Kryeministri Edi Rama me anë të një videomesazhi nga tryeza e punës lajmëroi se ka firmosur konfiskimin e 15 objekteve të ndërtuara pa leje. Ai tha se hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i përdorë për mjedise zyrash, për strehim social ose shërbime sociale.
Kryeministri Edi Rama ka firmosur 15 procedura për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Në një videomesazh nga zyra e tij, u shpreh se dosjet vijojnë të flenë prej kohësh në prokuroritë e rretheve. Kreu i qeverisë thekson se po ngushtohet rrethi i shkeljeve pasi sipas tij, pas këtij operacioni të nisur nuk do të ketë më ‘guximtarë’ që do të ndërtojnë pa leje. Po ashtu nuk kursen përgjigje për opozitën, e cila sipas tij, helmoi opinionin publik duke thënë se operacioni i ligjzbatimit për ndërtimet pa leje është thjesht shoë për të larguar vëmendjen. Edhe akuzat se është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor, Rama e cilëson gënjeshtër dhe shton se qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd. Rama kujton se ndërtimet e konfiskuara të përdoren për interes publik. Ashtu siç kanë njoftuar edhe më parë, hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale. “Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale”, tha Rama në video mesazh. Kryeministri tha se nga viti në vit janë ngushtuar rrethi i shkeljeve. “Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë, të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar. Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik!”, tha Rama. Ai nënvizoi se ndryshe nga çfarë është folur në media, këto konfiskime do të përdoren siç është parashikuar VKM-JA. ““Është thjesht shoë për të larguar vëmendjen”! Ja që nuk ishte e vërtetë. “Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë. “Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse të dezinformimit dhe ku gjysëm të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund!”, tha Rama. Në shtator të këtij viti Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për bllokimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe i legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit, ose ndryshe i sekuestrohet. Deri më tani vetëm “Ideal Cosntruction shpk” ka vendosur t’i dhurojë shtetit shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, e cila do të përdoret për interes publik. Ndërkohë janë sekuestruar edhe godina të tjera.