300 vjetori i lindjes së Adam Smith

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

 

Ekonomist dhe filozof skocez , njihet dhe është pranuar në histori si “babai i shkencave ekonomike moderne” dhe si “themeluesi dhe teoricieni i ekonomisë politike klasike”. Bile, tashmë, gjithë historia e doktrinave ekonomike ndahet në periudhat “para dhe pas Adam Smithit”. Origjina intelektuale e formimit dhe analizave të Adam Smith-it gjëndet tek skolastikët, tek filozofi skocez Francis Hutcheson (1694-1746), tek filozofët e “të drejtës natyrore” si Grotius dhe Pufendorf. Ai ka qënë shumë i influencuar në veprën dhe kërkimet e tij edhe nga filozofi, ekonomisti dhe historiani i famshëm skocez David Hume, si dhe nga veprat e figurave të spikatura të kohës si Quesnay dhe Turgot.

U bë vecanërisht i njohur dhe i famshëm mbas botimit në vitin 1766 të librit “Kërkime mbi natyrën dhe shkaqet e pasurisë së kombeve”. Vepra tjetër e rëndësishme e tij është dhe “Teoria e ndjenjave morale (1759)”, ku trajtohen në mënyrë specifike pasionet njerëzore si krenaria, xhelozia, etj., dhe ndikimi i tyre në vendimmarrjen dhe jetën ekonomike .

Në këtë vepër, Smith-i tenton të zgjidhë problemin e bashkëegzistencës ndërmjet egoizmit njerëzor dhe ndikimit të tij në vendimet e tyre, sidomos ato me natyrë ekonomike. Sipas tij, njeriu udhëhiqet në vendimet e tij jo vetëm nga interesi personal, por dhe nga gjykimi apo vlerësimi që të tjerët kanë për të. Vendimet e gjithsecilit varen shumë edhe nga “simpatia” apo “antipatia” që të tjerët shfaqin ndaj nesh. Smithi u përpoq vazhdimisht që të ndërtonte një teori sipas së cilës sjellja e individëve duhet të shkrinte në një të vetme “parimet morale të kristianizmit” me “stoicizmin” i perceptuar si “morali i vetëpërmbajtjes dhe kontrollit të vetvehtes”.

Në qendër të analizave të Smith-it qëndron dëshira për të kuptuar mekanizmat që rregullojnë lidhjet ndërmjet qënieve njerëzore. Ai arriti në konkluzionin se gjithshka duhet ti referohet një “rregulli spontan” apo një “dore të padukshme” që sipas Smith-it përbën mekanizmin falë të cilit ekonomia funksionon në mënyrë harmonike dhe të pavarur “nga urdhërat e autoriteteve superiore”, si p.sh., shtetit apo institucioneve të tjera rregullatore e ndërhyrëse në treg dhe në përgjithësi në jetën ekonomike.

Megjithëse punoi gjatë si kontrollor doganash, Adam Smithi në mënyrë krejt paradoksale u bë një nga mbrojtësit më fanatikë të “tregëtisë së lirë” dhe gjithashtu një nga apostujt e “mos-ndërhyrjes shtërore në ekonomi dhe në treg”. Ai është ekonomisti i parë që ndërtoi një interpretim global të sistemit ekonomik të bazuar në konceptin e tregut .

Me këtë konkluzion Smithi realizoi një sintezë shumë të qartë të mjaft ideve e mendimeve që qarkullonin në këtë kohë lidhur me tregun dhe rolin e tij. J.Schumpeter tregohet mjaft i rreptë me njohjen e autorësisë së Smith-it kur shkruan në librin e tij “Historia e analizës ekonomike (1954) se “Libri Pasuria e Kombeve nuk përmban ndonjë ide me të vërtetë të re, dhe nga kjo pikëpamje, në planin intelektual ai nuk mund të rivalizojë me “Parimet” e Newwton-it apo “Origjinën e specieve” të Darwin-it, por megjithatë, ai është një libër i madh që e meriton plotësisht suksesin e tij.

Adam Smithi identifikon dy shkaqe themelore që ndikojnë në pasurimin e kombeve: akumulimin e kapitalit fizik nëpërmjet përdorimit eficent të kursimeve; dhe rritjen e rendimentit dhe produktivitetit të punës  si pasojë e ndarjes së punës dhe specilizimit.

