Nga Lorenc Vangjeli
Edi Rama e ka në dorë të surprizojë miqtë dhe armiqtë e tij. Të enjten në Kuvend, përpara votimit për lejen e arrestit të Sali Berishës ai mund të thotë: Jo! Unë votoj kundër! Edi Rama mund të zgjedhë të sillet si reformator. Të veshë mantelin e reformatorit përkundër të gjithëve. Përkundër olala-ve servile të miqve dhe hosanarave groteske të armiqve të tij. Nesër është dita, kur ai, bashkë me njeriun me të cilin po bashkëqeveris vendin në këtë kohë të trazuar, Altin Dumanin, do të mund të bëjnë revolucion.
Duke pranuar se po “humbasin” të dy, por duke i dhënë shansin për të fituar gjithë shoqërisë shqiptare. Për të fituar mbi shpirtin e ndëshkimit dhe revanshit mbi nevojën për një proces të rregullt që ka në qendër respektin mbi të drejtat e njeriut, edhe kur ky quhet Sali Berisha.
Ka disa muaj që Edi Rama ka çmeritur mbështetësit e tij që thonë “Amin” për gjithçka thotë dhe kritikët e tij që e kundërshtojnë edhe kur ai tregon sa është data në kalendar. As të parët dhe as të dytët, nuk i japin dot një shpjegim të arsyeshëm pretendimit të tij se PS – duke nënkuptuar veten – është autore e reformës në drejtësi. Më parë askush nuk kishte dilema kur i njihte SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë atësinë e reformës më thelbësore në vend, deri kur Rama pretendoi ndryshimin domethënës në çertifikatën e saj të lindjes: Reformën e bëri PS! E bënë amerikanët apo PS reformën në drejtësi? E vërteta si zakonisht qëndron në mes: Pa PS-në, LSI-në e djeshme, pa të paktën 95 votat shumëngjyrëshe nga 140 gjithsej që mori reforma dhe pa diktatin e mbështetjen euroamerikane, reforma nuk do të miratohej. Pikë!
Vizatimi i arkitekturës së sistemit të ri të drejtësisë ishte padyshim puna më e lehtë, ndërtimi i saj ishte e është një akt politik sizifian që ka kundër një numër të pafundmë armiqsh. Ata pendulojnë që nga klientët e nesërm të saj në politikë apo në kriminalitetin e organizuar, tek ata që janë shndërruar në pasanikë duke grabitur e tek ata që luksin e vjedhur e dëshmonin paturpësisht si zotësi, nga ata që ranë në gijotinën e vettingut e deri tek ata që ëndërrojnë revansh për hir të kalvarit të vettingut që kaluan, nga burimet e kufizuara njerëzore e deri tek tradita e munguar dhe e deformuar e shoqërisë në raport me drejtësinë. Me të gjithë këta armiq, reforma në drejtësi ka nevojë për reformatorë. Edi Rama, për shkak të detyrës së tij si kryeministër dhe Altin Dumani si shqiptari i suksesshëm i SPAK-ut, janë dy njerëzit që janë të ndëshkuar të sillen si reformatorë.
Të dy ata, secili në të vetën, janë pjesë e një shoqërie me mentalitet paradoksal: kudo gjetkë në Perëndim, opinioni publik, media e çdo zë tjetër i dëgjueshëm, proteston dhe lufton për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në Shqipëri çdokush zgjedh të jetë pjesë e korit dramatik: burg, burg, burg! Latinët preferonin më mirë njëqind fajtorë jashtë, sesa një të pafajshëm në qeli, për paradoks, ne shqiptarët e sotëm modernë jemi të gatshëm të kyçim në qeli edhe njëqind të pafajshëm me kusht që njëri prej tyre të jetë fajtor. Kjo kulturë dorëzimi përpara të ligës dhe ky revansh i mesjetës që jeton ndër ne, duhet të ndryshojë në mënyrë urgjente. Edi Rama e ka një shans të enjten në parlament kur kuvendi duhet të japë lejen për masën e sigurisë së ish-kryeministrit Berisha. Altin Dumani e ka të njëjtin shans në muajt në vijim të mandatit të tij.
