Izolimi në një Stacion Polar, jo vetëm në kohë pandemie

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Izolimi në Antarktidë, fryma e vëllazërimit ndërkombëtar, sprovat psikologjike dhe ngjarjet kriminale që demonstrojnë vështirësitë e ekspeditave në fund të botës

Të vetëm në fund të botës

Ekspedita jonë e Antarktidë mori një ditë një pako që përmbante një kasetë video, ku narratori po tregonte me një zë të shqetësuar se pjesëmarrësit e “edicionit të parë polak të Big Brother-it” ishin mbyllur së bashku për 90 ditë. Të gjithë shkëmbyem shikime; ishte dita e 281-të e qëndrimit tonë në stacionin Arctowski.  Kjo jep një panoramë të duhur se çfarë do të thotë izolim në një stacion polar. Udhëtimi ndërmerret rreth muajit tetor. Një anije largohet nga porti në Gdynia dhe mbërrin në ishullin King George në jug të Shetlands, ku ndodhet Arctowski, pas një udhëtimi 40-ditor. Stafi i dimrit në përgjithësi merr pjesë në të gjithë udhëtimin  për t’u sinkronizuar si ekip, por edhe për të përgatitur furnizime që do të duhet të zgjasin për një kohë të gjatë. Kjo është arsyeja pse gjatë udhëtimit, disa ditë u kushtohen aktiviteteve si prerja e perimeve dhe ndarja e tyre në pjesë më të vogla për ngrirje. Anija bën së pari një ndalesë me spirancë në Gothenburg për të mbushur me karburant të veçantë gjeneratorët e energjisë, dhe më pas në ishujt Kanarie për të siguruar ushqime dhe ujë. Pas kalimit të Atlantikut, anija ndalet në një nga portet e Argjentinës, ku ngarkohen më shumë furnizime ushqimore (duke përfshirë një gjë shumë të rëndësishme: verën). Kjo ndodh edhe kur ekipit të dimrit i bashkohet skuadra verore. Mbërritja në stacion regjistrohet në fillim të nëntorit. Sapo shkarkohen të gjitha pajisjet shkencore, ushqimi dhe karburanti për stacionin, që zakonisht zgjat tri ditë, stafi aktual i dimrit i hipën anijes dhe udhëton për në Patagoni. Që andej, fluturohet drejt Polonisë. Nga ky moment, ekspedita  është e vetme në pjesën më të madhe të kohës.

Verë në Kopakabana

Gjatë verës, ka vetëm 40 persona në stacion, kështu që izolimi nuk konsiderohet problem madhor. Shumë gjëra ndodhin, studimet shkencore janë intensive dhe shpesh ka vizitorë nga stacionet e tjera, të cilat edhe mund t’i vizitohen nga ekspeditësit. Rrallë ndodh të vijnë për vizitë anije me turistë ose jahte. Fqinjët më të afërt të Arctowski janë tre ose katër persona që jetojnë në një kamp fushor në SHBA, rreth gjashtë kilometra larg. Zyrtarisht quhet Stacioni Pieter J. Lenie, por askush në të vërtetë nuk e përdor këtë emër, sepse është fiksuar një tjetër emër i dhënë nga brazilianët: Kopakabana. Stacioni ndodhet në një plazh, në mes të një kolonie pinguinësh, ndërsa shumica e personelit janë gra. Ne nuk i shohim ata si fqinjë; përkundrazi, janë më shumë si populli ynë në anën tjetër të akullnajës. Kushtet e tyre të jetesës janë disi primitive, kështu që ata vijnë të na vizitojnë çdo të shtunë për të bërë dush dhe larë rrobat e tyre, dhe më pas bashkohen me ne për një festë në mbrëmjen e së shtunës. Një pjesë e madhe e njërës prej shtëpive verore në stacionin polak u është caktuar atyre si “shtëpia amerikane”.  Ekipi në Kopakabana është me ne vetëm gjatë verës. Për të gjithë vitin, partneri ynë më i ngushtë dhe serioz është Ferraz, një stacion brazilian i vendosur në bregun e kundërt të Gjirit të Admiralit. Megjithëse nuk mund të ecim siç mundemi në Kopakabana, në mot të mirë dhe kur gjiri nuk është i pushtuar nga akujt, mund të arrijmë atje me një skaf për 30 minuta. Vizitat e ndërsjella janë mjaft të rregullta, veçanërisht nëse ka një festë kombëtare në një nga vendet tona, një përvjetor të stacionit, ose raste të tjera, si festa e Vitit të Ri. Pra, nuk jemi shumë të vetmuar në verë (në hemisferën jugore, dita e Vitit të Ri është në mes të verës).

