Gjykata Themelore në Kaçanik të Kosovës është përfshirë nga zjarri në orën 03:55 të së mërkurës.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se zjarri është lokalizuar dhe si pasojë e tij janë dëmtuar dy zyra të kësaj Gjykate.
“Ju njoftojmë se me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 kemi pranuar një informatë se në Objektin e Gjykatës Themelore- dega në Kaçanik ishte një zjarrvënie.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate”, ka thënë ai.
Veseli ka sqaruar se dyshimet e para janë që ngjarja ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme nga tre persona të cilët ende nuk janë identifikuar
“Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut e më pas edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet intensive.
/O.S