Ekskluzive/ Nga Fernada Cenko
Si po sillen tre liderët politik pesë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare. Taktikat elektorale që po përdor Rama, Basha dhe Meta përballë qytetarëve të çorientuar e mbajtur nën trysni dhe agresivitet deri në ditën e zgjedhjeve. Çfarë pritet të ndodhë dhe nga mund të anojë pushteti… Flasin për gazetën “Fjala”, analistët Ylli Rakipi, Lorenc Vangjeli, Leonard Karaj dhe Plator Nesturi.
Në 30 vjet politikbërje, vetëm një u vetëdorzua për të mos ju kthyer më politikës, ose kur deshi nuk ju dha më shansi: Fatos Nano. Asnjë lider tjetër nuk po jep shenja që mund të tërhiqet vetë, pasi ka lexuar dhe pranuar verdiktin qytetar. Jemi afër pesë muaj para zgjedhjeve, por agresiviteti duket se ka kapur majat dhe me formën e nisur, ngjan se ndonjë moment do shpërthejë… Tre liderët kryesorë në vend sot janë flakë për flakë e dhëmb për dhëmb, por kjo deri më 25 prill, më pas koha ka treguar se armiqtë e përbetuar janë bërë “miq nga halli”… dhe ky “hall” për ta është i ëmbli pushtet!
A do jenë edhe këto zgjedhje si shumë të tjera që nisin me agresivitet dhe mbyllen me të paktën dy palë që shtrëngojnë duart dhe i japin shoqoqit buqetën e “dafinave të fitores”, ndërsa i treti mbyllet në oazin e tij dhe bërtet: zgjdhjet u vodhën?! Me gjasë tensioni do të vijojë gjatë. Dhe kjo është taktikë elektorale, ndonëse aspak e ndershme, pasi mund të sjellë para kutive të votimisht shumë qytetarë të çoroditur dhe frustruar, për të mos menduar se cili do jetë më i miri për ta, por kush është më pak i keqi “mes të këqinjve”. Mënyra si po zhvillohet fushata ngjall një lloj intersi, ku kryeministri Edi Rama, më shumë se po merret me kundërshtarin “historik” PD dhe liderin e saj, ka lëshuar shumë shigjeta drejt Ilir Metës, duke e mënjanuar si president dhe i veshur vazhdimisht kostumin e kryelësistit… Mbajtja në tension deri në kufijtë e kacafytjes të një elektorati të ndarë në dy apo tre grupime, i heq shansin qytetarëve që të zgjedhin mbi bazë programesh dhe alternativash.
Kjo metodë po ndiqet me një Ramë i cili kërkon mandatin e tretë radhazi, Bashën që e ka betejë “jetë a vdekje” sepse shans tjetër nuk do ketë, dhe një Metë i cili edhe pse mban një post fort komod, nuk ndihet aspak komod. Me gjasë në zgjedhjet e ardhëshme askush nuk shkon me bindje se ka një avantazh, ndaj marrja e pushtetit mund të vijë për një grusht votash më shumë se rivali, ose nga një kalkulim aleancash të pabesueshme deri më tani.
Plator Nesturi: “Fushata elektorale agresive, liderët po luajnë me nervat e kundërshtarit”
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 25 prillit duket se të majtë dhe të djathtë kanë nisur fushatën. Pas zgjedhjeve lokale, duket se kjo fushatë është shumë agresive…
Fushata elektorale ka nisur vërtet shumë herët. Dhe siç ishte parashikuar do të jetë e ashpër. Ajo çfarë ka shoqëruar këto dy vjet ka qenë egërsia dhe natyrisht që ky inat i grumbulluar do të shfaqet me vijomin e egërsisë. Por për mendimin tim ajo çfarë do do të ndikojë te suksesi i fitimtarit nuk do të jetë fakti se kush ka më shumë inat e egërsi, por kush do të jetë më i kthjellët për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarit, kush do dijë të luajë me nervat e tij e ta shpërqëndrojë si dhe kush do të krijojë lidhje më direkte me elektoratin.
