Sazani, perla turistike 11 kilometra larg Vlorës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një reportazh mbi ishullin e Sazanit, i cili deri para pak kohësh ka qenë një terren i fortifikuar, por që sot është i gatshëm të kthehet në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm

Nga Besnik Velaj

E bëmë pyetjen që në fillim se pyetësori ka dhe çudinë brenda. Ishulli i Sazanit, djali i vetëm i vatanit Nëna Shqipëri, që nga koha e lashtë e Ptolemeut, Polibit dhe deri kur u pranua Shqipëria në NATO, ka qenë ishull i militarizuar.

Nga romakët ka trashëguar mbeturinat e një kështjelle; nga sistemi komunist bunkerë të pacenuar. Pushtuesit, të paktën, i kanë shijuar puhizat, kaltërsitë, jodin etj., si pjesë të disfatave të tyre…, por shqiptarëve, vlonjatëve, u kanë munguar fatet për të shijuar apo u kanë prangosur idetë apo shanset për të zhvilluar industrinë e turizmit në ishullin e Sazanit.

Pushtuesit dhe sistemi komunist kanë sjellë izolimin dhe mjegullën e zhvillimit të turizmit. Veç tërësisë tokësore, pyetja se cili është ishulli i Sazanit në kontekstin e mësipërm, për 50 vjet diktaturë apo 20 vjet demokraci, për zhvillimin e turizmit, është e pamotivuar, e pavlerësuar, e papeshuar për alternativën. Ndoshta për nënshtrim, nuk kemi ditur t’i vlerësojmë pasuritë tona turistike. Greqia, Kroacia në Ballkan kanë mijëra ishuj dhe nuk kanë falur asnjë; qoftë edhe një pëllëmbë tokë ishullore, por përfitojnë valutë të huaj nga turizmi shtetëror.

 Ishulli i bunkerizuar

Pse ishulli i Sazanit të mbetet pronë e Robinson Kruzove për turizëm të bunkerizuar në demokraci? Ishulli i Sazanit është në vazhdim të Gadishullit të Karaburunit, dikur i bashkuar me të, por i shkëputur gjatë periudhës gjeologjike të kuaternarit, me anë të një fundosjeje tre kilometra, që formon grykën e Sazanit. Ka një sipërfaqe prej 6 kilometrash katrorë, në formën e bukur të një rombi. Relievi është malor, i përbërë nga dy maja të rrumbullakosura, të ndara midis tyre nga një gropore, ku janë vendosur qendrat e banuara të Robinso Kruzove. Sazani është skaji më perëndimor i vendit tonë. Si gadishulli i Karaburunit, edhe ishulli i Sazanit, me pozitën gjeografike dhe strategjike kanë tërhequr vëmendjen e turistëve, vizitorëve për turizmin malor. Sazani është për vendasit dhe ka qenë; qoftë edhe me vizë…. Të parët kishin frikë se mos i marrin në zbor për të mbrojtur ishullin nga NATO-ja. Të huajt nga frika e humbjes në luftën antiimperialiste…

Mundësia turistike
Pse të mos jetë ishulli i Sazanit port i turizmit në Adriatik?

Ashtu si pa u ndier, deri në aventurat politike, politika vertikale, organet e pushtetit lokal pengojnë investimet në ishullin e Sazanit, ishullin strategjik. Ishulli i Sazanit është kaq afër; 11 milje larg Vlorës dhe shumë larg për të plotësuar nevojat imediate, me potenciale të mëdha turistike. Shumë e madhe është historia e ishullit të Sazanit, si vendbanim i lashtë, për turizmin kulturor.

Qysh nga kohët më të lashta kanë shkruar Skylaksi, Polibi, Sazo si vendqëndrim për lundërtarët. Më shumë vlerë duhet treguar për të çmuar turizmin kulturor, kur në faqen e ishullit, në perëndim, janë zbuluar mbeturinat e një kështjelle që i përket kohës romake. Sipas prof. Halo Abazit, në mesjetë, venecianët e kanë përdorur ishullin si fortesë të tyre, kur ishin zotër të Aulonës dhe Spiranicës. Banorët vendas të ishullit, duke qenë se bëheshin viktimë e piratëve të detit, ikën në vende të tjera, një pjesë e të cilëve u vendosën në Zvërnec dhe në Nartë ose Artë.

