Një 11-vjeçare, Miah Cerrillo, që ishte në klasën ku Salvador Ramos vrau 19 fëmijë dhe dy mësues, i mbijetoi masakrës së Uvalde duke u lyer me gjakun e një shoqeje të shkollës që po vdiste dhe duke u shtirur se kishte vdekur. Kështu ka rrëfyer familja e vajzës për shtypin vendas, duke shtuar se tani vajza është në gjendje shoku.
Pasi Salvador Ramos hyri në klasën e saj dhe vrau shokët e klasës dhe mësuesit e saj, vajza sajoi një teknikë të mbijetesës: ajo u shtri mbi shoqen e saj në mënyrë që Ramos të mendonte se të dyja kishin vdekur. Në fillim, shoqja ishte ende duke marrë frymë, por më pas – raporton Washington Post – ajo vdiq para se të arrinte ndihma.
Ana e majtë e vajzës, nga qafa në shpinë, është dëmtuar nga copa të vogla plumbi, ndërsa nga të shtënat i janë djegur flokët. Të martën (ditën kur ndodhi masakra), 11-vjeçarja ka kaluar natën e frikësuar, duke i thënë babait të merrte armën se burri “do vinte për t’i marrë”.