Mendime të trishta në një ditë sulmi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Visar Zhiti

Nuk them dot: “Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”, kur ata, besoj, e dinë se ç’bëjnë. Vetëm se ndodh të mos e parashikojnë fundin e një akti e ndodh ajo që meritohet. A mund ta themi dhe këtë?

Ajo që ndodhi ashtu në selinë e Partisë Demokratike, bunkerizimi dhe sulmi dhe kundërsulmi, humbja dhe dëmi, e gjitha mes demokratëve të acaruar, ishte përtej parashikimit të kujtdo dhe dêshpëruese për të gjithë, megjithëse e di që s’janë dëshpëruar të gjithë, përkundrazi. Dhe prandaj ndodh, se nuk dëshpërohemi bashkarisht se dhe humbjet nuk janë të pêrbashkëta, as fitoret, as heronjtë, as gëzimet, as pêrfitimet, as të pasuruarit, as dinjiteti e as varfêria, kjo po është shumë e përbashkët, e as liria, etj, etj, dhe të gjitha janë arritur duke i dëmtuar ato, të tjerët dhe veten. Një sociolog bashkëkohës thoshte se demokracia të zhgënjen, por nuk të tradhton. Ne, shqiptarët, dukemi si të tradhtuar nga demokracia jonë… Sot u kalua në një absurd tjetër tronditës, në një “banalizim të ri të së keqes”, u bë përplasja zululandase se cilët do të zotëronin ngrehinën e një partie, kur ajo, duket, se u përket palëve të asaj partie, kur parti s’duhet të jenë muret, as poltrona e kryetarit, madje as kryetari. Partia mund të mos ketë seli fare, do t’i mjaftonin mendjet, ideali, vizionet. Ndoshta ngjan me atë gjakun që rrodhi nga balli i atij që u godit me gurë në turmën protestuese. Partia është Shqipëria dhe antarët e saj janë shqiptarët. Po pse u grindën sot aq keqas dhe kur nuk duhej, për selinë e zbrazët të partisë? Eh, shkaqet dhe konflikti janë të tjera, gjetiu, mund të thotë shumëkush. Që pasardhësi nuk duhej t’ia bënte atë paraardhësit. E di.

Por s’e di pse m’u kujtua dëmshpërblimi që iu bë ish të burgosurve politikë nga qeveritë e ashtuquajtura të djathta apo të majta, u katandis në lekë me këste të zgjatura, fyese kjo, kur dëmshpërblimi i vërtetë i persekutimit të madh, e kam thënë, do të ishin drejtësia, kujtesa me frymën e lirisë dhe demokracisë, ndarja me të kaluarën dhunuese, dinjiteti i vuajtjes, meritokracia, prosperiteti i pêrbashkët, etj. Dhe nuk do të vinte dita të grindeshim për selinë e partisë, as të dëshpëroheshim gjysma dhe as të gëzoheshim gjysma tjetër për atë…

Lexo edhe :  Gjeografia e votave, nëse votohet sot

Që të kuptohemi më mirë, gjej një shpjegim që më ndihmon të kuptoj jo vetëm shkakun, por dhe kohën. Duhet pak letërsi, ca fantazi borgesiane, them me vete. Se ajo ndërtesë ka qenë shtëpia e oficerëve të ushtrisë së diktaturës, (unë kam nderim për oficerët e vërtetë të atdheut), por ç’nuk kanë dëgjuar ato mure: komunizëm shqiptar, enver… heqje gradash… karrierë koti… luftë imperializmit perëndimoro-amerikan dhe revizionizmit botëror… komplote… tradhti… pushkatime puçistësh të paqenë… ajri është plot me thashetheme kriminale, te kafet ka mbetur surrogatoja e helmit ideologjik, etj, etj, dhe shtëpia e oficerëve të diktaturës hakmerret për ndryshimin… e Shqipërisë… Si? Me alarmet që jepen, me rikrijim të komandës, zbatim taktikash ushtarako-demo(n)kratike, sulmet, kundërsulmet, çadrat, nishanet, portreti i udhëheqësit, fantazmat e tij, nostalgjia, bombat tymuese, gazi lotësjellës, megjithëse populli qan dhe pa to, ylli i kuq, supa e kazanit madhështor, poezia ushtarake, komploti që ndonjërin prej uniformave të na e emëronin president, etj, etj, dhe kêshtu e shkuara bëhet e ardhme… ‘45… ‘84 orwelliane… ‘97… tanket… tanku i parë në botë ka qenë Kali i Trojës, sipas James Joyce… po kur ra Troja, ç’bënë fitimtarët me Kalin? Monument? Jo, e dogjën… siç ndodh dhe sot… e ai, Dimitrovi, komunisti bullgar, çfarë thoshte, që levizjet komuniste nuk fitojnë dot vetë, por të futemi si “Kalë Troje” në luftrat nacional-çlirimtare, etj, etj. Edhe selitë e partive ngjajnë me “Kalë Troje” me kryesitë në bark…

Na ka marrë malli për një kalë prej vërteti e një livadh a park, që s’po betonizohet… po mua ç’pati që më erdhën mendime kësisoj, s’është faji im, o Zot, por na e fal se s’dimë se ç’bëjmë!

Të fundit

Fjoralba Ponari shpërthen në lot, zbulon dëshirën e nënës së saj të ndjerë

Mbrëmja e kaluar në Ferma VIP ishte plot emocione dhe lot. Këngëtarja Çiljeta Xhilaga takoi nënën e saj në “Ferma...

Fshati zviceran “kopjon” Venecian/Vendos tarifë për vizitorët për shkak të turizmit masiv

Ndërsa Venecia vendosi një tarifë prej 5 eurosh për turistët që kërkojnë të shohin qytetin, një fshat i njohur në Alpet zvicerane po kërkon...

Marrëveshja për pensionet me Italinë: Si bëhet llogaritja e kontributeve

Ratifikimi i marrëveshjes së rëndësishme për pensionet me shtetit italian ishte tema e ditës në emisionin televiziv. Deputetja socialiste, Milva Ekonomi, tha se kjo nismë...

Mbyllet protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, kur do zhvillohet tubimi i radhës

Është mbyllur protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës,Ka zgjatur rreth 90 minuta protesta e opozitës dhe e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit para...

Mbuloi stemën e LGBTQ dhe nuk bëri foto me skuadrën, lojtari nga Mali rrezikon dënim

Java e fundit e Ligue 1 në Francë duhej të ishte kthyer në një festë për Monaco që triumfoi në shtëpi 4-0 ndaj Nantes...

Lajme të tjera

Web TV