Lojtari i kombëtares shqiptare të futbollit, Mërgim Mavraj është kthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave për çështje që nuk lidhen me fushën e blertë.
Mavraj akuzohet për qëndrim antisemit, pasi në një postim në rrjetet sociale ka fshirë nga harta Izraelin.
E përditshmja gjermane “Nürnberger Zeitung” raportoi pak ditë më parë se mbrojtësi shqiptar kishte postuar një foto në Instagram, në të cilin harta e territoreve të Izraelit ishte mbuluar me lule.
Ndërsa në mes të kësaj fotoje kishte vendosur hashtagun #FreePalestine (lironi Palestinën).
Ky veprim sipas Daniela Einshtajn, drejtoresha e Muzeut Hebraik në Franken, tregonte se Mëgim Mavraj mbante qëndrim antisemit më këtë postim.
“Kjo sjellje është e papranueshme, mesazhi i Mavrajt kundërshton të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”,- u shpreh ajo.
Klubi i shqiptarit Greuther Fürth u distancua nga publikimi i mbrojtësit.
“Si një klub, ne jemi pro tolerancës, diversitetit dhe barazisë dhe jemi kundër diskriminimit, racizmit dhe përjashtimit, të cilën ne e shprehim rreth fushatave tona vazhdimisht. Ndaj distancohemi nga publikime të tilla”,-thuhej në reagimin e klubit.
Por lojtari është acaruar shumë dhe nuk pranon akuzat, duke thënë se po tentonin t’i prishnin imazhi
“Përfundimi se unë jam antisemit është primitiv në kohët tona. Izraeli dhe Palestina kanë të njëjtën të drejtë të jenë në hartën e botës. Unë nuk i mohova Izraelit të drejtën për të ekzistuar”,-u shpreh ai.
Ndërsa pasditen e djeshme ka postuar disa video në ‘Instagram’ ku shpjegonte se nuk kishte qëndrime antisemite, por thjesht kërkonte që edhe Palestina të kishte të njëjtat të drejta.ka.ta/Fjala.al/