Nga Lira Gjika
Ira 8 vjeçe, detyroi Sonien, shoqen e saj, t’i jepte disa lekë, me pretendimin, se sëbashku i kishin bërë një dhuratë mësueses për 7 marsin. Edhe pse Sonia nuk kish qenë dakord për shpenzimin e tepërt dhe e kishte paralajmëruar, por Ira insistoi në një mënyrë të atillë, sa e vuri në sedër shoqen dhe ajo i dha shumën që i kërkonte.
Ira dhe Sonia sot janë të rritura dhe nëna, vazhdojnë të jenë shoqe të mira dhe e kujtojnë këtë episod me habi dhe kureshtje.
Ira kujton insistimin dhe “paturpësinë” e saj. Dhe vazhdon të tregojë se pasi mori lekët shkoi dhe bleu biskotat dhe i hëngri vetë të gjitha, pa i dhënë asnjë njeriu tjetër. Pjesën tjetër të lekëve, e fshehu dhe përpiqej që prindërit të mos kuptonin gjë. Dhe ata vërtetë nuk kuptuan gjë. Ira e tregon këtë edhe duke qeshur edhe duke u skuqur dhe përpiqet të kuptojë se çfarë ndodh me fëmijët dhe deri ku mund të shkojë një fëmijë nëse nuk jemi të vëmendshëm. Disa histori të fëmijërisë nuk duhen harruar dhe jo vetëm nuk duhen harruar, por duhen mbajtur në memorie për të ndihmuar në njohjen dhe edukimin e fëmijëve.
Ira sot është prind dhe një person shumë i hapur, që përpiqet të qëndrojë nga e mira dhe njerzorja. Ajo vazhdon të më tregojë se opinioni i prindërve dhe i mësuesve ishte shumë vlerësues dhe i mirë. Asnjërit prej të rriturve nuk u shkonte në mend se Ira ishte e zonja, madje edhe bënte veprime, që ishin të dënueshme për edukatën e kohës. Edhe pse i rrinin në kokë e kontrollonin, askush nuk kuptoi asgjë. As prindërit e Irës, po edhe prindërit e Sonies, që mori lekë në shtëpi, nuk kuptuan gjë. Të dyja qeshin sot kur e kujtojnë. Madje Sonia i drejtohet Irës edhe me një lloj hakërrimi: -ah çfarë më detyrove të bëj, por si ishe aq e qetë dhe e pandjeshme? Ira duke u skuqur buzëqesh dhe thotë: -nuk e di, por nuk mendoja asgjë, vetëm doja lekët. Sonia vazhdon të tregojë, se nuk ishte dhe aq e vështirë që t’ia u hidhje prindërve. -Edhe pse kisha shumë frikë, nuk e di, por e realizova pa ndonjë problem. Habitesha edhe vetë, qetësia, që kisha kur morra lekët më ka mbetur në mëndje. Mirë Irës që i ishte mbushur mendja se duhet ti jepja lekët, por unë pse bindesha? Çfarë më shtynte, nuk ishte vetëm kërkesa e Irës?
Natyrisht, që është shumë e vështirë, që të njohësh një fëmijë. Dhe kjo për dy arsye: e para, ai është një njeri tjetër. E dyta, ai është në një periudhë tjetër të jetës në raport me të rriturin. Fëmija po ndërton “botën” e tij të brendshme. I rrituri e ka mbaruar këtë proces. I rrituri është në nivelin, që lidhet direkt me vetëdijen, pasurimin dhe mirëmbajtjen e saj. Fëmija është duke ndërtuar e zhvilluar veten e tij si i rritur, por nuk është i rritur. Është normale që fëmija duke u rritur, do të bëjë edhe gjëra që të rriturit i etiketojnë “jo të mira”, që nuk duhen bërë,. Por po e trembi i rrituri fëmijën, ai do të fshihet dhe ruhet nga i rrituri dhe kështu, do të jenë të huaj me njeri tjetrin, në vend që, me durim ta ndihmojë fëmijën të zhvillojë të mirën dhe respektin për vete. Ka shumë fëmijë që nga frika e prindërve se mos i shajnë e ndëshkojnë, ecin në “rrugë të errëta” të jetës dhe nuk dalin dot prej saj.