Bashkimi Europian do t’i japë, Shqipërisë në formën e granteve 80 milionë euro për t’u përballur me krizën energjetike. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen tha se kjo nuk do të jetë ndihma e vetme, pasi do të ketë fonde të tjera që shkojnë 500 milionë euro për të gjithë rajonin.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezantoi paketën prej 80 milionë eurosh që unioni ka caktuar për t’i akorduar Shqipërisë për të përballuar krizën energjetike. Këto fonde do të vijnë në drejtim të Shqipërisë, në formën e granteve. Në një postim në rrjetet sociale, shefja e KE-së, shkruan se Shqipëria është një ndër vendet e prekura nga lufta energjetike e Rusisë dhe për këtë arsye BE-ja i ka caktuar 80 milionë euro për të përballuar nevojat imediate. “Fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi nga gazi rus, kjo për shkak të varësisë suaj nga sistemi hidrik. Por ndikimi vjen dhe në Shqipëri. Ne në BE kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është nëpërmjet unitetit dhe solidaritetit. Mbështetje të drejtpërdrejt buxhetore për të ndihmuar në zbutjen e çmimeve. Do të jenë 80 mln euro në grante. Ju keni një sistem për të ndihmuar familjet, por edhe bizneset e vogla. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por që do të vijë pas janarit, për energjinë, 500 mln euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike”, deklaroi Von Der Leyen. Teksa e vlerësoi këtë si një shumë të konsiderueshme, kryeministri Rama në deklaratën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se Shqipërisë i duhen 6 herë më shumë para për të mos ndërhyrë në çmimin e energjisë. “80 milionë euro nuk janë pak, është një shifër e konsiderueshme. Megjithatë, këto janë një e gjashta. Këtë vit ne na është dashur në total 460 milionë euro për të ruajtur në këto nivele çmimin e energjisë. Është një shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndikuar edhe për inflacionin. Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore e inflacionit në rajon është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Nëse ne do të kishim relativizuar këtë mburojë. Nëse do ta kishim prekur sado pak çmimin atëherë kjo do të kishte reflektuar menjëherë tek të gjitha familjet”, tha Rama.
Samiti i BE
Kryeministri Edi Rama në një konferencë me presidenten e KE, Ursula von der Leyen, folën mbi samitin BE- Ballkani Perëndimor që do të mbahet në 6 dhjetor në Tiranë. Në fjalën e saj Von der Leyen u shpreh se në samit do të flitet mes të tjerash edhe rreth luftës, krizës energjetike, situatës ekonomike dhe çështje të cilat do të jenë aktuale në kohën që do të mbahet samiti. “Si mund të mbështesim më tej Ukrainën. Edhe energjia do të luajë një rol të mirë në ato diskutime. Do kemi edhe tema të tjera si infrastruktura dhe si do të vijojmë që të trajnojmë krizën. Në BE, komisioni europian e ka bërë të mundur që edhe për shtetet anëtare të merren dhe të mbështesin familjet në nevojë. Por një gjë që unë pres të diskutohet është mikpritja e mrekullueshme e Shqipërisë e di që do të jetë një samit i këndshëm”, tha ajo. Ndërsa nga ana tjetër Rama tha se pritshmëria është që të vijnë një herë këtu gjithë udhëheqësat e Europës. “Të diskutojmë një herë për këto tema, për çfarë është bërë dhe për çfarë mund të bëhet bashkërisht. Tani është krijuar një sinergji pozitive midis Ballkanit Perëndimor dhe Europës. E konsiderojnë me një vlerë të barabartë. Ne jemi europiane dhe fatet në gjërat e mëdha i kemi të përbashkëta. Bashkë më gjithë delegacionet do vijnë edhe shumë gazetare nga të cilët pjesa më e madhe ka menduar dhe mendojnë se Shqipëria është një vend i rrezikshëm, Shqipëria kë vetëm një rrezik vetëm të dashurosh”, tha Rama.
Taksa e luksit
Nga Tirana, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen foli edhe për taksën e fitimeve të luksit që Bashkimi Europian ka vendosur ndaj kompanive të mëdha të energjisë, të cilat në kohë krize, po arrijnë fitime marramendëse. Presidentja e KE, theksoi se BE ka vendosur që të marrë një pjesë të këtyre fitimeve të kompanive për të ndihmuar familjet më në nevojë, duke mbështetur kështu edhe aplikimin e kësaj takse në Shqipëri. “Edhe Komisioni Europian e ka bërë të mundur që në shtetet anëtare të merren pikërisht këto fitime kaq të larta të këtyre kompanive, pasi kanë të ardhura super madhore që as nuk i kanë imagjinuar. Ne kemi marrë një pjesë të këtyre fitimeve për t’ja dhënë vendeve anëtare për të mbështetur familjet në nevojë”, tha Presidentja e KE. E njëjta masë, sqaroi kryeministri Edi Rama do të aplikohet për tre prodhues të mëdhenj të Shqipërisë që nuk kanë bërë asgjë për ta shitur energjinë me shumëfish, por që po nxjerrin fitime marramendëse.