Qindra të rinj britanikë që festuan Krishtlindjet duke kënduar dhe duke pirë birrë të grumbulluar pa maskë në një plazh të Sidneit, pavarësisht nga kufizimet e koronavirusit, tani përballen me dëbimin e menjëhershëm nga Australia.
Ishte ministri australian i Emigracionit, Alex Hawke ai që kërcënoi me veprim, pasi pa imazhet e festës në plazhin e famshëm, Bronte Beach.
Videot e shpërndara në mediat sociale treguan një “lumë” të rinjsh duke kënduar dhe vallëzuar në Bronte Beach në kundërshtim me rregulloret, ku shumica e tyre janë britanikë.
Ngjarja ndezi zemërim dhe zyrtarët e quajtën atë “absolutisht të tmerrshme”, pasi Sidnei po lufton me një shpërthim të ri pas muajsh pa raste lokale.
Rishfaqja e virusit një javë para Krishtlindjes, shkaktoi një rivendosje të shpejtë të kufizimeve në qytet, duke përfshirë tubimet e festave dhe bllokimin e rajonit më të prekur, Plazhet Veriore.
Të martën, Ministri i Emigracionit i Australisë Alex Hawke tha se ai ishte “tronditur” nga skenat në Bronte Beach, ndërkohë që lëshoi një paralajmërim për vizitorët e tjerë.
“Nëse dikush po kërcënon sigurinë ose shëndetin publik, viza e tyre mund të anulohet”, – tha ai.
Sidoqoftë ai nuk specifikoi se si ose nëse autoritetet do të gjurmonin personat që shkonin në festa, ku asnjë prej tyre nuk u gjobit ose nuk u ndëshkua.
Çfarë ndodhi në Bronte Beach? Në ditën e Krishtlindjes, qindra të rinj u panë duke pirë, kërcyer dhe duke kënduar në parkun ngjitur me Bronte Beach, në lindje të Sidneit.
Festat e pushimeve midis të rinjve në zonën e nxehtë turistike, kanë qenë një dukuri e zakonshme në vitet e tjera.
Dëshmitarët i thanë BBC se ata besonin se shumica ishin nga Britania e Madhe ose “jo australianë”.
“Ju mund të dëgjoni shumë dialekte të qarta angleze dhe disa njerëz kishin veshur fanellat e bardha të futbollit anglez”, tha Peter Hannam, një gazetar lokal i cili kishte kaluar turmat ndërsa ishte në një shëtitje me familjen e tij./Bl.Ba/Fjala.al