Energjia, inflacioni, rritja e çmimeve dhe çoroditja e tregjeve përballë krizës së re

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Anastas Angjeli dhe Adrian Civici

 Një libër i ri në formën e një lloj ditari analizash, përballje me faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme të “krizës së tretë” rradhazi në vetëm tre vite që po prek Shqipërinë dhe mbarë botën si pasojë e luftës në Ukrainë, të autorëve Anastas Angjeli dhe Adrian Civici. Libri i titulluar “Drejt një krize të re – Energjia, inflacioni, rritje e cmimeve, coroditja e tregjeve…” fokusohet në zhvillimet dhe ngjarjet e periudhës shtator 2021 – qershor 2022.

Rreth një vit më parë, Akademik, Prof.Dr.Anastas Angjeli dhe Akademik i asociuar, Prof.Dr. Adrian Civici publikuan librin “Përballë Krizës – Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”, me analiza, reflektime dhe zhvillimet kryesore ekonomiko-sociale e politike të fokusuar në periudhën qershor 2020 – qershor 2021, libër i konceptuar në një farë mënyre si një lloj ditari dedikuar zhvillimeve të përditshme ekonomiko-sociale, atyre post-covid, politikave e masave specifike, zhvillimeve ndërkombëtare dhe pikëpyetjeve e dilemave të shumta që shkaktoi “periudha e pandemisë së covid-19”.

Për Shqipërinë, ashtu si për pothujase mbarë botën, “koha kovidiane” ishte një sfidë e vështirë në të gjitha aspektet : ekonomike, financiare, sociale, shëndetësore, politike, biznesit, konsumit, psikologjike, etj. Gjithshka u përballë sprovave të egzistencës dhe eficencës, përballë dukurive e fenomeneve të reja e të panjohura, përballë një mënyre jetese, pune, konsumi, shërbimesh shëndetësore e arsimore të paimagjinueshme vetëm pak muaj më parë.

Për Shqipërinë kjo ishte goditja apo “kriza e dytë e vështirë”, pas asaj të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëndorit të vitit 2019, krizë që gjithashtu, përvec humbjeve të dhimshme njerëzore, shkaktoi goditje të rëndë për ekonominë, financat, zhvillimin ekonomiko-social, etj. Ajo u ndërthur shpejt me krizën e koronavirusit duke e bërë akoma më të vështirë situatën, më sfiduese politikat e masat anti-krizë, rindërtimin me përballimin e pandemisë, etj.

Megjithatë, fundi i vitit 2020, u duk sikur shënoi fundin e kësaj krize. Ekonomia në përgjithësi dhe një pjesë e rëndësishme e bizneseve në vecanti filluan rringritjen, rrikthimin drejt normalitetit dhe trajektoreve rritëse, konsumi filloi të rringjallej, ekonomia dhe tregëtia botërore gjithashtu filloi ti kthhej normalitetit. Pesimizmi ekonomik, financiar, social e politik filloi ti linte vend optimizmit “për një zhvillim normal ekonomiko-social dhe optimizmit për rezultate akoma më të larta në të ardhmen e afërt”. Edhe libri jonë i dytë “Përballë Krizës – Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike” mbyllej pikërisht me shprehjen “Pas krizës po vjen rringritja dhe një ndryshim i madh epokal”.

Por situata post-pandemike, nuk dukej aq optimiste sa u mendua në fillim. Papunësia vazhdonte të ishte e lartë, inflacioni filloi të ishte shqetësimi më i madh për këtë periudhë post-pandemike, borxhet publike të shumë vendeve ishin tashmë në nivele alarmante, etj. Dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto sfida e shqetësime, në shkurt 2022, shpërtheu lufta në Ukrainë. Pushtimi ushtarak rus i Ukrainës dhe reagimet ndërkombëtare ndaj këtij agresioni i hapën rrugën një krize të re me të cilën duhej të përballej bota, natyrisht që edhe Shqipëria nuk mund ti anashkalonte efektet tejet negative ekonomike, financiare e sociale të saj.

Kriza energjitike, ajo e sigurise ushqimore, inflacioni i larte, rritja e cmimit të energjisë elektrike, naftës, gazit, ushqimeve, lëndëve të para, etj., u bënë kryefjala e shqetësimeve globale.