Dimri është një histori krejt tjetër. Kopakabana mbyll dyert e saj në fund të shkurtit. Anija e ekspeditës dimërore arrin në fillim të marsit. Zakonisht është një anije me qira ruse që i sjell dhe më pas lundron Atlantikun gjatë sezonit me turistë. Në fund të sezonit, ai mbledh çdo njeri që largohet nga stacioni dhe i çon në Ushuaia në Tierra del Fuego, përpara se të kthehet në Shën Petërburg. Ndërsa dimri përparon – dhe gjithnjë e më shumë akull shfaqet në gji – udhëtimet për në Ferraz bëhen gjithnjë e më të vështira dhe zakonisht të pamundura në fillim të qershorit. Para se bora të mbulojë akullnajat me një shtresë të trashë, përcaktohen rrugët e sigurta në dimër në mënyrë që të mund të kalohet me motor dëbore në stacionin argjentinas Karlini, që ndodhet 14 kilometra larg. Një ekspeditë polare nuk është një udhëtim i gjatë me miqtë. Sigurisht, shumë miqësi janë ndërtuar atje, të cilat mund të zgjasin edhe pasi kthehen, por në të vërtetë nuk e njohin njëri-tjetrin në fillim. Ekipi përfshin njerëz të grupmoshave të ndryshme, nga pjesë të ndryshme të vendit (ose ndonjëherë edhe nga  vende të ndryshme) dhe të gjitha sferat e jetës. Njerëzit njihen me njëri-tjetrin brenda disa muajve nga fillimi i ekspeditës dhe kësisoj ekipi bëhet gjithnjë e më integruar. Por në të njëjtën kohë, lindin konflikte të cilat kanë tendencë të fryhen në një grup të vogël. Diçka që mund të duket pak irrituese në fillim (si për shembull të mos thuash “Mirëmëngjes” ose “Përshëndetje”) mund të bëhet burimi i një konflikti serioz pas disa muajsh. Disa fërkime janë pjesë e natyrës së punës, siç janë konfliktet midis grupit shkencor dhe stafit teknik.

Nikolaj Golachowski, dikur komandant baze, tregon se kur fliste me drejtuesit e stacioneve të tjera, të gjithë adresonin të njëjtin problem. Nuk ka rëndësi nëse ata janë brazilianë, koreanë të jugut, kinezë ose rusë. Shkencëtarët mund të jenë arrogantë dhe kanë tendencë t’i trajtojnë teknikët si shërbëtorët e tyre. Megjithatë, ata harrojnë faktin se pa turmën teknike ata thjesht do të vdisnin brenda disa ditësh. Nga ana tjetër, megjithatë, teknikët ndonjëherë nuk e marrin seriozisht punën e shkencëtarëve, veçanërisht nëse mbledhja e krijesave detare mikroskopike i largon ata nga detyrat me të vërtetë të rëndësishme, si instalimi i tubacioneve të reja ose fiksimi i instalimit elektrik. Dhe ata nga ana e tyre harrojnë se kërkimi shkencor është arsyeja që stacioni është atje në radhë të parë. Kështu që palët kanë nevojë për njëri-tjetrin, veçanërisht në një vend që vazhdimisht përpiqet t’i vrasë.

Ndalohet shahu

Izolimi i goditi fort banorët e parë të dimrit të Antarktidës – anëtarët e ekspeditës Belgjika (1897-1899). Ekspedita ishte teorikisht belge, megjithëse në radhët e tyre përfshiheshin njerëz të gjashtë kombësive të ndryshme. Pra, ata jo vetëm u gjendën në një situatë në të cilën askush tjetër nuk kishte qenë më parë, por s’ishin në gjendje të komunikonin as lehtësisht me njëri-tjetrin. Ekspedita Belgjika e kaloi dimrin e vitit 1898 të burgosur në akull; përveç problemeve me shëndetin fizik, të tilla si epidemi e skorje, ishte vërtet shëndeti mendor i të gjithë pjesëmarrësve që u kërcënua më së shumti. Njëri prej tyre u shkëput nga kolegët e tij për t’u rikthyer në Belgjikë në këmbë. Për fat të mirë, këta të fundit arritën ta ndalonin.

