Nis fushata, Rama në shesh vetëm me kandidatët
Kryeministri Edi Rama ka hapur “vakët” fushatën elektorale. Mes 153 deputetëve ai ka kërkuar mandatin e tretë. Rama ka shigjetuar çeljen e fushatës së Partisë Demokratike. Ai akuzoi Bashën për shkeljen e masave anti–covid si dhe për makinat lukzoze që zbritën në sheshin “Nënë Tereza”
Nga Fernada Cenko
Ka nisur zyrtarisht fushata elektorale, ku dy partitë e mëdha politike kanë zbritur në “fushë betejë” për sfidën e 25 prillit. Edi Rama zgjodhi sheshin “Skënderbe”, ndërsa Lulzim Basha sheshin “Nënë Tereza”. Në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara, ku sheshet kanë qenë të tejmbushura nga simpatizantë të partive, kjo fushatë nuk do të ketë grumbullim të simpatizantëve të asnjë prej forcave politike, për shkak të COVID. Në sheshin Skënderbej nuk kishte sipmatizantë të mazhorancës, por vetëm kandidatët të vendosur në distancë nga njëra tjetra, ndryshe aktiviteti i PD i organizuar te sheshi “Nënë Tereza”. Fushata e socialistëve është hapur me Himnin Kombëtar të interpretuar nga Vikena Kamenica. Në aktivitet ishin të pranishëm vetëm 153 kandidatët për deputetë në të gjitha qarqet, duke respektuar masat anti COVID dhe duke ruajtur distancën. Kryeministri Edi Rama i është kthyer sërish trëndafilit që e gjeti që kur mori stafetën në Partinë Socialsite. Në tokë kishte “shtruar” trëndafila dhe në ledëall ka trasmetruar arritjet e qeverisë në fushën e infrastrukturisë si dhe të ekonomisë.
Kryeministri Edi Rama e ka mbyllur me fjalën e vet pas prezantimit të 153 kandidatëve. Ai që në fillim bëri një krahësim me çeljen e fushatës së tij dhe asaj të Partisë Demokartike që e nisi në shkelje të ligjit për shkak të grumbullimit të njerezve. Kryeministri Edi Rama tha se PS nuk mund të kthehet në vatra infeksioni dhe aq më pak të përçojë mesazhe të gabuara se kur je lart mund të shkelësh ligjin dhe të bësh ç’të duash me njerëzit. “Patjetër që fushata elektorale është një sfidë dhe përballja është një sfidë, por sfida e sfidave është fitorja mbi armikun e padukshëm, zmbrapsja përfundimtare e virusit nga jetën tona, të tjerat vijnë të gjitha pas saj dhe ne nuk mund të jemi krijues vatrash infektimi, ne nuk mund t’i thërrasim njerëzit për ti vënë në rrezik dhe mbi të gjitha për të vënë në rrezik ata që thërrasim të çojmë mesazhin më të gabuar tek ata që na shohin. Mesazhin e tmerrshëm se kush është më lart mund të sillet si të dojë me njerëzit dhe ligjin, dhe madje e ka kaq lart këtë sa në një luftë kur bëhet fjalë për jetën nuk do t’ia dijë dhe përçojnë mesazhin e vdekjes kudo”, tha Rama. Kryeministri i ftoi shqiptarët të bëjnë një diferencë thelbësore sipas tij mes mazhorancës dhe opozitës. “Në mungesë të dhëndrit dasmorët dëgjonin klithma, britma, pasthirrma. Si mund të pretendohet në shekullin e 21-të, në vitin 2021 që të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri dhe të qeveriset me britma, klithma dhe pasthirma. Atyre që i shohin këto kartolina i them që nëse do të donit të dinit se çfarë ju pret nëse ata do të vinin në krye shikoni sheshin “Nenin Tereza”, bllokim komplet dhe ngatërrim këmbësh. Faktikisht po të shohësh vonesën është shumë domethënëse sepse ata janë shkaktarët e të gjitha vonesave të këtij vendi, madje edhe të fillimit me vonesë të takimit tonë. Kanë 3 ditë që ndryshojnë orën dhe prapë se prapë na vonuan pak minuta por për ne është shumë. Dhe arsye që ne do marrim mandatin e tretë është se Shqipëria nuk mund të vonohet më prej tyre”, tha Rama. Ai reagoi me ironi ndaj grumbullimeve që PD organizoi në sheshin “Nënë Tereza” për nisjen e fushatës elektorale. Rama tha se militantët erdhe më makinë si dasmorë për të pritur një