Pavarësisht se fushata elektorale ka nisur duket se kemi qasje të ndryshme të strategjisë tek forca të ndryshme politike. Si për shkakun e pandemisë ashtu dhe për zhvillime të brendshme si është procesi i përzgjedhjes së kandidatëve deputetë, realisht opozita nuk ka patur një angjazhim aktiv drejt elektoratit. Ndryshe nga maxhoranca e cila duket se ka shfrytëzuar boshllëkun e krijuar. Njëkohësisht fushata më këtë periudhë ka paraqitur tipare të reja përsa i përket frekuencës. Beteja elektorale po zhvillohet drejt imazhit dhe akuzave që synojnë tërheqjen e vëmendjes mediatike. Kështu, ndryshe nga më parë nuk po synohet shumë as programet dhe as idetë se si do të operohet pas zgjedhjeve për problemet qëndrore të vendit nëse subjekti i caktuar fiton në 25 prill.
Në të kundërt, ndërsa takimet direkte me elektoratin zvogëlohen, strategjia është përqëndruar drejt akuzave të mirëllogaritura ndaj drejtuesve apo formës së qeverisurit të cilat kanë qenë përgatitur që më parë nga shtabet e fushatës. Në këtë mënyrë, më tepër po luhet me nervat e kundërshtarit në mënyrë që ai në gjaknxehtësi e sipër të humbë toruan e të gabojë. Shenjat për këtë formë të re fushate janë dhënë dhe duket se ky do të jetë mënyra e rrjedhës së fushatës. Realisht të tre kundërshtarët kryesorë e njohin mirë njëri tjetrin, kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë së bashku në politikë dhe ia njohin pikat e forta e të dobëta secilit, si dhe kush ka ndonjë “të vdekur në dollap”.
Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha politike PS-PD. Mos ne këto zgjedhje kemi një luftë tre palshe PS-PD-Presidencë?
Pavarësisht peshës mediatike që zë LSI, si dhe peshës që ka shtuar në elektorat në zgjedhjet e fundit, mendoj se sidoqoftë beteja politike do të mbetet midis dy të mëdhejve PS dhe PD. Ndërkohë duke qenë se LSI është pjesë e opozitës , rritja e peshës së saj brenda masës opozitare, mbetet problem për Bashën, dhe jo për PS. Kjo sepse shtimi i peshës së LSI brenda opozitës do të thotë peshë më të vogël për vëtë Lulzim Bashën, jo vetëm brenda aleatëve të tjerë të djathtë, por dhe tek vetë anëtarët e PD, të cilët nuk do ta gëlltisnin lehtë një shtim të votave të LSI në kurriz të partisë së tyre.
Demokratët kujtojnë se çfarë arrinte të merrte LSI në kualicionin me ta atëherëkur kish 4 deputetë dhe imagjinohet se çdo të ndodhte nëse pesha midis PD dhe LSI nuk do të kish ndonjë ndryshim relevant. Njëkohësisht vetë koalicioni mund të vihej në dyshim. Koalicioni është më i qartë dhe definueshëm kur ka një parti qëndrore që luan qartësisht liderin. Të paktën në Shqipëri.pasi nëse kemi dy gjelë pretendojnë lidershipin dhe “haremin” e benefiteve të pushtetit, vështirë se paqja e bashkëjetesa të vijojë gjatë. Ndërkohë, përsa i përket Presidencës, ajo nuk është subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 25 prillit por gjithësesi mbetet aktor për këto zgjedhje. Aktor që të paktën është definuar qartë se kë ka kundërshtar. Dhe ai është kryeministri i vendit.
Agresiviteti i fushatës a nënkupton se një një nga tre perosnazhet mes Ramës, Bashës dhe Metës mund të rrezikojë largimin përfundimtar nga politika?
