Ish-kryeministri Sali Berisha ka nxjerrë pamje nga burgu 313 siç pretendon ai ku të burgosurit thërrasin në kor: Rama ik! Berisha e shoqëron videon vetëm një fjali: “Protestë në burgun 313” por pa sqaruar se çfarë po ndodh konkretisht dhe se për çfarë po protestohet, në një kohë që vendi gjendet në një situatë të vështirë përballë koronavirusit.
Ndërkaq në sfond dëgjohen thirrjet: Hiqe, hiqe, Rama ik, një slogan ky i prodhuar nga opozita përgjatë protestave të shumta të kryera ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Nga ana tjetër, po në burgun 313 ditën e sotme një i burgosur ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
I burgosuri është një shtetas italian, i cili është arrestuar për trafik narkotikësh, ndërsa nuk dihet si është infektuar i burgosuri me koronavirus apo nëse ka pasur kontakte me të tjerë të burgosur.
Me sa duket kjo ka sjellë edhe protestën e ditës së sotme në burgun 313, ku të burgosurit me gjasë i tremben një vale infektimi në qelitë e tyre.