Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka kallëzuar në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha si dhe Ndrea Prendin, ish-kreun e Gardës që dyshohet se dha urdhër për ekzekutimin e katër qytetarëve në protestën e 21 Janarit 2011.
Kallëzimi i Manjat vjen vetëm dy ditë pasi gazetari Artan Hoxha publikoi përgjimin, sipas tij të kryer nga aleatët shqiptarë, të urdhrit që komandanti i Gardës në atë kohë, Ndrea Prendi dha për gatishmëri për të qëlluar drejt protestuesve.
Ministri Manja i ka cilësuar vrasjet si shtetërore dhe ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi para ligjit.
Po ditën e sotme, gazetari Artan Hoxha u thirr në Drejtorinë e Policisë së Tiranës lidhur me përgjimin e publikuar prej tij. Ai tha se garda dha urdhër për vrasjen e protestuesve të pafajshëm dhe të paarmatosur, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë të hetojë ngjarjen e ndodhur 12 vite më parë.