërimi po ecën shumë ngadalë, por zyrtarët zgjedhorë kanë paralajmëruar prej kohësh se mund të ndodhin vonesa pasi pati një pjesëmarrje shumë të lartë në votimet me postë si rezultat i pandemisë,” thotë zonja Albert. “Nuk ka asgjë për t’u çuditur nga këto që po ndodhin tani,” thotë zonja Albert. “Zyrtarët zgjedhore thjesht po bëjnë punën duke numëruar votat, asgjë më shumë”.
Rritet frika për sigurinë e komisionerëve të zgjedhjeve në shtetet përcaktuese
Tensionet rreth zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara po i bëjnë disa zyrtarë shtetërorë dhe lokalë që të shtojnë masat e sigurisë për ata që numërojnë votat e mbetura. Mbështetësit e Presidentit republikan Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden e kanë përqendruar vëmendjen në shtete si Arizona, Nevada dhe Pensilvania, ku rezultati i zgjedhjeve është i ngushtë dhe është ende e pamundur të shpallet fituesi. Tensionet janë rritur ndërsa akuzat për parregullsi në procesin e numërimit të votave kanë shkaktuar protesta jashtë ndërtesave ku po bëhet numërimi.
“Jam i shqetësuar për sigurinë e stafit tim”, tha Joe Gloria, zyrtar i zgjedhjeve në distriktin Klark të Nevadës, më 5 nëntor, kur rreth 75 persona, disa të veshur me bluza me mbishkrimin Trump, brohorisnin “Stop vjedhjes (së votave)” dhe protestonin jashtë qendrave zgjedhore të qarkut.
Nuk pati njoftime për akte dhune, por pas frikësimeve në zona të tjera në të gjithë vendin, zoti Gloria tha se zyra e tij po merr masa. “Ne po marrim masa për të garantuar sigurinë e nevojshme”, tha ai. “Ne kemi forcat e rendit që po na mbrojnë.” Në shtetin fqinj të Arizonës, zyrtarët e zgjedhjeve në Qarkun e Merikopës njoftuan të enjten se do të krijonin një “zonë të fjalës së lirë” për protestuesit me ndihmën e zyrës së sherifit lokal. “Është e domosdoshme që ne të ekuilibrojmë mbrojtjen dhe mirëqenien e punonjësve tanë të zgjedhjeve dhe vullnetarëve me të drejtën kushtetuese të protestuesve”, tha përmes një deklarate Departamenti i Zgjedhjeve në Qarkun e Merikopës, duke shtuar se ndryshimet do të lejonin stafin të numëronte votat dhe të largohej nga ndërtesa “pa kërcënimin e frikësimit”.
Zyrtarët e Qarkut të Merikopës i morën këto masa pas një proteste nga rreth 200 mbështetës të Presidentit Trump, disa të armatosur me pushkë ose pistoleta, jashtë Departamentit të Zgjedhjeve në Finiks më 4 nëntor. Qarku kërkoi ndihmën e policisë për të shoqëruar personelin e departamentit zgjedhor nga ndërtesa. Konfrontimet midis protestuesve dhe zyrtarëve të zgjedhjeve u raportuan gjithashtu më 4 nëntor në Detroit të Miçiganit, kur oficerët e policisë ndaluan hyrjen e mbështetësve të Presidentit Trump dhe zotit Biden në një ndertësë ku po bëhej numërimi i votave.
Zyrtarët thanë se dritaret ishin mbuluar për të penguar protestuesit dhe vëzhguesit të filmonin punonjësit e qendrës së votimit dhe vullnetarët. Protestat gjatë natës më 4 nëntor në Portland të Oregonit gjithashtu u bënë të dhunshme. Policia bëri 10 arrestime dhe sekuestroi armë të shumta zjarri si dhe municione. Në Miçigan, prokurorja e përgjithshme e shtetit u ankua më 5 nëntor në Twitter për ngacmime përmes telefonatave dhe kërcënime ndaj stafit të saj. “Siguria e zyrtarëve të zgjedhjeve dhe punonjësve të zgjedhjeve është thelbësore”, i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Shoqatës Kombëtare të Drejtorëve Shtetëror të Zgjedhjeve më 5 nëntor.
“Zyrtarët e zgjedhjeve kanë plane rezervë (nëse situata del jashtë kontrollit)”, shtoi zëdhënësi. Zyrtarët federalë dhe shtetërorë janë përgatitur për akte të mundshme dhune për muaj me radhë, duke parashikuar tensione për shkak të një rezultati të ngushtë të zgjedhjeve dhe gjasave për vonim të rezultateve për shkak të numrit të lartë të fletëvotimeve me postë.
“Vonesat dhe rinumërimi i votave mund të rezultojnë në protesta dhe përpjekje për të pushtuar qendrat zgjedhore”, paralajmëroi Departamenti i Sigurisë Kombëtare në Nju Xhersi në një raport të lëshuar në fund të shtatorit. Zyrtarët e zbatimit të ligjit, duke përfshirë zyrtarë të FBI-së, gjithashtu shprehën shqetësimin para zgjedhjeve se vendet armike të Shteteve të Bashkuara, si Rusia, Irani dhe Kina, mund të përdorin ditët pas votimit të 3 nëntorit për të ndezur “trazira dhe konflikte”, që mund të çojnë në dhunë. “Përgatitjet tona për (zgjedhjet e vitit 2020) marrin parasysh klimën aktuale të vendit”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i FBI-së në atë kohë./r.g/Fjaala.al