“Unë ia dhashë Vasil Laçit revolverin”, dëshmia e rrallë nga SHBA

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rrëfimi i Genc Koka, i biri i kolonelit Sami Koka, ish – zv / Shefit të Shtatmadhorisë së Mbretit Zog, në familjen e të cilit, Vasili, punonte si shërbyes. Dokumenti / Artikulli i gazetës “Fashizmi”, 25 qershor 1939: “Vasil Laçi, një shërbëtor që vodhi të zotin dhe këtë marifet e kishte të përsëritur”!

Nga DASHNOR KALOÇI

Plot 82-vjet më parë, më 17 maj të vitit 1941, teksa Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli i III-të, (që gjithashtu ishte pagëzuar edhe si Mbret i Shqipërisë pas dorzimit të Kurorës së Skënderbeut më 12 prill të 1939-ës), kishte mbaruar vizitën e tij shtatë-ditore në Shqipëri dhe po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në “Rrugën e Durrësit”, u qëllua disa herë me revolver në drejtim të tij nga një djalosh 19-vjeçar, i quajtur Vasil Laçi. Mbreti i Italisë e Shqipërisë, dhe njëkohësisht edhe Perandor i Etiopisë, Viktor i Emanueli i III-të, shpëtoi pa u vrarë, vetëm në saj të agjentëve të policisë së fshehtë italiane, që atë ditë ndodheshin në gatishmëri të lartë dhe ia kapën menjëherë revolverin, djaloshit me origjinë nga fshati Piqeras i Sarandës.

Po kush ishte Vasil Laçi, ku kishte punuar ai para se të kryente atentatin dhe cilat ishin motivet që e shtynë atë të qëllonte ndaj Mbretit të Italisë Viktor Emanueli i III-të? Lidhur me këtë ngjarje nga më të bujshmet të historisë së Shqipërisë, të cilën veç të tjerash, regjimi komunist e përjetësoi edhe në një film të prodhuar nga Radio-Televizioni Shqiptar (në vitin 1980-të me dy seri), me titull “Plumba Perandorit” (të aktorit dhe regjizorit të njohur Mevlan Shanaj), flet dhe dëshmon 90-vjeçari Genc Koka, nga Florida të SHBA-ës, njeriu që ia dha revolverin e atentatit Vasil Laçit, i cili hedh dritë edhe mbi manipulimet që i’u bënë asaj ngjarje, për afro gjysëm shekulli me rradhë nga propaganda dhe historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës e pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Krahas kësaj interviste të marrë disa vite më parë, po publikojmë edhe një faksimile të gazetës “Fashizmi” të datës 25 qershor 1939, ku Vasil Laçi, paraqitet si një shërbëtor që kishte vjedhur të zotin e tij, madje atë “maryfet”, ai e kishte të përsëritur!

Zoti Koka, kur e keni njohur për herë të parë Vasil Laçin?

Me Vasilin jam njohur për herë të parë aty nga muaji maj i vitit 1939, kur ai erdhi për herë të parë në shtëpinë tonë. Në atë kohë, familja jonë banonte në një shtëpi dy katëshe dhe me oborr, e cila ndodhet dhe sot por e rrënuar, diku në fund të “Rrugës së Kavajës”, fare pranë murit rrethues të ish – Muzeut të Shkencave të Natyrës. Ajo shtëpi ishte e Qeramudin Sulos dhe ne banonim aty si qeraxhij që nga viti 1937, kur babai ynë, kolonel Sami Koka ishte zv/Shef i Shtabit të Shtatmadhorisë dhe Komandandt i Kufirit të Mbretërisë së Zogut. Fare pranë shtëpisë sonë banonin edhe disa familje të tjera, si ajo e Minush Shalës, Ollga Plumbit, Bardhyl Pogonit, etj.

Përse erdhi Vasili tek ju?

Vasili erdhi tek ne për të punuar si shërbyes, pas një rekomandimi që i kishte dhënë miku i ngushtë i babait, Dr. Mokini, i cili e kishte shtëpinë tek “Rruga e Kavajës”, përball godinës së ish-Institutit të Folklorit, ku dikur ka qenë edhe Radio-Tirana. Midis të tjerash, Dr. Mokini, ishte shumë i njohur, pasi ishte i vetmi në Tiranë që kishte një majmun në shtëpi. Në rekomandimin që doktori i kishte dhënë Vasilit, për babanë tonë, fliste fjalët më të mira për atë djalë, me origjinë nga Piqerasi i Sarandës.

