Me një gol nga goditja e dënimit që do e kishte zili edhe Cristiano Ronaldo, Ernest Muçi thelloi rezultatin e Tiranës në derbin përballë Partizanin, që përfundoi në shifrat 5-1. Për talentin e lindur në Tiranë dhe i rritur te klubi bardh e blu, po flitet prej disa muajsh në media, pasi performanca e tij me ekipin e pare ka qenë fantastike.
Edhe pse vetëm 18 vjeç, Muçi është kthyer në një lojtar thelbësor për skuadrën e Egbo duke qenë shpesh deçiziv në fitoret e Tiranës, siç ishin dy golat ndaj Laçit më 22 dhjetor.
Talenti i tij është i padiskutueshëm dhe nuk është çudi që shumë shpejt ta shohim në ligat më të mira evropiane. Por sa kushton sot sulmuesi 18 vjeçar?
Aktualisht, faqja Transfermarkt e vlerëson kartonin e Muçit me një shifër prej 225 mijë eurosh, dukshëm shumë më pak nga aftësitë që sulmuesi po tregon në fushën e lojës. Gjithsesi, rritja nga një vit më parë është e madhe, pasi në janar të 2019-ës, lojtari vlerësohej 50 mijë euro.
Janari i 2020-ës është hera e fundit që është përditësuar çmimi për kartonin e Muçit, çka do të thotë se vlera e tij do të jetë në rritje duke përfshirë edhe performancën e fundit ndaj Partizanit, ku shënoi dy gola.
E ardhmja për talentin e Tiranës është e ndritur dhe mbështetja që po merr nga trajneri Egbo po vjen në momentin e duhur për 18 vjeçarin.