Skena gjeopolitike e gjeoekonomike globale ndryshoi, sanksionet ekonomiko-financiare kundrejt Rusisë u shtuan dhe zgjeruan, tregëtia dhe tregjet botërore u coroditën, rreziku për kriza urie u shtua, frika e zgjerimit të konfliktit u bë më prezente, paqartësitë për të ardhmen u shtuan.

Ky libër i tretë, në serinë prej tre vëllimesh, i dedikohet pikërisht, ndjekjes ditë pas dite e javë pas jave problematikës së kësaj “krize të tretë” që po përballon.

            Lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon. Bashkë me të edhe pasojat dramatike të saj, me humbje të jetës së njerëzve, shkatërrimin e infrastrurës, shtimit të emigracionit të popullsisë ukrainase, rëndimin e jetës ekonomike e sociale në Ukrainë. Gjithë bota vazhdon të jetë e kërcënuar nga kjo luftë dhe pasojat e saj. Sistemi global i sigurisë është tronditur, kriza ekonomike dhe recensioni ka trokitur përsëri, kriza energjitike dhe ajo e sigurisë ushqimore janë prezente, inflacioni i lartë dhe rritja galopante cmimeve të produkteve ushqimore dhe lëndëve të para po kërcënojnë ekonominë dhe bisneset, tregjet janë tronditur thellë dhe po riformatohen, globalizimi po “ngushtohet”. Ndërkohë solidariteti dhe reagimi ndërkombëtar ndaj kësaj lufte dhe pasojave  është më i fuqishëm se kurrë.

Ky libër, përvec ndjekjes ditë pas dite të ecurisë dhe sfidave të përballimit të kësaj krize, synon të japë përgjigje edhe për disa pyetje e pikëpyetje fondamentale : Cfare do të ndodhë? Ku po shkojmë? Cfarë do të ndryshojë? Sa pritet të zgjsë kjo krizë? Cilët pritet të jenë skenarët afatshkurtër e afatgjatë të përballimit dhe daljes prej saj? Cfarë po ndodh në nivel ndërkombëtar dhe njëkohësisht, cfarë po ndodh me Shqipërinë dhe ekonominë e saj?

Vendi ynë vazhdon për balljen me një krizë tashmë të trefishtë.

Nëse deri më tani, prej nëntorit 2019 dhe fillimit 2020 përballja ka qenë dhe vazhdon të jetë me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë e Covid-19 dhe krizën ekonomike rrjedhojë e kësaj të fundit, tashmë ndodhemi përballë një krize të re të pritshme, asaj energjetike. Në këtë trinom krize, situatë e krijuar nga tërmeti i dy viteve më parë është specifike për vendin tonë, ndërsa dy krizat e tjera janë jo thjesht dhe vetëm shqiptare. Kjo, sepse mbare bota po përjeton kriza të njëpasnjëshme, si ajo e pandemisë COVID-19 (sanitare, humane, ekonomike e sociale) që filloi në vitin 2020 dhe ajo energjetike që ka dhënë sinjalet e para dhe pritet të rritet në të ardhmen e afërt. Pa dyshim, kjo situatë ka tërhequr vëmendjen në vazhdimësi të institucioneve financiare ndërkombëtare, FMN, BB, të Bashkimit Europian, liderëve të të gjithë vendeve organizatave, bashkimeve dhe institucioneve të ndryshme ekonomike, analistëve dhe ekspertëve në mbarë globin. Kjo nuk ka mbetur jashtë vëmendjes dhe opinionit politik dhe profesional, analistëve, OJF dhe rrjeteve sociale në vendin tonë.

Nëse ka një qartësim të situatës dhe në këto dy vite për mënyrën dhe rezultatet e arritura deri tani në përballjen dhe procesin e rindërtimin e pasojave të tërmetit dhe vazhdimin e punës në këtë drejtim si dhe me masat e marra për përballjen e pandemisë COVID-19 (menaxhimin në vazhdimësi të saj, sigurimin e vaksinave, vazhdimi i procesit të vaksinimit të popullatës) dhe të pasojave në ekonomi të kësaj pandemie (rritja ekonomike në tremujorin e dytë të këtij viti është një sinjal pozitiv i rimëkëmbjes ekonomike) tashmë debati është zhvendosur disi më shumë në fillimet e krizës energjetike dhe rritjen e çmimeve.

Pyetje e dilema nga më të ndryshmet. Çfarë është kjo krizë tjetër? A është kjo një krizë reale apo e sajuar? A është kjo një krizë shqiptare apo globale? Pse po rriten çmimet e produkteve të tjera? Si ndikojnë në ekonomi dhe nivelin e jetesës së qytetareve? Ç’duhet të bëjmë? Etj., etj.