Ju, e mbani mënd ardhjen e Vasilit në shtëpinë tuaj?

E mbaj mënd shumë mirë dhe e kujtoj si tani atë moment, kur ai trokiti në derën tonë. Vasili kishte një fytyrë fisnike dhe në dorë mbante një valixhe të vjetër. Ai i tregoi nënës sonë, letrën që i kishte dhënë Dr. Mokini dhe ndërsa ajo nuk e kishte lexuar ende atë, unë me vëllanë e madh, motrën dhe gjyshen tonë, iu lutëm nënës, që ta pranonte menjëherë brenda atë djalë të panjohur, fytyra e të cilit rrezatonte shumë mirësi. Jo më shumë prej lutjeve tona, sa sa rekomandimit të Doktor Mokinit, nëna e futi menjëherë brenda Vasilin, duke i treguar edhe dhomën ku do flinte, si dhe punët që do të bënte në shtëpinë tonë. Që nga ajo ditë, Vasili u bë si djali i shtëpisë dhe me punën e sjelljen e tij, ai fitoi një besim apsolut tek prindërit tanë, të cilët i dorzuan atij të gjitha çelsat e shtëpisë, duke i besuar deri edhe disa xhevahire me gur të çmuar të nënës sonë. Madje kjo gjë, shkaktoi në një farë mënyrë edhe xhelozinë e njërit prej shërbyesëve të tjerë të shtëpisë sonë, Aliut, i cili deri në atë kohë, ishte më i besuari?

Pse kur erdhi Vasili tek ju, kishit dhe shërbyesë të tjerë në shtëpi?

Para se të vinte Vasili, në shtëpinë tonë ishin dhe dy shërbyes të tjerë: Tahir Tola, që punonte si kuzhinier për ushtarakët dhe Aliu, me origjinë nga Korça, që s’ia mbaj mënd mbiemërin, i cili ishte dhe njeriu kryesor për punët e shtëpisë. Nuk e di a jetojnë akoma këta njerëz, por Tahir Tola, ka qenë deri vonë, kryekuzhineir në Hotel Turizmin e qytetit të Lezhës. Përveç këtyre, në shtëpinë tonë, jetonte edhe ordinanca e babait, Thimi, me origjinë nga Vlora, i cili pas mbarimit të Luftës, pra pas viteve ’45, u bë major i Sigurimit të Shtetit dhe punoi shumë kohë në Elbasan.

A mbani mënd ndonjë bisedë të babait tuaj me Vasilin?

Pak ditë pas ardhjes së Vasilit në shtëpinë tonë, autoritetet italiane, e internuan babanë në ishullin e Sardenjës në Itali (qyteti Sasari), duke e akuzuar si antifashist. Por sipas ligjeve të italianëve, babai ishte atje me uniformën e kolonelit dhe pa iu hequr benefitcet e gradës, si ordinaca, shërbyesit në shtëpi etj. Gjatë atij viti që Vasili qëndroi në shtëpinë tonë, babai erdhi dy-tre herë me leje dhe ato ditë aty i vinin për ta takuar disa nga miqtë e tij, ish-ministra dhe ushtarakë të lartë të Mbretërisë së Zogut. Kur Vasili hynte në dhomën e tyre për t’u shërbyer me kafe e raki, ata e pushonin bisedën, pasi bënin diskutime politike, kundra Italisë fashiste dhe në favor të Zogut. Por menjëherë, babai u thoshte miqëve të tij: “Mos e ndërprisni bisedën, se ky djalë është si ne, ka bindje të thella zogiste dhe dëshiron kthimin e Mbretërisë së Zogut”.

Ishte e vërtetë ajo që u thoshte babai juaj, se Vasili ishte me bindje zogiste?

