Dëshmia e ish-të burgosurit: Si na vranë shokët në burgun e Elbasanit, llojet e torturave që u përdorën ndaj të dënuarve politikë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Bëhen publike disa nga historitë e panjohura të ndodhura në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si kampi i Uzinës së Superfosfatit të Laçit në fillimin e viteve ’60-të, kampi i Fabrikës së Çimentos në Fushë Krujë, kampi i Fabrikës së Çimentos në Elbasan, kampi i Spaçit, etj., ku vuajtën dënimet e tyre me qindra dhe mijra të dënuar të ndërgjegjies, ku një pjesë e tyre humbën edhe jetën në ato kampe, duke u vrarë nga ushtarët, nga aksidentet, apo dhe duke bërë vetëvrasje nga kushtet e vështira të jetesës dhe punës së rëndë. Dëshmitë e rralla të shkrimtarit dhe publicistit, Tanush Kaso, ish-i burgosur politik që kaloi vite të tëra në këto kampe dhe burgje, për bashkëvuajtësit e tij që humbën jetën në kampin e Fabrikës së Çimentos në Elbasan nga sëmundjet, torturat dhe breshëritë e armëve të rojeve ushtarake e policore, si: Myzafer Damnori nga Shkodra, Ali Maliqi nga Dibra, Reshat Ago nga Berati, Mit’hat Allushi nga Dukati i Vlorës, mjekun xhelat të Sigurimit të Shtetit me gradën e majorit, Filip Çunga, i cili në vënd që t’i shëronte të burgosurit, i dërgonte në biruca ku torturoheshin, të dënuarit e kampit të Spaçit që u gjymtuan nga puna në minierë si Hamdi Popovci nga Kosova, Gani Qeraxhiu nga Elbasani, ata që mundën të arratisen nga burgu dhe u kapën, si Lefter Balldovani nga minoriteti grek e Rexh Alia nga Kosova, si dhe llojet e torturave fizike e psikologjike që u përdorën gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës në kampe dhe burgje, Degët e Brendëshme dhe qelitë e Sigurimit të Shtetit.

