“Mbrëmë ishte tentativa e fundit për “të kapur” e për të mbajtur peng Partinë Demokratike”, kështu tha avokati Alban Daci në një intervistë për Euroneës Albania.
Ai tha se deputetët që kërkuan të mos hapeshin zgjedhjet për përcaktimin e një kryetari të ri në PD, kanë dashur të shmangin rivendosjen e Lulzim Bashës në krye të partisë, pasi sipas tij në rast se bëhen zgjedhjet në PD askush nuk fiton dot para Bashës.
Ai tha se deputetët të cilët dukur njiheshin si mbështetësit më të mëdhenj të Bashës tashmë i frikësohen propozimit të tij për lista të hapura dhe nuk e duan vendosjen e tij si kryetar pasi frikësohen për mandatin e tyre të deputetit.
Ai tha gjithashtu se pretendimi i disa deputetëve se duhet të bashkohet PD-ja është një hipokrizi e madhe pasi partisë nuk i duhet bashkimi por reformimi total. Më tej Daci tha se është i bindur se Basha do zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike e në zgjedhjet e ardhshme do jetë kryeministri i Shqipërisë.
“Partia Demokratike nuk ka nevojë të bashkohet. Partia Demokratike, nëse do të fitojë e të mund Edi Ramën, duhet të reformohet nga e para me njerëz që nuk janë të shantazhueshëm, dhe nuk janë me faje të 32 viteve të tranzicionit.
Që kjo të ndodh duhet një lider i cili zgjidhet në mënyrë legjitime nga anëtarësia dhe ka të gjitha kompetencat që i ofron statuti për të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
Unë mendoj se zoti Lulzim Basha, i cili ka pësuar një reflektim të thellë politik, unë jam i bindur se ai në zgjedhjet e para të përgjithshme që do bëhen në Shqipëri, Lulzim Basha do bëhet kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë”, u shpreh avokati.