Pavarësisht sesi i pari do të vendosë të kombinojë atletet me kostumin dhe kravatën, ai do të duhej të veshë mantelin e reformatorit në emër të së nesërmes. Do të duhej të shpjegojë se çfarë kupton me shprehjen e jashtëzakonshme që tha në kongresin e partisë së tij: “Shqipëria është republikë parlamentare dhe jo republikë e prokurorëve!”. Duke ju imponuar kokëboshëve që e duan pa kushte dhe atyre që e urrejnë pa kushte se kuptimi i vetëm i kësaj fraze është balanca dhe kontrolli i pushteteve. Dhe se balanca dhe kontrolli i pushteteve, bashkë me votën, janë dy kolonat magjike të demokracisë. Që do të thotë, kryeministri i pari dhe pas tij edhe gjithë shpura yesman-vë që e pasojnë në të mëngjër janë dakort për hetimin në themel të çdo dyshimi të akuzës publike ndaj ish-kryeministrit, por që këtë gjë, duhet ta bëjnë duke e lënë atë në liri. Kodi i Procedurës Penale dhe personaliteti i të hetuarit, edhe pse kontravers dhe armik i drejtësisë, e lejon një gjë të tillë.
Me të gjitha gjasat, salla e zhurmshme e kuvendit do të shushatet nëse Rama thotë Jo, nuk e votoj arrestin e Berishës, por ai do të imponohet me forcën e të vërtetës! Në një të nesërme të afërt shumë më shumë njerëz do t’i japin të drejtë për atë që ai do të bënte në këtë mënyrë. Larg revanshit. Tutje ngasjes për të shpallur fajtor armikun e betuar.
Ky vit dramatik ka ndryshuar Shqipërinë. Në mos e ka bërë më të ndershme, e ka bërë atë më të drejtë dhe mëkatarët i ka bërë të pagjumë. Politika duhet të mësohet me këtë realitet të ri, ku SPAK-u do të jetë për të si Shën Pjetri me laps në dorë që i bën hesapet e xhepit dhe stomakut që ka ngrënë mall të ndaluar. Politika duhet të pranojë të bashkëjetojë me pushtetin e drejtësisë dhe mbi të gjitha, t’i nënshtrohet rregullave të jetesës së përbashkët me të. Kush e ka vjedhur në këtë vend të varfër, duhet të paguajë! Kush ka pasur paturpësinë në të gjithë këto vite që edhe të mburret me arrogancë për grabitjen e këtij vendi duhet të kuptojë që ka ardhur ora e ndëshkimit! Kush ka menduar t’i zbardhë fatin vetes me kokainë nga bota latine plot diell, duhet ta shohë qiellin me lejen e gardianëve. Për momentin, garanci për këtë është edhe mënyra sesi shqiptohet në anglisht fraza, “Altin Dumani, drejtues i SPAK!”.
Reforma në drejtësi, ende larg përkryerjes, ende me probleme të panumërta në thelbin e funksionimit të saj, të paktën në një drejtim, atë më të ndjeshmin për shoqërinë, po jep frute domethënëse: Ajo po e identifikon ambientin politik si një xhungël që do të duhet të qeveriset nga gardianë burgu, si një pyll për të cilin nuk mjafton vetëm një sëpatë. Por për të mbërritur deri aty, duhet gjetur ekuilibri tmerrësisht i brishtë mes dyshimit për fajin e mundshëm dhe vërtetimit të fajita përtej çdo dyshimi të arsyeshëm; ekuilibri mes nevojës për ndëshkim dhe domosdoshmërisë për ta bërë atë me mjete të ligjshme. Dhe kjo është e vërtetë si për Sali Berishën, ditët më të zeza për të cilin ende nuk janë gdhirë, si për një shumicë dërmuese të akuzuarish që parapopullojnë qelitë e burgjeve nën akuza për krime të lehta. Duhet thjesht zbatimi i ligjit, që e sheh arrestin me burg si përjashtim dhe jo si rregull.