Parajsa e pushtuar
Në kohë të reja ishulli është përdorur si kullotë dimërore mjaft e pasur, e përshtatshme, e cila ishte pronë e vezirit të Beratit, i cili e jepte me qira për 1500 piastra në vit. Kohë pas kohe pushtimesh ishulli i Sazanit u bë vazhdimisht objekt i diplomacisë dhe agresionit të shteteve, për ta kthyer atë në bazë ushtarake.

Në vitin 1913, kur ushtritë greke përparuan në drejtim të territoreve të shtetit të pavarur shqiptar, ato zunë padrejtësisht edhe Sazanin. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër ishulli i Sazanit diskutohej jo si një vend ku gërshetoheshin interesat italo-greke. Më 30 tetor 1914 njihet si dita kur Italia pushtoi Sazanin dhe prej andej, pas nënshkrimit të Traktatit të Fshehtë të Londrës, filloi planin e italianizimit të Shqipërisë, nën pretekstin se ajo mbronte gjoja interesat strategjikë të Italisë në Adriatik dhe siguronte, gjoja paprekshmërinë e Shqipërisë.

Qysh nga ajo kohë ishulli i Sazanit nuk u përdor më as si kullotë dimërore, por si bazë sekrete ushtarake italiane, ku mos të shkelte më këmbë shqiptari. Populli ndjeu dhembje të brendshme dhe aktualisht që nuk e vizitonte dot pjesën më të bukur të atdheut.

Turizmi kulturor

Jo vetëm që ishulli i Sazanit duhet t’i kthehet tërësisht destinacionit turistik, por, për historinë e mësipërme ai ka interes për turizmin kulturor. Në pllaka përkujtimore, stendat apo muzeume madhështore turistët duhet të mësojnë të vërtetën e masakrave të pushtuesve. Në luftën e Vlorës, në vitin 1920, u internuan në ishullin e Sazanit 1500 veta nga popullsia.

Edhe pushtuesit italianë apo grekë, të mundur me turp në fushat e betejës, u larguan nga Vlora, por mbajtën ishullin e Sazanit përjetësisht. Edhe sot duken punimet fortifikuese nga forcat ushtarako/detare dhe armatime të shumta, si dhe një sistem minash të ndryshme, të ndryshkura për rreth ishullit.

Edhe kujtimet e më të moshuarve janë më mallëngjyese, kur na jepen barinjtë që vajtojnë tokën e tyre amtare, se u mungonte një pjesë e trupit. Në muzeun natyror, por si i tillë duhet ligjëruar nga shteti, pjesë e turizmit kulturor, duhet të shtohet dhe historia e kohës së Zogut I, kur Sazani u mbeti italianëve. Për këtë padrejtësi patriotët shqiptarë, brenda e jashtë vendit protestuan, nxorën edhe një gazetë të quajtur Sazani, në Francë. Sazani mbeti pronë e shqiptarëve vetëm pas Luftës Nacional-Çlirimtare, por, pas 50 vjetësh, potenca e pasurive turistike mbeti e panjohur, e izoluar, pa komunikim qoftë me vlonjatët, qoftë edhe me shqiptarët.

Ishulli i izoluar
Sot, pas 30 vitesh demokraci, ishulli i Sazanit mbeti i izoluar, i vetmuar për turizëm. Për turizmin mbetën objektet e shkatërruara social-kulturore të socializmit… Mbeti një ndërtesë e gjeneralit italian të ishullit, bashkë me plazhin e vogël. Ky emërtim pushtuesish, i pandryshuar deri në kohët tona, është një ironi therëse për të zotët e vatanit, gjë që tregon se vetëm të huajt e njihnin jetën për të provuar… kënaqësitë e detit të kripur, diellit thekës, gjelbërimit të përjetshëm.