Ishte më se e vërtetë. Më kujtohet si tani se, në shtëpinë tonë, atëhere ne mmbanim të varura në mur me kornizë, tre fotografi të mëdha: Ismail Qemalin, Skënderbeun dhe Mbretin Ahmet Zogu. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, mbi foton e Zogut, ne vumë atë të Perandorit Oktavjan August dhe për këtë gjë, nga të gjithë shërbyesit, kishte dijeni vetëm Vasili. Sa herë që ai pastronte atë dhomë ku ishin fotot, e hiqte atë të Augustit dhe duke pastruar atë të Zogut, i thoshte nënës sonë: “Kur do vij ajo ditë që ta heqim qafe këtë (tregonte me gisht Perandorin August) dhe të kthejmë Mbretin tonë, Zog”. Nëna qëndronte serioze dhe i thoshte: “Ah mor bir, ato janë punë të zotit, vetëm ai i di”. Nëna jonë, nuk ia miratonte dëshirat e tij për Mbretin Zog, pasi për atë gjë në atë kohë, të fusnin në burg dhe ajo donte ta ruante Vasilin, të cilin siç ju tahsë, ishte si djali i shtëpisë.

Jashtë shtëpisë tuaj, me kë takohej Vasili, kush ishin miqtë e tij?

Nuk di të them gjë për këtë, por di ata që vinin në shtëpinë tonë, si: Emil Plumbi, Qeramudin Sulo, Hasan Fejzo, Bardhyl Pogoni, e ndonjë tjetër. Këta në atë kohë ishin nga 17-18 vjeçarë dhe vinin në shtëpinë tonë, sepse ishin shokët e ngushtë të e vëllait tim, Pëllumbit. Ndonëse Vasili ishte tre-katër vjet më i madh se ata, kishte qejf të bënte biseda politike dhe gjithçka flistej aty, ishte kundër Italisë dhe fashizmit. Në murin e njërës prej dhomave të shtëpisë sonë, qëndronte e varur një hartë e madhe (botim i shoqërisë gjeografike “De Agostini”), të cilin babai e kishte pasur prej kohësh, për punët ushtarake. Para asaj harte, Vasili qëndronte për minuta të tëra, duke thënë: “Po çfarë duan italianët këty, kjo është toka jonë. Ja ku është fshati im. Si iu mbytën anijet Pirros së Epirit, kur vajti në Romë dhe nuk iu mbytën gjeneral Guxonit, kur erdhi këtu”?!

Kur Vasili bëri atentatin ndaj Mbretit Viktor Emanueli, tek ju ishte?

Ato ditë që ndodhi ajo ngjarje, Vasili nuk ishte në shtëpinë tonë, pasi ai kërkoi vetë të ikte nga shtëpia jonë edhe pse nëna, nuk donte që ai të largohej nga ne. Kjo gjë ndodhi rreth 15 ditë, përara se ai të bënte atentatin ndaj Mbretit Viktor Emanueli i III-të. Në atë kohë që u dha lajmi se, Mbreti Viktor Emanueli, do vizitonte Shqipërinë, Vasili shkoi dhe bisedoi me pronarin e hotelit “Internacional”, zotin Çano, i cili e pranoi atë në punë pa asnjë lloj rekomandimi. Ajo gjë u bë, pas një telefonate të nënës sonë, e cila i tha atij se Vasili ishte xhevahir djalë. Edhe pasi filloi punë aty, Vasili vinte përsëri në shtëpinë tonë dhe tre katër ditë para ngjarjes, teksa ishim duke qëndruar në oborrin e shtëpisë, ai i kërkoi vëllait tim, Pëllumbit, që t’i jepte një revolver. Ne në atë kohë, kishim disa armë të llojeve të ndryshme, të cilat ishin në gjëndje pune dhe gjithashtu kishim edhe një koleksion të vjetër armësh, si ajo e Tafil Buzit, shpata e Marko Boçarit, e gjyshit tonë, etj. Pëllumbi, i tha Vasilit të zgjidhte këtë të donte nga ato armë, pasi ai i kalonte çdo ditë në duar ato, duke i fshirë nga pluhrat. Vasili kërkoi “Beretën” që ishte e vogël dhe unë, u ngjita sipër e ia solla, ashtu siç më tha vëllai im.

Lexo edhe :  U kthye në makth për pasagjerët, 50-vjeçarja e dehur shkakton kaos brenda avionit

Si e mësuat atentatin që kishte bërë Vasili?