Realisht pas çdo beteje politike, në çdo vend modern shihen faktorë të shumtë që kanë ndikuar për fitimin apo humbjen e zgjedhjeve, dhe zakonisht të humburit hapin krahun dhe forca politike zgjedh liderin e ri për betejë te re me strategji të re. Por kjo menyrë moderne nëse sillet në kushtet e Shqipërisë dhe çfarë ka ndodhur në gjithë këto vite atëherë mendoj se duhet të jetë domosdoshmëri. Kemi patur gjithë këta vite agresivitet dhe luftë të pandershme politike dhe në rastin konkret, do të ish mire që kush i humbet zgjedhjet duhet të largohet së paku dhe si një shembull se kjo luftë pa skrupuj duhet të marrë fund meqë pak rezultat ka dhënë. Më duken absurde dhe paradoks loja mediatike që bëhet nga lojtarë të ndryshëm të politikës ndërsa deklamojnë se po të vinë në pushtet do të shkojë pas hekurave iksi apo ypsiloni.
Së pari sepse realisht nuk kanë asgjë në dorë por dhe se politika cenet e të tjerëve i ka përdorur për shantazh e për pazar. Me ndryshimet në sistemin e drejtësisë jam më i prirur të besoj se gradualisht qasja ndaj akuzave do të jetë gjithmonë e më i pandikueshëm nga të qenit në pushtet apo në opozitë. Në këtë mënyrë, largimin përfundimar, apo daljen në periferi të politikës të së fuqishmëve të momentit, do më përlqente të kryhej si një proces normal ku humbësit hapin vendin dhe fitimtarët vijojnë deri sa të kenë votëbesimin e elektoratit.
Leonard Karaj: Rama s’qeveris dot vetëm, LSI t’i qëndrojë paktit opozitar
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 25 prillit të majtë dhe të djathtë kanë nisur tashmë fushatën. Pas zgjedhjeve lokale, duket se kjo fushatë është shumë agresive…
Në fakt, shkaku i pandemisë ka spostuar disi vëmendjen e medias dhe qytetarëve nga politika, por në një kohë tjetër, normale, parashikoja një atmosferë politike shumë herë më të ndezur. Dhe sigurisht, 7 vite në mazhorancë, për më tepër me kosto të pallogaritshme, dhe po 7 në opozitë me “vetëvrasje politike” si kurrë ndonjëherë, të bëjnë të besosh se fushtata për zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm që nuk ka nisur herët, por do jetë tejet agresive. Për herë të parë në këto 30 vite demokraci kemi një kryeministër dhe një mazhorancë që edhe pse mban rekord për keqqeverisje (me kanabizim të vendit; krim të organizuar si asnjëherë më parë; me PPP mega-korruptive; ekonomi thuajse në kolaps; me sistem gjyqësor tashmë të rrënuar dhe me Europën që vit për vit i shton kushtet), përsëri beson qartazi tek një mandat i tretë.
Nuk ka qenë i njëjti perceptim të paktën, as në 2005-ës me Nanon kryeministër dhe as në 2013 me Berishën. Tjetër gjë Rama. Ky i fundit beson vërtet se mund të marrë një mandat të tretë, kjo nisur edhe nga një sërë faktorësh që i’a “ka vënë në tepsi” vetë opozita. Marrëveshja e 17 majit; lufta e brendshme dhe e pashtershme në PD; gafa me djegjen e mandateve dhe supergafa më pas me mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të 2019-ës janë disa përparësi që Basha ia ka dhënë me dorën e tij kundërshtarit politik. Në këtë kontekts, edhe “inati politik” është edhe më i madh, pasi secili prej lidërve kryesorë di fort mirë gabimet e veta, ashtu sikundër njeh fort mirë edhe gabimet e kundërshtarit.
Teorikisht, nisur nga ndryshimet e njënashme që mazhoranca i bëri Kodit Zgjedhor; nisur nga braktisja e vendit (dhe ata që ikin janë kryesisht votues i opozitës); nisur edhe nga përçarjet e brendshme në kampin opozitar, që në të shumtën e rasteve janë stisur, servirur dhe sponsorizuar, pikërisht nga mazhoranca, 6 muaj përpara zgjedhjeve, Rama gjithsesi shihet më i avantazhaur për të dalë parti e parë, por zor të mund të bëjë qeveri dhe të qeverisë sërish i vetëm.
Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha politike PS-PD. Mos në këto zgjedhje kemi një luftë tri-palëshe PS-PD-Presidencë?
Deri diku, po. Meta, vërtet është munduar që të flasë gjithnjë si kreu i shtetit, por dihet botërisht se më së shumti mbron interesat e ish-fëmijës së vet, LSI. Kjo forcë politike po ndjen më shumë se kurrë gjatë kësaj kohe, një lloj tkurrje në elektorat, dhe një gjë të tillë askush më mirë sesa Ilir Meta nuk mund të dijë. Ndaj në këtë kontekst, reagimet e presidentit, pavarësisht se kanë qenë nën suazën presidenciale, kanë pasur sfond të qartë politik. Kështu që edhe në zgjedhet e radhës, teorikisht do të kemi mazhorancën përballë opozitës, por kjo e fundit gjithsesi do të përfaqësohet nga dy koalicione ose lista: PD dhe LSI.
Mbetet për tu parë më pas nëse pas zgjedhjeve LSI do ti qëndrojë paktit verbal opozitar dhe të mos bashkojë votat sërish me PS-në (nëse do ketë një ftesë nga Rama), apo jo. Dhe e shkuara ka treguar (në 2009 bëri koalicion me PD në 2013 me PS), se vetëm për moral nuk mund të flasësh në politikën shqiptare. Ndaj nuk do ishte çudi që Rama dhe Meta të kapërdinin sërish të gjitha sharjet, ofendimet dhe akuzat e bëra ndaj njërit-tjetrit dhe njëlloj si në 2013-ën të uleshin sërish bashkë, duke “shpikur” edhe ndonjë term tjetër europianist për të justifikuar vetveten.
Agresiviteti i fushatës a nënkupton se një një nga tre personazhet mes Ramës, Bashës dhe Metës mund të rrezikojë largimin përfundimtar nga politika?
Nuk besoj se njëri nga këta tre personazhe apriori do të jetë i detyruar që të largohet nga politika në rast se humbet zgjedhjet. Si Rama dhe Meta dhe Basha kanë zënë mirë rrënjë në forcat e tyre politike dhe është shumë e vështirë që ata të largohet, përveçse me dëshirën e tyre. Edhe nëse Rama humbet zgjedhjet, mënyra sesi e ka drejtuar gjatë kësaj kohe Partinë Socialiste të bën të besosh se askush nuk do të mund ti dalë kundër. Madje as Erion Veliaj, i cili nga shumëkush shihet si pasardhësi i Ramës në PS. Kështu që besoj se Rama do jetë sërish në krye të socialistëve, të paktën derisa të mund të realizojë ëndrrën e fundit në sirtar: postin e Presidentit.
Ndërsa Meta, edhe nëse nuk do të mund të kandidojë sërish në 2022 për postin e presidentit (varet nga ravijëzimi i parlamentit të ardhshëm), me siguri do të kthehet në krye të LSI, forcë e cila ekziston edhe sot e kësaj dite nën frymën e tij. E njëjta gjë edhe për Bashën. Largimi i Topallit, Imamit, Patozit, etj, nga partia ka bërë që aktualisht, askush në këtë forcë politike nuk ka staturën e duhur që ta konkurojë dhe të fitojë përballë Bashës si kryetar i PD-së. Kësisoj edhe nëse PD humbet zgjedhjet, Basha sërish do të jetë në krye të kësaj force politike, pasi me statut askush nuk ia ndalon që të rikandidojë sërish për të qenë në krye të PD-së. Kështu që në gjykimin tim, çfarëdo që të ndodhë në 25 prill 2021, Rama, Meta dhe Basha do të vijojë të jenë pjesë e rëndësishme e skenës politike. Zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe jo për Ramën, Metën dhe Bashën.
