Çfarë po sjell era Bardhi për PD-në e Rithemelimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Po ajo mënyrë funksionimi: E paqartë, e pa vendosur, e dyzuar dhe pa ide. Rithemelimi nën drejtimin e Gazmend Bardhit si numri dy, nuk është gjë tjetër veçse PD-ja e Lulzim Bashës pa Lulzim Bashën kryetar. Nga mungesa e vizionit për zgjedhjet e vitit që vjen te marrëdhëniet skandaloze me median. 10 konkluzione se si po funksionon Rithemelimi me Gazmend Bardhin nënkryetar dhe kryetar të grupit parlamentar.

Nga ROLAND QAFOKU

Prej 5 marsit Partia Demokratike e Rithemelimit ka një lider të ri. Në mungesë të Sali Berishës në arrest shtëpie, numri dy i saj me atributet dhe detyrat si nënkryetar kryesor dhe kryetar i grupit parlamentar të PD është Gazmend Bardhi. Me pak fjalë, ai është zëvendësi kryesor i Sali Berishës. Është ai violina e parë e këtij grupimi. Është ai që drejton qendrimet. Është ai që drejton të gjitha aksionet politike dhe ëshë ai edhe figura kryesore në media. Por, çfarë ka sjellë qenia e Gazmend Bardhit në krye të Rithemelimit tashmë që ka kaluar më shumë se 1 muaj? A janë arritur pritshmëritë e kësaj lëvizjeje, më e rëndësishmja që nga koha kur Sali Berisha nisi “Foltoren”?