Historikisht, të gjitha krizat ekonomike në përgjithësi, janë shoqëruar me fenomene dhe probleme shkaktare, shoqëruese dhe pasojë e tyre. Ato janë gërshetuar me njëra-tjetrën. Të tilla janë papunësia dhe problemet sociale, rritja e çmimeve të produkteve të ndryshme, rritja e çmimeve energjetike (gazit, naftës dhe derivateve të saj) fenomenet inflacioniste etj. Por, në këndvështrimin e kostos dhe të kthimit të investimit, cikli i energjisë është thellësisht i ndryshëm nga cikli ekonomik.

Kur këto kriza janë globale, pa dyshim që ndikimi në ekonominë globale është i madh. (Kriza e viteve 1972, 1979, 2008). Vendet me ekonomi të fortë goditen më pak, ndërsa ato me ekonomi të dobët (vendet e pazhvilluara) goditen më fort. Edhe vendi ynë pa diskutim që ka filluar të efektohet nga kjo “krizë e çmimeve”, edhe pse në fillimet e veta.

Arsyet e kontekstit global të fillimeve të krizës së re energjetike aktuale mund të përmblidhen në disa, prej të cilave më kryesoret mund të përmenden:

Së pari- Kriza aktuale globale ekonomike, recesioni me një ngadalësim të konfirmuar ekonomik dhe kriza financiare në një kontekst të borxhit tepër të lartë (më shumë se tre vite të PBB-së; Pasoja e pandemisë COVID -19).

Së dyti, një goditje e prodhimit të naftës, pasi për herë të parë në historinë e saj, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) evokon një rrezik me kalimin e kulmit të pritur midis 2020 dhe 2025, kulm përtej të cilit prodhimi i “arit të zi” do të ulet në mënyrë të pariparueshme. Çdo vit, kërkesa rritet me një milion fuçi/ditë, ndërsa shterimi i burimeve, i cili i referohet uljes së rezervave të naftës dhe hidrokarbureve, arrin 2 në milionë fuçi.

Së treti, një krizë klimatike me dështimin e madh të konferencës klimatike të Madridit që u mbajt në vitin 2019, që lë gjatë sfidës energjetike zvogëlimin e konsumit tonë të karburanteve fosile për të parandaluar ndryshimin e klimës, duke i thënë një lamtumirë të pashmangshme rritjes. Në fakt, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) publikoi raportin e saj vjetor mbi naftën më 17 mars të këtij viti, në të cilin parashikon një rritje të konsumit global deri në vitin 2026 nëse politikat e karbonit të ulët nuk përforcohen në vitet e ardhshme.

Së katërti, zhvillimet dhe interesat gjeopolitike dhe tregtare (lëvizjet në tregjet globale nuk mund të mos konsiderohet veçanërisht në këtë situatë të zhvillimeve globale.

Së pesti, zhvillimi i shpejtë i kapitalizmit digjital, mund të themi se po çon në një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për energji elektrike në të gjithë botën dhe kjo rritje e kërkesës sapo ka filluar. Teknologjitë e reja, shfaqja e internetit dhe gjithçka që lidhet me të (inteligjenca artificiale, ruajtja e të dhënave, shitjet në internet, rrjetet e lidhur etj.) po çon në një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për energji elektrike në të gjithë botën.

Bankat Qendrore në udhëkryq: të ndërhyjnë për çmimet apo jo?

Në përpjekje për të ringjallur ekonomitë e tyre dhe për të përballuar efektet e pandemisë, bankat qendrore kanë “kontribuar” në rritjen e çmimeve. Politikat e “lehtësim sasior” të ekonomisë synuan të injektojnë fonde të reja në sistem me blerjen e letrave me vlerë nga ana e bankave qendrore. Më shumë para në qarkullim, më shumë kapacitet konsumi, më shumë kërkesë dhe për rrjedhojë edhe çmime më të larta. Problemi është, se në një periudhë krize serioze, siç është ajo e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, por dhe efektet e krizës globale financiare e vitit 2008,  politikat monetare ekspansioniste janë vendimtare për të mos mbytur rimëkëmbjen ekonomike. Në këtë rast, vështirësia e madhe është të kuptosh se sa larg është e nevojshme të “shkohet” me lehtësimin sasior, duke mbështetur rritjen ekonomike pa shkaktuar rritje të çmimeve.

