Prof. Xheladin Çeka përmbush amanetin e Shirokës…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Agron Sejamini

Jo thjesht nga numri i faqeve, plot 960, por për historinë e artë 70 vjeçare të arsimit mjekësor universitar shqiptar që përshkruhet, libri i Prof. Dr. Xheladin Çekës, i sapo dalë nga botimi, ka simbolikën dhe vlerën e një statuje…
Në 60 vjetor, Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Tiranës është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës me motivacionin: “Për kontribut të shquar në mjekësinë shqiptare, nëpërmjet përgatitjes së dhjetra mjekësh, si dhe duke qenë qendra e rëndësishme e kërkimit dhe aplikimit mjekësor, çka ka bërë që mjekësia shqiptare të njohë dhe të ndjekë arritjet bashkëkohore”.
Në këtë 70 vjetor, kur Fakulteti i Mjekësisë është bërë Universitet, nderohet me jetësimin e kësaj “statuje”, ku shpalosen faqet më të suksesshme të këtij rrugëtimi dinjitoz. Fat dhe mbarësi që skulptori i saj është Xheladin Çeka, as studiues dhe as historian, por diçka më shumë… Student i shkëlqyer i mjekësisë dhe pedagog i këtij Fakulteti, menjëherë pas diplomimit. Përgjatë kësaj periudhe 45 vjeçare, profesori i nderuar dhe i pasionuar, ka ruajtur në subkoshiencën e tij dëshirën për të identifikuar kontributet e atyre që hodhën themelet e këtij fakulteti dhe të tjerëve më pas, të cilët shkruan historinë….
Këtë mision fisnik jo të detyruar, por të nxitur nga pasioni dhe dashuria për profesionin, Profesor Xhela e ka nisur para 20 vitesh. Me sqimë, durim, përkushtim dhe përgjegjshmëri ka selektuar etapat më të rëndësishme dhe është ndalur pak më shumë në periudhat që përfaqësojnë shtyllat kryesore te arsimit mjekësor universitar shqiptar. Informacioni i përzgjedhur dhe fotografitë ilustruese janë sa interesante edhe mbresëlënëse në përmbajtje. Si nëpër sekuencat e një filmi dokumentar përhumbesh në emocionet e forta të asaj panorame shqiptare, kur sëmundje kishte me shumicë dhe mjekë e spitale hiç ose me pakicë. Mjafton të lexosh në faqet e këtij botimi, një raport të Mbretërisë Shqiptare mbi gjendjen e përgjithshme shëndetësore të periudhës 1912-1937, dhe të vjen të çohesh në këmbë në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për historinë e deritanishme të arsimit mjekësor universitar shqiptar. Jo vetëm lënda por edhe ndërtimi strukturor i këtij botim shquhet për saktësi, larmishmëri dhe përsosmëri.
Në pjesën e parë të librit, jepet një qasje e sintetizuar e historisë së Fakultetit të Mjekësisë (Institutit të Lartë Mjekësor) që nga themelimi, duke vënë në pah etapat më të rëndësishme.
Meqenëse dy “gurët e qoshèsë” së godinës së çdo Fakulteti Mjekësie janë lëndët Anatomi dhe Histologji-Embriologji, siç shprehet autori, pjesën e dytë të librit, e zë historiku i Katedrës së Anatomi-Histologjisë (sot Departamenti i Morfologjisë), ku pasqyrohen etapat e zhvillimit dhe kontributet e çdo anëtari të saj.
Pjesa e tretë, përfshin elementë historikë të bashkëpunimit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës që nga themelimi të këtij universiteti, duke nxjerrë në pah rolin e pedagogëve tanë në themelimin dhe konsolidimin e katedrave të para, kryesisht të lëndëve të formimit bazë.
Më realisht këtë bashkëpunim, e skalit Prof. Isuf Dedushaj, kur kujton: “…Për shumicën e studentëve shqiptar të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ardhja e pedagogëve nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, gjegjësisht nga Fakulteti i Mjekësisë ishte ngjarje me rëndësi të veçantë. Nuk kishte asnjë dilemë se ardhja e këtyre pedagogëve për ne ishte e njëjtë si me ardhjen e shenjtorëve. Për ne studentët, Ata ishin diçka më shumë se pedagogë, diçka më shumë se mjekë, diçka më shumë se njerëz; d.m.th: ishin diçka shpirtërorë, diçka hyjnorë, ishin pjesë e çdo qelize të trupit tonë. Në çdo njërin ishte nga një copë e atdheut, nga një flamur i vogël, nga një qiri i shpresës së bashkimit të mendjes dhe shpirtit shqiptar. Më kujtohet, i shikonim, ata flisnin e ne i gëlltitnim me sytë tonë të etur për dije në gjuhën e mëmës, të etur për atdheun tonë të dashur, për Tiranën, për Universitetin, ne mendonim se akoma jemi në ëndërr kur ata ligjëronin aq ëmbël, aq mirë dhe aq bindshëm…”.
