Ish-zëvendësPresidenti i SHBA, Mike Pence, ka vizituar kampin e iranianëve “ASHRAF 3” në Manzë, me të mbërritur në Shqipëri këtë të enjte, por nuk ka takuar personalisht asnjë nga politikanët shqiptarë.
Këtë e bën të ditur gazetari Sebastian Zonja i cili ishte prezent në këtë takim.
I ftuar në emisionin Dekalog të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Zonja tha se të pranishëm ishin disa nga politikanët shqiptarë, të të dyja kampeve politike, ndër ta ishin Taulant Balla, Enkelejd Alibeaj, Valentina Leskaj, Monika Kryemadhi, Nasip Naço, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, , Ferdinand Xhaferi, Belind Këlliçi, Kreshnik Çollaku, etj, por asnjë nga ata nuk ka arritur të takojë.
“Ishte një moment që të gjithë u turrën për ta takuar, por rojet e sigurisë nuk lejuan asnjë nga politikanët t’i afrohej”, u shpreh gazetari.
Ndër të tjera Zonja tha se Pence erdhi me statusin e kandidatit të Republikanëve si president. Sipas tij, Pence pëlqehet edhe nga demokratët dhe është një konservator më i fortë se Trump. “Pence ka bërë distancim nga Trump edhe për atë që ndodhi në 6 janar në Capitol Hill” tha gazetari Sebastian Zonja.