Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se nuk ndikon aspak në marrëdhënien mes tyre shpallja non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kryedemokratit Sali Berisha. I ftuar në “Zona Zero”, Meta thotë se PD ka zgjedhur për kryetar Berishën e ndaj bashkëpunon me këtë parti. I pyetur se si i ka marrëdhëniet me ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, Meta tha se janë mjaft pozitive.
“Çështja e Berishës nuk ndikon. Ne bashkëpunojmë më Partinë Demokratike dhe PD ka zgjedhur Berishën si lider të saj. Përpiqet Rama ta paraqesë si çështjen më të rëndësishme në botë, ndërkohë që takohet dhe puthet me Dodikun. Vazhdoj të mendoj që kjo është një vepër e Edi Ramës, Lulzim Bashës që menduan të asgjësonin një figurë politike për të përjetësuar një regjim monist, një ëndërr që ka mbaruar prej kohësh. Edhe vetë Berisha është një euroatlantist dhe di ti kapërcejë këto probleme. Unë nuk e shoh si problem real. Unë jam njeri i prioriteteve të qarta. Asnjë politikan nuk ka pasur dhe nuk ka raporte më të qarta me SHBA. Po është po, jo është jo. Interesi kombëtar është interes dominant për Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë. Marrëdhëniet me Kim, marrëdhënie bashkëpunuese, shumë positive,”- tha Meta ndër të tjera.