Edi Rama dhe Altin Dumani janë të dënuar të shpërthejnë edhe mentalitetin mesjetar dhe bolshevik që dënon, ndëshkon dhe torturon me represion një turmë prej mijëra shqiptarësh anonimë dhe pa zë, të përbërë nga individë që ju shkruhet emri vetëm dy herë në jetë: në çertifikatën e lindjes dhe gurin e varrit në kokë.
Një turmë të paraburgosurish të cilët kalben në paraburgim për dy cigare hashash që ju kapet në xhep apo që janë prangosur se kanë rregulluar pa leje bidenë e tualetit në shtëpi, kanë nevojë ulëritëse që shoqëria të mos i dënojë me harresë si kopilë të abortuar. Qoftë dhe për të shmangur atë tmerr në basifondet e shoqërisë, qoftë dhe për mundësinë reale që ajo që ndodhi në burgun e Peqinit të mos ngjajë ëndërr në krahasim me atë që mund të shpërthejë tek burgu 313 apo gjetkë, këta dy të vetmuar të mëdhenj, Rama e Dumani, duhet të kuptojnë se kundër tyre kanë edhe një çetë të tërë me zyrtarë që nuk kanë fundshpinë për të qenë shtetarë. Që nuk ju binden se i bindin, por sepse thjesht i kanë frikë.
Një shoqëri e dëshmon forcën e saj me mënyrën sesi sillet ndaj të dobëtve. Rama dhe Dumani duhet të luftojnë edhe në emër të tyre. Ky është çasti i artë që ky short fatal të ndryshojë.
Edi Rama ka muaj që po e qeveris vendin duke pasur parasysh portretin e Altin Dumanit përballë. Sheh në të majtë dhe të djathtë anëtarët e kabinetit të tij, zyrtarë të lartë të administratës a drejtorë jetëgjatë që duken sot më të rinj e më të hijshëm sesa ishin dhjetë vjet më parë dhe pyet veten: çfarë di Dumani për këtë, çfarë mendon Altini për atë? Njeriu që gazeta legjendare Koha Jonë e shpalli Njeriun e Vitit, drejtuesi i institucionit me besimin më të lartë të publikut, siç thotë çdo sondazh serioz në vend, është pjesë e sistemit dhe jo gjithë sistemi. “Çfarë mendon Dumani, si e ka mendjen ai?”, janë pyetje që e bëjnë prokurorë dhe gjykatës dhe e bën me shpresë gjithë shoqëria që la investuar shpresë dhe para tek institucioni që ai drejton. Pakkush e di në Tiranë se prokurori i hekurt është përfaqësuesi i akuzës publike që në karrierën e tij gati 30 vjeçare ka firmosur më shumë se kushdo tjetër dhënie pafajësie apo tërheqje nga akuza kur krijonte bindjen se kjo ishte e drejtë. E bënte një gjë të tillë jo vetëm si profesionist, por sepse askush nuk guxonte të mendonte se xhepi i kishte mbushur mendjen të vepronte ashtu, sikundër kanë bërë me qindra kolegë të tij që tanimë i ka ngrënë vettingu apo ja kanë hedhur vettingut.
Në këtë moment bashkëqeverisjeje të përkohshme mes Ramës dhe Dumanit, në këtë udhëkryq dramatik ku ndodhet Shqipëria, i pari është i dënuar të jetë reformator, i dyti, krijesë e reformës, është paradënuar që të bëjë të vërtetë deri në fund aksiomën: Feja e shqiptarit është drejtësia!
Dumani ka nevojë nesër në kuvend për Edi Ramën. Jo për Edin si kryeministër në bashkëqeverisje, por për Ramën si reformator të mendësisë mesjetare të shoqërisë. Rama ka nevojë për Altinin nesër jo si drejtues të SPAK-ut, por si një profesionist i ndëshkuar të japë drejtësi edhe për ish-të pandëshkueshmit e djeshëm!