Atentatin ne e mësuam kur në shtëpinë tonë erdhën karabineria me një grup agjentësh të SIMI-t, të cilët kërkonin babanë tonë, Sami Kpokën. Ata bënë një kontroll të përciptë dhe pyetën për Vasil Laçin, duke kujtuar se atë e kishte shtyrë babai. Për fat, babai Samiu, ndodhej i internuar në Sardenjë të Italisë dhe nëna që u trondit shumë, mori menjëherë në telefon, ministrin Fejzi Alizoti, duke i thënë për gjëndjen ku ndodheshim. Fejziu, i cili kishte për grua, motrën e babait tonë, ndërhyri deri tek Jakomoni dhe ne nuk patëm probleme, e gjithçka u mbyll me aq.

Cili ishte versioni zyrtar që u dha asokohe për atentatin?

Propaganda zyrtare, u mundua që të mos e paraqiste atë atentat për motive politike dhe hapi fjalë, sikur Vasil Laçi, kishte qëlluar mbi Kryeministrin Shefqet Vërlaci për arsye të një hasmërie familjare. Ky ishte versioni zyrtar që u dha nga propaganda zyrtare e qeverisë dhe ajo Partisë Fashiste, por në të vërtetë, Vasili qëlloi mbi Mbretin e Italisë, Viktor Emanuelin, vetëm pse ai i urrente ata dhe donte kthimin e Mbretit Zog.

Gjatë kohës që Vasili u mbajt në qeli, familja juaj, pati kontakte me të?

Ne nuk mund të shkonim për ta takuar Vasilin, pasi kompromentonim rëndë babanë tonë, por pa na pyetur ne, Vasilin, shkuan për ta takuar në qeli, dy shërbyesit, Thimi me Aliun. Italianët i lejuan që të shkonin në takim me të, duke menduar se do zbulonin ndonjë grup të organizuar dhe i arrestuan menjeherë ata, duke i lidhur kokë e këmbë me zinxhirë. Një karabinier shqiptar, erdhi dhe i tregoi nënës sonë, e cila tepër e shqetësuar, shkoi menjeherë tek Fejzi Alizoti, pasi kjo gjë e implikonte shumë babanë. Edhe Fejziu u shqetësua shumë dhe bashkë me Tefik Mborjen, (Kryetarin e Partisë Fashiste Shqiptare), shkuan tek Francesko Jakomoni, që siç dihet, ishte Mëkëmbësi i Mbretit në Shqipëri. Faktikisht pas atij atentati, italianët donin të bënin masakra në masë (siç kishin bërë në Afrikë, ku Graciani, kishte djegur fshatra të tërë më benzinë), por pas ndërhyrjes edhe të kryeministrit Shefqet Vërlaci, deri tek Duçja, ajo gjë u mbyll dhe asgjë nuk ndodhi. Por në mbylljen e atij problemi, ndikoi drejt për drejt edhe vetë Vasil Laçi, i cili kur ia çuan dy shërbyesit tanë në takim, tha se nuk i njihte fare. Edhe Thimi e kuptoi lojën dhe tha se ata kërkonin një Vasil tjetër në takim. Pas kësaj, italianët iu futën atyre një të rrahur të mirë dhe pastaj i liruan. Italianët u mjaftuan vetëm me ekzekutimin e Vasilit, (më 27 maj maj 1941, duke e varur në litar), atij djali vigan, që më ka mbetur në kujtesë për trimërinë që tregoi. Dy javë pas ekzekutimit të Vasilit, në shtëpinë tonë, u mbajt zi në fshehtësi të madhe dhe nuk u ndez fare radio.

Pas asaj që ndodhi a keni pasur kontakte me familjen e Vasil Laçit?

Jo nuk kemi pasur. Gjatë Luftës ishte e vështirë për rrethana që dihen, por edhe pas Luftës ajo, nuk mund të ndodhte, pasi familja jonë u shpall “reaksionare dhe armiq të popullit”. Vëllai i madh, Pëllumbi, iku në 1945 në Itali e më pas në SHBA-ës dhe nuk u kthye më, ndërsa babai me motrën time, u dënuan me vite të gjata burgu.

Kush është Genc Koka?