Në analizën e Smithit, produktiviteti i punës lidhet ngushtë me tre faktorë: së pari,me rritjen e kualifikimit profesional individual të cdo punëtori; së dyti, me kursimin apo minimizimin e kohës për kalimin nga një proces pune te tjetri; së treti, me shpikjen dhe vënien në përdorim të makinave që lehtësojnë punën e punëtorëve dhe krijojnë mundësi që një punëtor të kryejë disa punë apo detyra njëkohësisht.

Në këtë kuadër, sugjerohet edhe një skemë shpjeguese që bën lidhjen ndërmjet inovacioneve teknollogjike, tregëtisë dhe fitimit që lind nga ky proces. Adam Smithi hodhi bazat e teorisë së vlerës duke pohuar se vlera e një malli varet nga sasia e punës së nevojshme për prodhimin e saj.

Nga këndvështrimi ekonomik, Smithi e përshkroi Anglinë e shek.XVIII-të si një “ komb dyqanxhinjsh”. Ai shtroi pyetjen se si mund të funksiononte dhe të ishte i qëndrueshëm apo dhe të zhvillohej një komunitet ku cdo individ kërkon realizimin e interesit të tij individual? Përgjigjia ishte pa ekuivok : ishte interesi personal në kuadrin e një mjedisi konkurues ai që që e conte individin të vepronte në interes të të gjithë shoqërisë.

Sipas Smithit, mirëqënia kolektive nuk egzistonte si kategori e vacantë apo si objektiv që mund të planifikohej e realizohej nga Shteti, qeveritë apo institucione të vecanta, përkundrazi, ajo ishte thjesht dhe vetëm produkt i egoizmave individuale.

Smithi shprehej se “ne nuk e sigurojmë darkën tonë si shkak i mirësisë së kasapit, bukëpjekësit apo shitësit të birrës, por nga fakti se ata kanë interesat e tyre në marrëdhëniet me ne.

Kur hyjmë në marëdhënie për të blerë dicka, ne nuk i adresohemi ndjenjave humane të tyre, por egoizmit të tyre, ne nuk i flasim atyre për nevojat tona por për interesat e tyre”.

Adam Smithi e kërkonte harmoninë sociale dhe zhvillimin në rolin dhe efektin e “dorës së padukshme”. Sipas tij, progresi ekonomik ishte i mundur vetëm kur njerëzit të ishin të lirë të kryenin të gjitha transaksionet në përputhje me interesin e tyre.

Zhvillimi nuk duhet konsideruar si një “llogjikë e historisë” por si një “horizont i mundësive të njeriut”.

Përpjekja kryesore e cdo shoqërie dhe qeverie qëndron tek pajisja e shoqërisë me të gjitha institucionet e nevojshme që i krijojnë mundësi individit të realizojë plotësisht potencilet e tij.

Sa më shumë që pasurohet individi aq më shumë ecën përpara dhe zhvillohet edhe vetë shoqëria. Ai që punon për interesin e tij i shërben në mënyrë shumë më efektive shoqërisë se sa ai që punon për interesin e përgjithshëm.

…. Nuk është bujaria e kasapit, birrtarit apo bukëpjekësit prej nga ne e presim darkën tonë, por nga rendja e tyre drejt interesit vetjak. Ne iu adresohemi atyre jo për shkak të humanizmit të tyre, por dashurisë që ata kanë për veten, dhe kurrë nuk ju flasim atyre për interesat tona, por dhe për avantazhet e tyre.

…Prandaj, teksa cdo individ përpiqet me aq sa mundet që të punësojë kapitalin e tij në sipërrmarjen e tij… në mbështetje të industrisë, duke e drejtuar industrinë drejt maksimizimit të vlerës së produkteve të saj; kështu, cdo individ përpiqet me cdo kusht që të krijojë të ardhura vjetore sa më të mëdha për shoqërinë.

Në realitet, ai nuk synon që të promovojë interesin publik, dhe as që e di që po e bën një gjë të tillë … Duke e orientuar sipërrmarjen e tij drejt krijimit të vlerave sa më të mëdha, ai në fakt, ndjek interesin e tij të fitimit, dhe në këtë sipërrmarje, ashtu si dhe në shumëcka tjetër, ai udhëhiqet nga një dorë e padukshme e cila e shtyn atë të promovojë një objektiv apo qëllim, që nuk ka qënë pjesë e synimeve të tij.

