Librazhd e Përrenjas, qytetet e industrisë pa industri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në rrugën e njohur të juglindjes me destinacion herë Pogradecin dhe herë Korçën, duket gjithçka aq e njohur, aq sa herë pas here të krijon dhe një monotoni të pritshme, edhe pse një pjesë e mirë e rrugës në fakt është plot kthesa mes gjelbërimit, gjë që e bën më atraktiv gjithë udhëtimin prej dy orësh…

…Në përgjithësinë e tyre, njerëzit që bëjnë rrugën e juglindjes e anashkalojnë qytetin e Librazhdit për të vazhduar më tej në Pogradec a Korçë si destinacione të rëndësishme turistike. Shumë prej tyre e kanë më të lehtë të ndalojnë në lokalet e njohura buzë rrugës në Hotolisht, të pinë një kafe me ujë të ftohtë i cili nuk ka nevojë të blihet me shishe qelqi e as me bidonë plastikë sepse rrjedh në mënyrë natyrore.

Në Librazhd

Enciklopedia të informon se rrethi i Librazhdit  bën pjesë në Qarkun e Elbasanit. Ndërsa të dhënat e google maps të bëjnë të ditur se nga Tirana në qendër të qytetit të Librazhdit janë 70 kilometra të cilat përshkohen për të paktën 1 orë e 28 minuta. Dhe referencat e historianëve thonë se Librazhd do të thotë “Porta e Hapur”, emër i përdorur që në antikitet, madje para se të ndërtohej “Via Egnatia”.

Të flasësh për historinë e një qyteti e për më tepër të një rrethi nuk mjafton as një natë e gjatë dimri. Por këto janë vetëm shënime të thjeshta udhëtimi, që në njëfarë mënyrë do të thotë: çfarë sheh për momentin dhe asgjë të thelluar.

Gjithsesi, qytetet e Librazhdit e të Përrenjasit, – brenda të njëjtit rreth,-  janë qytete të reja. Librazhdi zë fill qysh në vitin 1929, kur u bë zhvendosja e trasesë së rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan-Korçë buzë luginës së lumit Shkumbin. Por Librazhdi u shpall qytet më 18 shkurt të vitit 1960 dhe pas kësaj mori një zhvillim urbanistik interesant.

Tanimë, qyteti i Librazhdit nuk është aq i vogël sa ka qenë më parë. Madje disa ndërtime të reja bashkëkohore tregojnë se njerëzit e kanë lidhur jetën e tyre pikërisht me këtë qytet edhe pse emigracioni, ashtu si kudo në Shqipëri, “ka ngrënë” pjesën më vitale të shoqërisë.

Minierat në Librazhd dhe Përrenjas, si ajo e hekur-nikelit, – që dikur ishin sektori më i rëndësishëm i punësimit për banorët e kësaj zone, sot janë kthyer në industri të rrënuar. Ekonomia e rrethit është e bazuar më shumë në sektorin e shërbimeve, blegtori, bujqësi dhe shfrytëzimin e pyjeve.

Ura e Bushtricës është pjesë e hekurudhës Librazhd – Përrenjas. Në faqet e Fjalorit Enciklopedik gjendet ky shpjegim: “Ura hekurudhore e Bushtricës është ura më e lartë në vendin tonë me gjatësi 255 m, lartësia 48 m, gjerësia 4 m, e ndërtuar në vitin 1973 në hekurudhën Elbasan-Përrenjas”. Por dhe mbi këtë urë, trenat prej vitesh nuk lëvizin më.

Vite më parë Librazhdi është përdorur si shesh xhirimi për disa filma të Kinostudios Shqipëria e Re, kur më i njohuri është filmi “Eja” një prodhim i vitit 1987, me regji të Piro Milkanit dhe skenar nga Petrit Ruka. Por në stacionin e Xhyrës, që është një nga fshatrat e rrethit, gjithashtu është luajtur një fragment i filmit “Dhe vjen një ditë” një prodhim i vitit 1986 me skenar të Teodor Laços e regji nga Vladimir Prifti.

Në Librazhd e përreth tij janë luajtur dhe fragmente të filmave “Binarët”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Përsëri pranverë”, ku më së shumti është përdorur si sheshxhirimi stacioni i trenit. Më i fundit film i luajtur në ambientet e qytetit është “Mao Ce Dun” i regjisorit Besnik Bisha.

Lexo edhe :  Eurosong 2024/ Çfarë është Eurovision, ku merr pjesë dhe Shqipëria me “Titan”?

Në Librazhd do të ndeshesh dhe me disa vepra arti mjaft interesante. Në qendër të qytetit është vendosur busti i Gjorg Golemit për të cilin Dhimitër Shuteriqi është shprehur në një studim të tijin se: “Gjorg Golemin e kam identifikuar me Gjergj Aranitin. Legjendat, Gjergj Aranitin e vendosin në domenat e tij: midis Shkumbinit dhe Devollit”.

