“Erzeliu” Berisha, “mëkatari” Basha dhe “keqardhësit” e tjerë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Gëzim Voda

Është ende i freskët kryelajmi i këtyre ditëve, se si njeriu më “erezeli” e më “namusqar” i këtij vendi, i thënë; “Lideri suprem” i Partisë Demokratike në këto 31 vite (i konsideruar dhe i ”gjithë shqiptarëve”), “pasardhesi më autentik” i Skënderbeut, “prurësi i demokracisë” në Shqipëri, “amerikani më puro” i kombit tonë, ai që “bëri atë dhe këtë…” (madje që “vrau edhe kuçedrën”),etj, u shpërfill nga “mëkatari”, “zullumqari”, “mosmirënjohësi”, “bukëshkali”, “pazarxhiu” Basha, duke e nxjerë fët-fët jashtë grupit të tij parlamentar. Që do të thotë, jashtë partisë. A thua sikur nuk pritej kjo të ngjante. Disa nga emisjonet televizive të mbrëmjes së këtyre ditëve, të cilat bëjnë “opinion“ në dukje, por në fakt tjerrin llafe pa bukë dhe shpesh të shplara për nga mënyra si drejtohen, personat dalëboje të thërrur në studio, tifozllëkun e dukshëm partiak që shfaqin dhe mllëfin apo fjalorin çedukues e banal që përcjellin, mbetën medemek “gojëhapur” dhe “të befasuar” me lajmin e “minutës së fundit”, atë çfarë u dëgjua nga “mëkatari” Basha për “viktimën” Berisha. Dhe nga nga ajo mbrëmje e në vazhdim, “viktima” në fjalë, ka vazduar të shfaqet me deklarata “mallëngjyese” se si ndodhi ashtu me të. “E pësoi”, pikërisht nga ai që “e mbolli”, e rriti, e veseliti dhe e pagëzoi si pasardhës të vet. Po qahet me të madhe se si mundet një njeri me aq “merita” (siç e quan veten ai), me epitete dhe emërtime pa kursim për “madhështinë” e tij, po i nëpërkëmben nga një vedim i administratës amerikane që e ka shpallur “non grata” familjarisht. I ka thënë: i korruptuar, përfitues padrejtësisht nga familarët e tij prej funfksioneve që ka kryer ai në shtet, por dhe si minues i demokracisë në këtë vend. Dhe këtë “gjëmë” ia bëri “pjella” e vet, të cilin e akuzon se ka bërë “pazar” me Ramën, që indirekt i thotë: “je pazarxhi me Amerikën…!” Nuk po arrin ta kuptojë, nga erdhi kjo “rrufe” prej kaq larg e që shpërfilli më “namuslliun” e këtij vendi. Pa dashje mëndja më shkoi tek një histori e ndodhur kushedi kur në krahinën time të Dëshnicës, që gojë mbas goje ka ardhur tek ne të mëvonshmit. Na paskej dalë dikush në Ditë Tregu në Këlcyrë (dhe për koiçidencë Dita e Tregut në atë qytet bëhej të prëmteve, si dita e hapjes së parlamentit të ri këtë vit), dhe për shkak se gomari i tij kish ngrënë tagji nga ajo e një kafshe tjetër, të zotë e tyre ishin grinder deri në rrahje keqazi. Por më shumë e kish pësuar i zoti i gomarit “dëmbërës”.