Në Kampin e Elbasanit

Aty në atë kamp në atë kohë ishim rreth 1000 të burgosur politikë dhe ndërtesat e kampit, të cilat përbëheshin nga disa barraka dërrase, ishin ngritur fare pranë kantierit të punës. Ato ishin të vendosura fare pranë njëra-tjetrës, duke krijuar në mes një oborr në formë drejtkëndëshi. Si kampi ashtu dhe vendi i punës ishin të rrethuar me një gardh të lartë teli me gjemba e trupëroje të shumta. Ai rrethim kontrollohej herë pas here për sigurinë e tij nga oficerët dhe komandanti i kampit. Familjet e të burgosurve nuk e kishin të lehtë që të arrinin atje, mbasi duhej të bënin disa kilometra rrugë në këmbë në mes shkurresh dhe gëmushash, nëpër baltë dhe me kalime kanalesh dhe pengesa të tjera. Nga ana e komandës herë pas here bëheshin kontrolle për libra e sende të ndaluara. Nga një herë shfaqeshin filma të kontrolluar me auto-kinemanë që vinte nga Elbasani. Punimet aty drejtoheshin nga specialistë kinezë dhe shqiptarë. Në atë periudhë në të gjithë vendin pati një krizë buke, e cila u ndie më shumë në kamp. Mbas politikës, “patatja kishte dalë në plan të parë”. Jepeshin vetëm 300-400 gram bukë dhe pjesa tjetër patate. Edhe buka gatuhej e përzier me patate. Të burgosurit vuajtën shumë nga uria dhe disa prej tyre u sëmurën, pasi nuk i hanin dot patatet. Për fat kjo nuk zgjati shumë, veçse disa muaj. Shërbimi shëndetësor në kamp ishte në gjendje të vajtueshme. Kur dikush nga të dënuarit sëmurej rëndë, mund ta çonin në spitalin e Elbasanit ose të Tiranës. Myzafer Domnorin, një ish mësues nga Shkodra, që u sëmur nga verdhëza, e nisën me shumë vonesë dhe vdiq në spital. Një ish mësues tjetër, nga Berati, Reshat Ago, e vranë rojet e rrethimit të punës, mbasi ishte vonuar të rreshtohej e të hynte në kamp, në një kohë me shokët. Një i burgosur i vjetër, shumë i nderuar e i respektuar nga shokët, Ali Maliqi (Agolli), nga Peshkopia, u vra disa muaj para lirimit, nga një bashkëkrahinor i tij. Njëzetvjeçari Mitat Allushi, nga Dukati i Vlorës, u vra nga rojet e rrethimit të kampit, disa metra përtej telave me gjemba, të cilat arriti t’i kalonte. Kishin mundur ta kapnin, por nuk deshën. Roja që e vrau, u shpërblye nga komanda. Kjo ngjalli një revoltë të përgjithshme në kamp. Me këtë rast, disa u transferuan në Burrel. Për të tjerët që mbetën, nisi keqtrajtimi: rrahjet, dënimet me izolim, ndalimi i takimeve me familjet etj. Duhet ta themi se në këtë kohë, është bërë një përpjekje për të organizuar një dalje masive nga kampi, por u vonua shumë dhe ra në vesh të Komandës. Shquhen për egërsi në këtë kamp, operativët e Sigurimit: Remziu, mik e bashkëfshatar i ish ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, dhe Fehmi Mullaj, nga fshatrat e Korçës. Nuk mbetej pas tyre edhe i ashtuquajturi mjek, major Filip Çunga, i cili në vend që t’i shëronte të burgosurit, i rrihte dhe i dënonte me izolim në birucë. Dorën e tij të rëndë e kanë provuar shumë të burgosur, midis të cilëve edhe unë. Vetëm pse demaskova një agjentin e tij, brigadierin D.DH., “doktori” më futi “në dhomën e sqarimit”, ku kërciste dajaku dhe më dënoi me një muaj birucë. Atje, midis të tjerëve, gjeta edhe Ali Hoxhën, i cili gjithashtu ishte “kashaisur” nga major Lipja dhe qe dënuar prej tij me një muaj birucë, sepse kishte goditur me grusht një brigadier, i cili po keqtrajtonte një shokun tonë të pafuqishëm për punë. Fryma vëllazërore, bisedat, shakatë, këngët e kënduara me zë të ulët dhe kujtimet e largëta, na e lehtësonin vuajtjen e izolimit. Aliu kishte mall për një vajzë, që kish njohur dikur, me emrin Margarita. Krijoi një melodi në kujtim të saj. Unë i thura vargjet. Kështu lindi “Margarita”, një këngë që u bë mjaft e dashur për ne e që do të na shoqëronte ashtu si “Lili Marlen”, në marshimin e gjatë e të dhimbshëm drejt lirisë. Kënga ishte sfida, që të burgosurit i’u bënin grabitësve të lirisë.