Lexo edhe :  Masakra e Reçakut/ Begaj: Denoncimi i ngjarjes ndryshoi historinë e Kosovës

Vendasit duhet të ëndërrojnë ëndërritje absurde në Vlorë, nëse qeveritë venë e vijnë si pikat e shiut në muajin korrik dhe janë shterpë për ide. Për zhvillimin e turizmit në Sazan, ne mund t’u drejtohemi personaliteteve, biznesmenëve etj. Njëri prej personave që e ka ngritur këtë problem është zoti Petrit Levendi, i cili është shprehur kështu: Deri më sot ishulli në konceptin gjeografik, konceptohet si tokë dhe çdo shqiptar do të kishte dëshirë ta vizitonte atë.

Dëshirën për vizitë e kanë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës, por, edhe shumë të huaj. Ata do të shihnin shumë bunkerë në skalionet perëndimore, si çmenduri e një njeriu dhe e sistemit që e polli. Ata do të shihnin, do të njihnin në vend shumë histori në objektet e mbetura sot rrënoja, të cilat, i ngritën njerëz që kanë thyer duar e këmbë duke montuar elementet e betonit, duke i transportuar mbi shpinë.

Anijet luftarake dhe zonat e ankorimit mund të përdoren, nëse restaurohen dhe vendi kthehet në një port jahtesh. Po aty, si pjesë e muzeut Aeronaval, mund të ankorohen një apo dy nëndetëse, anije luftarake të Luftës Ftohtë, për t’u vizituar falas nga turistët dhe ndërtesat ekzistuese ushtarake, të cilave pa ua ndryshuar arkitekturën dhe konfiguracionin, por duke i rilyer, me dizenjo në vija të lakuara e jeshile, të kthehen në bare, restorante ku të gatuhen fruta deti, dyqane ushqimore dhe artikujve të përdorimit të brendshëm. Ato mund të kthehen në dyqane suveniresh, biblioteka, butikë, klube nate, pub-e, agjenci turistike, pika interneti, shërbime postare, ex-change. Aty mund të jetë qendra administrative e ishullit; një zyrë policie dhe një kazino për të rriturit.

Pikëpyetjet e panumërta
A nuk do të ishte një eksperiencë e rrallë turistike në botë? A nuk është sot ish ishulli i torturës, pranë kontinentit amerikan, që vizitohet nga 5000 vizitorë në ditë, duke sjellë të ardhura për komunitetin në rreth një milion dollarë në ditë? A nuk është ishulli i Sazanit me histori të ngjashme me Alkatrazin? A nuk do ta vizitonin 1000 qytetarë shqiptarë? A nuk do të dyfishoheshin të ardhurat e Bashkisë?

Mundësitë e reja

Në përputhje me terrenin kodrinor, në anën lindore të ishullit, mund të ndërtohen dy apo tri fshatra turistike, gjithnjë duke respektuar kapacitetin mbajtës të zonës, raportin natyrë-ndërtim, si dhe parametrat mjedisorë. Aftësia mbajtëse e ishullit mund të shkojë 2000 e 3000 persona, më tepër se kapaciteti hotelier i Vlorës sot, nëse ndërtohen komplekse hoteliere, me jo të larta.

Në Sazan mund të ketë kinema, bilardo, fusha futbolli, tenisi, ping-pong-u, pishina, qendër tregtare, sallë konferencash, etj.. A nuk mund të organizohen sporte uji, sporte nënujore, të bëhet një aerodrom i vogël në pjesën më të lartë të ishullit? A nuk mund të jetë një pikë turistike transite për tragetet në Sarandë, Himarë, Sazan, Durrës dhe destinacione më të largëta të bregdetit shqiptar? Por, kryefjala e turizmit në ishullin e Sazanit mbetet me ligj pastërtia dhe virgjëria në të ardhmen.

