Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi konfirmoi edhe njëherë se do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut të thirrur nga Sali Berisha. Sakaq, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit ai ironizoi sërish futjen në listën si organizator i protestës, duke thënë se “nuk ua kanë marrë masën e kostumit”.
“Masë për kostum nuk na kanë marrë me thënë të drejtën, nuk e di si do e qepin, por për të marrë pjesë në protestë unë kam thënë nuk e ndërroj, do të marr”, u shpreh Korreshi.
I pyetur nëse do të punojë me strukturat në Lushnje, ai tha se kjo është e vështirë pasi demokratët janë të ndarë. Korreshi shtoi se zgjidhja është që në protestë të merret pjesë si demokrat.
Dhe unë mendoj se duhet të ketë një zgjidhje në Partinë Demokratike dhe nuk ka më struktura, ka demokratë, njerëz kundër kësaj qeverie që duan të vinë protestë. Kjo është zgjidhja që të shkohet në protestë kundër qeverisë, jo se je me njërin apo me tjetrin”, tha ai.
I pyetur gjithashtu se për batutën e tij nëse “do ta pranonte kostumin sido që të ishte”, deputeti u përgjigj: “Po tani nëse do të jetë një këmbë më i shkurtër një më i gjatë nuk shkon, jo për gjë, por duhet depiluar pastaj.”