Mirëpo, ndërsa ai ishte rrahur në Këlcyrë, qarjen e bënte te fundi i avllisë, pranë shtëpisë së tij. Kur e pa e shoqia që ai po rënkonte, dhe mësoi të vërtetën i tha: “Mirë që të rrahën mor ditëzi, por a të pa njeri nga fshati im dhe hajde dëgjoi për ç’burrë kam…”. Kështu vete edhe kjo puna e Saliut. Atë e “ka rrahur” Shteti Amerikan për mosqënie në standartet që kërkon ai shtet ndaj kujtdo që e quan veten “Burrë Shteti”, ndërkoh që ky qahet nëpër televizione ose gjetiu, tamam si ai që u rrah në Këlcyrë e qante gjetkë. Saliut i është dërguar “teskereja” nga ai autoritet botëror se, “ke marrë fund si politikan”, autoritet i cili nuk “i merr dorën” dikujt për atë që bën, ndërsa ky medemek hap gjyq në Francë dhe kërkon “pse-në” për “dinjitet”, se medemek i kanë marrë “erzin”, “namuzin” , nderin. Bën sikur nuk e di që e ka mbushur qëkur “kupën” me ligësitë dhe zullumet në këtë vend. E habitshme është se ka dhe jo pak nga ata që quhen politikanë, si Tritan Shehu, Flamur Noka, Edi Paloka, etj, ose opinionistë të ndryshëm që anatemojnë Bashën si “i shitur”, “ mosmirënjohës e mëkatar”ndaj Saliut, etj, deri në ofendime personale, ndërkohë që është rasti i vetëm që ai “u bë trim…!” Më keq akoma,“kërkojnë fakte” nga Amerika sikur ajo ka detyrimin të shpjegohet për ato që ajo vendos për interesat e saj. Po a ka më fakt? I thotë nuk ke për të hyrë në Amerikë për arsyet e sipërthëna, dhe kjo gjë është njëlloj sikur ta dëbonte nëse do ishte atje. Dhe kjo puna e “dëbimit” nga Amerika e disa vende të tjera, është vënë në ligjin shqiptar të dekriminalizimit, me insistimin e Partisë që udhëhiqte Saliu. Çfarë fakti të kërkosh më?. Halli i këtij njeriu është se vallë ç’thonë simpatizantët e vet, krushqia, farefisi dhe bashkëkrahinorët. I bje krenaria e malësorit para atyre që e besojnë verbërisht, maqdje më shumë se sa babanë e vet. Siç bënim ne dje me Enverin. Njeri paranojak dhe me botë të vogël, se po të ishte ndryshe, e kish lënë me kohë politikën e nuk do bëhej “rrodhe”, apo ca më keq…Mund të vishte përparsen e bardhë dhe të ushtronte profesionin e mjekut, ose të shihte punën e vet si dy pasaardhësit e tij në presidencë, ish presidentët e nderuar Mojsiu e Mejdani. Po ta bënte këtë, do të mbetej edhe ky i vlerësuar në opinion për aq sa kish dhënë, pa e kërkuar me insistim ofiqin e deputetit dhe të politikanit manjak. Kësisoj, mbase nuk i vinte radha për “non grata”. Vërtetë është e drejta e tij si njeri për të pranuar ose jo diçka, por ky njeri ka aq shumë ngarkesa negative në këto 31 vite, saqë edhe ato pak vlera që ka patur, për shumicën e shqiptarëve nuk hyjnë fare në sy. Pastaj, një njeri si ai, i cili ka qënë 23 vjet komunist dhe mjaft vite sekretar i asaj partie, 5 vjet President, 8 vjet Kreyeministër, më shumë se 10 vjet Kryetar i P.D-ës, ka titullin Prof.Dr, dhe është takuar ndër vite më personalitete botërore, sikur edhe nga një fjalë në vit të kish mësuar nga dikush, mbase do ta peshonte sa i vlen “lëkura” si politikan e si njeri. Mirëpo, kështu ai të jep përshtypjen se nuk ka dashur të mësojë sadopak nga sjellja me etikë dhe modestia e të tjerëve, nga heqia dorë prej ofiqeve të përjetshme jo vetëm kur je i pa votuar, por edhe kur të lë mosha e koha. Është vërtetë e habitëshme psikologjia që e përshkon këtë njeri. Për pak brohoritje nga njerëz të rrugës, për ca lëvdata që i thuren nga ata me të njëjtën psikologji që ka ai, apo për disa “furça” pa vënd që është mësuar t’ia bëjnë ndër vite, ai kujton se është “mbiudhëheqsi”, “më i paarritshmi”,“më patrioti”, “më demokrati” etj, jo vetëm në Shqiperi, por edhe në rajon e më gjerë. Madje të vjen çudi që nga disa atij i atribohet themelimi i Partisë Demokratike, kur realisht themeluesi dhe udhëheqësi parë i saj ishte Azem Hajdari, ndërkohë që ky u dërgua më pas nga tjetërkush dhe dihen “brylat” e tij ndaj të tjerëve për të dalë në krye. Veproi saktësisht si komunistët karieristë e më të këqij të kohës që iku. Një “zanat” që ai e njihte mirë.