dhëndër që u vonua një orë. Kreu i Qeverisë tha se Basha rrezikoi jetën e njerëzve duke venë partine para shëndetit te njerezve. “Mbi partinë patjetër ndërsa atje partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve. U shfaqen me makina e dasmore që kanë vërë përpara një dhëndër që vonohet 1 orë. Çfarë mund të presësh nga një person që lë një orë në të ftohtë të presina ata që i fton vetë. Ajo është një orë për t’u zgjuar jo për të fjetur. Këtu ka dëshirë për të folur me fjalë se në fund të të fundit njeriun nga kafsha një fjalë e ndanë”, tha Rama
Rama: Mos i jepni mundësi Metës dhe
Berishës të marrin zvarrë Shqipërinë
Kryeministri Rama ka folur në çeljen e fushatës elektorale për mandatin e tretë të PS duke thënë se do të tregojë që politika nuk i bën dot asgjë profesionstëve. Rama ka theksuar se mandati i tretë i PS do t’i heqë mundësinë Metës, Berishës e Kryemadhit që të marrin zvarrë Shqipërinë, ndërsa Bashën e cilëson si kukull në prehrin e tyre. “Si mundet tu jepet atyre një shans tjetër? Mandati i tretë i PS është heqja e çdo mundësie që Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi të kenë një shans tjetër për ta marrë zvarrë Shqipërinë për hesap të llogarive të tyre, të pushtetit të tyre, të pasurive të tyre dhe të gjithë privilegjeve të tyre dhe kur vjen puna, edhe Luli nuk ka si e merr një shans se Luli nuk është Luli, por është Sali, Iliri e Monika. Është si ato kukullat që po nuk i tunde flenë, kur tunden hapin sytë dhe nxjerrin atë këngën në formë ninulle për të vënë në gjumë. Kur zhduket nga ekrani është një kukull që fle. Një kukull në prehrin e atyre. Një arsye shumë e fortë e PS. Është një mandat për të mos lënë në mes një punë që duhet të vazhdojë me patjetër”, tha Rama.
Braçe: Mandati i 3 një kontratë
pune për secilin prej jush
Zëvendëskryeministri Erjon Braçe, kandidat në listat e PS në Fier, foli nga Sheshi “Skënderbej” për zgjedhjet e 25 prillit. Braçe e nisi fjalën e tij me një mesazh tejet prekës për ata që humbën jetën nga koronavirusi, teksa tha se “ata nuk ja dolën dot, por ne jemi të gjithë bashkë për t’ia dalë edhe për ta”. Ndëkaq ka kërkuar votën për një mandat të 3 për mundin që ka bërë PS. “Mbi të gjitha mandati i 3 nuk është një trofe një histori por një kontratë pune për secilin prej jush. Shqiptarë kudo që jeni kjo është diferenca dhe ajo vjen nga puna. Puna me nder ka ndryshuar shqipërinë. Kjo punë ka ndryshuar fierin lushnjën mallakastrën. Puna e bën diferencën ne punën kemi asgjë tjetër veç kësaj ndaj duke u mbështetur fort te puna do të vazhdojmë më tej për të përmirësuar jetën e gjithësecilit. Kemi punë të madhe për të bërë përtej asaj që bëmë këto 8 vite. Duhet të vazhdojmë të ndryshojmë veten për të ndryshuar akoma më fort qytetet tona”, tha Braçe. Zvendëskryeministri ka premtuar për qarkun Fieri ujë 24 orë. “Uji është jetë shëndet dhe në këtë vit kemi mësuar se shëndeti është i pari. Prandaj uji 24 orë për fierin patozin, divjakën. Puna në një qark si Fieri me ekonominë më të madhe bujqësore të vendit. Bujqit njerëzit e zakonshëm atje i përulem çdo bujku duke i thënë qartazi dhe duke e parë në sy se projekti ynë për taksa 0 është projekti më i madh i PS”, tha Braçe. Ai ju kërkoi një mandate të tretë për Edi Ramën, pasi sipas tij kryeministri është një puntor i zakonshëm. “Kam hyrë djalë dhe jam burrë në atë shtëpi. Duhet të votoni për PS. Më ka dhënë të gjithë lirinë të qëndroj përballë. Edi Rama është një punëtor i zakonshëm si të gjithë ju. Thirrjen e fundit e kam për këta burra dhe këto zonja që janë këti që përbëjnë skuadrën e Fierit. Dua votë për ta që nga Gramoz Ruçi e deri te Lindita. E kërkoj votën për atë punë që kemi bërë”, tha ai.