Pjesa e katërt, përfshin historikun e bashkëpunimit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Fadil Sulejmani” të Tetovës, duke identifikuar kontributet e pedagogëve të fakultetit tonë, fillimisht në një kontekst thjesht intelektual dhe më pas më të organizuar, bazuar dhe në marrëveshje herë xhentëlmenësh dhe herë zyrtare ndërmjet dy universiteteve. Libër që shpalos të bashkuar në një front frymëzimi dhe motivimi, krejt arsimin mjekësor universitar mbarëkombëtar. Jo për patriotizëm, por për vërtetësi dhe realizëm. Pedagogu i të njëjtës lëndë, shfaqet si mësimdhënës në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë. Vetë autori është një gur rrezatues i këtij mozaiku bashkëpunimi të mrekullueshëm. Të vjen çudi, si nuk u lodh dhe nuk u mërzit nga ai udhëtim qindra kilometrik i përjavshëm për të dhënë mësim në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, dimwr dhe verë për një periudhë të pandërprerë 25 vjeçare. Më i lumtur është ndjerë në ato auditore, si pedagog, se në Universitetin Mjekësor të Tiranës me “gradat e spaletat”, e zëvendës Dekanit, Përgjegjësit të Drejtorisë së Kurrikulave, përgjegjësit të Departamentit të Morfologjisë… Dhe përsëri, meritueshëm dhe lavdërueshëm më shumë se sa për vete, ai përshkruan kontributin e kolegëve në të tre universitetet mjekësore shqiptare.
Gjithçka e shkruar në këtë libër, ku përfshihen gati njëmijë personazhe, ka kaluar nëpër “filtrin” e ndjenjës. Dhe më thelbësorja, sikurse e pohon edhe vetë Prof. Xhela, “duke iu nënshtruar sa metrikës së arsyes, aq dhe kriterit të së vërtetës”.
Shfleton librin dhe të shfaqet dëshira për të shkruar sa më gjatë duke medituar dhe analizuar… Bota e ka historinë e arsimit mjekësor universitar mbi 700 vjeçar dhe ne vetëm 70. Por, jo se kemi qenë dhe jemi kaq larg saj. Studentë të atyre universiteteve të moçme kanë qenë edhe shqiptarë. Madje, shumica të diplomuar me rezultate të shkëlqyera duke spikatur në karrierën e tyre personale si mjekë të shquar nëpër klinikat e kontinentit tonë dhe të botës. Ata që në shpirt ndjenë dëshirën dhe detyrimin për t‘u shërbyer bashkëatdhetarëve të privuar nga ky shërbim, iu rrikthyen vendlindjes. Të pakët përballë nevojës, por të çmuar në punën dhe kontributin e tyre humanitar. Emrat e disa prej tyre shkruhen me gërma të arta në histori sepse krahas aktivitetit të tyre si mjek hodhën edhe themelitë e arsimit universitar mjekësor shqiptar. Karriera e tyre profesionale dëshmoi se ata ishin specialistë të aftë dhe patriotë të ndershëm. Gjithçka, nis me themelimin e Institutit të Lartë Mjekësor në vjeshtën e vitit 1952. Një histori unikale suksesi… Ndërgjegjia dhe realiteti nuk na lejojnë të shkruajmë tani asnjë fjalë, pa shprehur fillimisht mirënjohjen e thellë për kuadrot e larta-pedagogë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Madje, në faqet e këtij libri, saktësisht thuhet se ishin ata që e hodhën atë themeli. Ishin ata drejtuesit e parë të shumicës së lëndëve, që organizuan katedrat e këtij Instituti. Më e detyrueshmja për ne është që më e pakta, t’u shqiptojmë me shpirt dhe zë, emrat: Prof. Aleksandër Vasilieviç Anikin; Prof. Jefim Fiodoroviç Nikulçenko; Doc. Nestor Grigorieviç Shcepkin; Doc. Maria Nikolaevna Siniushina; Doc. Sergej Mihajlloviç Bujko; Prof. Jekaterina Petrovna Semjanova; Prof. Aleksej M. Rusanov; Doc. Sofia Aleksandrovna Çurakova; Prof. Taras P. Kovinski; Doc. Aleksandër P. Gromov; Doc. B.J. Simitkin; Doc. Anna Matvejevna Agaleçkaja; Prof. Nikollaj Ivanoviç Grigoriev; N.S.Malugin; Prof. Maria Nikollaevna Kazanceva; Doc. Maria Ivanovna Mjedzvjedskaja; Doc. Vladimir Nikollajeviç Nikiforov; Doc. Jurij Nikollajeviç Saharov; Prof. Amaroli Aleksandrovski; Dr. Fjodor Muhajlloviç Kostenko; Doc. Karp Antinoviç Serapian; Doc. Jevgeni Pavloviç Dvimianiov. Faleminderit dhe u ndritë shpirti!