Në Kampin e Spaçit

Italianët dhe më vonë sovjetikët kishin projektuar hapjen e disa minierave në krahinën e Mirditës, për shfrytëzimin e nëntokës së pasur me minieral bakri e piriti. Një nga këto ishte edhe vend-burimi i Spaçit, një fshat i ashpër malor. Mbas prishjes me sovjetikët, punimet i vazhduan inxhinierët dhe teknikët gjeologë shqiptarë. Ishin çelur mjaft galeri kërkimi dhe qe përgatitur terreni për shfrytëzimin e mineralit. Më 1967, Ministria e Punëve të Brendshme, e gjeti me vend ndërtimin e një kampi të punës së detyruar në atë zonë të thellë malore, në një gropë, ku dielli shihej vetëm në pak orë të ditës. U dërguan fillimisht rreth njëqind të burgosur politikë, të cilët përfunduan punimet e mbetura, rrethuan me tel me gjemba një zonë të madhe, ku gjendeshin galeritë dhe në “gropën e vdekjes”. Pikërisht atje ata ndërtuan kampin ku do të vendoseshin skllevërit e shtetit, të cilët do të punonin me tre ndërresa e me orar të zgjatur, nëpër galeritë e thella, me pluhur, gaz, lagështirë dhe rrezikun e jetës mbi krye. Mbas tyre, të lidhur dy nga dy me tel dhe të hedhur si kafshët mbi karroceritë e disa kamionëve ushtarake, të shoqëruar nga roje të armatosura me automatikë e mitraloza, në fillim e në fund të autokolonës, udhëtuan nga kampi i Elbasanit për në Spaç të Mirditës, disa qindra të burgosur politikë. Gjatë asaj rruge të mundimshme prej më shumë se njëqind kilometrash, makinat nuk u ndalën as për të kryer nevojat personale të burgosurit. Mbas shumë vjetësh, ishte e para herë që të burgosurit politikë dërgoheshin për të punuar në miniera. Pati reagime nga ana e tyre dhe disa refuzuan kategorikisht të punonin në galeri e shpallën grevë urie. Ai që u shqua për qëndresën më të gjatë në grevë, rreth pesëmbëdhjetë ditë, ishte Dilaver Radëshi, (nga fshati Radësh i Skraparit), njeri i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Kishte qenë kolonel në ushtri, dhe vetëm se i kish shprehur haptaz pikpamjet e tij, për strategjinë e gabuar të bunkerëve, e kishin burgosur. Disa të tjerë u përpoqën t’i shmangeshn galerisë me ndonjë raport mjekësor; por as këto nuk merreshin parasysh nga komanda e kampit, së cilës i kërkohej nga Ministria e Punëve të Brendshme, realizimi me çdo kusht i planit të bakrit dhe piritit. Prandaj ajo e shtoi dhunën mbi të burgosurit, që refuzonin të punonin nëntokë. Rrahja ishte një nga torturat më të zakonshme. Gjithashtu edhe dënimi me izolim në birucë, pa batanije dhe me një minimum ushqimi, nën acarin e dimrit të ashpër; nganjëherë ditën me polic mbi krye, në galeri dhe natën në qeli me muaj të tërë. Galeria nuk ishte e këndshme, as për policët që na kishin shoqëruar nëpër kampet e tjerë dhe që i kishin detyruar të vinin në Spaç. Ata nuk guxonin të futeshin thellë në tokë. Kur nga tavani i galerisë shkëputej ndonjë copë shkëmb (ose kur ndonjë i burgosur e hidhte qëllimisht), ata ishin të parët që i’a mbathnin vrapit për të shpëtuar lëkurën. Shpejt komanda i transferoi dhe i zëvendësoi me ish-minatorë të veshur me unifomë, pa kryer kurrfarë specializimi. Shumica e tyre ishin kafshë të pamëshirshme. Ata më njerzorët siç ishte “Murgesha”, një mirditor me fytyrë femre dhe mjaft i butë, nuk mundën që të qëndronin gjatë nën uniformë. Shquhej për egërsi “Lleshi i zi”, Kapter Prenga e të tjerë. Komandant kampi ishte Çelo Arrëza, ndërsa Komisar, Shahin Skuraj, i cili më pas u zëvëndësua nga Niko Kolitari, i mbiquajturi “Zgërbonja”. Numri i të burgosrve në këtë kamp që qëndroi i hapur përgjatë një çerek shekulli, luhatej mga 800 deri 1200 persona. Edhe në atë kamp, ndoshta shumë më tepër se në kampet e tjerë, ka pasur vazhdimisht aksidente në punë. Më kujtohen si tani, Hamdi Popovci nga Peja e Gjakovës, i cili mbeti me një këmbë, (pas burgut u kthye në Kosovë), apo Gani Qeraxhiu, nga Tirana, (tani ndodhet familjarisht në Itali), i cili mbeti i paralizuar gjithë jetën. Aty pati edhe shumë raste që të dënuarit vdisnin nga sëmundjet profesionale. Po kështu aty pati edhe disa tentativa për arratisje, siç ishte rasti i të riut, Mustafa Bajraktari, një djalë mjaft energjik dhe inteligjent nga Tropoja. Ai duke shfrytëzuar daljen e bllokuar të një galerie të vjetër e të harruar, mundi të arratisej, por u kap në afërsi të Pukës dhe u ridënua. Më pas pati edhe dy tentativa të tjera me të dënuarit, Lefter Balldovani, nga minoriteti grek dhe Rexh Alia, nga Mitrovica e Kosovës, të cilët kaluan rrethimin, por u kapën pa shkuar shumë larg. Mbasi u rrahën barbarisht nga forcat policore të kampit, ata u nxorrën në gjyq dhe u ridënuan. Lefteri i cili ishte një djalë shumë i mirë dhe tepër i përvuajtur, vdiq më pas në burg. Për shkak të kushteve tepër çnjerzore në atë kamp, disa kohë më pas shpërtheu një revoltë mjaft e madhe e cila tashmë është e njohur si “Revolta e Spaçit”.