Parku ujor
Sot, pas 30 vitesh demokraci, ishulli i Sazanit mbeti i izoluar, i vetmuar për turizëm. Për turizmin mbetën objektet e shkatërruara social-kulturore të socializmit… Mbeti një ndërtesë e gjeneralit italian të ishullit, bashkë me plazhin e vogël

. Ky emërtim, i pandryshuar deri në kohët tona, është një ironi therëse për të zotët e vatanit, gjë që tregon se vetëm të huajt e njihnin jetën për të provuar… kënaqësitë e detit të kripur, diellit thekës, gjelbërimit të përjetshëm. M.gj.s pas ndërtimit të veprës turistike-inxhinierike të lungomares në Vlorë dhe ishulli i Sazanit është emërtuar: Parku ujor Sazan-Karaburun.

Bashkia dhe disa firma turistike kanë ndërtuar anije të shumta pasagjerësh që transportojnë qindra vizitorë-turistë nga Vlora, përtej kufijve të Shqipërisë si kosovarë, shqiptarë të Maqedonisë, turistë të Ballkanit Perëndimor dhe Sazani bashkë me Karaburunin po ndiejnë peshën e rëndesës turistike, siç e kanë vlerën reale në ekonominë e tregut. Edhe pandemia nuk i ndalon dot njerëzit, turistët, vizitorët vlonjatë të ndiejnë kënaqësinë e vizitave të tyre.

 

Sulejman Abazi, ish-komandanti ushtarak i ishullit të Sazanit

Ishull që ofron gjire dhe mundësi ndërtimi bankinash

 

Në 5,8 km katrorë, rreth 2,8 km katrorë në pjesën lindore janë të pyllëzuara me pishë, më mirë sesa në Divjakë. Brenda përbrenda ka mbi 62 km sistem rrugor që mund të rinovohet dhe të jetë tepër funksional. Ka disa kilometra tunelizimi ku tavernat dhe të tjera gjëra mund të tërheqin me jahte tërë turistët dhe lojtarët parallinj të Mesdheut. Ka një bazë detare (bankina dhe xhepa) me kapacitet të mjaftueshëm për intensitetin e turizmit. Pjesa lindore e ishullit, nga Plazhi i Oficerëve e deri te Gjiri i Japrakut është në thellësi normale, i përshtatshëm për sistem elitar hotelerish.

Nga Sazani dhe anasjelltas, në një distancë 1,8 milje detare mund të jetë komunikimi turistik me Karaburunin, i cili ka dhe ai të mirat e tij në këtë kompleks turistik, që shumë mirë mund të përfshihet në rajonin e gjirit të Vlorës dhe përreth tij (bregdeti i qytetit të Vlorës, Radhimës, Orikumit, Karaburunit, ishullit të Sazanit dhe të Zvërnecit, me dy korridore hyrje-dalje në detin e hapur, kanali i Zvërnecit dhe Mexokanali). Në një perimetër 11,2 km ishulli ofron gjire, mundësi ndërtimi bankinash dhe në pjesën perëndimore mund të jetë një pikë e furnizimit ndërkombëtar të mjeteve lundruese. Ajo që i jep jetë dhe e bën këtë vend të rrallë, të gjallë dhe me frymë, është sistemi elektrik dhe ai i furnizimit me ujë nga “toka e madhe”. Sazani përveç disa burimeve të brendshme të papërfillshme dhe ujëmbledhësve që dikur kanë shërbyer për banorët e tij, mbetet një vend i thatë./Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

16 Janar 1920/ “Prohibicion”-i, dështimi i epokës së artë në trafikun e zi

Nga Leonard Veizi   Është vërtetuar katërcipërisht se njeriu ka kureshti të tepruar ndaj asaj që ndalohet, dhe shumë më pak...

Energjia e pastër/ Marrëveshje mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve

Në Abu Dhabi, Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë bashkë për të nënshkruar një marrëveshje trilaterale që synon krijimin e një...

Sazani në duart e Trump, Rama miraton projektin

Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner, dhëndrit të presidentit...

Konflikte mund të lindin në dashuri…çfarë thonë yjet për ju sot

DASHI Mos u përpiqni të përfundoni gjithçka gjatë ditës së sotme. Dot të jetë një ditë e ngarkuar me punë dhe rekomandohet të kërkoni ndihmë...

Lajme të tjera

Web TV