Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka kushte si Qeveria, ashtu edhe popullata vendase. Zgjedhjet përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira qysh më 26 maj.
Për këtë situatë, Kosova ka fajësuar Serbinë, përkatësisht “strukturat kriminale” të organizuara prej vetë saj, ndërsa Serbia Kosovën. “Sundimi i ligjit është parakusht i zgjedhjeve të lira e demokratike, së bashku me fushatë zgjedhore të hapur dhe fer”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Grupet kriminale dhe ekstremiste duhet ose të arrestohen për sulmet e tyre, ose le të ikin në Serbi – prej nga edhe kanë ardhur jo pak prej tyre”, thotë ai. Kryeziu thotë, po ashtu, se në zgjedhjet e reja do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve edhe si votues, edhe si kandidatë.
Zgjedhjet e prillit janë bojkotuar nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë me justifikimin se kërkesat e tyre për më shumë autonomi, nuk janë përmbushur.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – është duke kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.
“Çështjet me prioritet që duhet të zgjidhen për të shtensionuar situatën në terren, e që janë edhe kërkesa të serbëve në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, janë: largimi i forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti nga ndërtesat komunale në veri; kryetarët e rrejshëm që nuk kanë legjitimitet dhe ligjshmëri, të mos vijnë në këto objekte, sepse nuk i kanë zgjedhur qytetarët, dhe të lirohen të arrestuarit padrejtësisht, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq”, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Listë Serbe, Igor Simiq.
Petroviq dhe Obrenoviq janë arrestuar më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ata akuzohen për veprat penale: “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”. Edhe Aleksandar Arsenijeviq, nga Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” në Kosovë, konsideron se tërheqja e forcave speciale të Kosovës është e nevojshme përpara mbajtjes së zgjedhjeve.
“Të tërhiqen forcat speciale nga veriu, t’i kthehen përgjegjësitë popullatës vendase, të fillojë formimi i Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe dhe, ngadalë dhe gradualisht, me formimin e Asociacionit, njerëzit të kthehen në institucione. Dhe, në fund, të mbahen zgjedhjet, në të cilat do të merrte pjesë Iniciativa qytetare ‘Mbijetesa Serbe’”, thotë Arsenijeviq për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, tash e dhjetë vjet, refuzon ta themelojë Asociacionin me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Pas trysnisë së vendeve ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur vizionin e tij për t’i dhënë një nivel të caktuar vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa pala serbe ka dalë, po ashtu, me draft-statutin e Asociacionit. Prishtina dhe Beogradi janë duke i vazhduar negociatat për këtë temë.
Çfarë thonë qytetarët?
Derisa nuk është e qartë se si do të veprojnë palët kundrejt kushteve të njëra-tjetrës, Sërgjani nga Mitrovica e Veriut thotë se do të merrte pjesë në zgjedhje, nëse ato do të mbaheshin. “Unë do të merrja pjesë në këto zgjedhje, edhe pse nuk do t’i konsideroja si zgjedhje të rëndësisë jetike, janë zgjedhje lokale, për zgjidhjen e çështjeve teknike lokale. Natyrisht, në këtë rast do të kishte njëfarë qetësimi [të situatës]…
Kusht do të ishte që serbët të siguronin njëfarë autoriteti në fushën e sigurisë”, thotë Sërgjani. Ai, po ashtu, thotë se duhet të ketë kushte demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve, pra që Beogradi të “mos ushtrojë presion” mbi qytetarët për të votuar. Beogradi zyrtar mbështet Listën Serbe që nga formimi i saj në vitin 2013. Në çdo zgjedhje deri më tash, kjo parti ka fituar më shumë se 90 për qind të votave të serbëve.
Megjithatë, vëzhgues të BE-së kanë theksuar në raportet e tyre se ajo e ka monopolizuar jetën politike të serbëve. Edhe Bane nga Mitrovica e Veriut thotë se, me shumë gjasa, do të dilte në zgjedhjet lokale, por thekson se nuk ka besim tek autoritetet kosovare apo ato serbe. “Unë dyshoj se zgjedhjet që do të mbahen këtu, do të ndryshojnë diçka.
Pra, do të jetë ajo për të cilën mendoj se tashmë është rënë dakord, sikurse deri më tash”, thotë Bane. Marko do të merrte pjesë në zgjedhje vetëm nëse plotësohen kërkesat e serbëve nga veriu i Kosovës, pra nëse policia speciale tërhiqet dhe bashkëvendësit e arrestuar lirohen.
“Deri më tani, të gjitha zgjedhjet që janë organizuar, nuk kanë qenë autoritative, kështu që mendoj se edhe këto nuk do të jenë ndonjë gjë e veçantë”, thotë ky banor i Mitrovicës së Veriut. Qëndrimin e tij se zgjedhjet e deritanishme nuk kanë qenë “autoritative”, ai e shpjegon duke përmendur presionet e Listës Serbe.
“Nëse njerëzit detyrohen të dalin në zgjedhje, atëherë ato zgjedhje humbasin rëndësinë e tyre, kështu që, në këtë aspekt, mendoj se përfundimisht nuk do të dilja”, thotë Marko. Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK), thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat e Qeverisë së Kosovës janë legjitime, por se nuk mund të arrihen pa faktorin ndërkombëtar.
“Kërkesa për largimin e bandave kriminale nga veriu është e arsyeshme, por, në këtë drejtim, më shumë mund të bëjë faktori ndërkombëtar, duke ushtruar presion më të madh te Beogradi që t’i tërheqë strukturat kriminale, të cilat e rrezikojnë paqen atje”, thotë Haxholli. Qeveria e Kosovës, shton ajo, duhet të ketë dialog me komunitetin serb në veri dhe përfaqësuesit e tyre politikë, për të siguruar një situatë të qetë dhe të qëndrueshme në atë pjesë të vendit.
“Mesazhet që duhet të përçohen, duhet të jenë pozitive, në frymën e paqes dhe bashkëjetesës. Synim i Qeverisë duhet të jetë që këtë komunitet – aq sa është e mundur – ta integrojë dhe t’i adresojë kërkesat e tij”, thotë Haxholli.
Sipas saj, zgjedhjet e prillit – me pjesëmarrje më pak se 4 për qind – nuk kanë pasur legjitimitet qytetar. “Është e palogjikshme që kjo pjesë e vendit, ku këto komuna kanë shumicë serbe, të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi që nuk kanë legjitimitet qytetar”, thotë Haxholli.
Pse flitet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri?
Vendet perëndimore kanë propozuar organizimin e zgjedhjeve të reja për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja janë të mundshme, nëse peticionin e nënshkruajnë 20 për qind e qytetarëve të regjistruar në regjistrin zgjedhor.
Në bazë të ligjeve të Kosovës, në këtë mënyrë do të iniciohej procesi për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Përveç kësaj, mundësi tjetër është nëse arrihet ndonjë pajtim më i madh politik dhe kryetarët e rinj shqiptarë, në këtë rast, japin dorëheqje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas bisedës me disa zyrtarë amerikanë, ka thënë se “largimi i turmave të dhunshme para ndërtesave komunale dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] janë rruga e shtensionimit deri në zgjedhje të reja”.
Më pas, më 3 qershor, ai ka thënë se nuk mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat në veri pa zgjedhje të reja.