Ushqimet e barkut, malli “zh” i cilësisë që po na rrasin në gojë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

A do t’ia fusësh tjetrit sa krahu e të bësh para për vete sa të mos ketë qese plastike të t’i nxërë: shiti mallin e cilësisë “zh” për cilësi “a” dhe vendosi çmimin e kripur sa më s’ka. Ai tjetri, – që ne rastin konkret jemi unë e ti, pra konsumatorë nga halli, – do e blejë me qejf e do të thotë nja 10 herë “rrofsh se na shpëtove”.

Për çfarë shpëtimi është fjala?

Se do ta hajë gjithë qejf sapunin për djathë, pasi e ka paguar sa frëngu pulën…?

“Çmim i lartë, mall i mirë”. Këtë sentencë ikonike e kanë kuptuar të gjithë tashmë dhe nuk ngurojnë që në katrahurën e ngritjes së çmimeve, një mall kërkundi t’i vënë një çmim stratosferë. Shqiptari po është mësuar me frazeologjinë: Malli i mirë është i shtrenjtë… por e di se çfarë ha.

Që e ha… kjo s’diskutohet!

Po sikur ta kthejmë përmbys e të themi: Mirë, kur i miri që është i shtrenjtë, po ai që nuk është i mirë, çfarë çmimi ka? A është vërtet më i lirë?

Aspak. Sepse dhe ai konkurron denjësisht me një performancë të shkëlqyer në aparencë. Këtë e kanë kuptuar jo vetëm tregtarët që janë “nona” e kësaj praktike, por edhe fshatarët që shesin nëpër cepa e trotuare, e që ia kanë marrë mirë dorën hileve. Policia Bashkiake nuk i lejon tregjet e palicensuara, por në fakt prodhimet artizanale, – pa datë skadence e që nuk duket në çfarë rifuxhoje janë prodhuar, – arrijnë të gjejnë treg. Dhe i gjen aty, buzë rrugës, – me pluhur çimentoje nga ndërtimet e gazra makine, – qumësht, gjalpë e djathë stalle, por edhe vezë nga qymezi.

Po çfarë ndodh?

Një emision investigativ, i transmetuar në një televizion kombëtar, – por që e gjen pa vështirësi dhe në youtube, – na zgjon nga dremitja për të na thënë se sa na i fusin me një produkt si djathi ku hilet bëhen varda: qumësht pluhur, niseshte dhe vaj palme. Këto janë përbërësit. Prodhuesit fusin në produkte dhe elementë të tjerë kimikë, për të shtuar vëllimin apo masën, gjë që e vë në dyshim cilësinë ushqimore. Kjo ndodh me produktet blegtorale, por nuk duhet harruar se përbërës problematikë ka mielli, e domosdo dhe buka, asortimenti i pandryshueshëm i tavolinave tona.

Asnjë gjë e hajrit.

Ne, si konsumatorë të thjeshtë e pa shumë pretendime vijmë vërdallë tregut e bëjmë sikur marrim vesh, e përsëri biem në grackë: e blejmë mallin surrogato sa ia do qejfi të zotit të dyqanit.

Mirëpo po t’i vësh mend emisionit ku flasin specialistët e fushës, ata të kujtojnë se gjithçka duhet të ketë një etiketë ku të jenë të afishuar përbërësit. Dhe Ti, si konsumator i interesuar, duhet të jesh i informuar një për një.

Po ku është etiketa???

-Hë mo sa i vini re këto vogëlsira!

Shpeshherë ne nuk na pëlqen as malli i markatës së certifikuar, edhe pse shumë nga malli i markatave të certifikuara janë të pacertifikuara. Se jemi në Shqipëri. Vend i botës së tretë. Aspirojmë për në BE por nuk përmbushim asnjë standard. Ndaj kur bëhemi për te mjeku, kujtohemi se kemi konsumuar pa kriter mall të cilësisë “zh” dhe kjo na ka dhënë probleme shëndetësore: tension po e po, yndyrna të larta e diabet, dhe jo rrallë edhe sëmundje më problematike se kaq.

Lexo edhe :  Pse është kaq toksike dhe cinike politika jonë?!

