Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim duket e vendosur që vendi brenda këtij viti të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Përmes një postimi në Twitter, ajo i kërkon palëve të lëvizin me shpejtësi në këtë drejtim.
“Takimi i djeshëm i KED tregon bashkëpunimin e kësaj të fundit, Presidencës dhe Parlamentit për të vepruar me urgjencë në përputhje me opinionin e Komitetit të Venecias. Ai sjell Shqipërinë një hap më afër një Gjykate Kushtetuese funksionale deri më 31 dhjetor. Palët përkatëse duhet të vazhdojnë të lëvizin me urgjencë”, theksoi Yuri Kim.
Një ditë më parë, e shoqëruar nga ambasadori i BE Luigi Soreca, Kim zhvilloi një takim me kryetaren e KED, Vitore Tusha, ndërsa paraditen e sotme, Presidenca njoftoi se më 4 dhjetor do të hidhet edhe shorti për emërimet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Kujtojmë se, ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një ndër kushtet e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave me BE./Re.D/Fjala.al