Basha: Ne jemi ekipi i fitores dhe ndryshimit
Kreu i opozitës Lulzim Basha në çelje të fushatës tha se Shqipëria do të ndryshojë rrënjesisht me politikat nëse vjen PD në pushtet pas 25 qershorit. Ai tha se “Bashkimi ynë është për ndryshim, ku do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar. Ne jemi ekipi i fitores dhe ndryshimit”
Nga Fernada Cenko
Partia Demokratike ka nisur 30 minuta me vonesë hapjen e fushatës elektorale. Simpatizantët e saj kishin grumbulluar makinat me flamujt e Partisë Demokratike që mesditën e 25 marsit. Adrenalinë e cila nisi më herët, ndërsa Partia Socialiste u tregua më “institucionale” në respekt të masave anticovid. Tenori Kastriot Tusha ishte ai që hapi fushatën e Partisë Demokratike me interpretimin e Himnit Kombëtar. Deputetja e parë që hipi në skenë ishte shkrimtarja Flutra Açka, e cila apeloi për të ndrequr demokracinë, pasi përndryshe shkojmë në diktaturë. Sipas saj kjo është alternativa e këtyre zgjedhjeve. “Një nga gjërat më të dashura është kujtesa, për kujtesën shpresën dhe të vërtetën dua të flas sot. Kapërcimi nga vetmia te shumria e njerëzve nuk është e lehtë. Nuk ka qenë hezitim, por përgjegjësi për të thënë po, vetëm pak çaste për të vendosur. T’i thuash jo në kohërat si tona, nuk bën gjë tjetër vetëm se pohon postulatin e Dantes për vendin që kanë në ferr indiferentët për kohët e turbullta”, tha Açka duke kujtuar se në katër dyer njëra nnuk hapet, sepse ka braktisur vendin.
