Disfata që Sali Berisha korri në zgjedhjet lokale të 14 majit, bashkëpunimi me Ilir Metën që sot është një ndër politikanët më të urryer në Shqipëri sipas sondazheve, dorëheqja e Enkelejd Alibeaj si kryetar i komanduar i Partisë Demokratik, apo mbështetja e fortë që ka në bazën demokratë dhe nga aleatët strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duket se i kanë hapur dritën jeshile Lulzim Bashës për t’u rikthyer në krye të PD.
E djathta shqiptare mori refuzimin më të rëndë elektoral të këtyre 33 viteve duke humbur të gjitha bashkitë e vendit përfshi këtu Tropojën, Kukësin, Lezhën, Kurbinin, etj, por mbi të gjitha ajo humbi zemrën e të djathtës dhe antikomunizmit Shkodrën, duke ia dorëzuar këtë nyje nevralgjike atyre që nuk e morën dot as për 45 vjet vrasje dhe persekutime.
Pavarësisht spërdredhjeve të mjeranëve dhe mercenarëve politikë dhe mediatikë që duan ta injorojnë këtë fakt, nëse deri dje aftësia e “Foltores” së udhëhequr nga Sali Berisha për të sjellë të djathtën në pushtet ishte çështje diskutimi apo opinioni, sot kjo katastrofë elektorale është prova më kokëfortë që vërteton se lëvizja anti-amerikane e kryefoltoristit të shpallur “Non Grata” ka zero besueshmëri dhe është një dështim total, ndaj nuk ka më asnjë shans ta sjellë Partinë Demokratike në pushtet.
Kështu që përballë kësaj spirale të rrezikshme që dyshja Meta-Berisha futi opozitën shqiptare, shpëtimi i vetëm i opozitës dhe PD-së sot ka vetëm një emër, ai është “Lulzim Basha”.
Të paktën kështu mendojnë analistët e njohur në vendin, reagime të së cilëve gazeta “SOT” po i pasqyron më poshtë zë për zë, ku nëse shihet me kujdes, ata në unison mendojnë se zoti Basha jovetëm që duhet të rikthehet në krye të Partisë Demokratike, por sipas tyre, ai mund të shpëtojë opozitën nga zhdukja.
Fillimisht ka qenë juristi i njohur, Kreshnik Spahiu, i cili hapi festivalin e reagimeve, teksa paralajmëroi rikthimin e Bashës në krye të PD gjatë një interviste për gazetën “SOT”.
Po ashtu, edhe analisti i njohur, Frrok Çupi ka treguar gjatë një interviste për gazetën “SOT” se Basha është i vetmi që mund të shpëtojë Partinë Demorkatike dhe se rikthimi i tij është më shumë se legjitim.
Ndërkohë edhe avokat Spartak Ngjela, deputeti i PD, Kreshnik Çollaku dhe analisti Andi Bushati kanë treguar se Lulzim Basha mund të marrë kryesimin e PD, duke dhënë edhe arsyet e kthimit të tij.
Kreshnik Spahiu:
Mendoj se Basha po përgatit rikthimin, sepse Basha po pret të sulmojë me të njëjtën armë që e sulmoi Berisha në 6 mars.
Po pret humbjen në 60 bashki të Berishës. Ai do rikthehet pas zgjedhjeve lokale si shpëtimtar i dy humbësve, Berisha dhe Alibeaj, të cilët vetëm luftë me PSD nuk kanë. Juridikisht s’e ka dhënë dorëheqjen, do kthehet defakto në krye të PD pas zgjedhjeve.
Në dijeni time, Basha për 2 javë shkon në SHBA ku është thirrur pikërisht pas procesit gjyqësor për vulën, që u ndoq edhe nga përfaqësues të SHBA.
Frrok Çupi:
PD duhet të pranojë kthimin e Lulzim Bashës në krye të saj deri në një moment të dytë kur të jenë pjekur situatat për të mbledhur institucionin.
Basha është ligjërisht në krye të PD por një pjesë e mirë e deputetëve dhe disa nga liderët kryesorë që të mund ta thërrasin, ta grishin, në kuptimin që të mund të krijojë situatë për një ide pro perëndimore në PD dhe për një dobi.
PD ka rastin që të bëhet e dobishme. Nëse do të ekzistojë ai grupin si parti legale, rruga më e drejtë me tërë defektet, mes njerëzve të gabuar, është Basha. Është njëri prej tyre por që ka një besim të konsoliduar prej Perëndimit,dhe ka kryer disa vepra politike që këta nuk i kanë kryer. Pra, kthimi i Lulzim Bashës në krye të PD është njësoj si kthimi në vendin që i takon.
Basha nuk kthehet për shkak të sentimentalizmit të disave, ose për shkak se e urrejnë disa. Jo. Lulzim Basha kthehet siç kthehet një gjë në legjitimitet. Basha është i vetmi autoritet institucional në PD, të gjithë të tjerët janë të komanduar prej tij.
Spartak Ngjela:
Nuk është problemi as te Alibeaj dhe as te tjetri. Problemi është se ky duhet të rigrupohet, kështu do fitojë zgjedhjet në 2025. Nëse largohet Berisha dhe rigrupohet PD-ja me vlerat që ka, kanë në perëndim gjithë ato vlera.
Ajo që ishte më e rëndë për Saliun është se abstenoi PD-ja. Partia Socialiste ka marrë vota aq sa ka pasur, këta nuk dolën. Unë ju thash që do ketë abstenim. Këtij i abstenon fryma e tij. Po këta që janë me Saliun dhe e panë që nuk kanë të ardhme, brenda 2-3 muajsh do kalojnë te PD zyrtare.
Andi Bushati:
Nëse Basha do të krijojë një rrymë të djathtë anti-berishiste mund të kthehet në PD. Basha nuk e ka humbur shansin politik. Nuk është një humbës, ndryshe nga çfarë thotë Berisha, është lider i vjedhur. Në 2021 Bashën e kanë masakruar, nuk ka humbur.
Basha u bë zar ambasadash, e merrnin në zyra, i thoshin firmos non grata, që janë gabime politike. Por në raport me Ramën, Berisha dhe Basha janë të barabartë, të dy i ka vjedhur dhe masakruar dhe si njeri i vjedhur ka gjithë të drejtën botës të rikthehet në politikë. Ishalla nuk thotë do rri në krye të PD se këtu më mban Taulant Balla. Tani i ka ardhur dita ta çajë politikën me këllqet e veta.
Kreshnik Çollaku:
Zoti Basha ka drejtuar me problematikat e veta por në mënyrë serioze Partinë Demokratike. Unë bëj pjesë te njerëzit që mendojnë se çdokush, pa asnjë lloj përjashtimi, ka të drejtën të bëhet pjesë e këtij momenti. Unë jam i çuditur pse nuk është angazhuar në mënyrë më publike në këtë fushatë zoti Basha.
Nuk e di se si e ka projektin e tij personal politik apo ambicien e tij, nëse e ka ta ballafaqojë me demokratët dhe nëse merr mbështetjen e tyre patjetër mund ta drejtojë PD-në. Çdokush tjetër që mund të marrë mbështetjen e demokratëve mund ta drejtojë PD-në.