  1. Me Gazmend Bardhin numrin dy dhe me të tjerë rreth tij, grupimi i Rithemelimit nuk është gjë tjetër veçse partia e Lulzim Bashës pa Lulzim Bashën. Nëse e shikojmë me kujdes këtë grupim dhe e krahasojmë me Partinë Demokrarike të drejtuar nga Lulzim Basha deri në zgjedhjet e vitit 2021 nuk ka pothuajse asnjë ndryshim. I vetmi është kryetari, dikur Lulzim Basha, tani është Sali Berisha. Janë të njëjtët njerëz. Figurat kryesore dhe me pushtet në këtë grupim janë po ata. Gazmend Bardhi ndonëse nuk mban detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që mbante dikur është ai më i rëndësishmi pas Berishës. Pas tij janë po ata të dikurshmit: Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Flamur Noka e të tjerë.
  2. Gazmend Bardhi nuk ka krijuar ende një qendrim të qartë të Rithemelimit për dy shtylla të forta që kërkon të dijë opinioni publik. Cili është qendrimi i Rithemelimit ndaj SPAK dhe ndaj përfaqësuesëve të diplomacisë amerikane në Shqipëri? A është dakord Gazmend Bardhi që kryetari Berisha e cilëson SPAK bandë kriminale dhe ambasadoren amerikane të larguar Yuri Kim guvernatore si dikur ambasadori i Bashkimit Sovjetitk Dmitri Stepanoviç Chuvakhin nga viti 1945 deri në 1952. Nëse Bardhi i devijon kësaj pyetje sa herë që e pyesin gazetarët duke u justifikuar që për këtë të pyesin Berishën do të thotë që i pëlqen të jetë numri dy i Rithemelimit, por nuk i pëlqen të sillet si numri dy. Nuk bën sens që kur i intereson ai e mbështet SPAK dhe proteson kundër Veliaj dhe kur nuk i intereson shkon te Berisha dhe bën thirrje kundër SPAK. Kjo ka bërë që Rithemelimi të humbasë busullën e orientimit.
  3. Gazmend Bardhi nuk ka ndryshuar asnjë nga metodat e punës që ka kryer vetë kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i PD. Shpesh i pavendosur, shpesh i paqartë, ngurues dhe lëshimi i mufkave të shpeshta politike, ka bërë që në mënyrë të përsëritur të na kujtohet koha kur PD drejtohej nga Basha me numrin dy Gazmend Bardhi. Kulmi ishte denoncimi publik për aferën e njohur të Xibrakës me të cilën me shumë pompozitet ai proklamoi se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, ishte pjesë e atij trafikut të drogës, por provat e siguruara ishin fshehur dhe manipuluar nga policia. Por edhe sot që ka kaluar shumë kohë nga ai deklarim Bardhi nuk ka depozituar denoncim në SPAK, por një kërkesë duke u “kujdesur” të jetë korrekt juridikisht. Në fakt, me atë deklarim publik tejet të rëndë që bëri, ose Olsi Rama duhet të bëhet pjesë e hetimit të SPAK të asaj dosje, ose Gazmend Bardhi duhet të jetë pjesë e hetimit për shpifje. Ndodhur në këtë situatë “alla Lulzim Basha”, Rithemelimi nuk bën gjë tjetër na kujton përsëri ato kohë kur proklamohej një skandal i madh qeveritar, por sfumohej pas disa ditësh sikur të mos kishte ndodhur asgjë me justifikimin se “ashtu ishte një punë”.
  4. Gazmend Bardhi nuk po arrin të bëjë bashkimin e madh të PD-së. Ende në horizont nuk ka ndonjë sinjal që të arrihet bashkimi dhe unifikimi i demokratëve mes Rithemelimit dhe PD-në zyrtare. Ose të paktën sipas premtimeve të tij disa deputetë të tjerë pranë Lulzim Bashës ti atashohen Rithemelimit. Gazmend Bardhi nuk po arrin të ketë influencë tek ata 11 deputetë që mbështesin Lulzim Bashën. Ndërkaq, në bazë situata është akoma më e nderë. Bashkimi atje është utopi sepse gjithçka e presin nga qendra.
  5. Me Gazmend Bardhin si numri dy i Rithemelimit, ky grupim nuk po arrin që të kthejë demokracinë dhe votën si baza e funksionimit të saj. Vetë Bardhi u katapultua si nënkryetar bashkë me Agron Gjekmarkajn vetëm pas ndryshimeve statutore dhe kjo lë vend për shumë dyshime se ai nuk kishte siguri dhe garanci se në strukturat e partisë mund të merrte votat e duhura. Njëkohësisht ky kapërcim ka sjellë perceptimin se vota ka humbur një herë e përgjithmonë vlerën në këtë parti derisa kjo ndodh me numrin dy të saj.
  6. Me katapultimin e Gazmend Bardhit në krye të PD-së pas Berishës është rritur ndjeshëm pakënaqësia. Në vend të një pritshmërie që ai do të sillte një frymë të re, në fakt ka ndodhur e kundërta. Zerat kundër tij brenda Rithemelimit janë shtuar. Rasti më ekstrem është ai i anëtarit të Këshillit Kombëtar Myslim Murrizit. Ndoshta për Bardhin nuk përbën problem ato që shkruan dhe thotë publikisht Murrizi, por duhet thënë se ai është nga të rrallët zera të sinqertë dhe të drejtëpërdrejtë dhe të vlefshëm njëkohësisht që vendos gishtin në plagë brenda atij grupimi. Por bashkë me Murrizin në këtë grupim janë edhe shumë të tjerë që mendojnë si ai. Megjithatë, Bardhi dhe beniaminët e tij këto zëra ose i shpërfillin ose synojnë t’i eleminojnë politikisht. Fiks siç ndodhte në kohën kur PD-në e drejtonte Lulzim Basha.
  7. Gazmend Bardhi si numri dy i Rithemelimit po krijon marrëdhënie skandaloze me median. Është një raport fiks siç funksiononte ai dhe ish-kryetari i tij kur ishin në krye të PD. Ndërsa prej dy vjetësh ishte krijuar një raport normal i Rithemelimit me komunitetin e medias, aktualisht raportet janë të ndera, selektuese dhe aspak koherente. Një nga rastet që vërteton këtë ishte konferena e fundit për shtyp. Një gazetari iu hakërrye për pyetjen që sipas tij ishte e gabuar, një gabim thelbësor ky në këtë profesion dhe në Marrëdhëniet me Publikun. Një gazetari tjetër i sugjeroi se çfarë duhet të pyeste dhe një tjetri akoma, nuk iu përgjigj për asgjë nga ato që kishte pyetur. Gazmend Bardhi duket gjithnjë i tensionuar sa herë është përballë gazetarëve a thua se mbi supe ka qeverisjen dhe jo opozitën që e çliron nga çdo ngarkesë. Vijon gjithashtu të bëjë selektime në dalje nëpër emisione duke cilësuar armiq apo të papreferuar disa gazetarë dhe gazetare që nuk i pëlqejnë stafit të tij të ngushtë që me rikthimin e tij janë të njëjtët që kanë treguar sistematikisht paaftësi kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm.
  8. Gazmend Bardhi nuk po merr asnjë frut të marrëveshjes për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Deri më sot nuk po shihet ndonjë çudi që opozita të përfitojë nga zbulimi i fakteve që siç u premtua se do të çudisnin botën mbarë. Madje, sa më shumë kohë kalon, dallohet që të dy komisionet e ngritura duken pa ndonjë vlerë. E vetmja vlerë e marrëveshjes mbetet së pari njohja që mazhoranca socialiste i ka bërë dhe bën Rithemelimit me kryetar Sali Berishës, pavarësisht deklarimeve se “nuk merren me non grata” dhe së dyti fakti që Gazmend Bardhi është personi më grata i socialistëve në opozitë.
  9. Fakti që Gazmend Bardhi është bërë numri dy i Rithemelimit ka sjellë lënien në hije të disa figurave që inicuan dhe iu bashkuan që në start Sali Berishës duke krijuar një hendek të ri brenda këtij grupimi që nuk ishte dikur. Deri një muaj më parë zëvendësit kryesorë të Sali Berishës ishin Flamur Noka si sekretar i Përgjithshëm dhe Luçiano Boçi si kryetar i grupit parlamentar. Me katapultimin e Gazmend Bardhit këto dy figura kanë mbetur në hije. A është normale që Noka dhe Boçi që sakrifikuan që në fillim dhe u përplasën me Bashën për mënyrën se si ai po e drejtonte PD-në tashmë të lihen në hije? Përse? Sepse i duhej gjetur një pozicion i përshtatshëm Gazmend Bardhit që në atë kohë ishte kundër tyre, ndërsa ai u përmendte atyre pasuritë me vila deri metrat katrorë të shtëpive? Ndërkaq, aktualisht Rithemelimi është duke bërë një kopjim aspak elegant të periudhës 1993-1997 kur kryetari i PS-së Fatos Nano ishte në burg. Në atë kohë Nano vërtetë vijoi të ishte kryetar, por PS-ja drejtohej nga katër nënkryetarët Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga dhe Ilir Meta. Edhe Rithemelimi me Berishën në arrest shtëpie ka katër nënkryetarë, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin, Gazmend Bardhin dhe Agron Gjekmarkaj. Në fakt, më shumë se kjo Rithemelimit i duhet krijimi i një fryme besimi në popull dhe jo kopjimi i historisë së partisë kundërshtare.
  10. Me Gazmend Bardhin numri dy, Rithemelimi është shumë prapa në kohë në mënyrën e organizimit për zgjedhjet e vitit që vjen. Ndërsa PS ka kohë që i ka ndezur motorrët e fushatës, Rithemelimi i Bardhit ende nuk ka nisur nga puna e hartimit të strategjisë dhe hartimit të listave për zgjedhje. Nuk po shikojmë ende organizim të strukturave në bazë dhe të gjitha aksionet politike janë fokusuar vetëm brenda unazës së vogël të Tiranës. Ende nuk ka diskutime për mënyrën se si Rithemelimi do të futet në zgjedhje dhe çdo gjë tjetër jo vetëm është kohë e humbur por përsëri ky stil na kujton kohën kur PD drejtohej nga Lulzim Basha dhe kur numri dy ishte Gazmend Bardhi. Po ai që sot është numri dy i Rithemelimit.
Lexo edhe :  “Central Recorder”: Zbuloni rivierën shqiptare dhe plazhet mahnitëse me ujëra bruz