Lexo edhe :  Këlliçi deklaron: Nuk bashkëjetoj me partneren, Ana Shkreli nuk është më…

Torturat në qelitë dhe në burgjet shqiptare gjatë periudhës se diktaturës komuniste

Tortura është përdorur qysh në fillimet e shoqërisë njerëzore. Ne Evropë, ajo arriti kulmin, në periudhën e inkuizicionit. Tortura u përdor si mjet kryesor terrori në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera komuniste të Evropës Lindore. Sipas konventes se OKB-së, datë 26 Qershor 1987, tortura përcaktohet:

“Torture quhet çdo veprim, me anën e të cilit një personi i janë shkaktuar me dashje dhimbje ose vuatje të rënda fizike ose mendore, me synimin për të marrë informata ose pohime, për ta ndëshkuar për një veprim që ai ka kryer ose dyshohet se e ka kryer, për të frikësuar ose për të bërë presion, ose për çdo motiv tjetër”. Në ish Bashkimin Sovjetik, torturat ishin bërë te zakonshme dhe masive, gjë që e detyroi shkrimtarin e madhe rus, Mihail Shollohov, t’i drejtohej Stalinit. Me 1 prill te 1933, me një letër, ku midis te tjerash i shkruan: “Policët në Kaukazin Verior i zhveshin fshatarët lakuriq dhe i lënë për orë të tëra midis një të ftohti të padurueshem” (Libri i zi i komunizmit).

Diktaturat komuniste përdorën tortura nga më të llahtarshmet, të nxjerra nga arkivat e inkuzicionit, të vëndeve të lashta aziatike dhe bizantit grek. Në Shqipërinë “socialiste”, për demagogji thuhej, që: “ushtrimi i torturës në hetuesi dhe në burg ndalohej me ligj”. Kjo ishte një hipokrizi cinike, që përdorej për konsum propagandistik. Ne realitet, tortura përdorej kudo, në qelitë e hetusisë dhe në vëndet e vuajtjes së dënimit. Qysh në momentin e arrestimit, i ndaluari i nënshtrohej torturës. Në shumicen e rasteve, të arrestuarit i vendosej një thes i zi ne kokë dhe duart i lidheshin nga mbrapa, të shtrënguara në maksimum. Torturat ishin të shumëllojshme, që nga me primitivet, deri te më modernet.

Aty ndryshonin sipas personit ku përdoreshin dhe vëndit ku ushtroheshin. Nga dëshmitare okulare, është deklaruar se qysh ne kohën e Luftës Antifashiste, misionaret jugosllavë pranë njësive ushtarake partizane shqiptare, përdornin torturën ndaj “armiqve” të kauzës komuniste. Në shtator 1943, ne katundin Surel te Tiranës, Dushan Mugosha, rropi një njeri te gjallë dhe gjakun e thikës e fshinte ne buzën e tij. Ai u bënte thirrje kuadrove partizane të pranishem, që të vepronin si ai kundrejt çdo “armiku” të komunizmit. Në Devoll të Korçes, një partizani 15-vjeçar, që ishte larguar pa leje për disa ditë nga njesiti luftarak, Dushan Mugosha, urdhëroi që t’i lidhnin këmbë e duar dhe ta shtrinin pertokë. Me një shufer hekuri filloi ta godiste me gjithë fuqinë e tij, duke i thyer gjymtyret. Partizani 15-vjeçar dha shpirt nën dhimbjet e tmerrshme, të shkaktuara nga goditjet. Në katundin Shipckë të Korçës, janë gjetur kufoma të shumta njerezish të torturuar nga forcat komuniste, duke patur patkonj të gozhduar në këmbët e në duart e tyre.

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në “Pavionin e gjenocidit komunist”, në një tabelë numërohen 20 lloje torturash fizike, që përdoreshin në burgjet e diktaturës enveriane.

Ato ishin:

Jeleku i torturës.

Dëmtimi i organeve gjenitale.

Kamxhiku e druri.

Lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë në këmbë për ditë të tëra.

Përdorimi i korrentit elektrik, deri në humbjen e ndjenjave.

Varje në qafë të zinxhireve me peshë të rëndë.

Varje prej krahësh, të lidhur mbrapa në një dritare ose në çengel në lartësi të tilla që vetëm gishterinjte e këmbeve të preknin tokën.

Mbushja e gojës me kripë.

Dërgimi gjoja për pushkatim, zbrazje armësh dhe ngritja në trekembeshin e varjes.

Futje me kokë poshtë në fuçi me ujë.

Djegje e mishit me cigare, ose me hekur të skuqur.

Hedhja e alkolit në duar apo në flokë dhe ndezja e tij.

