Rreziku që PD-në ta çojnë për relike muzeale

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Plator Nesturi

Vëmendja për çka po ndodh me PD, mbetet në fokus të vëmendjes së opinionirt publik. Madje do të dukej e ekzagjëruar nëse mendohej se gjithë kjo energji mediatike të jetë përkushtim ndaj fatit të një partie, që gjithësesi nëse shuhet apo ngrihet nuk është fundi i botës për fatin e një shoqërie. Gjithësesi debati në PD mbetet në vëmendje, por që pak ka të bëjë se cili do të jetë fati i Bashës, Berishës, apo gjithkujt tjetër në selinë blu. Vëmendja qytetare është e vijueshme pse ajo çka ndodh në PD është dhe thelbi i krizave që kalon poltika shqiptare e që trasferohen në të gjitha fushat.

Është tregues se demokracia ka shumë rrugë për të bërë, se problematikat e brendshme nuk mund ti hidhet jorgani i harresës sipër pasi një ditë problemet mavijosen e qelbëzohen dhe kur shpërthejnë rrezikojnë infektimin akut. Gjithësesi këto kriza shërbejnë dhe si një shans i mirë për tu pastruar dhe për tu ringritur më i fortë. Natyrisht nëse arrin të heqësh kalbësirat e infeksionit.

Por a po shpëton dot PD nga ngarkesat e të shkuarës apo ato po e tërheqin drejt mugëtirës? Apo e ka mbyllur misionin e vet dhe tashmë po përgatitet për tu vendosur në museum… Kur debati rrotullohet ende rreth figurës së Berishës që apogjeun e vet e arriti para 30 vitesh dhe mbeti i pandryshueshëm përsa kohë qëndroi në fronin e PD, duket se shumë simpatizantë të tij duan ta shohin partinë e tyre si relike. Dhe Basha, që deri dje ishte i pakritikueshëm pse e deshte dhe Doktori, sot është shndërruar në lugatin e zi pse ndau rrugën e PD nga Berisha. Realisht Basha nuk ka pse gjykohet keq për vendimin që mori, pra që i hoqi PD-së një peshë të madhe për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Basha mund të gjykohet pse vajti deri në zgrip të afateve kohore dhe që ish kaq i pafuqishëm ndaj trysnisë që i vinte nga ana e Berishës. Gjithkush me kontribut në politikë e ka të qartë se ky ishte vendimi i vetëm që mund të merrte.

Dhe kjo jo thjesht në interes të karrierës së vet, por në interes edhe të partisë që ai drejton. Prej kohësh, ndërsa vetë Basha nuk po shprehej, nga media i kërkohej që së paku kjo çështje duhej të ish shtruar në analizë nga organet drejtuese të PD. Por kjo nuk ndodhi, dhe duket se Basha ka patur frikë se dhe në këto forume Berisha do të dilte me përkrahje më të madhe se vetë ai. Nga ana tjetër, në konceptin e Bashës, shtrimi për gjykim në forumet e partisë të çështjes Berisha, mund të rrezikonte përcarjen e partisë dhe krijimin e grupeve kundërshtare brenda saj.  N

ë këtë gjykim, Basha mori një vendim që është në të mirë të PD. Padyshim që ky lajm ka elementë ku shumë demokratë ndihen të prekur emocionalisht për çka simbolizon figura e Berishës tek ta, por sidoqoftë, zërat kundërshtarë do të nisin të zvogëlohen gradualisht. Në fund të fundit, mbështetja e çështjes Berisha ishte një peshë e rëndë prej nga PD duhej të ndahej. Madje, shumë prej politikanëve në PD, pavarësisht nëse e pëlqejnë Bashën apo jo, ndihen të lehtësuar që Basha ua hoqi si peshë Berishën. Gjithësesi vendimi mund të hapë dhe spirale të tjera. Spirale ngjarjesh ku do të ndërthuren interesat si të atyre që mbeten përkrahës të pandryshuar të Berishës, ashtu edhe të figurave të tjera, që pavarësisht se nuk u dhëmb shumë për Berishën, kanë një pakënaqësi me bashën dhe synojnë ta shfrytëzojnë ketë moment si mundësi për imponim dorëheqjeje të kryetarit actual, çka do të hapte dhe një garë të re për lidershipin e PD.

Gjykimi që po i bëhet mediatikisht çështjes është sikur problemi kryesor është Berisha. Ndërkohë që mendoj se problem kryesor është PD. Ish lideri i PD e ka marrë goditjen prej kohësh dhe fati i tij politik duket i vulosur që kur u shpall non grata nga departamenti i Shtetit. Tashmë çështja është se çdo të bëhet me PD dhe cili do të jetë fati i saj politik. Pra a ka më shumë hapësira për vepruar pa peshën e vendimit të Berishës, dhe si mund ta shfrytëzojë për të ndërtuar të ardhmen e saj këtë moment. Duhet thënë se rreziku i përcarjes ishte më evident nëse do të mbahej një qëndrim mbrojtës ndaj ish kryeministrit Berisha. Kjo jo vetëm do të ftohte përfundimisht marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke e lënë të zbrazët praninë e PD në tryezat e bisedimeve e të bashkëpunimit, por njëkohësisht do të sillte dhe një reaksion tjetër zinxhir.

Lexo edhe :  Pse është kaq toksike dhe cinike politika jonë?!