Të gjitha të dhënat dhe tendencat e inflacionit në përgjithësi dhe çmimeve specifike në veçanti e po e vënë BQE-në në një dilemë të vështirë politike : rritja e normave të interesit për të qetësuar inflacionin apo përballja me rrezikun e frenimit të rritjes ekonomike në një ekonomi europiane që sapo kishte filluar të jepte sinjale pozitive për rikthim në rritje ekonomike të qëndrueshme mbas periudhës së vështirë të pandemisë së Covid-19?

BQE vlerëson se rritja në tremujorin e parë të vitit 2022 ka qenë pozitive, ndërsa rimëkëmbja në tremujorin e dytë do të jetë afër zeros, pasi çmimet e larta të energjisë ndikojnë në konsum dhe dëmtojnë investimet e biznesit. Kjo situatë ka ngjallur demonët e frikës së rënies në një gjendje stagflacioni, në të cilën inflacioni i lartë shoqërohet me rritje ekonomike shumë të ulët ose dhe stanjacioni. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore përse BQE po heziton të veprojë me instrumentin e saj kryesor të politikës monetare që është rritja e normës bazë të interesit për euron. “Banka Qendrore Evropiane është e gatshme të tërhiqet nga planet e saj të stimulimit monetar, nëse është e nevojshme përballë rreziqeve të shkaktuara nga lufta .. agresioni rus i Ukrainës” e sjell ekonominë evropiane në një territor të panjohur.. megjithëse ka arsye për të besuar se inflacioni bazë – neto nga çmimet e ushqimit dhe energjisë – do të priret të ngadalësohet” në një periudhë afat-mesme.

Rreziku i stagflacionit? BQE nuk dëshiron ta besojë këtë për momentin. Ch.Lagarde pranon se perspektiva po “ndryshon”. Një konflikt i zgjatur në Ukrainë do të vazhdojë të rrisë çmimet e energjisë dhe koston e jetesës në Evropë. “Është e qartë se sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më të larta do të jenë kostot ekonomike dhe aq më të mëdha do të jenë gjasat për një perspektivë të pafavorshme”, paralajmëroi kreu i BQE. Një skenar i tillë do të kërcënonte rajonin me “stagflacion”, një situatë ekonomike e kombinuar me inflacion të lartë dhe stanjacion ekonomik.

Lexo edhe :  1 maji qesharak i shqiptarëve

Banka e Anglisë ka vendosur të rrisë sërish normat e interesit nga 0.5% në 0.75%, ashtu siç pritej gjerësisht nga tregjet monetare dhe investitorët. Vendimi është shpjeguar “si një masë për të kundërshtuar rritjen rekord të inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar”. Ndërkohë, sipas parashikimit të ekspertëve dhe institucioneve të specializuara në këtë fushë, “ekziston rreziku që inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar të arrijë një kulm prej 8% gjatë vitit 2022. Edhe Fed, Banka Qëndrore e SHBA, vendosi të rrisë normat e interesit me 0.25% për të përballuar rritjen graduale të inflacionit që është rritur në SHBA në 7.9%. Fed ka njoftuar dhe parashikimet për disa rritje të tjera të normës së interesit gjatë vitit 2022. Të gjitha Bankat qendrore po përballen me “lojën e vështirë të balancimit” që synon të ekuilibrojë frenimin e rritjes së çmimeve pa shkaktuar pasoja të tepruara në rritjen ekonomike.

Tashmë Banka e Shqipërisë e ka dhënë sinjalin e parë të rëndësishëm në përpjekjet e saj për të frenuar rritjen e çmimeve dhe inflacionit, duke rritur normën bazë të interesit për lekun. Duke argumentuar vendimin për të rritur normën bazë, Guvernatori Sejko, tha se goditja inflacioniste që ka shkaktuar sulmi i Rusisë në Ukrainë do të jetë më e fortë dhe më afatgjatë krahasuar me projeksionet e mëparshme. Inflacioni pritet të jetë i lartë dhe sipër objektivit të Bankës së Shqipërisë të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm. Sipas Bankës Shqipërisë “ Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror”. “Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022.

A po shndërrohet inflacioni në një problem postpandemik?