 

Të fundit

Pas miratimit të Statutit, Meta bën lëvizjen e menjëhershme në Partinë e Lirisë

Pas ndryshimit në Statut, Partia e Lirisë do të votëbesojë Kryesinë si dhe në listë do të shtohen dhe...

Kiara Tito dhe Luiz Ejlli bëhen prindër për herë të parë! Vjen në jetë vajza e çiftit

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito janë bërë prindër për herë të parë.  Çifti kanë mirëpritur në jetë vajzën e tyre, emrin Luna Mari. Sipas burimeve bëhet...

Të shoqëruar nga ‘Vrana Konti’, Rama dhe Spiropali ngjiten drejt Thethit (VIDEO)

Përmes një videoje në rrjetet sociale Edi Rama ka ndarë një moment nga ngjitja drejt Thethit, i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet...

“U mbulova nga djersët”/ Çfarë i ndodhi? Kiara Tito shkon me urgjencë në spital

Moderatorja Kiara Tito ka shkuar mbrëmjen e djeshme me urgjencë në spital për shkak se nuk është ndjerë mirë. Prezantuesja ka ndarë vetë lajmin me...

Protesta para Bashkisë Tiranë, publikohet plani i masave, ja rrugët që do të bllokohen

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka ndërmarr masa administrative për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së thirrur para Bashkisë Tiranë...

Lajme të tjera

Web TV