Nga Fernada Cenko
Nëse Sali Berishës muaj më parë do i kërkohej që të shprehte një dëshirë, mund të kërkonte heqjen “non grata” nga SHBA, më pas largimin e Ramës, e së treti marrjen e pushtetit. Të gjitha një utopi, por situata duket disi në favor të tij, pas daljes në publik prej gati dy javësh të çështjes “Rama-McGonigal”. Ish-kryeagjenti i FBI-së Charls McGonigal u arrestua dhe po procedohet në Amerikë për akuzën e lidhjes me oligarkë rusë dhe një aferë të mundëshme korruptive. Në çështjen që i përket Shqipërisë thuhet se McGonigal kreu të paktën katër takime me kryeministrin Edi Rama dhe në takimin e parë në vitin 2017 dyshohet se ka marrë dokumenta që i janë servirur nga zyra e kryeministrit mbi një aferë të mundëshme të Partisë Demokratike që për të lobuar në SHBA mund të kishte përdorur kanale ruse të financimit. Fill pas ikjes nga Shqipëria McGonigal merr 225 mijë dollarë cash nga Agron Neza, ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Po ashtu pas daljes në pension McGonigal nis një biznes të dyshimtë në Shqipëri, shpallet qytetar nderi në Tropojë dhe numëron shumë takime me zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshi edhe kreun e qeverisë. Rama nuk i ka mohuar takimet me McGonigal, por shprehet se problemet e ish-drejtuesit të lartë të FBI-së me drejtësinë amerikane nuk kanë asnjë lidhje me të apo kabinetin qeveritar. Këtë situatë Berisha po e përdor duke thirrur protesta në Tiranë, sa në sheshin para kryeministrisë ashtu edhe përballë Parlamentit. Jemi në një situatë që të gjithë e komentojnë Amerikën. Të gjithë flasin për drejtësinë atje, të gjithë thonë që e ardhurojnë shtetin e madh dhe të gjithë hiqen sikur e duan demokracinë që funksionon, por kur vjen këtu tek ne, e shqyejnë deri në përçudnim. Paradoksalisht ata që bërtasin më shumë se e duan Amerikën dhe vlerat e saj janë maja e politikës në vend, pikërisht këta drejtues dhe ish-drejtues që janë prehistorikët e pandreqshëm në mënyrën e të bërit politikë në ditët e sotme. Berisha duket sikur ka marrë hov, madje edhe shpallejn e tij “non grata” nga Amerika e lidh me lobimin e errët të Ramës me McGonigal, apo përfaqësues të lobit Soros. Kreu de facto i PD-së Sali Berisha ka shpallur atë që e quan “revolucion demokratik paqësor” kundër Ramës dhe nga ana tjetër një sy e mban tek zgjedhjet më ta afërta siç janë ato lokale që do të mbahen më 14 maj. Jo rastësisht protestën e radhës kundër Ramës e ka zgjedhur më 3 mars, pikërisht në ditën kur Gjykata e Apelit do të shprehet se kujt do i takojë zyrtarisht PD-ja, Berishës apo Alibeajt, ky i fundit i “autorizuar” si kryetar nga Lulzim Basha. Ish-kryeministri tenton betëjë në tre fronte: së pari kundër Ramës, e dyta që të marrë zyrtarisht partinë dhe e treta që të faktorizohet si kreu i opozitës, duke shpresuar se me situatën më të fundit Rama të dëmtohet sa më shumë politikisht, sidomos nën sytë e SHBA-ve. Ndryshe nga herët e tjera Rama po tenton që të sulmojë, por duke u mbrojtur… Ai ka zgjedhur rrugën e “injorimit” të opozitës, duke shpresuar të marrë lajme të mira nga drejtësia amerikane që emri i tij në lidhje me çështjen McGonigal të pastrohet sa më shumë. Në fakt, të gjithë janë të pasigurtë për atë që do të ndodhë, edhe pse politika jonë që kontrollon gjithçka në këtë vend të vogël është fort provinciale në skakierën ndërkombëtare, e aq me pak në Amerikë. Politikisht përfaqësues të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit apo ambasada këtu nuk kanë reguar për çështjen më të fundit Rama-McGonigal. Duket se “përfaqësimin” më të mirë kërkojnë ta bëjnë me drejtësinë e re, aty ku kanë investuar shumë, por ende nuk po marrin një shenjë pozitive që ajo të funksionojë tërësisht e pavarur dhe për më tepër të vendosë para drejtësisë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të vendit tonë. Mbi situatën politikë në vend dhe çështjen “Rama-McGonigal” komentojnë për gazetën “Fjala” analistët: Lorenc Vangjeli; Leonard Karaj, Plator Nesturi dhe Erald Shulla.