Muajt e fundit, niveli i inflacionit në shumë vende ka pësuar një rritje të konsiderueshme (Gjermania kapi nivelin prej 6% gjatë muajit tetor dhe në SHBA e kaloi atë që në muajin shtator, Britania e Madhe 5.7 % dhe po shtrihet në të gjitha vendet e zhvilluara) po cenon stabilitetin makroekonomik e financiar si të Evropës, ashtu edhe të SHBA-së. Fenomen ky që së paku 10-15 vitet e fundit (e në disa shtete deri në 20-30) ishte i “përgjumur”. Edhe në ekonominë tonë po ndihet një goditje e lehtë inflacioniste (3.1%), pavarësisht se ajo është kryesisht si efekt domino nga jashtë (por ka dhe elemente të brendshme). “Zgjimi” postpandemik nga “gjumi letargjik” i fenomenit të inflacionit ka tërhequr vëmendjen dhe ka hapur diskutime e debate të mëdha në mendimin dhe literaturën ekonomike veçanërisht për karakterin e inflacionit aktual në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim për pasoje të integrimit ekonomik ndërkombëtar.

Shumë e konsiderojnë inflacionin aktual si fenomen të përkohshëm që lidhet me kërkesën në rritje të lëndëve të para, energjisë etj. dhe mendojnë se pas 3 apo 4 muajsh (deri në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2022) do të kemi një rënie të ndjeshme të tij. Këta bëjnë pjesë në optimistët e zhvillimit ekonomik dhe mendojnë se nuk duhet të ngatërrohet një zhurmë e rastësishme me një sinjal të pastër që ekonomia reale jep për këtë fenomen.

Sipas tyre, është normale që kur një vend kalon nga deflacioni në rritje shumë të shpejtë, inflacioni është pasojë e kësaj rritjeje. Në teori të gjitha rritjet ekonomike karakterizohen edhe nga rritja e çmimeve. Disa të tjerë e konsiderojnë një fenomen patologjik, të pritshëm dhe që lidhet me politikën e përballimit të pandemisë dhe emetimeve kolosale të parave gjatë gjithë kësaj periudhe. Këta, që shumë i quajnë “ruajtësit e liberalizmit ekstrem ekonomik”, kërkojnë ndërhyrje të bankave qendrore me politika shtrënguese dhe rritje të normave të interesit. Janë ata që krijojnë lidhjen organike të inflacionit, me % e interesit, nivelin e pagave, koston e shërbimit të borxhit dhe ritmet e zhvillimit afatgjatë. Janë ata që parashikojnë që pas krizës së pandemisë do të vijë një krizë e madhe ekonomike që do të ristrukturojë botën për 50 vitet e ardhshme në tregje, profesione, infrastrukturë dhe institucione financiare.

Një grup i tretë ekonomistësh e vlerësojnë inflacionin si levën kryesore të ndryshimeve epokale në funksionet e parasë dhe e quajnë atë si faktor kryesor “vetëshkatërrues” i sistemit monetar. Paraja do të fillojë një rol të ri, i cili do të ndryshojë: konceptimin klasik të rritjes ekonomike, konceptin e riskut global dhe ekonomik, raportin e kohës së punës me kohën e pushimit dhe mbi të gjitha raportin e njeriut me paranë dhe pasurinë. Të nxitur edhe nga një rritje shumë e madhe e vëllimit të transaksioneve me kriptomonedha, ata mendojnë se inflacioni do të jetë shkaku kryesor i kalimit nga një sistem monetar analog me banka qendrore në një sistem monetar digjital pa banka qendrore. Kjo do të sjellë revolucionin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në konceptin e pasurisë dhe për pasojë një ristrukturim shoqëror të botës së zhvilluar. Cilat nga këto pretendime janë më të besueshme?

Paketa sociale përballë ashpërsisë së krizës së cmimeve

Rritja e çmimeve në vend këto javët apo dhe muajt e fundit është pasojë/efekt i disa faktorëve të rëndësishëm globalë dhe në ndonjë rast dhe lokalë.