… edhe për shoqërinë nuk është gjithnjë keq që interesat e saj nuk kanë qënë në vëmendjen e individit. Duke ndjekur interesin e tij vetjak, ai shpesh promovon interesat publike në mënyrë më efektive se sa po ti kishte si synime të tij të mirëfillta. Unë kurrë nuk kam parë ti bëhet publikut ndonjë e mirë nga ata që e kryejnë tregëtinë për të mirën publike.

…. Udhëheqësi apo Burri i shtetit që do të përpiqej të udhëzonte individët se si të përdorin kapitalin e tyre jo vetëm që do të merrte mbi vete një barrë të rëndë, por, do të merrte një autoritet që nuk mund t’i besohej me siguri asnjë Këshilli apo Senati, dhe që askund nuk do të ishte aq i rrezikshëm sa në duart e një njeriu të çmendur dhe mendjemadh sa të besojë veten të aftë për ta ushtruar atë.

 

Lexo edhe :  Kamatëvonesat tek energjia, shqiptarët paguan 14 milionë euro në 2023-in

Në të vërtetë, qëllimi i prodhuesit nuk është që ti shërbejë interesit publik dhe për më tepër ai nuk e di se deri në cilën pikë mund të jetë i dobishëm për shoqërinë. Duke e drejtuar aktivitetin apo industrinë e tij në mënyrë që produktet të kenë sa më shumë vlerë, prodhuesi mendon vecse për fitimin e tij; në këto momente, ashtu si edhe shumë prodhues të tjerë, ai drejtohet nga një dorë e padukshme për të përmbushur gjithashtu një nevojë të madhe shoqërore që nuk është fare pjesë e objektivave të tij. Duke kërkuar maksimizimin e interesit personal, cdo individ kontribuon në mënyrë mjaft efektive për për interesat e komunitetit.

Smithi analizoi dhe problematikën e pabarazisë së të ardhurave duke paraqitur teorinë e tij të “barazisë së avantazheve neto”. Ai nënvizon se paga nuk është gjë tjetër vecse “shpërblimi për një shërbim të kryer”.

Për shërbime të njëjta, pagat duhet të jenë ekuivalente, sepse në rast të kundërt nocioni i “pagës së drejtë” shëmbet. Niveli i pagës nuk varet vetëm nga lloji i shërbimit por dhe nga kosto e kualifikimit të domosdoshëm që cdo individ duhet të ketë për të kryer një shërbim të tillë .

Smith-i mbrojti doktrinën anti-merkantiliste. Ai vlerësonte se cdo lloj kufizimi ndaj importeve conte në një orientim të gabuar të kapitaleve dhe frenonte ndarjen e punës.

Kritika e tij ndaj merkantilizmit u përqëndrua në tre tema kryesore : 1. konfuzioni naiv ndërmjet pasurisë së një kombi dhe akumulimit të arit; 2. mungesa e marrjes në konsideratë të fitimeve në tregëtinë ndërkombëtare; 3. doktrinë që nuk përshtatej me shoqërinë dhe tregun e lirë.

Adam Smith e konsideronte “sistemin merkantilist” si “shkatërues të interesit të përgjithshëm”, pasi sipas tij rritja e pasurisë kombëtare nuk duhet barazuar me sasinë e monedhave apo me metalet e cmuara, por ajo duhet vlerësuar si “tërësia e sendeve dhe produkteve të nevojshme për jetën dhe mirëqënien”. Pasuri reale dhe e dobishme është vetëm ajo që krijohet nga puna.

Të shtosh pasurinë do të thotë të rritësh produktivitetin e punës ose numrin e popullsisë të angazhuar në punë produktive. Është procesi i akumulimit të kapitalit ai që  krijon mundësitë për angazhimin në punë produktive të një numri të madh personash

Adam Smithi konsiderohet edhe si “babai themelues i teorisë moderne të tregëtisë ndërkombëtare”, sepse ai tregoi se qëllimi i tregëtisë nuk është vetëm garantimi i bilancit tregëtar të ekuilibruar, por mbi të gjitha, krijimi i mundësive për cdo komb që të përdorte me eficencë avantazhet e tij prodhuese në mënyrë që të stimulonte rritjen ekonomike dhe përmirësonte jetesën e popullsisë së tij.

Ligji i avantazheve absolute nxorri në dritë edhe avantazhet e tregëtisë së lirë : cdo vend duhet të prodhojë sa më shumë produkte për të cilat supremacia e tij është më e madhe në raport me të tjerat.

