Minstri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tregon si i ka kaluar ditët që nga 9 marsi që u vendos karantina e deri më sot.
Zoti ministër si i keni kaluar këto ditë në karantinë?
“Sigurisht që ka qenë një periudhë tejet e pazakontë, besoj se pak muaj para pandemisë askush në botë nuk mund të imagjinonte që bota do kalonte në këtë gjendje. Kështu që ishim dhe jemi në një situatë ku ndryshuan të gjithë parametrat mbi të cilet ne ndërtojmë ekzistencën tonë në këtë tokë. Erdhëm në një situatë ku puna nuk duhej bërë, ku shkolla nuk duhej bërë, ku të gjitha gjërat normale nuk duhen bërë. Patjetër që ishte sfidë e madhe dhe ka kërkuar një angazhim të madh nga strukturat kryesisht të policisë së shtetit. Për mua personalisht ka qenë si të gjithë shqiptarët e tjerë, nuk ka patur ndonjë gjë të vaçantë. Ne kemi qëndruar në punë, ky është paradoksi i strukturave të cilët janë “të dënuar” në një farë mënyre që gjithmonë duhet të bëjnë të kundërtën e asaj që bën shumica e shoqërisë në kohë krizash.”
Keni qëndruar vetëm në zyrë?
“Jo, jo në shtëpi, edhe në zyrë, por në punë. Pa u shkëputur nga puna asnjë çast. Unë por më shumë se unë strukturat e policisë së shtetit të cilat gjatë kësaj periudhe kanë qenë të angazhuar në një regjim shumë të ngarkuar pune. Pothuajse 12 orë punë, 12 orë pushim. Duke mbajtur kështu një barrë jashtëzakonisht të madhe dhe besoj që edhe ky angazhim i madh i strukturave të policisë së shtetit ka kontribuar që përmasat e pandemisë të mbahen kufijve të kontrollueshëm.”