Lorenc Vangjeli: Rama dhe Meta do të jenë aty ku janë, Basha mund të mendojë për vitin 2025…
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 25 prillit duket se të majtë dhe të djathtë kanë nisur fushatën. Pas zgjedhjeve lokale, duket se kjo fushatë është shumë agresive…
Në Shqipëri nuk mund të thuhet ka nisur fushata zgjedhore: fushata nuk mbaron kurrë! Eshtë cikël i pandërprerë. Dhe me një rezultat final të paralexuar që pa u hedhur ende vota në kuti dhe pa dalë ende vota nga kutia për t’u numëruar. Në mendësinë e opozitave në Shqipëri, qoftë të majtës së djeshme, qoftë të djathtës së sotme, ka vetëm dy alternativa për zgjedhjet: ose i fitojë ato, ose i ka vjedhur qeveria! Askush deri më sot nuk ka pranuar me dinjitet humbjen, askush nuk ka dashur të urojë fituesin, askush nuk ka kuptuar se një nga leximet më të rëndësishme të zgjedhjeve, një nga institucionet më të rëndësishme që legjitimojnë zgjedhjet, është opozita. Këtë insititucion askush nuk e llogarit, madje as fituesit e të drejtës për të qenë opozitë. Kjo është një nga arsyet se pse zgjedhjet janë kaq të ashpra në Shqipëri. Sepse fati i individit është jashtëzakonisht refraktar ndaj ngjyrës së qeverisjes. Vetëm për shkak të saj, dikush mund të ngryset i varfër dhe të gdhihet i pasur, mund të jetë i papunë i dëshpëruar dhe të ngjitet në maja befasuese karriere, mund të jetë analfabet funksional dhe të votojë ligjin për arsimin, mund të vetëkonsiderohet pre’ e trembur përpara gjumit dhe të zgjohet gjahtar krenar në mëngjez. Rezultati i zgjedhjeve është shumë më shumë se dëshira dhe nevoja njerëzore për të bërë tifo: është jetesë që ndryshon tërësisht për një përqindje të madhe të shoqërisë. Për pjesën më të zhurmshme dhe më të dukshme të saj. Për këto arsye, nuk ka asnjë çudi se pse ka dhe do të ketë kaq shumë agresivitet në fushata dhe në politikën shqiptare në përgjithësi.
Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha politike PS-PD. Mos në këto zgjedhje kemi një luftë tre palëshe PS-PD-Presidencë?
Jo! Edhe pse në dukje politika shqiptare pozon si bipolare, edhe pse në thelb është bipolare në ndarjen skematike mes të majtës dhe të djathtës, faktori LSI ka krijuar një pol të tretë që është sjellë si pendul. Dhe si e tillë, LSI-ja ka diktuar natyrën e qeverisjes në 15 vjetët e fundit. Vizatoi humbjen e qartë të socialistëve në 2005-ën, kur nuk fitoi PD-ja, por humbi PS-ja. Kushtëzoi barazimin pothuaj matematik të votave në 2009-ën, kur nuk fitoi as PD-ja dhe as PS-ja dhe LSI-ja u soll si fituese. Riktheu në pushtet të majtën në 2013-ën duke humbur vetë, vetëm në 2017-ën. Pasiguria, paqartësia, dilemat dhe rradhët e ngjeshura të servilëve që rrethonin Ilir Metën në ato kohë dhe vetë dëshira e Ilir Metës për t’i përdorur ata si piedestal për veten, edhe pse nuk kishte pikën e nevojës për të, i dhanë LSI-së pozicionin e sotëm.