Lexo edhe :  Dha ryshfet dhe ndikoi në mënyrë të paligjshme ndaj gjyqtarit, dënohet Sarkozy

Zbulimit të Antarktidës i mungojnë historitë brutale që ndodhën në veri, në Arktik, ku pati raste të kanibalizmit gjatë disa ekspeditave. Demonstrimi se cilat janë ndoshta efektet më spektakolare në shëndetin mendor  të ekspeditësve është ngjarja e vitit 1959 në stacionin sovjetik Vostok. Dy ekspeditës po luanin shah, por ata filluan të grinden, dhe njëri lojtar vrau tjetrin me një sëpatë akulli. Që nga ajo kohë, shahu u ndalua në stacionet sovjetike (dhe ende është  në stacionet ruse). Një konflikt i ngjashëm doli në dritë në stacionin rus Bellingshausen në tetor 2018. Një prej banorëve të dimrit pëlqente të lexonte histori krimi pas punës, ndërsa një tjetër, duke u munduar të ishte qesharak, zakonisht do t’i zbulonte fundin e romanit për të. Gjashtë muaj më vonë, lexuesi goditi me thikë djalin qesharak disa herë në kraharor; për fat të mirë, dëmtimet nuk ishin fatale. Karakteristike është fakti se krimi ndodhi në fund të dimrit, kur të gjithë janë të lodhur dhe çdo konflikt i mundshëm është në kulmin e tyre.

Nisur  nga përvoja personale dhe bisedat me eksploruesit e tjerë polarë, Nikolaj Golachowski pohon se sa më afër të jesh në fundin e parashikuar të ekspeditës, aq më i madh është tensioni mendor dhe aq më e mundshme bëhet sjellja iracionale. Në prill të vitit 1984, një mjek dhe komandant i stacionit argjentinas Almirante Brown zbuloi se do t’i duhej të qëndronte në stacion për dimrin e ardhshëm. Ai me të vërtetë dëshironte të kthehej në shtëpi, kështu që ekzekutoi një plan shumë dinak: i vuri zjarrin stacionit. I gjithë personeli u evakuua dhe komandanti u kthye në vendin e tij, ndonëse përfundoi menjëherë në burg.

Eksploruesit polarë kanë kaluar prej kohësh testime psikologjike dhe neurologjike.  Jan Terelak, i cili kishte përgatitur më parë të vetmin astronaut polak Mirosłaë Hermaszewski për misionin e tij, është përgjegjës për këto teste. Shumica e rezultateve të testeve të tilla shfaqen në botime kushtuar shëndetit të pjesëmarrësve të fluturimit në hapësirë, sepse ka shumë ngjashmëri midis jetës në një stacion polar dhe një qëndrimi afatgjatë larg nga Toka. Një fenomen që shfaqet si në revistat e anëtarëve të ekspeditës nga mbi një shekull më parë, ashtu edhe në studimet bashkëkohore është ‘letargjia psikologjike’. Pas një qëndrimi të gjatë në një mjedis monoton shoqëror dhe fizik, aftësitë tona njohëse, aftësia për t’u përqëndruar dhe kujtesa jonë përkeqësohet. Është interesante që rezultatet e një studimi të publikuar në dhjetor 2019 tregojnë se truri i eksploruesve polarë tkurret gjatë dimrit. Ne nuk e dimë nëse ata kthehen në gjendjen e tyre origjinale më vonë, por kjo shpjegon shumë.

Artistë të Antarktidës

Sipas mendimit tim, mund të flasim për tri nivele të izolimit polar. Kalohet shumë kohë me veten në Antarktidë dhe përballja me të është e pashmangshme.

E rëndësishme është ndjekja e një rutine të caktuar dhe praktikimi i një disipline, si ngritja nga gjumi në një orar fiks, bërja e një dushi, etj.  Veçanërisht në dimër, ekspeditësit kanë shumë kohë të lirë nëpër duar, sepse ka më pak punë. Shumica e kafshëve notojnë larg, dëbora mbulon shkëmbinjtë me tokën, ndërsa dita zgjat vetëm disa orë, kështu që udhëtimet e gjata janë të pamundura.  Monitorimi vazhdon, çka nënkupton se në intervale të rregullta dikush del për të matur diçka në akullnajë ose për të kontrolluar se sa pinguinë apo vula janë aktualisht në tokë, por nuk do të marrë aq kohë sa merr në verë. Mirëmbajtja e instalimeve të ndryshme kryhet gjithashtu në mënyrë rutinore. Kështu që ekspeditësit kanë mundësinë e artë për të lexuar të gjithë librat që kanë dashur gjithmonë të lexojnë. Disa njerëz mësojnë gjuhë të huaja, të tjerë zbulojnë talente të cilat ndoshta do t’i kishin mbajtur të fshehura në çdo situatë tjetër. Është vërtet e mahnitshme se sa poezi dhe piktura të tmerrshme janë krijuar në stacionet polare. Por këto vepra arti nuk janë menduar të jenë të bukura; ato paraqiten për shkak të nevojës së krijuesit.