Lexo edhe :  Tre kabinetet paralelë me Ramën kryeministër

Çuditërisht, kjo që po ndodh këto ditë me të, ngjan si me ne ish komunistët, “njëshklllonë” me Saliun e djeshëm. Atë kohë, mazalla se na hiqej nga mëndja ajo që po ndodhte me heqien e statujës së Enver Hoxhës nga sheshi “Skënderbej”, dhe betoheshim e stërbetoheshim se “do e vëmë prap në vend”, se do bënim atë e këtë…! Njëlloj sikurse thirrjet që ky zotria po i bën prej ditësh se “do rimëkëmbij P.D” e do i kthejë asaj ”sovranitetin e humbur?!. A thua se nuk e humbi këtë sovranitet ajo parti kur dorëzoi manadatet e deputetit dy vite më parë me pëlqimin e tij, dhe tani quan “humbje sovraniteti” me që e nxjerin jashtë derës së asaj paretie! E çfarë bëmë ne të djeshmit në rastin e heqies së përmendores së Enverit? Asgjë. U mësuam me ndryshimin. E respektojmë atë për aq sa i takon por, nuk hidhemi më “në zjarr” sikurse dje, siç po bëjë disa sot për Saliun. Po ky, që është shumë larg nga kontributet që dha ai tjetri për këtë vend, çfarë të drejte ka që ankohet e qahet para shqiptarëve se “po i hanë hakën”, “po e nëpërkëmbin” , “po i marin erzin”, “po i përdhosin namuzin” etj?. Shkon e bëhet qesharak, duke kujtuar se koha është me të. Po a ishte ky nga ata që nuk i njohu asgjë kohës së djeshme, ndërkohë që për demagogji, madje ca më shumë të shpëtonte prapancën e vet, thoshte: “Jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvujtës”, ndërkohë që fajësinë ua la të tjerëve dhe “vuajtjen” e mbajti për vete?!. Fjala vjen, mosha ime është e njëjtë më të dhe në atë partinë e djeshme, qemë tok, si unë edhe ai. Mirëpo, në vitin 1992 (kur isha 48 vjeç), zoti Berisha më tha: “zotëri, largohu nga puna e shtetit dhe shko ku të duash…”. Një çerek shekulli nëpunës shteti, nuk ishte pak si kontribues. Si unë qenë me qindra e mijra. Ika e nuk u ankova kurrë, se fundja e tillë erdhi koha. Duhej “hapur krahu” si pjesë e së shkuarës. Dhe deri në fund të vitit 2020, për gati 28 vjet u bëra tregëtar endacak i rrugës për mbijetësë, për shkak se “bashkëfajtor” mbeta unë e shokët e mij “të pa rinovuar”, ndërsa ai “bashkëvuajtës” e “i demokratizuar”!! Shkurt, pranuam sfidën. Ja që, ashtu sikurse rrotullohet toka rreth diellit, rrotullohet edhe e vërteta rreth kohës. Dhe “dielli” më këtë rast për ne shqiptarët po del Amerika, ajo për të cilën ne ish komunistët (përfshi edhe Saliun që flasim), nuk lamë gjë pa thënë për keq. Tani po del “i pa rinovuar”, ose më mirë “i pa reformuar”, Saliu. Nuk ka përse t’i duket çudi. Kështu vjen radha e gjërave. Të pa reformuarit, nuk kanë lidhje vetëm me të djeshmen, por dhe me këtë të sotmen e më tutje. Është ligjësi e zhvillimit. Mirë do qe, ta bënte vet me kohë e me vakt. Nuk e bëri me dëshirë, po e bën me detyrim. Siç bëri edhe ai dje me të tjerët. Do-s’do, Saliu, kjo po ndodh. Ai po detyrohet prej të tjerëve të hapij krahun, sepse ka dalë jashtë kohe. Është bërë “demodé”. Dhe ai si “proto amerikan” që e heq veten, besoj se e ka të qartë dhe bën kot dava me “mullijt e erës”. Ndryshimi i vetëm është se, ndërsa Enverit iu shkul Statuja kur ai nuk jetonte, Saliut po ia “lërojnë tokën nën këmbë” sa është gjallë, që nesër të mos ketë mundësi për piedestal e që dikush të mundohet për ta shkulur. Piedestalet dhe përmendoret, t’i bëjnë të tjerët kur e meriton. Mirë do ishte, që ai të mos mendonte për këto, por të “ulij kokën”, të ruajë thjeshtësinë se ajo mund t’ia rriste sadopak vlerat në mos si politikan, të paktën si mjek dhe si njeri.

 

 

 

 

 

Të fundit

E keni ditur? Ja pse në mëngjes është më mirë të konsumohet kafe se çaj

Kafeja dhe çaji janë 2 nga pijet më të konsumuara në mbarë botën. Megjithatë, në mëngjes, njerëzit zakonisht zgjedhin...

‘Thumbime’ politike/ Përfundon takimi mes Mitsotakis dhe Erdogan, ja çfarë u diskutua

Vetëm disa orë ka zgjatur vizita zyrtare e kryeministrit grek në kryeqytetin e Turqisë dhe bisedimet me presidentin turk, në një përpjekje të emërtuar...

Rama, asnjë fjalë për Belerin/ Kollçaku: I përket drejtësisë

Deputeti Bardhyl Kollçaku, në intervistën për “Special Report”, u ndal edhe te fakti që kryeministri Edi Rama nuk komentoi për çështjen e Fredi Belerit...

Si ndodhi vrasja e 28-vjeçarit në Fier? Gazetarja e njohur zbulon detajet

Autori Azgan Mernica u arratis menjëherë pas krimit të rëndë, ndërsa policia vijon krehjen e zonës për gjetjen e tij dhe vënien në pranga. Nga...

Vizita e Ramës në Athinë, Ngjela: Grekët po tregohen injorantë me Belerin

Avokati, Spartak Ngjela e cilësoi takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Athinë,  si një zhvillim shumë pozitiv dhe dëshmi se çështja shqiptare...

Lajme të tjera

Web TV