Thyerje kockash dhe shkulje e mishit me darë.

Dhënie gjellë të kripur dhe me pas lenia pa ujë.

Futje në ujë të ftohte e të dënuarit dhë lënia lagur e tij në dimër.

Pakësim gradual i ushqimit, për të shkaktuar vdekjen pas një kohe të caktuar.

Përdorimi i lëndëve kimike për ngacmim, apo demtimin e sistemit nervor.

Helmeta të posaçme në kokë, që i burgosuri të mos vetvritej.

Lidhja me pranga duar e këmbë, për një kohë të pacaktuar.

Përdorimi i zgjojve te bletës ndaj të burgosurve të zhveshur.

Ne këtë tabelë janë “harruar” të renditen edhe torturat e poshtëshënuara:

Tortura e izolimit pa afat. Ajo ka shkaktuar shkatërrimin fizik të ndaluarit, qorrimin, deri në humbjen e të folurit.

Dollapi dhe arkivoli i hekurt.

Futja deri në fyt në gropën e fekaleve (kjo torture është perdorur në kampet e bonifikimit).

Lidhja në shtylla betoni në vende të ekspozuara në diell, deri në vdekje.

Tortura me shtrëngimin e prangave gjermane, që ka shkaktuar paralizën e duarve.

Përdhunimi i pjestarëve të familjes në sytë e të ndaluarit.

Kafshimi me qen kufiri ndaj atyre që tentonin të arratiseshin (kjo torturë bëhej në postat kufitare)

Krevati i hekurt (të burgosurin e shtrinin lakuriq mbi krevatin e hekurt, që e nxehnin gradualisht)

Futja e maces në tumanet e grave dhe ngacmimi me shkop për t’i dëmtuar organet gjenitale dhe pjesët e tjera të trupit.

Fryerja me pompe nëpërmjet anusit.

Tortura dentale (thyerje dhe heqje dhëmbesh e dhëmballash pa mpirje).

Hedhja në trupin e zhveshur të vajit të djegur.

Vendosja e vezëve të zjerra nën sqetulla.

Heqja e thonjve me pinca.

Thyerje arrash, në kokën e viktimës.

Çarje e mishit me thike dhe mbushje me kripë.

Ecja zbathur mbi prushin e ndezur.

Futje nëpër vena me anën e injeksionit, e cila shkaktonte tek viktima sëmundjen e ‘hembolisë’, që i shkaktonte të arrestuarit dhimbje të padurueshme deri në vdekje.

Ngacmimi i plagëve të shkaktuara nga plumbat, me shufrën e hekurt të pushkës (përdorej nga forcat e ndjekjes ndaj të arratisurve të plagosur në përpjekje).

Përveç torturave fizike, ndaj të burgosurve përdoreshin edhe torturat psikologjike, për të shkatërruar personalitetin e viktimës.

Disa nga torturat psikologjike që përdoreshin rëndome në qelite dhe burgjet e diktaturës

Privimi. Kjo torturë konsistonte në privimin e viktimës ndaj ndijimeve shqisore: nga gjumi, kontakti me njerëzit, drita natyrale dhe artificiale. Privohej nga larja (dushi) si dhe për kryerjen e nevojave fiziologjike. Tortura e privimit i shkaktonte viktimes depresione nervore dhe haluçinacione.

Kërcenimi. Viktima kërcënohej vazhdimisht me tortura, vrasje dhe asgjesim të familjareve dhe të miqve të tij.

Poshtërimi. Viktima poshtërohej nga hetuesi duke e tallur, share me fjalë me të rënda, jo vetëm atë, por edhe të afërmit e viktimës. Ata detyroheshin të pinin urinën dhe të hanin fekalet e tyre. Torturat psikologjike ishin të shumëllojshme dhe të panumërta.