Ndërkohë, mjekët shqiptarë që kuptohet i kishin mbaruar studimet jashtë, u angazhuan që në themelimin apo në hapat e para të veprimtarisë së Institutit të Lartë Mjekësor duke qenë vazhdues të këtij misioni themelues të lëndëve dhe katedrave të tjera pas largimit kolegëve sovjetikë. Emra pedagogësh të shquar dhe të nderuar, pasuruan historinë e arsimit mjekësor shqiptar. Një pjesë e tyre, të talentuar dhe të diplomuar me rezultate të larta, si: Prof. As. Fiqiri Basha (Sarajevë, Bosnjë – B.S.); Prof. Petrit Gaçja (Leningrad); Doc. Skënder Çiço (Lubjanë-Odesë); Jani Basha (Vjenë); Prof. Koço Gliozheni (Athinë); Dr. Conseption Eguidasu Konomi (Dr. Konçita), (B.S.); Prof. As. Ilir Gjylbegu (B.S.); Prof. Xhavit Gjata (Paris); Doc. Hiqmet Dibra (Paris); Prof. Bajram Preza (Sarajevë-Moskë); Prof. Munir Karagjozi (Lubjanë-Odesë); Dr. Drini Ohri (Odesë); Dr.Sh. Përparim Tepelena (Moskë); Prof. Pëllumb Bitri (Gorki); Doc. Çesk Rroku (Çeki); Doc. Bashkim Çuberi (B.S.); Doc. Petrit Kokalari (B.S.); Prof. Piro Goda; Prof. Ylli Popa (Rumani); Dr. Grigor Konomi; Doc. Nikolla Shurbani (Bari-Moskë), Prof. Fejzi Hoxha (Bolonjë), Prof. Josif Adhami (Rumani), Prof. Ylli Popa (Rumani); Doc. Hysni Rusi (Bolonjë-Zagreb); Prof. Shefqet Ndroqi (Paris); Dr. Viktor Ruli; Prof. As. Petrit Selenica (Bolonjë-Zagreb); Prof. Pandeli Çina (Varshavë), Doc. Aleko Veshi (Sofje); Doc. Petraq Vesho (B.S.); Prof. Selaudin Bekteshi (Torino); Doc. Afërdita Gusho (B.S.); Prof. Thoma Kristo (Hungari); Dr. Frederik Shiroka (Grac, Austri); Prof. Ferdinand Paparisto (Parmë-Moskë); Prof. Petro Cani (Athinë-Zagreb), Prof. Llambi Ziçishti (Paris-Rumani); Dr.Sh. Fadil Spahiu (Moskë); Dr. Spase Trimçev (Romë-Beograd-Bullgari); Prof. Anesti Boçka (Moskë); Kristo Kristidhi (Grac, Austri); Doc. Andrea Aroni (Poloni); Dr. Ylli Shtylla (Odesë), Dr. Skënder Sinoimeri (Leningrad), Dr. Pertef Kallfa (Bolonjë-Zagreb-Rumani), Dr. Taisa Uzllova-Karagjozi (Odesë); Prof. Nikolla Dushniku (Athinë); Dr. Shemshedin Kokona (B.S.); Dr. Orest Papadhimitri (B.S.); Doc. Hamza Memi (B.S.); Prof. Kadri Kërçiku (Grac Austri); Doc. Mihal Caridha, Dr. Sh. Shyqyri Basha (Romë); Doc. Xhelal Kurti (Budapest), Prof. Emeritus Dr. Arjan Xhumari (Pragë), Prof. As. Hysen Baboçi (Budapest) dhe Prof. Ylvi Vehbiu (B.S) etj.
Ja, pra kjo trupë pedagogjike ekselente ka përgatitur mjekët shqiptarë. Ndaj dhe janë aq të vlerësuar dhe të dëshiruar nga klinikat e botës! Kjo pasuri e “gllabëruar” nga Perëndimi, tashmë na është kthyer në dhimbje, debate dhe mërziti. As vetë nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se nga anon peshorja e këtij fenomeni. Mirëpo, me analizën dhe optikën e Profesor Xhelës qetësohesh dhe për një moment përjeton tjetër ndjesi. Shkëpusim një paragraf: “Ikën mjekët…”, – na thonë. Po! Lëvizin edhe mjekët. Si pjesë e kapitalit human që lëviz në të gjithë botën e kapitalit. Se asnjë nuk është “pronar” i mjekëve të rinj. Po shtetet demokratike i rregullojnë vetë prurje-daljet, lëvizjet e kapitalit; Edhe të atij human, pra të mjekëve. Kjo, nëpërmjet autonomisë që i japin universiteteve në përcaktimin e kuotave të pranimit në fakultete dhe rregullimeve ligjore të shërbimit të tyre në dalje. Por, le të jemi optimisë! Dhjetë vjet më pas, unë jam besëplot, që Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe sistemi ynë i “enëve komunikuese” hyrje-dalje të specialistëve të mjekësisë do të ketë prirjen e ekuilibrit”. Ta besojmë profesor Xhelën dhe të paqësojmë shpirtërat në këto kohë të vështira.
Ndersa jemi ne rreshtat e fundit të këtij shkrimi, shkojmë pak edhe te titulli…
“…Në pamundësi kohe dhe shëndeti, historinë e mjekësisë shqiptare po e shkruaj me majën e bisturisë. Të tjerë le ta shkruajnë me majën e pendës…”, – ka thënë dikur kirurgu i talentuar shqiptar me duar të arta, Dr. Frederik Shiroka. Ose, thënë ndryshe, dy herë “FALEMINDERIT!” Prof. dr. Xheladin Çekës. E para, për botimin e këtij libri të vyer dhe e dyta, që përmbushi një amanet!