Zgjedhjet e dyzuara dhe të gabuara të saj gjatë gjithë dimrit dhe pranverës së 2017-ës, ishin nga shkaqet kryesore se pse Edi Rama, përkundër të gjitha shanseve tmerrësisht të vogla për të fituar, projektoi një triumf shumë më të madh vetjak. Në Shqipëri, edhe për shkak të numrit të vogël të banorëve në përgjithësi, edhe pse në politikë janë pothuaj të njëjtën njerëz në njëzet a tridhejtë vjetët e fundit, politikëbërja është shumë më shumë personale sesa parimore. Në këtë trekëndësh, PS-PD e Presidencë – duke nënkuptuar LSI-në me zyrën e kreut të shtetit – siç tentohet të vizatohet skena e ardhshme politike, ka një rëndësi të posaçme marrëdhënia mes individëve që i përfaqësojnë ato. Por nuk ka asnjë çudi, që Meta t’i besojë shumë më pak Bashës sesa Edi Ramës. Dhe Edi Rama të jetë më pranë Bashës që i kërcënon shumë më pak votat e veta të majta sesa Metës. Vetëm kryetari i PD-së duket i shkëputur nga vullneti i tij për të ndikuar në llogaritë e sotme dhe të nesërme.
Opozita e tij është e vetmja në këto vite pluralizëm që nuk ka mundur të ndërtojë një frymë fituese në vend, edhe pse përballë tij Rama është i tronditur nga tërmeti, po qeveris me maskë pandemie dhe ka krijuar distancën e natyrshme mes të thënit e të bërit. Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale, mënyra e zgjedhjes së listës së kandidatëve për deputet, pasiguria e sjelljes me aleatët, si dhe qasja me zigzage, politizimi, agresiviteti dhe reagimi me shumë paqartësi në qasjen ndaj pandemisë, janë “manita” që i japin shumë më shumë shanse Edi Ramës të bëjë hapin “tris” për veten. Fatkeqësisht, Basha edhe për shkaqe që nuk varen vetëm prej tij, nuk po sillet si kali që tërheq karron e luftës politike, por po i dëshmon problemet e tij si shkop në rrotat e kësaj karroje. Fushata e fundit ndaj të shkuarës së tij, edhe pse ka shumë cinizëm, edhe pse shumë paqartësi dhe të pavërteta, por edhe kundërpërgjigja e tij me shifrat e të vdekurve ndaj pandemia, do t’i kompromentojnë shumë shanset e tij në 2021-shin. Padyshim që Lulzim Basha nuk është kolaboracionisti i kohës së postluftës së Kosovës siç tentojnë të vizatojnë kundërshtarët e tij.
UNMIK-u ishte krijesë e çlirimtarëve dhe jo pushtuesve në Kosovë. Fatkeqësisht ai është mëkatari kryesor i dezertimit në kohë paqeje nga institucioni i opozitës parlamentare. Kjo është arsyeja kryesore që duke shpërthyer si kamikaz në themelet e sistemit në dimrin e 2019-ës kur dogji mandatet, ai u vetvra politikisht, por cënoi, traumatizoi dhe krisi edhe vetë themelet e sistemit.
Agresiviteti i fushatës a nënkupton se një një nga tre personazhet mes Ramës, Bashës dhe Metës mund të rrezikojë largimin përfundimtar nga politika?
I vetmi politikan me peshë që ka ikur nga politika është Fatos Nano. Edhe ai i penduar thellësisht për atë që bëri, i shtyrë nga mospërfillja vite më parë. Kam përshtypjen se edhe mbas 2021-it, ai do të vazhdojë të jetë i vetmi politikan që iku dhe nuk u kthye më. Pavarësisht dëshirës së tij për të pasur duvak nuseje, qoftë dhe me çmimin e krushqisë me Berishën. Rama dhe Meta do të jenë sërish aty ku janë, pavarësisht vullnetit të tyre. Në rast humbjeje, Ramën sërish do ta lutin të qëndrojë në PS, edhe pse të gjithë të tjerët në heshtje, shumica dërmuese e bashkëpunëtorëve të hershëm dhe të punësuarve rishtaz prej tij në qeverisje, do të kujtojnë atë që ai e quan pasion të zjarrtë pune dhe ata ja gëlltisin si arrogancë. Ikën apo rri, kjo do të jetë dilema që do ta zgjidhë artisti tipik që përbuz mediokritetin dhe servilët dhe politikanit atipik që beson se ka për mision tharrjen e kënetave vanitoze në Tiranë.
