Kënga e Fatime Sokolit, incidenti me serbët në Kosovë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kur Fatime Sokoli doli në skenë për të kënduar, salla oshëtiu nga duartrokitjet dhe ovacionet e kosovarëve, por ato arritën kulmin kur Fatime Sokoli rriti volumin e zërit

Nga Sylë Gosturani

Dragobia toponim shumë i dëgjuar dhe shumë i njohur. E kanë bërë të tillë lumi i Valbonës, që gjarpëron në të gjithë gjatësinë e saj, bukuria e vargmaleve, të cilat zanafillën e kanë nga Jezerca, e zbresin pothuajse paralel me të dy krahët e Valbonës, duke formuar shpate të thikta. Ajo natyrë ka ndikuar në edukimin atdhetar, bujar, artistik, punëtor e liridashës të banorëve të asaj gryke, që njihet me emrin “gryka e Dragobisë”.

Nëpërmjet dritareve të shtëpisë së Fatimes, që është e ndërtuar pothuajse në pjesën e poshtme të fshatit Dragobi, në një breg pak të ngritur, mbi krahun e majtë të rrjedhës së Valbonës, shihen bukuritë e gjithë gjatësisë së luginës, shihet kaltërsia dhe dëgjohet oshëtima melodioze e Valbonës, që njihet si një nga lumenjtë më të bukur të Shqipërisë. Ajo natyrë e ndërthurur me ëmbëlsinë e ashpërsitë e saj ndikoi në formimin e personalitetit kulturor të Fatime Sokolit.

Fatimja lindi në Dragobi më, 15.06.1948, u rrit në Dragobi, punoi në Dragobi, në atë natyrë frymëzuese dhe në mes të një komuniteti gazmor, liridashës, bujar e shumë entuziast. Kam pasur fatin të njihem e të punoj me Fatime Sokolin. Në dhjetor 1968 u emërova drejtues shkolle në fshatin Valbonë, që administrohej nga zona Dragobi.

Në atë kohë Fatimja ishte mësuese muzike në shkollën Dragobi dhe përgjegjëse e kulturës për gjithë zonën e Dragobisë, ku bënin pjesë edhe Valbona e Çeremi. Dua të them se Fatimen e njoh si mësuese edhe si artiste. Ajo në jetën e saj të shkurtër i dha vetes e vendlindjes së saj, Tropojës, nam e zë. Si mësuese me këngët, vallet e humorin u edukoi vogëlushëve të bashkëfshatarëve të saj atdhedashurinë, krenarinë kombëtare, devotshmërinë për t’i shërbyer në çdo kohë e rrethanë.

U edukoi nxënësve mirësjelljen brenda e jashtë shkollës dhe etjen për të mësuar sa më shumë. Fatimja ishte një këmbëngulëse e jashtëzakonshme në formimin dhe zbatimin e marrëdhënieve  mes djemve dhe vajzave në shkollë, njëkohësisht dhe të marrëdhënieve mësues-nxënës. Në këtë fushë Fatimja nuk të falte.

Ishte shumë e prerë dhe pa hezitim, po të konstatonte liberalizëm të tepruar. Zëri i saj ishte alarmues, i rreptë dhe shumë goditës. Të gjithë mësuesit e rinj i druheshin, prandaj edhe strukeshin para presionit të saj.

Fatimja nuk ndiente lodhje, krahas punës që bënte në shkollë, shfrytëzonte në maksimum kohën për të vajtur sa në Valbonë, sa në Çerem për të gjetur mes popullit artistë e artiste, që kishin pak prirje për të kënduar, vallëzuar, për të interpretuar humorin popullor apo zotëronin ndonjë vegël muzikore të trevës. Plot elementë pati gjetur Fatimja në grykat e Valbonës, me të cilët sajoi grupin artistik të zonës, shumë prej të cilëve me vlerat e tyre artistike e nderuan Fatimen e zonën në konkurrimet qendrore të rrethit Tropojë.