Genc Koka, u lind në qytetin italin të Torinos në vititn 1930, pasi babai i tij, kolonel Sami Koka, një ushtarak i lartë i Monarkisë së Zogut, ndiqte studimet në Institutin e Lartë të Luftës. Genci, ishte fëmija i tretë i familjes Koka dhe ai kishte dhe një vëlla e një motër më të mëdhe se vetja, Pëllumbin dhe Ritën. Që në tetorin e vitit 1944, kur akoma nuk kishte mbaruar Lufta, babai i tyre, kolonel Sami Koka, u arrestua nga komunistët dhe pasi u mbajt disa kohë në hetuesi, në marsin e 1945-ës u dënua me 30 vjet burg, nga Gjyqi Special. Genci i kaloi fëmijërinë në Tiranë, ku ndër miqtë më të ngushtë të tij, ishin: Robert Zhvarc, Amik Kasaruho, Emil Totozani, Vasil Melo, Milto Dado etj., me të cilët edhe u arrestua në vitin 1946, duke u akuzuar për: “shpërndarje traktesh me përmbajtje armiqësore kundra pushtetit popullor”. Pasi mbaroi shkollën Teknike (7 Nëntori) në degën Elektrike, Gencin e dërguan në Bulqizë, ku punoi për shumë vjet, si teknik gjeometër. Pasi arriti të mbaronte natën dhe me shumë peripeci, shkollën e lartë për Kimi-Industriale, (si i deklasuar diplomën ia dhanë vetëm në vitin 1979) atë e emëruan si inxhinier, në Fabrikën e Tullave në Vorë. Në tetorin e vitit 1990, me garancinë e të vëllait, Pëllumbit, nga SHBA-ës (asokohe punonjës në bazën Atomike të Paqsorit, i dekoruar nga Presidenti Regan me flamurin e Kapitolit për merita ndaj SHBA-ës) Genci, së bashku me bashkëshorten, Bora Rexh Meta dhe fëmijët, shkuan në Itali e më pas në SHBA-ës, ku dhe jetojnë aktualisht.

Çfarë u shkrua në librin “Yje të pashuar” për djaloshin nga Piqerasi dhe si e paraqiti historiografia komuniste, atentatin e Vasilit?!

Edhe pse propaganda dhe historiografia zyrtare e regjimit komunist e para viteve ’90-të, nuk u kursye asnjëherë për të manipuluar shumë nga ngjarjet e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ato pas saj, për çudi, atentatin e djaloshit Vasil Laçi, ndaj Mbretit të Italisë Viktor Emanueli i III-të, për të cilin ka folur personalisht Enver Hoxha, ajo nuk e përvetësoi dhe nuk e paraqiti si vepër të grupeve komuniste, edhe pse në atë kohë ende nuk ishte formuar Partia Komuniste Shqiptare. Po kështu, edhe filmi i Radio-Televizionit Shqiptar, (prodhuar në vitin 1980 me regji të aktorit dhe regjizorit të njohur, Mevlan Shanaj), është një nga filmat më pak të ideologjizuar nga propaganda komuniste e kohës, për të mos thanë aspak i tillë! Ndërsa në një nga vëllimet e serisë së librit ‘Yje të Pashuar’, për këtë ngjarje, midis të tjerash thuhet: “E bëra vetë, për Shqipërinë / Rroftë Shqipëria e Lirë / Poshtë fashizmi”!…Atentati i djaloshit shqiptar, që qëlloi Viktor Emanuelin e Tretë në rrugën e Durrësit, – ka thënë shoku Enver Hoxha, – ishte fillimi i një kryengritje të madhe që po përgatitej. Hallall i qoftë qumshti! Shqipërisë, tani i duhen kurbanë!-tha nëna e Vasil Laçit, ditën që mësoi për vdekjen e djalit të sajë. Vasil Laçi lindi në vitin 1923 në Piqeras të Sarandës. Si mbaroi shkollën fillore, e la fshatin dhe shkoi në Tiranë. Donte të vazhdonte shkollën. Po kjo mbeti vetëm një ëndërr për të. Akoma i mitur, i hyri luftës së jetës. Punoi herë shërbëtor e herë argat, gjithnjë nevojtar e i varfër. Në fund shërbeu në një hotel. Vasili ishte mjaft guximtar dhe për këtë kishte dhënë prova. Një herë tregojnë se ai rrahu në oborrin e hotelit, dy milicë, bile njërit prej tyre ia hodhi revolen në pus. Një natë, kishte fjetur në hotel një njeri, që Vasili e njihte si komunist. Dhe kur shoku i tij i kishte thënë Vasil Laçit se, ai i kishte kërkuar sapunin për t’u larë, Vasili e kishte porositur: “Jo sapunin, po edhe shpirtin po të ta kërkojë ai, t’ia japësh”. Ditën që do largohej Perandori nga Shqipëria, Vasili, ishte zgjuar që me natë dhe i kishte thënë një shoku të tij: “Sot e kam rradhën unë ta përcjell Perandorin”. Kishte përqafuar shokun fort dhe kishte dalë nga hoteli. Kudo vërtiteshin spiunë, milicë, karabinierë. Pritej nga çasti në çast, të kalonte Perandori. “Fillloi kortezhi i veturave. Sovrani, në një veturë të hapur, kalonte përmes batalioneve të Këmbsorisë, të Kalorsisë, të formacioneve fashiste, të ndarë më tresh kolonë, në të dy anët e rrugëve, ndërsa sipër, fluturonin skuadriljet e aeroplanëve…” – kështu shkruante një gazetë e kohës. Në këtë atmosferë pasigurie e frike, rrethuar kudo me helmeta dhe armë, i riu patriot Vasil Laçi, hyri në mes të turmës dhe priti rastin e volitëshëm. Ai ngriti dorën e lidhur me fasho, mbi helmetat dhe grykët e armëve fashiste dhe qëlloi pesë herë në drejtim të perandorit…! Populli shqiptar, me dorën e njërit prej bijëve të tij, e përcolli me plumb Perandorin Viktor Emanulelin e Tretë”.