Por gjithashtu monumentale janë dhe dy kokat e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi të cilët në vitin 1976 u arrestuan dhe, me akuza të trilluara, u dënuan me pushkatim më 17 korrik 1977.

Por në qendër të qytetit gjendet i mirëmbajtur edhe lapidari në kujtim të Brigadës së XX Sulmuese gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe 32 dëshmorëve të saj. Sepse kjo ishte njësia partizane që luftoi për çlirimin e zonës dhe të vetë qytetit.

Pretendohet se futbolli është sporti më i përhapur në rrethin e Librazhdit dhe vetë ekipi i qytetit mban emrin “Sopoti”, ndërsa në fushën e stadiumit modest, stërviten dhe disa ekipe të rinjsh.

Në Përrenjas

Përtej Librazhdit rruga të çon në Përrenjas. Enciklopedia të informon se Përrenjasi është vendbanim në jug-lindje të Shqipërisë në rrethin e Librazhdit, me një popullsi sipas shifrave zyrtare prej rreth 3000 banorësh, por që vitet e fundit është shtuar edhe më shumë. Dhe po aq google maps thotë se nga Tirana në Përrenjas janë 92.6 kilometra të cilat përshkohen për 1 orë e 39 minuta. Por nga Librazhdi në Përrenjas janë 29 kilometra të cilat, edhe për shkak të kthesave, përshkohen për 34 minuta.

Në pjesën më të madhe të rrugës të shoqëron lumi Shkumbin.

Gati si në një legjendë, – sipas historianëve, –  thuhet se emri Përrenjas, ka ardhur si pasojë e një beteje, ku Skënderbeu u ndesh me një ekspeditë osmane. Beteja u bë në atë që dikur quhej “fusha e Torviollit” por që tanimë njihet si “fusha e Domosdovës”. Skënderbeu e fitoi këtë betejë por pati humbje të mëdha njerëzore nga të dyja palët. Gojëdhënat thonë se pati aq shumë të vrarë sa gjaku i tyre rridhte si përrenj. Pikërisht nga kjo gojëdhënë, kur u krijua ky qytet u vendos të quhej Përrenjas.

Minierat në Librazhd dhe Përrenjas, që dikur ishin sektori më i rëndësishëm i punësimit për banorët e kësaj zone, sot janë kthyer në godina të rrënuara.

Përrenjasi ka pasuri të shumta minerare ndaj dhe vite më parë u hap miniera për përpunimin e hekur-nikelit ku ishin të punësuar rreth 1600 punëtorë. Por ka funksionuar dhe miniera e Nikel-Silikatit në Pishkash, si dhe Sektori Minerar i Bushtricës dhe Skroskës.

Tanimë Përrenjasi njihet edhe si qyteti i lavazheve… pasi në të dalë të qytetit në hyrje të Qafë-Thanës, sheh në vazhdimësi lavazhe për larjen e automjeteve, pasi shfrytëzojnë edhe ujin e bollshëm që buron nga mali.

Përrenjasi sot është një qytet i zhveshur dhe nuk i bën derman as rezervuari që ka aty pranë, e që me pak punë mund të kthehet në një pikë modeste turistike, aq sa çdokush që udhëton aso rruge, të ndalet për të pirë një kafe.

Në fund

E në vazhdim të këtij udhëtimi, meqenëse u përmendën më së shumti minierat të cilat nuk shfrytëzohen më prej vitesh, do të ndeshesh edhe me Minierën e Gurit të Kuq të Pogradecit e cila gjithashtu ka mbetur e shkretë dhe e rrënuar. Dhe kaq, sepse udhëtimi i mëtejshëm në rrugën piktoreske buzë liqenit sikur e përtyp atë çka lamë pas.

Të fundit

‘Shumë burra me të vërtetë zhgënjehen kur shikojnë një grua të zemërohet’

Punkja feministe shpiku frazën "fuqia e vajzës" dhe ishte përgjegjëse për emrin e hitit më të madh të Nirvana....

Opinioni publik izraelit po ndryshon për luftën në Gaza

Familjet e pengjeve kryesojnë thirrjet për armëpushim. Le të shpresojmë që zhurma e armëve në Rafah të mos përdoret për t'i mbytur ata Meron Rapoport Në...

Pse i tërboi Athina këta turqit tanë këtu?

Frrok Çupi Këta nuk po pushojnë; sado pak janë, por nuk po pushojnë. Kokat e tyre u janë kthyer në pozicione shpërthimi fishekzaresh. Fjalët u...

Mbani kapele, Amerikë

Nga Gail Collins dhe Bret Stephens Znj. Collins dhe z. Stephens janë kolumnistë të Opinion. Ata bisedojnë çdo javë. Bret Stephens: Përshëndetje, Gail. Është sezoni i...

Ekonomia mes Kinës dhe Europës pas vizitës së presidentit Kinez?!

NGA EDUART GJOKUTAJ – altax.al Këtë Maj në 2024, për herë të parë në pesë vite, Presidenti i Kinës Xi Jinping vizitoi Evropën, me ndalesa...

Lajme të tjera

Web TV