Faktori i parë ka të bëjë me situatën ekonomike e financiare post Covid-19. 6-mujori i dytë i vitit 2021 shënoi fillimin e kthimit të prodhimit, shërbimeve dhe konsumit në normalitet në shumicën e vendeve të botës. Por, si pasojë e tkurrjes dhe në mjaft raste dhe bllokimit të shumë aktiviteteve prodhuese dhe konsumit, rritja ekonomike ishte negative duke bërë që oferta në treg të ishte deficitare. Ndërkohë, si efekt i paketave të gjera mbështetëse sociale dhe ekonomike, në thelb të të cilave ishin “mbështetjet financiare” të shoqëruara nga politika monetare mjaft lehtësuese nga bankat qendrore, masa monetare në qarkullim u rrit jashtëzakonisht shumë. E thënë ndryshe, kërkesa u mbështet shumë duke u bërë mjaft dinamike e agresive në treg. Pasojë e kësaj situate ishte rritja e inflacionit, dmth, rritja e çmimeve për një gamë të gjerë mallrash, produktesh e shërbimesh, veçanërisht energjia, nafta, gazi, energjia elektrike. Ekspertët e kishin lajmëruar se deri në fund të 6-mujorit të parë të 2022, tregjet do përballeshin me një situatë të fortë inflacioniste. Kjo u pasqyrua dhe në Shqipëri, kryesisht si efekt i çmimit të importeve dhe inflacionit të importuar.

Faktori i dytë, më i rëndë ka të bëjë me luftën në Ukrainë, e cila është një goditje akoma më e rëndë kundrejt rritjes së çmimeve, vështirësive për sigurimin e sasive të kërkuara në treg, vështirësive të tregtisë. Në këtë rast, goditja më e rëndë erdhi nga rritja e çmimeve të gazit, naftës dhe energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, aq më tepër që Rusia është prodhues dhe eksportues i naftës dhe gazit nga më të mëdhenjtë në botë. Por, problemi u bë akoma më shqetësues, se përveç çmimeve të energjisë, mjaft problematik u bë tregu i produkteve ushqimore si gruri, mielli, misri, soja, vajrat ushqimorë, ushqimet e koncentruara për blegtorinë, etj., ku përsëri Rusia dhe Ukrainë janë nga prodhuesit kryesorë në botë. Këtyre ju shtuan dhe rritjet e çmimeve të një sërë lëndësh të para si plehrat kimike, minerale të ndryshme, lëndë druri, alumini, bakri, kromi, etj. Kjo e bëri dhe vazhdon ta bëjë akoma më të vështirë situatën në këto tregje, rriti ndjeshëm çmimet duke shkaktuar dhe situata frike e paniku.

Faktori i tretë ka të bëjë me strukturën e ekonomisë shqiptare, modelin e bizneseve dhe konsumit, veçanërisht me varësinë tonë nga importet për një gamë të gjerë produktesh e shërbimesh çmimet e të cilave pësuan goditje të rëndë inflacioniste. Pothuajse gjithë naftën që përdorim për konsum, rreth 550-600 mijë ton në vit ne e importojmë duke qenë të varur nga kapricot e çmimit të saj në bursë; ne importojmë sasi të konsiderueshme energjie elektrike, veçanërisht në vitet kur prodhimi i brendshëm cenohet nga “vitet e thatë dhe reshjet e pakta” duke e blerë atë me çmim shumë të shtrenjtë, veçanërisht muajt e fundit; ne importojmë pak më shumë se gjysmën e nevojave tona për grurë e miell kryesisht nga Sergia e Rusia; po kështu mund të përmenden dhe një sërë produktesh të tjera agroushqimore, plehra kimikë, vajra ushqimore, ushqim koncentrat për blegtorinë, lëndë të para për biznesin dhe industrinë, etj.

Faktori i katërt ka të bëjë me mjaft raste abuzimesh, pozitash monopol në treg të disa produkteve të rëndësishme, çrregullime në zinxhirin e tregut deri te konsumatori final, çmime abuzive, etj. Në raste krizash kaq të forta cmimesh e inflacioni si kjo e tashmja, ky faktor e rëndon akoma më shumë situatën e çmimeve dhe fuqinë blerëse e nivelin e konsumit të qytetarëve dhe bizneseve.

Katër krizat e mëdha aktuale: inflacioni i lartë, energjia, mungesa e ushqimit dhe ndryshimet klimaterike