“Vasil Laçi, një shërbëtor hajdut që vodhi të zotin”!
– Artikulli i gazetës “Fashizmi”, 25 qershor 1939 –

Ndryshe nga sa e ka paraqitur propaganda dhe historiografia zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës së para viteve ’90-të, Vasil Laçin (“Hero i Popullit”), duket se ai personazh, madje nga më të njohurit e periudhës së Luftës në Shqipëri, (1939-1944), ka pasur edhe “anën tjetër të medaljes”. Këtë gjë e ka bërë të ditur gazetari, studjuesi dhe historiani i njohur Kastriot Dervishi, ish-kreu i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cli në një shkrim të tij të para disa kohëve, ka publikuar edhe një faksimile të gazetës “Fashizmi”, të datës 25 qershor të vitit 1939, ku Vasil Laçi, tregohet si një shërbëtor, që kishte vjedhur të zotin e tij, madje atë marifet, e kishte të përsëritur. Po kështu, sipas dokumenteve arkivore të cituara nga historiani Kastriot Dervishi, në fjalën e tij të fundit para ekzekutimit, djaloshi Vasil Laçi, nuk ka kërkuar një krehër, por ka kërkuar të pushkatohej dhe jo të varej në litar! Ndërsa në shkrimin në fjalë, thuhet:

“Një shërbëtor që vodhi të zotin”.

Gjendarmëria e qendrës së Kryeqytetit, mori në proces-verbal, të quajtunin Vasil Laçin nga Piqerasi i Porto Eddas, i cili, me emrin e rremë Misto Gjone, kishte hyrë shërbëtor te z. Irakli Noçka dhe i vodhi të zotit, një shumë të hollash. Nga hetimet u mësua se ky hajdut e ka përdorë disa herë këtë “myrafet”.

Të fundit

E rëndë/ Shembet një godinë banimi, të paktën 20 viktima dhe 32 të zhdukur

Njëzet persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një ndërtese banimi në ndërtim në qytetin George, në bregdetin...

‘Republika e prokurorëve’, një trillim i të korruptuarve

Nga Preç Zogaj  “Republika e prokurorëve” nuk ka ekzistuar e nuk mund të ekzistojë në një vend demokratik. Nuk e lejon arkitektura e ndërtimit të...

Meta uron Ditën Ndërkombëtare të Nënës: Të mbrojmë familjen dhe vlerat e saj më të çmuara

Përmes një postimi të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka ndarë me ndjekësit një video...

Revista gjermane: Zbuloni Shqipërinë, destinacionin evropian me plazhe magjepsëse

Vera është shumë afër, edhe pse temperaturat në vend po bëhen gjithnjë e më të nxehta, pushimet në Gjermani vështirë se mund të krahasohen...

“Luizit nuk do i flas kurrë”, Efi flet edhe për Oltën: Hoqa dorë nga një program prej saj

E shumëkomentuara Efi Dhedhes, e ftuar në një rubrikë të Beniada Nishanit dhe Argjira Spancës në “E diell”, zbuloi disa detaje, të pathëna më...

Lajme të tjera

Web TV