Fatime Sokoli u afirmua si një artiste e madhe në atë në epokë që thirret epoka e socializmit. Për atë epokë këngët dhe çiftelia e Fatimes qenë një mishërim i transformimeve të jashtëzakonshme që u bënë. Fatime Sokoli krijoi një interpretim melodioz, të ndryshëm nga këngëtarët tjerë tropojanë. Zëri i Fatimes unifikohej aq bukur me tingujt, që nxirrnin telat e çiftelisë, sa që dëgjuesi nuk bënte dallim a është duke kënduar Fatimja apo çiftelia. Ai interpretim melodioz, shumë kumbues të qetësonte, të bënte të ndërprisje çdo veprim e ta dëgjoje atë melodi, që thirrej “Kënga si Fatime Sokolit”.

Çiftelia, për të cilën thotë: “Vet e gdhenda në një dru mandi. N’derë të shpellës bac Bajramit” qe bërë pjesë e pandashme e jetës së saj. Çiftelia dhe këngët e Fatimes, nuk gaboj po të them, ishin të barabarta me armën e një luftëtari në betejë, por jo për të vrarë, por për të edukuar dhe me të vërtetë çiftelia e Fatimes dhe këngët e saj jo vetëm kënaqin ndjeshmërinë njerëzore, por edhe edukuan e edukojnë tek të rinjtë, të rejat e të gjitha moshat virtytet më të larta: krenarinë kombëtare, atdhedashurinë, trimërinë, guximin, ndershmërinë, besnikërinë, bujarinë dhe shpirtin e sakrificës e të vetëmohimit.

Fatime Sokoli ka një vargëzim këngësh, pjesën më të madhe të të cilave i ka krijuar vetë, që mishërojnë patosin e shpirtit e thellësitë e zemrës së saj. Ajo i këndon dashurisë, sipas idilit tropojan, duke tipizuar çiltërsinë e zemrës, vendosmërinë, besnikërinë, konsekuencën e vajzës për mbajtjen e fjalës së dhënë, duke thënë “Nuk i prek kush sytë e mi, se i ka ruejt dada për ty”.

Ajo u këndon bukurive natyrore, rudinave, shpateve me thepa, burimeve të freskëta të bjeshkëve, kënaqësisë që ndien bariu, baresha, baçica e çdo kalimtar tjetër, që shpirti e mendja u ushqehet duke soditur ato peizazhe pa mbarim me lloj-lloj konfiguracionesh. Një ndër këngët e para të Fatimes është kënga “Ku je rrit çika e malësisë”. Kjo këngë kujton adoleshencën e Fatimes, por u kujton të gjithë adoleshentëve të tjerë tropojanë mënyrën se si janë rritur e argëtuar në bjeshkë.

Në repertorin e këngëve të Fatimes hulumtohet dhe argumentohen luftërat shekullore të shqiptarëve për liri, pavarësi e dinjitet. Në këngët që u kushtohen atyre luftërave, spikatin prijësit popullorë Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ali Ibra, Haxhi Zeka, rilindësit e mëdhenj e shumë e shumë të tjerë, që për tërë jetën e tyre nuk e hoqën pushkën nga krahu e penën nga dora, që Shqipëria të mos bëhej kafshatë e tjetërkujt, që tokat shqiptare të mos copëtohen, që nderi i shqiptarit të mos nëpërkëmbej.

Lexo edhe :  Media polake: Shqipëria, destinacioni perfekt për pushime në 2024

Fatimja i këndoi edhe Kosovës martire. Këngët e saj nuk ishin pak gjë, por kushtrim e thirrje për të mos harruar historinë, gjuhën, zakonet e traditat shqiptare. Kënga “Në krahë të shqipes nga Tropoja, ty Kosovë këtë këngë ta këndova, nuk është vetëm një melodi e ëmbël e argëtuese, por edhe një histori e gjallë trimërie. Ajo këngë është një evokim në të kaluarën e hershme dhe kushtrim për brezat e sotëm dhe të atyre që do të vijnë më pas. Vargjet: “Zemrat tona me ty janë.