Sipas Smithit, “tregëtia e lirë është e bekuar” sepse ajo lejon që cdo vend të valorizojë produktet e tij më të mira dhe të marrë nga jashtë me cmime të lira ato produkte që do ti kushtonin shumë shtrenjtë po ti prodhonte vetë.

Tregëtia ndërkombëtare i krijon mundësi vendeve të ndryshme  që të evadojnë prodhimet e tepërta të tyre, të zgjerojnë tregjet, të thellojnë ndarjen e punës, të ulin cmimet, të rrisin kursimet, etj. Ai konkludonte se “ liria e tregëtisë është gjithashtu një kusht esencial për garantimin e paqes ruajtjen e paqes ndërmjet kombeve”.

Në sferën e financave publike, Smithi pohonte se shpenzimet publike duhet të reduktohen në një minimum të domosdoshëm (shpenzime ushtarake, shpenzime për drejtësinë, për punë publike, arsimin dhe së fundi, për të garantuar dinjitetin e sovranit).

Ai formuloi parimet klasike të sistemit të taksave të cilat mbështeten në 4 rregulla bazë : a.Qartësia (taksa duhet të jetë e qartë, e kuptueshme nga ai që e paguan dhe jo arbitrare); b.Ekonomia (madhësia e tyre duhet të jetë sa më e vogël dhe e përballueshme pa sakrifica nga pjesa dërrmuese e popullsisë); c. Komoditeti ( mundësia, format dhe koha e pagimit të taksave duhet të jenë sa më thjeshta e të pranueshme nga kontribuesit); d. Drejtësia (taksat duhet të jenë proporcionale me të ardhurat dhe jo te jenë një madhësi fikse për të gjithë).

Adam Smithi mbronte idenë se detyra bazë e Shtetit ishte të respektonte rregullin dhe ligjin. Sipas tij, “pak elemente janë të nevojshme për të siguruar një prosperitet të lartë për një komb : paqja, një fiskalitet i lehtë dhe një administrim tolerant i drejtësisë; gjithshka tjetër garantohet nga evolucioni natyral i gjërave”.

Shteti nuk duhet të ndërrmarë politika ekonomike sepse axhustimet dhe rregullimet e domosdoshme vendosen nga ligjet natyrore të ekuilibrit.

Sipas parimit të “dorës së padukshme”, në tregje egzistonte një mekanizëm permanent rregullator që lejonte kordinimin dhe harmonizimin e gjithë interesave individuale, shuma e të cilave të conte në fund të fundit në rregullimin e interesit shoqëror.

Por, megjithëse Smithi e evidentonte me forcë liberalizmin e tij, përsëri nënvizonte se Shteti duhet të ndërhynte në të gjitha rastet kur inisiativa individuale dështonte ose kur ajo tregohej e pa mjaftueshme për të realizuar aktivitete apo shërbime të domosdoshme për gjithë shoqërinë apo komunitetin.

Të fundit

Në fakt amnistinë e dështoi Salianji

Nga Mero Baze Socialistët nuk arritën të bindin dot Partinë Demokratike dhe as grupimin e Berishës, të jepnin votat për...

“S’ke turp”/ Përplasje e ashpër në BBV, Juli ia thotë në sy Gazit: Më ke prerë në besë

Juli dhe Gazi së fundmi kanë pasur përplasje të forta mes njëri-tjetrit edhe pse dyshja kanë pasur një miqësi mjaft të mirë brenda shtëpisë. Ashtu...

Çfarë ndodhi? Britania vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Britania ka zgjeruar sanksionet e saj kundër kompanive ruse, individëve dhe entiteteve jashtë Rusisë që dyshohet se po ndihmojnë në shmangien e sanksioneve ekzistuese,...

Rihanna është sërish shtatzënë? Fotot që nxitën dyshimet se këngëtarja po pret një fëmijë

Fansat e këngëtares Rihanna kohët e fundit po spekulojnë nëse ajo dhe i dashuri i saj, A$AP Rocky, do të kenë një tjetër fëmijë së...

“Një bir ku*ve i çmendur”/ Presidenti Putin reagon ashpër ndaj fyerjeve të Biden

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka reaguar në lidhje me deklaratat e homologut të tij, Joe Biden i cili ka shpërthyer ndaj tij me ofendime. Putin i...

Lajme të tjera

Web TV