Meta është lidhur në zinxhirët e premtimit të tij që mandati presidencial i mbaron në korrik 2022 dhe nuk do të dalë nga Presidenca, pavarësisht rezultatit. Në LSI mund t’i luteshin për rikthim, por koha nuk punon për nostalgjinë e ditës, por për kompleksin e mospërsëritjes së precedentit presidencial të Berishës: dorëheqje para mbarimit të mandatit. Kurse Basha, nëse humb sërish, do ta ketë historinë më të komplikuar. Askush nga ata që kanë mbetur në PD dhe askush nga ata që kanë ikur nga PD-ja, nuk kanë mundësi teorike ta largojnë nga zyra. Dhe ai, ndonëse me vështirësi, edhe po të humbë, mund të vazhdojë të qëndrojë në PD. Dhe do të ketë në dorë dy vendimmarrjet e vetme në partinë e tij: listën e deputetëve për zgjedhjet e 2025-ës dhe listën e targave të makinave që mund të parkojnë në oborrin e ish-SHQUP-it. Këto kompetenca nuk janë pak në Tiranë. Përkundrazi! Janë më të dobishme e fitimprurëse edhe sesa një biznes VIP, që nuk paguan fare taksa.
Ylli Rakipi: Rama nuk do bëjë fushatë kundër Bashës, por kundër Metës
Gjashtë muaj para zgjedhjeve të 25 prillit të majtë dhe të djathtë kanë nisur tashmë fushatën. Pas zgjedhjeve lokale, duket se kjo fushatë është shumë agresive…
Në fakt ju e zvogëloni shumë kur thoni se fushtata ka filluar 6 muaj para zgjdhjeve të 25 prillit. E vërteta është se fushata ka kohë qe ka filluar dhe deri në 25 prill me siguri do të ketë të përfshirë një kohë, më shumë se një vit. Kjo fushatë sigurisht që do të jetë agresive, sepse mazhoranca do të përpiqet të mbajë pushtetin me çdo kusht. Kjo ka ndodhur në Shqipëri për 30 vjet.
Pothuaj në çdo fushatë beteja politike ka qenë mes dy forcave të mëdha PS-PD. Mos në këto zgjedhje kemi një luftë tri-palëshe PS-PD-Presidencë?
Ju shpreheni gabim, kur thoni që në çdo fushatë kemi patur një luftë politike PS-PD, jo. Që nga viti 2008 kemi pasur një luftë mes PS, PD LSI, jo presidencë. Pra një luftë tre palëshe. Sepse Ilir Meta nuk ka qenë President në vitin 2008 dhe në këtë luftë, në atë krah që ka shkuar Ilir Meta ka shkuar pushteti. Edi Rama që e di këtë, lufton me Ilir Metën më ashpërsisht se me Bashën, pra kjo është arsyeja që ai ka shpallur luftë të ashpër Metës. Lufta kundër Metës ka filluar që në vitin 2008 me ndryshimet Kushtetuese. Dy palët PD-PS donin eleminimin e tij. Deri sot nuk kanë arritur ta ralizojnë një gjë të tillë, ndaj tani me zor të madh kanë pranuar të bashkëjetojnë me Ilir Metës, duke jetuar në një dashuri falso me të, si një të keqe të domosdoshme.
Agresiviteti i fushatës a nënkupton se një një nga tre personazhet mes Ramës, Bashës dhe Metës mund të rrezikojë largimin përfundimtar nga politika?
Mendoj se jo. Ky skenar kaq i ashpër në kufinjtë e asgjësimit ndodh vetëm në fushata elektorale, lodh dhe largon nga vendi vetëm shqiptarët. Më pas këta zotërinjë që kanë drejtuar e po drejtojnë vendin në këto 30 vjet kanë jetuar si miq e vëllezër dhe nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë gërryer dhe e kanë ngrënë Shqipërinë të gjithë bashkë. /fjala.al