Kryetari i komisionit hetimor parlamentar, Ervin Salianji, tha se në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit është bërë ndërhyrje që i shërben grupeve kriminale, duke shtuar se dëshmitarët do t’i gjejnë dhe ata nuk do t’i shpëtojnë dot përgjegjësisë. Rithemelimi thërret si dëshimar kryeministrin Rama dhe hierarkinë e ministrisë së Brendshme, ndërsa PS përfshiu në listë Luzim Bashën dhe Sali Berishën.
Komisioni hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS filloi punë dje. Kryetari i komisionit, demokrati Ervin Salianji prezantoi dhe planin e hetimit 6-mujor, ndërsa nënkryetari Toni Gogu, i Partisë Socialiste, nënvizoi mungesën e provave në pretendimet e opozitës. “Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparence të plotë”, u shpreh kreu i komisionit hetimor TIMS, Ervin Salianji. “Përveç dy fakteve, që një është referimi i AMP në Prokurori dhe një vizitë të të ngarkuarit me punë në ministri, të gjitha ngjarjet janë ajo historia që ne kemi dëgjuar që nga dita një”, tha nënkryetari Gogu. Opozitarët kishin gati dhe listën e dëshmitarëve që do të thirren në komision, ku në krye të renditjes ishte Kryeministri Edi Rama. “Do thirren për të dëshmuar Edi Rama, Taulant Balla, Muhamet Rrumbullaku”, deklaroi Salianji. Leximi i emrave të dëshmitareve shtyu Gogun të bënte një ngacmim, duke u sugjeruar kolegëve një shtesë në listën e dëshmitarëve. “Shtoni dhe Gazment Bardhin, se ai ka dijeni…”, theksoi Gogu. Deputeti i PS-së, akuzoi Rithemelimin për qëndrimin e mbajtur ndaj SPAK-ut duke u shprehur se në mëngjes e mburrin punën e Prokurorisë së Posaçme ndërsa në darkë ndryshonin mendim poshtë ballkonit ku Sali Berisha mbante fjalimet e tij. “Ne nuk sillemi si Fiona te Shreku që një mëngjes të themi shiko sa mirë SPAK-u dhe në mbrëmje, në rrugicë të shpërfytyruar, të thoni ja SPAK-u i partisë. Nga agimi në muzg mburret SPAK-u dhe nga muzgu në agim mallkohet SPAK-u”, u shpreh Gogu. Përgjigjen e mori nga deputeti i Rithemelimit Ervin Salianjin, i cili e krahasoi qeverisjen e socialistëve me personazhin vizatimor të Shrekut dhe zemrën e princit, po te ky film vizatimor. “Ju qeverisjen e keni si fytyra e Shrekut. Aq të zezë e keni qeverisjen dhe mirë që e përmende. Është kryeministri I kësaj republike që urdhëron administratën në këtë vend që kur nuk e kanë një favor të mos zbatojnë ligjin. Keni parë një thirrje të tillë ju në çdo vendi demokratë në botë? Ju jeni parti që bëni sikur jeni në amnezi. A ka përgjegjësi kryeministri për të gjithë këto afera që janë kapur apo jo?”- tha ndër të tjera Salianji. Socialistët nga ana tjetër e pasuruan listën me emra të tjerë, po aq të rëndësishëm, politikanë që akuzat e bëra me deklarata në media do t’i duhet t’i sqarojnë edhe para komisionit. “Dëgjova që donit të thërrisni dhe ish drejtues të policisë së Shtetit ndër vite. Unë mendoj se duhet të thërrasim edhe Berishën si ish-kryeministër dhe z. Lulzim Basha ish-ministër i Brendshëm dhe ç’kanë qenë të gjithë ish-drejtorët e policisë së shtetit. Të hyjmë që nga fillimi e këtej. Që nga dita kur e kanë ngritur amerikane. Si ka funksionuar dhe ku ka çeduar funksionimi”, tha Gjylameti. I bindur se një pjesë e tyre janë përfshirë në ngjarje kriminale, Salianji premtoi se puna e komisionit dhe nxjerrë të dhëna të rëndësishme për publikun dhe prokurorinë. “Të gjithë personat thirrur janë persona që kanë lidhje me ngjarjet. Nuk e di pse përmendja e emrave ju shqetësoi, secili prej tyre do të përgjigjet për shqetësimet që ne kemi. Përgjegjësitë e kësaj situata nuk do shpëtojnë, kanë bërë një ndërhyrje që i shërben grupeve kriminale. Këtu do jemi dhe do ti dëgjoni si janë të përfshirë. Do të shikoni, nuk dua të them spektakël, sepse është spektakël i zi në fakt”, tha Salianji. “Prezumimi i pafajësisë është shumë i rëndësishëm dhe kur themi diçka duhet ta mbështesim me prova. Këtu sundon prova! Provat duhet ta sundojnë këtë sallë. Këtu provat, atje llogjet”, u shpreh deputeti i PS-së, Toni Gogu. Për hetimin parlamentar do të kërkohen dokumente dhe informacione shtesë nga një sërë institucionesh shtetërore si kryeministria, ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, SPAK dhe Trupa Diplomatike e akredituar në Shqipëri. Pyetja e dëshmitarëve do të bëhet brenda datës 5 qershor 2024. Propozimet e Komisionit do të prezantohen më 15 korrik. Pas gati dy orësh diskutime, komisioni hetimor mbylli punimet, por pa caktuar ekspertët që do të ndihmojnë në hetimin 6 mujor për ndërhyrjet në sistemin TIMS.
Përbërja e komisionit hetimor
1-Ervin Saljanji – kryetar
2-Toni Gogu -Nënkryetar PS
3-Nasip Naço – Anëtar PS
4-Blerina Gjylameti – Anëtar PS
5-Etilda Gjonaj – Anëtar PS
6- Xhemal Qefalia – Anëtar PS
7- Antoneta Dhima – Anëtar PS
8- Bardhyl Kollçaku – Anëtar PS
9- Denis Deliu – Anëtar PS
10- Lindita Metaliaj – Anëtar PD
11- Lefter Gështenja – Anëtar PD
12- Asllan Dogjani – Anëtar PD
13- Ramadan Lika – Anëtar PD
14- Luan Baci – Anëtar PD
15- Elda Hoti – Anëtar PD
Anëtarët Zëvendësues
1- Bledion Nallbati- anëtar zëvendësues PD
2- Isuf Çela – anëtar zëvendësues PD
3- Eduart Nreca Anëtar zëvendësues PS
4- Laer Duraj Anëtar zëvendësues PS
Lista e dëshmitarëve
Edi Rama- Kryeministër
Taulant Balla- Minister i Brendshëm
Muhamet Rrumbullaku- drejtori i Pergjitshem i Policisë së Shtetit
Florian Sulejamani- Kreu i AMP
Beldi Cuci- në cilesine e ish-ministrit të Brendshëm
Gledis Nano – në cilësinë e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit
Ardi Veliu – në cilësinë e ish-kreut të AMP
Zef Laska
Neritan Nallbati
Dorian Tola
Ervin Muca
Ervina Gjana
Besian tanuzi
Enri Ndoni
Ardit Muca
Elona Gogo
Erladin Ndreca
Enkli Hoxha
Ergis Hidri
Lubica Dervishaj
Luljeta Collaku
Albana Vrapi
Arben Babaj
Ervis Hysi
Ermal Beqiri
Nevila Xoxa
Sali Berishën
Lulzim Bashën.