Tanë Shqipëria anë e mban… Azem Bejtën e dadën Shotë për çdo ditë i lindë kjo tokë, janë shprehje besnikërie e gatishmëri e shqiptarëve të shtetit amë dhe thirrje të gjithëve, të rinjve, të rejave, burrave e grave edhe të moshuarve, jo vetëm për të rikujtuar Shotën e Azem Galicën, por edhe për t’u kthyer në heronj e martirë si ata. Koha e vërtetoi se vetëm ajo rrugë e të parëve tanë i solli Kosovës lirinë e pavarësinë.

Fatime Sokoli me çiftelinë dhe këngët e saj u afirmua si një artiste e madhe jo vetëm në Tropojë, por në mbarë trevat shqiptare. Në festivalet folklorike që zhvilloheshin çdo pesë vjet në Gjirokastër, kur grupet takoheshin për t’u përshëndetur, tropojanët i pyesnin “ka ardhur Fatime Sololi?”, sepse askush sa Fatimja nuk ua mbushte sy si artiste. Artistja e madhe e Tropojës, çika e Dragobisë, njihej e vlerësohej nga të gjitha strukturat partiake e shtetërore të asaj kohe.

Nga fillimi i majit të vitit 1971 në Dragobi erdhi një pjesë e Ansamblit të Këngëve e Valleve. Mbaj mend në veçanti Ibrahim Tukiçin e Sali Brarin. Nuk kishte vatër kulture, prandaj ansambli aktivitetin e vet e zhvilloi në qiell të hapur, në një lendinë buzë Valbonës. Mbylljen e programit ansambli e bëri me një kolazh këngësh partizane. Ibrahim Tukiçi e thirri Fatimen: “Fatime, oj çika e Dragobisë, eja këtu mes nesh e këndo me ne, sepse ti e ke vendin në Tiranë, po nuk e kuptoj pse nuk të lejojnë të bëhesh pjesë e jona”.

Këngët e Fatimes, tingujt e ëmbël, që nxirrnin telat e çiftelisë ishin edukim, por edhe plumb për titistët e Jugosllavisë. Ata nuk na e kanë dashur të mirën asnjë herë. Fatimen e kishin shumë inat, sepse ajo ua shpaloste faqe botës qëndrimet e tyre shoviniste ndaj Kosovës e kosovarëve. Ishte kjo arsyeja që në një trevë shqiptare në ish-Jugosllavinë titiste, spiunët e UDB-së i organizuan një veprim të barabartë me një atentat.

Pas viteve ‘70 marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave pësuan një farë ndryshimi në përmirësim. Në kuadër të këtij përmirësimi marrëdhëniesh, grupi artistik i Tropojës u ftua në Kosovë për të dhënë disa shfaqje artistike. Fatimja ishte një ndër eksponentët e rëndësishëm të grupit, prandaj pjesëmarrja e saj në atë vizitë ishte domosdoshmëri.

Grupi bëri të gjitha përgatitjet. Hartoi programin i cili u pa dhe u miratua nga disa instanca jo vetëm në Tropojë, por edhe në ato qendrore dhe pas të gjitha analizave grupi tropojan arriti në Kosovë. U mirëprit me dashamirësi nga të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe pas mikpritjes e pushimit të natës, drejtuesit e grupit u paraqitën autoriteteve kosovare programin e aktiviteteve, ku gjendeshin edhe këngët e Fatimes për Enver Hoxhën.

Titistët, që loznin edhe rolin e spiunëve, pasi u njohën me programin, kërkuan që këngët e Fatime Sokolit të cilat i kushtoheshin Enver Hoxhës, të zëvendësohen me të tjera, ose të hiqeshin fare, që zëri i Fatimes të mos dëgjohej. Por ç’ndodhi? Autoritetet drejtuese të grupit nuk pranuan as më të voglin ndryshim, në të kundërt ata dhe grupi do të largoheshin, në shenjë proteste.