Fjalimi i Bashës
“Bashkimi ynë është për ndryshim, ku do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar. Ne jemi ekipi i fitores dhe ndryshimit”. Me këto fjalë kreu demokrat Lulzim Basha iu drejtua mbështetësve të tij në sheshin “Nënë Tereza” në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Bashës, pas 25 prillit do të hapet një faqe e re për vendin, për zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien duke i dhënë fund tranzicionit. “Edhe 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë zhvillimit punësimit mirëqenies dhe integrimit në familjen europiane. Ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm. T’i japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne të Shqipërisë të mundësojmë që më të mirët e të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për punë, nder e ndryshim rrënjësor”, tha Basha. Basha theksoi se së pari duhet të ndalojmë varfërinë dhe shpopullimin e vendit, duke ndalur ata që zhvasin pasuritë dhe vrasin shpresën. “Më shumë se kurrë duhet të vendosim krenarinë tonë kombëtare se duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim e zbrasje që po i ndodh Shqipërisë. Nënat e motrat tona nuk duhet të kërrusen nga dhimbja që shkakton braktisja e vatrës së familjes. Shqipëria ka qenë kryelartë dhe ne jemi sot si përgjigje për të ndalur dorën që zhvatin pasurinë, vret shpresën e shqiptarëve dhe kërkon të mbjellë frikën te bashkatdhetarët tanë. Është një rrugëtim i vështirë për ne e kryejmë me përgjegjësi se jemi të vetëdijshëm se puna jonë është përkushtim e sakrificë për vendin, shqiptarët e kombin. Se po shkulim e çrrënjosim një kastë dhe një të keqe që ka vendosur të pasurohet. Po luftojmë kundër një grushti njerëzish. Janë gati të bëjnë gjithçka për karriget e tyre”, tha Basha. Atyre që u ka humbur besimi se ky vend mund të bëhet, Basha u thotë se shqiptarët meritojnë më shumë. Sipas tij, në çdo cep të Shqipërisë ku ka shkuar, të gjithë duan ndryshimin. “Po zhvillojmë një betejë kundër vetes. Shumëkujt i ka humbur besimi dhe shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. Për të gjithë këta unë pyes a është kjo që ne meritojmë a është papunësia e mjerimi, largimi i rinisë ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo. Nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë shqiptarët meritojnë më shumë”, tha Basha duke shtuar se Partia Demokratike është për shqiptarët. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen për ndryshimin, ndërsa atyre që kërkojnë të largohen u tha që të qëndrojnë për të luftuar me të. Ndërsa detyra madhore e tij është futja e Shqipërisë në BE. “Thirrja ime është për ty që kërkon mundësi për të ikur nga ky vend; Mos ik qëndro lufto me mua, lufto me ne. Ky vend mund të bëhet dhe ti do ta ndërtosh jetën tënde këtu. Detyra ime e parë madhore është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Bashkohuni për ndryshimin. Unë kam nevojë për ndihmën tuaj. Pa ju, planet më serioze shndërrohen në pluhur. Të qëndrojmë bashkë, të bindim këdo, se po punojmë për të sjellë ndryshim të thellë. Bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton. Kam nevojë për ju, për ndihmën dhe forcën tuaj. Bashkohuni në përpjekjet e fundit për ndryshim. I nderuar për misionin e lartë që më keni besuar. Së bashku do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë”, tha Basha.
Gara e shifrave: Rama “mund” Online Bashën
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike çelën pasditen e djeshme fushatën elektorale duke mbajtur dy takime, njëra tek sheshi “Skënderbej” dhe tjetra tek “Nënë Tereza” të cilat u transmetuan live në facebook. Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme audienca e Kryeministrit është mbi 21 mijë persona në kohë reale, ndërsa ajo e Lulzim Bashës vetëm 7 mijë shikime. Këto shifra në një farë mënyre tregojnë edhe interesin e qytetarëve për të parë dhe për të dëgjuar mes Ramës dhe Bashës, meqë çelja e fuashtës u mbivendos për shkak të shtyrjes që Basha i bëri me 30 minuta nisjes së aktivitetit.
Mijëra demokratë për hapjen e fushatës, mungon Berisha
Mitingu hapës i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit zgjati rreth një orë në sheshin “Nënë Tereza” mes mijra qytetarëve. Lideri demokrati mbërriti në shesh rreth orës 18:10, ndërsa rreth orës 19:00 mbylli fjalimin. Selia blu kishte zgjedhur që në fjalën ta merrnin Flutura Açka, shkrimtarja që kandidon në listën e Elbasanit, aktori Neritan Liçaj, Andi Lila, Floriana Garo, e cila i ftoi më pas Lulzim Bashën në podium për të hapur zyrtarisht fushatën. Në fund të fjalës së tij, Basha u surprizua, pasi në skenë iu bashkuan bashkëshortja Aurela me dy vajza, Dafina dhe Viktoria. Në mesin e 222 kandidatëve për deputetë mungonte ish-kryeministri Sali Berisha dhe nuk dihen arsyet pse ai nuk iu bashkua mitingut.