Të gjithë janë të vetëdijshëm për faktin se mund dhe duhet t’i besojnë njëri-tjetrit. Kjo është arsyeja pse durimi, shtypja e konflikteve dhe sqarimi i keqkuptimeve është kaq i rëndësishëm. Integrimi në grup kërkon përpjekje. Komandanti i stacionit të Koresë së Jugut u shpreh se sa herë bënte pushim nga puna, anëtarët e ekipit të tij mbylleshin në dhomat e tyre dhe zhdukeshin në internet; si rezultat, ata praktikisht nuk e njihnin njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse ai vendosi shikimin e detyrueshëm të filmave së bashku në mbrëmje.

Lojërat Olimpike Polare

Të gjithë janë në një situatë të ngjashme, pavarësisht dallimeve të vogla. Ka tetë stacione gjithëvjetore që veprojnë në ishull, kështu që kontaktet janë më të gjalla këtu se kudo tjetër në Antarktik. Lojërat Olimpike zhvillohen çdo vit në gusht. Ekipet nga të gjitha vendet udhëtojnë në stacionin më të madh (Kili) dhe garojnë në disiplina të tilla si futbolli, volejbolli, basketbolli, pingpongu dhe bilardoja. Ka shumë emocione, megjithëse kilianët zakonisht fitojnë gjithçka, sepse ata kanë ekipin më të madh për dimër (rreth 80 persona), kështu që mund të zgjedhin dhe plus ata kanë një sallë sportive, tavolina bilardoje dhe tavolina tenisi, kështu që ata mund të stërviten vazhdimisht. Por është kënaqësi e madhe. Shumica e stacioneve në pjesët e tjera të Antarktidës nuk mund të përballojnë një luks të tillë dhe nuk kanë asnjë mënyrë për të takuar ndokënd gjatë dimrit.

Falë internetit, gjithnjë e më shumë stacione marrin pjesë në një festival vjetor të filmit 48-orësh në gusht, ku kanë dy ditë për të krijuar një film që përfshin pesë elementë kryesorë zgjedhur nga fituesit e vitit të kaluar. Për shembull, në 2018 elementët e përzgjedhur ishin: hedhja e këpucëve, ora, tingulli i një alarmi zjarri dhe një citim nga Terminatori: “Më duhen rrobat, çizmet dhe motori yt”.

Izolimi në Antarktidë nuk është aq i keq, ndërsa fryma e vëllazërimit ndërkombëtar me të vërtetë na jep forcë. Do të ishte vërtet mirë nëse i gjithë njerëzimi do të funksiononte kështu. Jo vetëm në fund të botës, dhe jo vetëm në kohën e pandemisë.

Përgatiti: Alessia Selimi

Të fundit

Nga luhatjet hormonale te rënia e imunitetit, çfarë i ndodh trupit tuaj gjatë festave

Pas imazheve ëndërrimtare të dekorimeve të Krishtlindjeve dhe eventeve festive, shpesh gjenden ëmbëlsirat e panumërta, gotat me verë të...

Destinacionet perfekte nëse doni atmosferë KRISHTLINDJESH

Atmosfera e Krishtlindjes po fillon të ndihet kudo, por askund më mirë se në markatat festive nuk mund të përjetohet më bukur. Markata apo tregu...

Kuvendi pritet të miratojë ligjin për vitet e humbura të punës, ja kush përfiton

Në vitin e ardhshëm pritet të zyrtarizohet nisma ligjore, e cila njeh vitet e punës që nuk dokumentohen, për qëllime pensioni. Projektligji u miratua...

Shqipëria mbyll TikTok, eksperti:Ja mënyrat që do të përdoren për të pasur aplikacionin

Tomi Kallanxhi, ekspert IT, në një emision televiziv, ndërsa e konsideroi si show vendimin e Kryeministrit. Në vijim, Kallanxhi tregoi disa nga mënyrat që mund...

“Ka që prej 1968-ës në politikë dhe ka bllokuar PD”, Basha shpërthen ashpër për Berishën

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha, në një intervistë në “2984” të komedianit Albano Bogdo, ka komentuar situatën politike në vend, por edhe situatën në PD. I pyetur...

Lajme të tjera

Web TV