Titistët nuk e kishin parashikuar këtë rezistencë dhe u detyruan të tërhiqen, por organizuan një turp, që nuk u është hequr e nuk do t’u hiqet kurrë. Në kohën kur Fatime Sokoli doli në skenë për të kënduar, salla oshëtiu nga duartrokitjet dhe ovacionet e kosovarëve, por ato arritën kulmin kur Fatime Sokoli rriti volumin e zërit, sikur të ishte një kantautore e madhe.

Duke ngritur duart lart, njërën grusht ndërsa në tjetrën mbante çiftelinë, duke demonstruar një pozë ekstravagante, për të personifikuar sa më të plotë, pa asnjë idealizim figurën e Enver Hoxhës, ndodhi çudia. Spiunët e UDB-së, me qëllim që këto vargje të mos përfundonin së kënduari, të mos dëgjoheshin nga kosovarët, fikën dritat e gjithë ndërtesës ku po jepej shfaqja.

Fatime Sokoli si trimëreshë dragobie e diti çfarë ndodhi e pse ndodhi. Sallën e mbuloi errësira. Mikrofoni doli jashtë funksionit. Fatime Sokoli, në atë mjedis të errësuar, që edhe jetën mund t’i rrezikonte, nuk bëri asnjë tërheqje, ashtu në errësirë doli në cep të podiumit, telat e çiftelisë i rrahu me gjithë forcën e dorës, zërit i dha volumin maksimal dhe vazhdoi duke kënduar gjer sa mbaroi të gjithë tekstin e këngës, duke ua përplasur surratit spiunëve e dashakeqëve të Shqipërisë.

Edhe spektatorët nuk lëvizën nga vendi dhe në mbarim të këngës, duke mos respektuar asgjë nga synimet e titistëve u ngritën në këmbë, duke brohoritur për Fatime Sokolin e parulla të tjera antishoviniste. Fatime Sokoli, ndonëse vdiq shumë e re, më 12.07.1987, në moshën 39-vjeçare, arriti të formonte një personalitet që nuk do të shlyhet kurrë në historinë e kulturës tropojane e më gjerë.

Vlerat e saj artistike, që përbëhen nga repertori shumë i madh i këngëve, të motivuara me shprehjen më të lartë të krenarisë kombëtare e të atdhedashurisë, si dhe melodia karakteristike e Fatime Sokolit, kanë qenë, janë e do të jenë burim edukimi.

 

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Ja pse stresi bën që të shtoni peshë

Stresi ju bën të shtoni peshë: disa kërkime shkencore e konfirmojnë këtë njëherë e përgjithmonë. Pavarësisht nga lloji i...

U vra sot me armë zjarri, efektivi Novruz Cenalia ishte martuar para një muaji

Një detaj prekës mësohet për Novruz Cenalian, efektivin e forcave “Shqiponja”, që u vra me armë në mes të ditës në fshatin Baltëz të...

Richard Orlinski në Tiranë/ Veprat e skulptorit të njohur çelin javën franceze në Tiranë

Veprat e skulptorit të njohur francez Richard Orlinski kanë ardhur në Tiranë dhe janë ekspozuar përpara Piramidës. Me këtë ekspozitë hapet java kulturore franceze në...

Dëshmia në SPAK/ Bardhi kërkon ndryshim të datës, zbulohet arsyeja

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka dërguar në Prokurorinë e Posaçme një shkresë me anë të së cilës kërkon që marrja në...

Vrasja e efektivit në Fier, gazetari zbardh detaje të reja: Autorin e gënjen mendja

Gazetari Artan Hoxha ka folur për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Fier, ku ka mbetur i vrarë shtetasi N.C, efektiv policie. I...

Lajme të tjera

Web TV