Forumi ekonomik Botëror zhvilloi punimet në 22-26 maj 2022, në Davos, atje ku zhvillon punimet e përvitshme që prej vitit 1976. Për herë të parë në historinë e tij rreth pesëdhjetëvjeçare dhe pas një ndërprerjeje dyvjeçare për shkak të kufizimeve që erdhën si pasojë e pandemisë, Ëorld Economic Forum zhvillohet në pranverë, por sigurisht që sivjet pranvera lidhet vetëm me stinën, sepse zhvillimet politike dhe ekonomike në nivelin global, vetëm optimizëm pranveror që nuk frymëzojnë. Luftë që po zhvillohet në Ukrainë dhe pasojat tragjike që ajo po sjell në radhë të parë për Ukrainën por më pas edhe për ekonominë globale ishin në qendër të diskutimeve të zhvilluara gjatë ditëve të punimeve. Aty morën pjesë më shumë se 1250 liderë nga sektori privat. Shoqëria civile u përfaqësua nga më shumë se 200 drejtues nga OJQ-ve, sipërmarrjeve socialë, botës akademike, organizatave të punës, grupeve fetare  dhe mbi 400 drejtues mediesh dhe përfaqësues të shtypit.  Gjithashtu edhe gjenerata e re pati përfaqësimin e saj me 100 anëtarë të komuniteteve Global Shaper dhe Young Global Leaders.

Agjenda e diskutimeve të këtij viti përfshinte 8 seksione të mëdha tematike të cilat ishin: 1- Klima dhe Natyra; 2- Ekonomi e të Drejta; 3- Teknologjia dhe Inovacioni; 4- Punësimi dhe Aftësitë; 5- Biznese më të Mira; 6- Shëndetësia, 7- Bashkëpunimi Global; dhe 8- Shoqëria dhe Paanësia.

Programi u zhvillua me fokus në gjashtë shtylla kryesore tematike: Nxitja e bashkëpunimit global dhe rajonal: 1) Si të rivendoset stabiliteti në një epoke të re konflikti dhe tensioni gjeopolitik, si dhe avancimi i tregtisë, prosperitetit dhe partneriteteve. 2) Sigurimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe formësimi i një epoke të re rritjeje ekonomike: Si të stabilizohet ekonominë reale dhe sistemi financiar, duke përcaktuar gjithashtu të ardhmen e rritjes së ekuilibruar, globalizimit dhe zhvillimit. 3) Ndërtimi i shoqërive të shëndetshme dhe të barabarta: Si të kalojmë përtej fazës së emerrgjencës shëndetësore të pandemisë, duke rindërtuar dhe duke forcuar qëndrueshmërinë shëndetësore për kërcënimet e ardhshme, si dhe duke investuar në punë të mira, paga të mira, aftësi dhe arsim, duke mos harruar të ripërcaktojmë kapitalizmin në një kontekst të ri. 4) Ruajtja e klimës, ushqimit dhe natyrës: Si të vazhdohet me sigurimin e sistemeve ushqimore dhe ndërtimin e një ekonomie të bazuar në natyrë, si dhe tranzicionin e energjisë dhe ndërtimin e një ekonomie të gjelbër. 5) Duke nxitur transformimin e industrisë: Si të balancohet inovacioni, qëndrueshmëria dhe efikasiteti në të gjithë industritë. 6) Përdorimi i fuqisë së Revolucionit të Katërt Industrial: Si të përmirësohet qeverisja e teknologjisë dhe siguria kibernetike, si dhe rrjeti i Qendrave për Revolucionin e Katërt Industrial në rritje të shpejtë të Forumit, të cilat formësojnë politika dhe strategji të reja duke përdorur shkencën, teknologjinë dhe inovacionin.

 

Të fundit

E rëndë/ 41-vjeçarja bie për vdekje nga kavo ‘zipline’ mbi parkun piktoresk (Foto)

Një grua ka humbur jetën si pasojë e këputjes së rripave që e mbanin në kavon ‘zipline’ nga ku po...

Kërkoi leje për të marrë pjesë në varrimin e vajzës, refuzohet kërkesën e Ergys Arrazit

Ergys Arrazi, babai i tre fëmijëve dhe gruas së tij të mbytur në ujërat e lumit Buna, mesditën e sotme ka kërkuar leje për...

Verstappen: “I lumtur për fitoren e Norris, duhet të mësojmë nga McLaren”

Max Verstappen nuk shkoi më shumë se vendi i dytë në Çmimin e Madh të Miamit, duke iu dorëzuar McLarenit të Lando Norris. Holandezi,...

Keni bërë plane për nesër? Njihuni me parashikimin e motit

Ditën e Martë vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe...

Gjendet trupi i fëmijës tjetër/ Balla i përlotur: Gratë të denoncojnë dhunën

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një deklaratë për mediat nga Ura e Bunës, deklaroi se edhe trupi i nënës dhe dy fëmijëve të...

Lajme të tjera

Web TV