Torturat fizike dhe psikologjike të përmendura më lartë, janë vetëm një pjesë e torturave që janë përdorur ndaj viktimave gjatë 45-vjetevë të diktaturës komuniste. Gjatë hetuesisë viktimat i torturonin jo vetëm për te marrë informacionin e duhur prej tyre, por dhe për t’i shkatërruar fizikisht dhe mënderisht. Me mijra të ndaluar, për t’i shpëtuar torturës pranonin “faje”, që s’i kishin bërë kurrë. Me dhjetra të tjerë, kur kishin mundësi, bënin vetëvrasje për t’u shpëtuar torturave. Me qindra të ndaluar, kanë dhënë shpirt gjatë torturave, ose kanë humbur aftësinë mendore për gjithë jetën. Po permendim dias prej tyre: Taho Sejko, Hajri Mane, Sulë Domi, Mitat Ciu, etj., kanë bërë vetevrasje, për t’ju shpëtuar torturave. Myzafer Pipa, Pal Zefi, Hiqmet Roshi, Arif Kazazi, Dedë Pjetri, etj., kanë gjetur vdekjen gjatë torturave. Ali Goxhaj, Qemal Gega, Petro Rondo, Kujtim Çuni, Fadil Kokomani, Hajri Pasha, e të tjerë, mbetën të çmendur përjetë. Duhet theksuar se: Fadil Kokomanin dhe Hajri Pashën, i pushkatuan mbas disa vjeteve, duke qenë te çmendur.

Tortura kishte për qëllim jo vetëm te shkatërronte viktimën fizikisht dhe shpirtërisht, por t’i përdorte viktimat për të terrorizuar pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare, që jetonte jashtë hekurave të burgut, pasi veprime të tilla ushtroheshin në 26 rrethe administrative të Shqipërisë, ku kishte 26 Dege të Punëve të Brendshme. Në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, ato ishin në një rang më të lartë dhe quheshin Drejtori të Puneve të Brendshme. Në çdo Degë të çdo rrethi, kishte një sasi qelish me dimensione 2 m. x 1,20 m. Po krahas këtyre, kishte dhe qeli “speciale”, me dimensione 1 m. x 0,5 m. x 1m, ku i arrestuari, as mund te shtrihej, as mund të rrinte më këmbë, por vetëm ulur, këmbëkryq. Numri i qelive ishte nga 30 deri në 100 për çdo Degë, ndërsa në ato të Shkodrës dhe Korçës, kishte mbi 100 qeli.

Tirana, përveç qelive që kishte pranë Drejtorisë në “Rrugen e Dibrës”, te “Selvia”, kishte qeli dhe në katër rajonet e policisë, në katin përdhes të Ministrise së Punëve të Brendshme, në bodrumet e Pallatit të Brigadave; në Burgun e ri dhe të vjetër dhe të ashtuquajturat “Qelite e Koçi Xoxes”.

Po kështu, në Tiranë dhe në shumë qytete të Shqipërisë, kishte shtëpi “sekrete” me qeli, që perdoreshin për punët misterioze të Sigurimit të Shtetit. Sipas thënieve të ish-gjeneralit te organeve te Sigurimit te Shtetit, Halim Xhelos që vdiq në mënyrë misterioze në burg, vetëm në Tiranë ishin mbi 500 qeli, ku janë torturuar me mijra të arrestuar. Si kryemjeshtër i torturës përmendet gjenerali Nevzat Haznedari, drejtor i degës së hetusise, pranë Ministrisë së Punëven të Brendshme, për një periudhë 20 vjeçare./Nga Tanush Kaso/Memorie.al

Të fundit

VIDEO/ Nga një gol për secilën skuadër, Milan dhe Roma ndajnë pikët në “San Siro”

Barazim 1-1 në sfidën mes Milanit dhe Romës në Serie A. Reijnders shënoi në minutën e 16-të, duke i...

“Ky as nuk ndërrohet”/ Livia flet për Laertin: Vesh të njëjtat pantallona…

Livia dhe Rozana kanë disktuar sot në shtëpinë e “Big Brother VIP 4” në lidhje me sjelljen e Laertit. Sipas Livias, Laerti nuk është afruar...

Kroacia mban zgjedhjet presidenciale, kush janë rivalët për president të vendit

Kroatët më 29 dhjetor zgjedhin presidentin e ri, teksa presidenti aktual Zoran Millanoviq, po prin sipas sondazheve. Rivali i tij kryesor në zgjedhjet presidenciale,...

“S’jemi si aleanca e qelbësirave”/ Alibeaj për zgjedhjet e 2025-ës: Synimi ynë….

Në zgjedhjet e kësaj pranvere, forcat e reja politike siç mund të jetë "Djathtas 1912", presin që të sigurojnë votën e atij që quhet...

Shqipëria, perla e fshehur evropiane…

Turizmi masiv në vende të njohura turistike në verën e vitit 2024, shkaktoi demonstrata të dhunshme, kryesisht në Spanjë, shkruan Noémie Dambrin në një...

Lajme të tjera

Web TV