Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim me zv. Kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Pas takimit, Balla në një prononcim për mediat theksoi rëndësinë e regjistrimit të qytetarëve në portalin zyrtar të qeverisë maqedonase, pasi kjo sipas tij, i jep forcë përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Qytetarët të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në çdo cep të globit, të regjistrohen në portalin zyrtar të qeverisë së Maqedonisë, në censusin i cili i jep forcë përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në portalin zyrtar duhet të aksesojë çdo qytetar shqiptar pavarësisht se ku jeton sepse kështu i bëjmë nder të qenurit shqiptar dhe sigurisht përfaqësimit edhe më të madh të shqiptarëve në organet e përfaqësimit në Maqedoninë e Veriut.
Dua të theksoj se aktualisht shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhe përfaqsimin më të lartë historik. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët të kenë kryetarin e Parlamentit, shqiptarët të kenë zv. Kryeministrin e parë dhe nëse i marrim në total bashkë me ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim, por edhe të shqiptarëve të tjerë, janë 8 ministra shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.”, tha Balla.
Balla gjithashtu garantoi se Partia Socialiste është e gatshme për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin mes dy shteteve.
“Gjithmonë është një kënaqësi të presësh përfaqësues të lartë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që përfaqësohen në strukturat qeverisëse dhe parlamentare dhe gjithmonë nga ana e shumicës parlamentare të Partisë Socialiste si në këtë legjislaturë, edhe në legjislaturën tjetër, është disponibiliteti ynë për rritur dhe për ta forcuar këtë bashkëpunim.”, përfundoi Balla.