Shumë nga deputetët e rinj, qoftë për pragmatizëm apo dhe pse janë në fillimet e karrierës së tyre politike, nuk mund të pranojnë që ardhmëria e tyre në politikë të mbetet peng prej një qëndrimi mbështetës për Berishën. Një pjesë e tyre janë aktivë pas vitit 2013 dhe pak gjëra i lidh direkt me Berishën. Ndaj mund të parashikohej që vetë grupi parlamentar i PD të ndahej në dy pjesë. Në këto kushte vetë pesha e opozitës do të binte dhe beteja e saj kryesisht do t ëish e brendshme sesa do të drejtohej kundër maxhorancës. Nga ana tjetër mund të parashikohej lehtësisht që grupi i ri që do të ndahej nga trashëgimia e Berishës do të kish një mbështetje dhe nga ndërkombëtarët çka do të shtonte dhe peshën elektorale të tyre në betejat zgjedhore të ardhshme. Kjo gjë do të çonte që PD të mos ish më forca më e madhe e opozitës dhe me diferencë të thellë nga të tjerët. Dhe kjo do të shënonte dhe fundin e saj si një parti që e ka mbaruar misionin e vet.

Basha është më i avantazhuar në këtë betejë dhe kjo u dëshmua dhe dje që ai gëzon dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pavarësisht aspektit emocional të fillimit të përkrahësve të Berishës, gjërat po kthjellohen gradualisht. Dhe sa më shumë koha do të kalojë, ajo do të jetë në favor të Bashës. Ndonëse Berisha ka shpallur luftë ndaj tij, beteja kryesore e tij nuk mbetet PD-ja por çështja e vendimit non grata të shpallur ndaj tij. Ndaj e gjithë kjo është harxhim energjish dhe krijimi i një fronti beteje që nuk i vlen aspak. Berisha nuk mund të tentojë të rivijë në krye të PD, vetëm thjesht të hakmerret ndaj Bashës e të vendosë një figurë tjetër të tuteluar prej tij.

Një PD e drobitur pak punë do ti vlejë. Madje nuk do ti vlejë askujt. Nga ana tjetër, kush është më pak emocional dhe më i ftohtë në arësyetim, e kupton qartë se vendimi i Bashës për ndarjen nga Berisha është rruga e vetme që PD të mbijetojë. Rruga e Berishës nuk ka asnjë ardhmëri politike dhe mbështetja për të do të ish vetvrasje politike. Ndaj një sërë figurash në PD duket se janë të rezervuar dhe preferojnë aktualisht heshtjen dhe mosprononcimin deri sa të kalojë kjo fazë emocionaliteti dhe dashurie ndaj Berishës. Gjithësesi PD-së i duhet të hyjë në një fazë ridimensionimi të saj dhe natyrisht kjo kërkon dhe kohën e vet. Por do t ëish mirë që kjo fazë të mos përzihet dhe të mos ketë lidhje me çështjen Berisha. Berisha nga ana e tij është shumë i lexueshëm në veprimet që kryan pasi po luan në gjaknxehtësi e sipër.

Mendoj se ai ka pritur të ketë më shumë mbështetje nga anëtarësia dhe që kundërshtia ndaj vendimit të Bashës. Gjithësesi vërehet se mbështetja ndaj Berishës duket vetëm si angazhim në rrjete sociale sesa në realitet.  Basha aktualisht mbetet kryetar i PD dhe nëse kalohet kjo vala e parë do të arrijë të forcojë ndjeshëm dhe dukshëm pozitat e tij në PD. Natyrsisht që vendimi ndaj Berishës ka një kosto dhe kjo mund të ketë ndikim elektoral. Por gjithësesi gjithshka varet se sa kohë do të marrë lufta e brendshme në PD. Nëse ajo do të zgjatet, plagët do të jenë të thella. Nëse lufta mbaron shpejt, atëhere varet nga lidershipi që në kushtet e reja të arrijë të reformojë partinë në mënyrë që ajo të bëhet e besueshme në elektorat. Pavarësisht se si do të rrjedhin ngjarjet, sidoqoftë duket se do të kemi muaj me plot aktivitet politik dhe të papritura.

Të fundit

Studim: Ilaçi për humbje peshe mund të zvogëlojë rrezikun e sulmit në zemër me 20%

Një injeksion për humbje peshe mund të zvogëlojë rrezikun e sulmeve në zemër me 20%. Personat që morën medikamentin...

Nuk kryenin detyrën sipas kontratës, merren masa ndaj dy mjekëve toksikologë

Dy toksikologët e Klinikës së Biokimisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, do të zhvendosen prej aty, pas raportimit...

Takimi Putin-Xi/ Lufta në Ukrainë në qendër të bisedimeve mes dy liderëve

Gjatë vizitës së presidentit rus në Kinë (16-17 maj), Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me homologun e tij kinez Xi Jinping mbi bashkëpunimin...

Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit, plagosen 3 anëtarët e familjes

Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në “Rrugën e Kombit” në afërsi të degëzimit të Rrëshenit. Një automjet tip “Fuoristradë” është batuar teksa ka...

FOTO/ Dj Dagz i dedikon Einxhelit një tatuazh

Dj Dagz dhe Einxhel Shkira u dashuruan në BBV1 në sytë e gjithë publikut dhe janë kthyer në një prej çifteve më të dashur....

Lajme të tjera

Web TV