Të fundit

Çfarë do të ndodhë me paratë serbe të sekuestruara në veri?

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar e Kosovës nuk ka ende vendim gjykate për të administruar...

Njihet si fruti i ‘majit’/Mos i hidhni gjethet e Manave! Këto janë disa nga dobitë e tyre

Lëngu i gjetheve të manit është një thesar shijesh dhe vlerash që përftohet nga gjethet e manave. Kjo pemë e rëndësishme rritet me bollëk në...

Zbardhen bisedat/ Si Leonard Duka iu ‘lut’ Ervis Martinajt për të mbyllur sherrin

Ervis Martinaj dhe Leonard Duka njihen për miqësinë dhe më pas armiqësinë e tyre të betuar, pasi përplasja për biznesin e lojërave të fatit...

Shqiptarja sulmohet sapo lë fëmijët në shkollë, flasin fqinjët: Kishte probleme me…

Një grua shqiptare është goditur me thikë ditën e sotme jashtë një shkolle fillore në Londër. Ngjarja ka ndodhur pasi shqiptarja ka lënë fëmijët...

Për Bubulinën, apo për heroinën?

Nga Çapajev Gjokutaj  Javën që kaloi, në një apo dy media “online”, më saktë në katakombet e tyre, d.m.th në pjesën e rezervuar për komente...

Lajme të tjera

Web TV