Policia e Durrësit ka arrestuar 3 për vjedhje, pasi në automjetin e tyre u gjet armë dhe antipluma si uniformat e policëve, që planifikonin të shiteshin për 3 mijë euro.
Një prej të arrestuarve gjithashtu iu gjetën 10 doza drogë në banesë. Ndërkohë operacioni i koduar ”Silenciatori” vijon edhe për personat që do i blinin armën dhe anti-plumbin.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Silenciatori”.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim të ngushtë me nga Forca e Posaçme Operacionale në DVP Durrës.
Sekuestrohen armë zjarri me silenciator, drogë e veshje antiplumb si të Policisë.
Vihen në pranga 3 shtetas, 1 prej tyre i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, falë edhe kontrolleve të shtuara kohët e fundit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar në informacionet që Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dispononte, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Silenciatori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
M., 28 vjeç; V. Z., 24 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, të tre banues në Durrës.
Mbi bazën e informacioneve të marra më parë, është mbajtur nën vëzhgim mjeti me të cilin këta shtetas po qarkullonin dhe në lagjen nr.17, Kënetë, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin e dyshuar për kontroll.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin B. M., në sediljen e pasagjerit, në një çantë dore, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me silenciator dhe në bagazhin e mjetit një jelek antiblumb si i Policisë.
Nga hetimet dhe informacionet e marra, rezulton se armën e zjarrit dhe antiplumbin do t’i shisnin kundrejt vlerës 3000 euro.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e shtetasit V. Z., u gjetën 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave që do të blinin sendet e kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale “Armëmbatja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.