Mjekët të bëjnë me dije se sëmundjet kronike janë rritur për shkak të kequshqyerjes. Ndërkohë që edhe sëmundjet kancerogjene sa vijnë dhe shtohen.

O Zot mbaj dorën!

Sepse kemi dëshirë të konsumojmë ca djathë të bërë vetë, ca qumësht të sapomjelë e vezë të nxjerra nga pula që ha gurë dhe jo koncentrat me pak grurë.

Por ndeshemi me fshatarë që bidonët plastikë i mbushin me qumësht, që ca i gjejnë rrugëve e ca i nxjerrin nga kazanët e mbeturinave.

Sërish ngrihet pyetja: “Ku gjendet Shqipëria në raport me vendet e BE-së?”. “Sa të sigurt janë konsumatorët shqiptarë?”

Megjithëse ka një vendim të Këshillit të Ministrave të mbështetur mbi nenin 100 të Kushtetutës, për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, sërish këto rregulla nuk respektohen dukshëm. Mirëpo, mungesa e etiketës përbën shkelje ligjore. Dhe shkelësit duhen dënuar.

Jo, në fakt. Ata vazhdojnë të shesin mallin me cilësinë “zh”. Të gjitha pasojat bien në kurrizin e konsumatorëve.

Si mund të shpëtojmë nga kjo grackë?

Duhet të ketë një vendim personal, që ka të bëjë me kokën e gjithsecilit: Çfarë malli duhet blerë e konsumuar. Në të kundërt duhet abandonuar.

Po ku pyesin banorët e metropolit. Në kushte mbijetese hanë gjithçka, edhe bajga lope të paketuara, po të doni.

Pensionistët të thonë se e dinë se çfarë ushqimesh ju duhet, po me mundësitë e tyre të pakta janë të detyruar t’i drejtohen tezgës së pacertifikuar ku mund të gjejnë ca gjëra që të mbushin zorrën. Dhe kaq, se paratë e tjera u duhen për të marrë medikamentet që trajtojnë problemet që japin zorrët.

A mund të themi se jemi gati që tanimë të realizojmë atë që kemi në dorë, t’i braktisim ushqimet pa cilësi dhe të konsumojmë ato që kanë cilësinë e duhur?

Veç po të mbetesh pa ngrënë?!

Dhe ky është një akt pesimizmi. Por dilet në këtë përfundim nisur prej situatës.

Në kushte aktuale ne asnjëherë nuk kemi për ta marrë vesh se cili mall tregu është me parametrat e duhura. Dhe këtu na duhet ndihma e shtetit, i cili të ushtrojë presion, që pazari ushqimor të mos vazhdojë të jetë si “Pazari i Roskovecit”, një herë e një kohë.

Dhe nëse do vazhdojë që malli “zh” për nga cilësia do të dominojë tregun, ne të gjithë do të jemi pacientë, – herë ambulatorë e herë spitalorë, – shumë më shpejt nga parashikimet.

Të fundit

Ngjitja e shkallëve do t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë, sipas një studimi

Përfitimet e ecjes për shëndetin tonë psikologjik dhe fizik janë të shumta dhe të gjithë e dimë se sa...

Zvicra fiton konkursin e këngës në Eurovizion pas finales së madhe të diskutueshme

Nemo ka fituar konkursin e 68-të të këngës me The Code, pas një konkursi të ashpër të lënë në hije nga protestat për përfshirjen...

Jo, Donald Trump, ekonomia e Bidenit nuk është si ajo e Gjermanisë së Weimarit

Nga Peter Coy Në një tubim të 1 majit në Waukesha, Wis., Donald Trump tha se kur ishte president "ne nuk kishim inflacion" dhe se...

Epika trimërore e Zhulatit dhe prijësi Mersin Gjoçaj

Nga Çerçiz Loloçi Libri i Fitim Çaushit kushtuar epikës heroike të Zhulatit në Gjirokastër është një kontribut i ndjeshëm në vargun e botimeve të tjera...

BE tregon vijën e kuqe: Mos e prekni Drejtësinë

Rezoluta e Partisë Socialiste për një komision të posaçëm anti-korrupsion, shihet me dyshim nga BE e cila edhe pse pranon çdo nismë për fuqizimin...

Lajme të tjera

Web TV